Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dilema e KQZ’së

Shko poshtë

Dilema e KQZ’së Empty Dilema e KQZ’së

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 30, 2009 7:45 pm

Dilema e KQZ’së
Cilat janë komunat e reja në të cilat do të mund të votohet më 15 nëntor? Ministria e Pushtetit Lokal dhe ICO’ja ende nuk kanë përgjigje për këtë. Nga ana tjetër, KQZ’ja është në dilemë se për cilat komuna ta shpallë tenderin për shtypjen e fletëvotimeve. Sadri Ferati thotë se do ta qartësojë shpejt këtë situatë.


Dilema e KQZ’së Fisnik_dobreci_kqz0024-490x320

Nga Përparim Isufi

Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare ende nuk e kanë të qartë nëse ndonjë nga komunat e reja do të mund të përgatitet për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Burime të gazetës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet teknike për shpalljen e tenderit për shtypjen e fletëvotimeve për këto zgjedhje. Mirëpo në këtë komision ekzistojnë dilema se për sa komuna t’i porosisin fletëvotimet.

Krahas paqartësisë nëse do të ketë subjekte politike serbe në komunat e veriut të Kosovës (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), KQZ’ja nuk di se si të veprojë edhe rreth komunave të reja të cilat janë në proces të themelimit, sipas Pakos së Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. E, tenderi për shtypjen e fletëvotimeve pritet të shpallet, sipas të gjitha gjasave, në fillim të javës që po vjen.

Deri më tani, Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kanë themeluar ekipet përgatitore të tri komunave të reja (Kllokot, Graçanicë dhe Ranillug), ndërsa kanë mbetur pa u kompletuar edhe ekipet e komunave të reja të Mitrovicës së Veriut dhe Parteshit, bashkë me ekipin e Komunës së Novo Bërdës e cila, sipas Dokumentit të Ahtisaarit, pritet të zgjerohet me disa zona kadastrale që do t’i marrë nga territori aktual i Komunës së Gjilanit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka thënë për Express se bashkërenduesit e procesit të decentralizimit janë duke analizuar hapat që do të duhej ndërmarrë, ndërsa paralajmëron se KQZ’ja në kohë të duhur do t’i ketë vendimet e Qeverisë rreth kësaj çështjeje.

“Nuk kanë faj në KQZ që janë në dilemë, sepse ende nuk ka një vendim. Ne dëshirojmë ta bëjmë këtë sa më shpejt, por nuk dëshirojmë ta sfidojmë asnjë lokalitet nëse ai nuk është përgatitur sa duhet”, shprehet Ferati. “Shumë shpejt do të dalim me rekomandimet tona për këtë çështje. Do të kisha dëshiruar ta bëjmë këtë qysh javën e ardhshme. Megjithatë nuk do të vonohemi me këto rekomandime”, thotë ai.

Qëndrim i njëjtë mbizotëron edhe në Zyrën Civile Ndërkombëtare. Zëdhënësi i ICO’së, Andy McGuffie, thotë se komunat e reja nuk do të krijohen në presion të ndonjë afati. “Është e qartë se qëllimi është që procesi të ecë përpara pa ndonjë vonesë të tepruar, por edhe në mënyrë të qëndrueshme. Brenga jonë kryesore është që më mirë ta bëjmë reformën në rrugë të drejtë sesa thjesht ta përmbushim ndonjë afat”, ka thënë Zëdhënësi i ICO’së.

Sipas tij, secili ekip përgatitor komunal, kur ta përfundojë fazën e trajnimeve, do ta përcaktojë planin e vet të punës për përgatitjen e komunës së re. “Në këtë fazë, nuk është e mundur të thuhet se në çfarë shpejtësie do të përparojë secili ekip, sepse ka rrethana të ndryshme për secilin prej tyre”, thotë Andy McGuffie. Pakoja e Ahtisaarit u jep implementuesve të decentralizimit një afat trevjeçar, që nga momenti i hyrjes së saj në fuqi, për t’i krijuar të pesë komunat e reja dhe zgjeruar një komunë aktuale. E tëra kjo bëhet për ta krijuar një shumicë solide serbe nëpër këto lokalitete, në mënyrë që ky komunitet të mund të qeverisë në to.

Ky afat i Ahtisaarit u ka dhënë komoditet Qeverisë së Kosovës dhe ICO’së që të mos jenë të lidhur me datën e zgjedhjeve lokale të këtij viti. “Që nga fillimi i procesit janë dëshirat e mira të institucioneve të Republikës së Kosovës që të implementohet sa më shpejt, por ne jemi duke bërë analiza dhe nuk kemi ende vendim që në sa prej komunave të reja duhet të mbahen zgjedhjet lokale. Për momentin që po flasim, nuk kemi vendim”, thotë Ministri Sadri Ferati.

Sipas tij, banorët e komunave të reja do të mund të votojnë për përfaqësuesit e komunave të tyre aktuale, në rast se ato nuk do të mund të përgatiten për të hyrë në procesin zgjedhor të 15 nëntorit. “Nëse nuk do të ketë zgjedhje në komunat e reja, atëherë përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e 15 nëntorit do të zgjidhen në kuadër të Komunës amë. Do të shkohet me rregullimin momental të komunave. Ndërsa, kur të përgatiten, në një të ardhme, do të organizohen zgjedhje të veçanta për ato lokalitete”, thotë Ferati.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi