Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Poezi të reja nga Mazllum Saneja

Shko poshtë

Poezi të reja nga Mazllum Saneja Empty Poezi të reja nga Mazllum Saneja

Mesazh nga Agim Gashi Fri Sep 04, 2009 1:03 am



Poezi të reja nga Mazllum Saneja U1_MazllumSanejaMAZLLUM SANEJA

FERDONJA
- Në kujtim të motrës sime –

Lindjet
janë të afërta
me vdekjet

Motra ime
vdiq
që kur ishte fëmijë

Në fëmijëri
e quanin
Done

Sëmundje e rëndë
e goditi
sëmundje e pashërueshme

Pastaj
re e zezë pikëllimi
mbështolli shtëpinë tonë

Mbaj mend
kur nëna
pranë dritares

e thërriste

Done
mjaft luajte
kthehu
në shtëpi

Varshavë, vjeshtë 2008

SHUHRETJA
- Në kujtim të motrës sime –

Ime motër
Një engjëll syshkruar
ishte

Çdo mëngjes
kur shikoj pranë dritares
më kujtohet ime motër

Dhe
sytë e saj lutës
një rrëke lotësh në pritje

Dhe thirrjet e çjerra
kthehu o vëlla
në shtëpi

Thuamë
a nuk të merr malli
për vendlindjen

Tani në mërgim
më kot e thërras motrën time
këlthitjet e mbytura treten në errësirë

Prapa dritares
një shi me rrëshekë bie
vjeshtë është

Oh Zot
fillikat vetëm jam

Varshavë, fillimi i nëntorit 2008

VDES PËR TY

Vdes për ty
i tha skamnori njeriut
që gjithashtu ishte skamnor

Qëndronin përballë njëri-tjetrit
me sy lutës të kryqëzuar

Ndodhi ajo që u desh
fillimi i praruar dhe fundi i tunxhit

Kam fëmijë – pëshpëriti skamnori
dhe unë kam vetëm Zotin
Këtë nuk arriti dot ta thotë

E shtynë me forcë në qeli të vdekjes
Maksimilian Kolbin
dhe krimbi e pyeti për mëkatet
- - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - -

O shenjtëri
të çuditshme janë viset e lindjes tënde

LUTJE

Kur në përfytyrimin tonë ndjejmë frikë
dhe mbi ne lëviz hapësira

Dritën njerëzore ruana Zot

Kur na le vullneti për jetë
madje edhe fjala duket e kotë

Dritën njerëzore ruana Zot

Kur urtësia jonë nuk jep fryte
Dhe tund drurin e përjetshëm

Dritën njerëzore ruana Zot

Kur zhgënjimi i hidhur na ndal na udhë
dhe përkulemi para gurit në fushë

Dritën njerëzore ruana Zot

OH ZOT NËPËR ÇFARË ERRËSIRE

Nëpër çfarë errësire të mendimit kalova
Oh Zot
mbështetur për murin e lotëve
që të shoh me mund dritën

Natën në përfytyrime pashë të vërtetën
në mëngjes nuk munda të besoj

Para meje
është edhe një ditë e tërë

RUSIA

Ah Rusi – je psherëtime e Evropes

Territoret tua të gjëra të goditura për Ural
Sa shumë ajër të braktisur

Me askend nuk dëshiron
të ndash Zotin tënd

Prapa mjegulles të lumejve tu të mëdhenj
fsheh sytë mizor

Nuk mban fjalën

Vallë, sa shumë torturon
popullin tënd

E tillë është jeta
- thotë skllavi

Me trishtim vështron Perendimi
se si e bren shpirtin tënd

Shekujt kalojnë e kalojnë
Ti nuk di të krijosh njeriun

Projektet tua te ndryshueshme
me pasoja të paparashikueshme

Shpirti yt tani dhe gjithnjë
një shpirt i vrarë

Këlthet Vorkuta
dhe zjarri i Kaukazit

Ndaj, zgjohu Rusi
shporru nga ëndrrat e llahtarshme

Varshavë, fundi i gushtit 2008

GJËRA TË MALLKUARA TË SHKËPUTURA

Vetëm Zoti
mund të kuptojë
skëtërrën e mendimeve

Derisa unë
i dërrmuar
provova

Tani lus me ngulm
kokrrën e rërës
fije barin
trendafilin
dhe manaferrën

për ndjesë

Varshavë, fundi i prillit 2008

AI NË FOTOGRAFI

Ai në fotografi
djaloshi gjashtëmbëdhjetë vjeç
nuk jam unë

Ai që vete rrugës me mund
nuk jam unë

Megjithatë
ai në fotografi
dhe ai në rrugë
megjithatë jam unë

Dhe ai që tani dyshon
pikërisht ai nuk jam unë

Varshavë, qershor 2008

NJERËZORJA
- Ewa Smietanskes -

Fëmija
në përqafimin
e nënës

Në stacionin e trenit
pashë
skamnorët e pastrehë
dorë më dorë të pandarë

Gjatë
acarit të ashpër
ushtarët
në llogore

Dhe refugjatët
në kampe
të shtrënguar mes vete

Pëllëmbët e duarve të infermieres
në spitalin e të sëmurëve rëndë
me sëmundje të pashërueshme

Dhe fjala jote
bukuri prekëse
Mikja ime

Se gjëja më e rëndësishme
e njeriut
është ngrohtësia
e njeriut tjetër

Varshavë, korrik 2008

METAFORA
-Në kujtim të vëllaut tim, Fadilit-

Aq thellë Ti besove
në metaforë

Mendove se pikërisht me të
është fillimi dhe fundi

Dhe ajo fshehtësi e madhe
e kohës pa kohë

Dhe shpresa
në shpjegimin përfundimtar

Dhe në fund
ajo tundi dhembjen tonë

Dhe shtrati i spitalit
e kopshti yt i buzëqeshur

Dhe të gjitha pikturat
qe i la të pambaruara
dëshmi e gjallë

Aq shkurt jetojmë

Dhe gjithnjë
në botë i lëmë
çështjet tona të pazgjidhura

Ndaj pate të drejtë
se metafora

Ajo
gjithçka hap
që mbetet e mbyllur

Madje edhe vdekjen

Varshavë, fundi i shtatorit 2006

TË USHQESH KORBAT

Pleqëri
tashmë nuk shkëlqen
me forcë gjallëruese

I kredhur në mendime
e ndjen veten të vetmuar

Dhe etja e madhe
që Dikush
t’i pëlqejë mendimet tua

Me shallin e trashë
mbulon
rininë tënde
të shkujdesur

Prapa dritares
dimër

Duhet edhe ca
të ushqesh korbat

FOTOGRAFIA E NËNËS SIME

Ka vite e vite
që vdiq
nëna

Dhe fotografinë e nënës
veshur me fustan të mëndafshtë
e ruaj në kujtesë

Në qytetin e huaj
në mes te sheshit
qëndron një grua e bukur

Ca njerëz
vijnë e shkojnë

Gratë me kapela
dhe burrat me bastune fildishi

Ajo grua e bukur si hyri
në mes të sheshit
ma kujton nënën time të bukur

Rreth e përqark pëllumbat
çukisin thërrime buke

Në fotografi
Mbrëteron
Një qetësi e thellë

Sepse askush nuk di
Dhe nuk parandjen

Se çfarë do të ndodhë
nesër

Varshavë, vere 2008

DHUNTI E MADHE

Dhunti e madhe
se ekziston
Drita natyrore

Dhe
që kemi sy

Dhe nata
e degëzuar
në shkapërderdhje

Varshavë, fundi i tetorit 2008

BORË E IMËT NË ALPE

Sot në mëngjes dëgjova përmes radios
se borë e imët po bie në Alpe

Kurrë
nuk kam qenë në Alpe

Dhe zemra
më theri

Zoti im
borë e imët po bie në Alpe

Varshavë, gusht 2008

LETËR JAN STUHLIT

Një vjeshte të vonë nëntori
në një mbrëmje letrare
në Varshavë
rastësisht u takuam
unë e ti
dhe bashkatdhetari im
piktori Zyhdi Çakolli
që vdiq i ri
atëbotë u njohtuam
e biseduam për artin
poezinë pikturen
derisa jashtë bënte ftohtë
në mes nesh
ngrohtësi e zjarr
një bisedë e çiltër lirike
të tillë të mbaj mend
o miku im poet
dhe një kohë kaloi
që nuk i shkruam njëri tjetrit
megjithëkëtë thonë se poetët kuptohën në heshtje
se në librin e profetëve
është një fjalë e drejtë
poeti për poetin është miku i vërtetë

sa shumë dëshirova
të të rrëfej
për golgotën shqiptare
fisin tonë emrin tonë ilir
vërtet deshirova shumçka të të them
po fjala më mbeti në fyt

Faleminderit Jan
që thellë më kuptove
lexove thellë mërgimin tim
që more ngrykë
Zyhdiun
dhe mua

Po
gjëja më e rëndësishme e njeriut
është
ngrohtësia e njeriut tjeter

ËSHTË VËSHTIRË TË JESH NJERI I MIRË
Stefan Melakut

Dëshiroj të jem njeri i mirë
i shkroi nënës poeti Jul Sllovacki

Është vështire të jesh njeri i mirë

Mbrëmë
fshehtas hëngra mollën

Gruaja solli me vete ankesën
Dhe unë
befas ika në gjysmë të fjalës

Nuk i buzëqesha
femijës

Madje
nëpërkëmba vetveten

Dhe vërejtja e refuzuar
Braktisja
E tradhëtia

Është vështirë të jesh njeri i mirë

Varshavë, fundi i korrikut 2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi