Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Robelli: A përmirësohet imazhi i Kosovës me pekmez dhe me përralla?

Shko poshtë

Enver Robelli: A përmirësohet imazhi i Kosovës me pekmez dhe me përralla? Empty Enver Robelli: A përmirësohet imazhi i Kosovës me pekmez dhe me përralla?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 01, 2009 9:38 pm


Enver Robelli: A përmirësohet imazhi i Kosovës me pekmez dhe me përralla? U1_EnverRobelliA përmirësohet imazhi i Kosovës me pekmez dhe me përralla?

Imazhin e Kosovës nuk mund ta përmirësojë asnjë agjenci marketingu, por vetëm funksionimi i ligjit dhe i demokracisë

Nga Enver Robelli

Gati gjashtë milionë euro do të derdhen nga buxheti i Kosovës në xhirollogarinë e një kompanie marketingu (Saatchi & Saatchi) për të përmirësuar imazhin e Republikës së Kosovës. Ende nuk dihet se çfarë mrekullish do të bëjë kjo agjenci për të treguar një pamje tjetër të Kosovës. Ata që e kanë pushtetin dhe që kanë lidhur kontratë me “Saatchi & Saatchi” ende nuk e kanë njoftuar opinionin për detajet e kontratës. Është e mundshme që propagandistët e huaj të montojnë ndonjë spot prej disa sekondave, i cili do të prezantohet në CNN apo në BBC, ku shikuesit mund t’i shohin Grykën e Rugovës, obeliskun Newborn, Ujëvarat e Mirushës, Brezovicën, ndoshta edhe Prizrenin. Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, është më mirë të mos e prezantojnë fare agjitatorët e “Saatchi & Saatchi”, sepse çdo investitor, vizitor apo turist potencial do të trishtohej nga masakra urbane. Në këtë kryeqytet mund të ndërtoni çka të doni dhe ku të doni, veçse duhet të gjeni paraprakisht një inspektor urbanistik në komunë dhe t’ia paguani atij një mijë ose dhjetë mijë euro ryshfet. Nuk do të ishte mirë që agjitpropët e “Saatchi & Saatchi” në spotin e tyre të propagandonin se Kosova është vend i sigurt për investime, sepse e vërteta është se ky vend është i ngulfatur nga një sistem tërësisht i korruptuar i drejtësisë, ku prokurorët dhe gjyqtarët mund t’i blini me para, me limonadë dhe me llokum.

Në të kaluarën, kur Kosovën e kanë qeverisur mundës, komandantë dhe dordolecë, me përmirësimin e imazhit të këtij vendi merrej një amator nga Britania e Madhe, ish-zyrtar i UNMIK-ut me emrin Simon Haselock. Ky njeri për çdo muaj nga buxheti i Kosovës ka marrë rreth 100 mijë euro për ndreqjen e imazhit. Publiku nuk di asgjë për punën e tij. Supozohet se e vetmja punë e kompanisë “Albany Associates” të Simon Haselockut ka qenë botimi i një editoriali të një kryeministri të Kosovës në gazetën “International Herald Tribune”.

Ka mendime të ndryshme lidhur me përmirësimin e imazhit të keq të Kosovës në botë. Disa theksojnë se vendi duhet të prezantohet në botë me muzikë (shpesh përmendet muzika hip-hop), të tjerët besojnë se sikur në aeroportet e botës të vendoseshin fotografi të mëdha të vendeve të bukura të Kosovës gjithçka do të rregullohej sa i përket imazhit, bile dikur si pjesë e imazhit të Kosovës përmendej edhe eksportimi i pekmezit, djathit të Sharrit, qenit të Sharrit, pogaçes etj. Të gjitha këto janë mendime të mira, të padjallëzuara - dhe thellësisht naive.

Ka mënyra të tjera për të përmirësuar imazhin e Kosovës. Për këtë duhet vullnet politik. Mbi të gjitha është e domosdoshme që drejtuesit e vendit të kenë ambicie, të cilat nuk reduktohen në fitime nga tenderët, në nepotizëm, në favorizim të figurave të shpifura, meritë dhe kualifikim i vetëm i të cilëve zakonisht është vuajtja në burg. Ilaçi më i mirë për përmirësimin e imazhit të Kosovës është funksionimi i ligjit dhe i demokracisë.

Shembujt se si duhet përmirësuar imazhin e Kosovës pa ndihmën zemërgjerë të “Saatchi & Saatchi” janë të shumtë. Të fillojmë nga kufiri: çdokush që hyn në Kosovë e vëren se simbolet shtetërore janë pothuajse të padukshme. Flamuri i Kosovës që valëvitet në Merdar, në Han të Elezit dhe gjetiu në pikat kufitare zakonisht është një leckë e grisur, ndërsa tabelën „Mirë se vini në Republikën e Kosovës“ mund ta lexoni vetëm nëse ndaleni dhe keni me vete një thjerrëz. Secili vizitor apo udhëtar që vjen në Kosovë duhet të paguajë që në hyrje haraç, i cili zyrtarisht quhet sigurim për veturë apo për kamion. Deri para shpalljes së pavarësisë përfaqësuesit e sigurimeve në kufi arsyetoheshin se Kosova nuk po pranohej në shoqatën evropiane të sigurimeve, sepse nuk është shtet. Po bëhen gati dy vjet që Kosova është shtet, por plaçkitja në kufi vazhdon. Publikisht kurrë nuk është njoftuar nga sigurimet e Kosovë nëse ato kanë bërë përpjekje për anëtarësim në shoqatën evropiane të sigurimeve. Nëse gjatë një viti në Kosovë hyjnë 500 mijë automjete dhe drejtuesit e tyre paguajnë së paku 50 euro për sigurim, atëherë shuma e haraçit arrin në 25 milionë euro. Plaçkitja në kufi është përshtypja e parë (e keqe) që Kosova e krijon te çdo vizitor.

Pastaj vijnë të tjerat. Ta zëmë kur shteti nuk e lufton krimin. Madje nuk ka asnjë reagim, kur në një vend perëndimor dënohen qytetarë të Kosovës për kontrabandë të dy tonelatave (dy mijë kilogramë!) drogë në disa vende evropiane. Mbretëron heshtje absolute kur para syve të miletit dhe hyqmetit shëtit një vrasës, i cili kërkohet nga një vend perëndimor. Askush nuk shqetësohet, kur para syve të miletit dhe hyqmetit lulëzon sistemi i reketimit. Kur nga dhoma e dëshmive në Komandën qendrore të Policisë vidhet droga e konfiskuar.

Për fat të keq në vend të angazhimit kundër luftimit të krimit nga pushtetarët e Kosovës apo nga tellallët dhe megafonat e tyre mund të dëgjoni përralla në stilin: „Krejt këto janë shpifje të Serbisë“, „Propaganda serbe ka filluar që në kohën e ilirëve, paraardhësve tanë të famshëm e legjendarë“. A thua e dinë këtë propagandistët e “Saatchi & Saatchi”? Dikush do duhej t’u tregonte. Pastaj Kosova do bëhej fushë me lule dhe Drinit të Bardhë teposhtë do të rridhte herë qumësht, herë mjaltë.


robelli@bluewin.ch - Koha Ditore
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi