Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fritz Rdovani: V. I. Lenin, Xhon Kenedi dhe Papa Gjon Pali II...

Shko poshtë

Fritz Rdovani: V. I. Lenin, Xhon Kenedi dhe Papa Gjon Pali II... Empty Fritz Rdovani: V. I. Lenin, Xhon Kenedi dhe Papa Gjon Pali II...

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 20, 2009 9:52 pm



Fritz Rdovani: V. I. Lenin, Xhon Kenedi dhe Papa Gjon Pali II... U1_FritzRadovani
V. I. LENIN, XHON KENEDI DHE PAPA GJON PALI II…

Nga Fritz RADOVANI



“Mallkue kjoftë ai udhëheqës, argumentët e të cilit, në fund të luftës nuk janë aq të besueshme sa ishin në fillim”, ka thanë Bismarku.

92 vjet ma parë Revolucioni Socialist i Tetorit, nën udhëheqjen e V.I.Leninit, përmbysi rendin carist në Rusi dhe vendosi diktaturën e proletariatit, me tiparet e reja të shtetit bolshevik.

Po, ve në dukje shpjegimin e fjalëve: “Revolucion: 1. Përmbysje me dhunë e një rendi shoqëror, politik, dhe ekonomik që i ka kaluar koha dhe vendosja e një rendi të ri shoqëror, që sjell në fuqi një klasë të re, përparimtare e që zgjidh kontradiktën ndërmjet forcave prodhuese e marrëdhënieve në prodhim...Revolucion socialist (proletar) shkalla më e lartë e luftës së klasës punëtore, që bëhet nën udhëheqjen e partisë marksiste – leniniste, si rruga e vetme për përmbysjen e kapitalizmit dhe për ndërtimin e socializmit nëpërmjet vendosjes së diktaturës së proletariatit.” (Fjalori i Gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, fq. 1652.).

●“Diktatura e proletariatit, pushteti shtetëror i klasës punëtore që vendoset pas fitorës së revolucionit socialist nën udhëheqjen e partisë marksiste – leniniste, që shpreh e mbron interesat e të gjithë punonjësve dhe që është tipi më i lartë i demokracisë.” (Po aty, fq. 335)

●“Revolucioni Socialist i Tetorit. I pari revolucion socialist fitimtar në histori. U krye në tetor 1917 prej klasës punëtore në aleancë me fshatarësinë e varfër nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Bolshevike me V.I.Leninin në krye. Përmbysi pushtetin e borgjezisë dhe çifligarëve, vendosi diktaturën e proletariatit duke krijuar pushtetin socialist sovjetik.” (Fjalori enciklopedik, Tiranë 1985, fq. 920).

Të gjitha këta përkufizime të jetueme në shek. XX, nga miljona e miljona njerëz në katër anët e globit, tue fillue nga Rusia, Meksika, Spanja e deri tek e shkreta Shqipni, kanë lane mbas tyne lamije e zallishta të pafund me kafka dhe vorreza të përbashkëta, të mbulueme me “dafinat” e demokracisë proletare.

Asnjëherë nuk do të mund të shkruhet e verteta e atyne luftave të zymta që rroposën në gropën e mjerimit dhe të përçarjes kontinentin Evropjan, për ma shumë se 80 vjet në shekullin e XX, tue e kthye përsa dekada mbrapa gjoja me një flakë të ndezun “revulucionare”, prej së cilës u dogjën dhe u zharitën kombët ma të përparueme të botës së qytetnueme, tue u ba vetem sheshe betejash e rranojash nga luftat civile shpartalluese e vdekjepruese të vetë atyne popujve të mjerë, që patne fatin e zi me u kapërthye në demagogjinë e partive komuniste revolucionare.

Komunizmi asht mundue që me ba të kandëshme idetë utopike të Revolucionit Francez, tue i përshtatë ata me idealet komuniste bolshevike të klasës drejtuese të proletariatit.

U “harrue” se: “Materializmi nuk ka me mujtë kurr me zhvillue ndërgjegjën e njeriut!”

Në vitin 1938 Don Kolec Prennushi shkruen në librin “Për Krishtin o, kundër Krishtit”: “Lufta që racionalizmi nisi mbi katedra, ra mandej ndër rruga, në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrenues...sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka pra (pushtue) atmosferën e përgjithëshme...i cili edhe në mos pastë mërrijtë ndër ne, do të vijnë si mbeturina rrenojash që hjedh dallka e detit në bregoret tona. ”

Në gulagët e Rusisë bolshevike, mbanin robët e burgosun të izoluem me tela me ferra dhe i përdoronin ata si forca pune, deri në shkatrrimin total të tyne. Ata do të vdisnin ndër ata kampe të shfarosjes nga një rraskapitje e dhunëshme që shoqnohej me uri, vuejtje dhe sëmundje.

Fitoria e “revolucionit socialist” në të gjitha vendet e botës, ku, mujti me zanë vend posa triumfoi, shpalli dhunën si mjet fitorje mbi fronet e përmbysuna, tue vra, pre e masakrue qeveritarë e jo qeveritarë, oficerë e civilë, intelektualë dhe analfabetë, të pasun dhe të vorfën, fashatarë e malësorë të mendshëm e të daltuem me ndjesitë kombëtare e fetare, e kedo, që i delte para shpatës së sunduesit, tue mos u pajtue me ideologjinë e tyne marksiste e leniniste, ideologji e njohtun me termin rënqethës të internacionalizmit proletar.

Ishte pikërisht Lufta nacional – çlirimtare, “revolucioni popullor socialist” i drejtuem nga partia komuniste shqiptare, e thëmelueme nga emisarët jugosllav të udhëheqësit komunist J.B Tito, që Shkodren e 28 pianofortave të fillimit të shek. XX, e këthei në vitin 1946, në Shkodren e “çlirueme” të 26 burgjeve, hetuesive, qendrave të salvimit e masakrimit të popullit të saj, kur ajo nuk kishte ma shumë se 27.000 banorë...Katolik e Musliman, që banin vdekjen si me le nën breshninë e armëve të shovenistëve sllav në Zallin e Kirit e deri thellë në Malësi të Madhe...

Në një nga këto hetuesi krimineli Zoji Themeli, tha: “Ne e dimë që ju na quani terroristë... Po, ne, do të vazhdojmë terrorin tonë, kështu që, edhe fëmija në bark të nënës do të dridhet sa herë që do të dëgjojë emrin “komunist”...më tregon Prof. Sami Repishti, ish i burgosun politik në vitët e mënershme të 1946, në Shkoder.

Ja, pra, me fakte, kush ishte kryetari i degës së punëve të mbrendshme në Shkoder, një nga zv. ministrat e mbrendshëm të Republikës Popullore Demokratike të Shqipnisë, një nga ata të famshëm “instrument” të Sigurimit të Shtetit, me të cilët katili Enver Hoxha, mburrej se do të ndërtonte “Shqipërinë socialiste” dhe ateiste komuniste, ku, për herë të parë në histori, simbas mësimeve të “udhëheqësit të proletariatit botëror” V.I.Leninit, i cili, thonte: “Ia vlenë me vra 90% të popullit, për ndertimin e komunizmit”, dhe “nxënësit të tij”, diktatorit ma të madh të njëzet shekujve, përbindshit Stalin, “me të cilin, kaluam darkë në rezidencën e tij, në Kremlin” (siç shpjegon vetë E.Hoxha, në librin e tij “Me Stalinin”), dhe mësoi organizimin e pushtetit shtetnor të klasës punëtore, që vendoset mbas fitorës së revolucionit socialist, nën udhëheqjen e partisë marksist – leniniste...që, si mbas tyne asht tipi ma i lartë i “demokracisë”, del shumë e kjartë aksioma se: “Terrorizmi në masë në sistemin komunist asht mjet qeverisës!”

Vetem në Shqipni janë 45.000 të vramë, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, të mbytun në hetuesi e kampe të shfarosjes komuniste, të vdekun në kasollat prej kashte e ndër punët e randa të fermave ndër të gjitha skajet e Shqipnisë, ku jepnin shpirtë të internuemit, dhe 450.000 të burgosun dhe të dëbuem në këneta e balta që kanë provue dhe që vertetojnë genocidin komunist, i cili ka përfshi një Popull të tanë, genocid i aplikuem dhe i zbatuem me saktësi nga diktatura e proletariatit, që u vendos nga tirani E.Hoxha, sherbëtor besnik i shovenistëve jugosllav e rus dhe, një nga të “100 Tiranët” e diktatorët ma të mëdhaj të të gjithë shekujve, liber që u botue nga z. Nigel Cawthorne, “TIRANTS”, 2004, Australi.

Asht i pari Presidenti Xhon Kenedy që, tha, me 26 Qershor 1961 në Berlin, aty ku sot, ngrihet madhështor monumenti i Tij: “Kush mendon se asht i mirë komunizmi, le të vijë e të shohin Berlinin. Unë sot jam Qytetar Berlinez!”.

Asht po, ai vit kur bota komuniste për 28 vjet do të ndahet me “murin e madh” të Berlinit, mur i cili, vorrosë në thëmelet e tija të gjitha shpresat e mëdha të njerzimit të robnuem nga komunizmi. Ishte ai mur që po shuente edhe ndonjë shkëndi lirije larg në horizont...

Ishte ai “Mur’i Berlinit”, që historikisht do të kujtohët brez mbas brezi, si simbol i vërtetë i “demokracisë proletare e socialiste”që, u vendos mu në zemrën e Evropës Përparimtare.

Njëzet vjet ma parë, me 9 Nandor 1989...ishte në Vatikan Ai Burrë, që lutej për Paqen!Paqa asht frut i drejtësisë!” Ju tha, Ai, Burrave të shteteve me të cilët u takue...

Ishte Ai Burrë Polak që quhej Karol Vojtila!

Ishte po, Ai Burrë, që me fjalën e Tij trandi një Botë, një Botë të tanë... e Fjala e Tij, ishte “Lajmi i Fitorës” mbi frikën, tmerin, shtypjen, terrorin, përsekucionin, vuejtjen, mjerimin, burgjet, torturen, hetuesitë, qelitë e ftohta, kampet e shfarosjes, vrasjet, masakrat, urinë e tundi Malet ma të fuqishme...të Uralit e të Himalajës, deri aty sa, nga thirrja e Tij: “Mos keni frikë!”, u trand një Botë. Ishte po, Ai Burrë, që 20 vjet ma parëshembi njëherë e përgjithmonë rranojën mbi të cilën ngriheshin përmendorët e diktatorve të shekullit, rranojën e selisë Revolucionit Socialist proletar, rranojën prej nga shpërthente duhija revolucionare, rranojën prej nga “valviteshin” flamurët e marksizëm – leninizmit vorfnues e shkatrrues të njerzimit...

E, mbi ata thëmele ushtoi thirrja e fuqishme e miljona njerzve: “Liri...Demokraci!”

Kur, në vitin 2004, M.Gorbaçov, u ndodhë i rrethuem nga gazetarët në stacionin qendror të trenit në Milano, deklaroi: “Jo, nuk jam unë që mujta me shembë Murin e Berlinit, unë kam dhanë kontributin tem për atë çeshtje por, Murin e Berlinit, e ka shembë Papa Gjon Pali II.” Ishte po, Papa Gjon Pali II, Regan, Gorbaçov e Helmut Kol, që na mësuen këto tri fjalë:

Liri, Paqë, Demokraci!

Melbourne, Tetor 2009.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi