Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ismail Kadare:Letërsia e gjuhës së ndaluar

Shko poshtë

Ismail Kadare:Letërsia e gjuhës së ndaluar Empty Ismail Kadare:Letërsia e gjuhës së ndaluar

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 29, 2009 10:34 pm

Letërsia e gjuhës së ndaluar


Ismail Kadare:Letërsia e gjuhës së ndaluar Kadare%20foto%20(Small)
Ismail Kadare


Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet.
Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt?
Këtyre pyetjeve e kam vështirë t'u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim. Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim.
Çfarë mund t'i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë? Ç'ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç'cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake?
Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.
Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s'ime, por të gjithë popullit që i përkas.
"Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit."
Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.
Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462.
Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër.
Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.
Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.
Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi "këngën e përshpirtshme", vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:
Gjithëve u thërres, kush do ndejese,
Të mirë të kreshté, burra e gra
Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe
Se s'ishte njeri nesh që mkate s'ka.
Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër.
Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur.
Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.
Shumë kambana ranë e u mbytën në det.
Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk
Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,
E q'ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.
Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s'është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s'qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s'ishin më ata që kishin qenë.
Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s'ribëheshin më.
Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit. Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.
Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri.
Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi