Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Drejtësia, segmenti më i rëndësishëm i shtetit shqiptar

Shko poshtë

Drejtësia, segmenti më i rëndësishëm i shtetit shqiptar Empty Drejtësia, segmenti më i rëndësishëm i shtetit shqiptar

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 23, 2009 12:02 am

Drejtësia, segmenti më i rëndësishëm i shtetit shqiptar

Prof. dr. Bamir Topi, president i Shqipërisë


Është një nder i veçantë për mua që të hap këtë takim të rëndësishëm, në një auditor shumë profesional, natyrisht me pjesëmarrjen e politikës dhe në radhë të parë të atyre misioneve dhe eskpertëve, që kanë asistuar në reformën e institucioneve të gjyqësorit shqiptar. Kështu që fillimisht do të doja të falenderoja organizatorët e këtij takimi! Do të doja të vlerësoja në mënyrë të veçantë atë punë profesionale mjaft të rëndësishme që është bërë në vite nga eskpertët vendorë dhe të huaj!
Sot ne kemi shansin që në funksion të këtij takimi t’i referohemi pikërisht atyre objeksioneve që dalin nga progres raporti i publikuar disa ditë më parë, ku në mënyrë të veçantë sillen nota realiste mbi sistemin gjyqësor, mbi institucionet e së drejtës dhe padyshim që krahas arritjeve që janë bërë shprehen edhe nota kritike. Kështu që ne sot nuk kemi disavantazhin për të diskutuar në përgjithësi. Gjithnjë e më shumë diskutimi ynë duhet të bëhet më cilësor. Duhet ta trajtojmë çështjen e reformës në drejtësi pikërisht në ato gjëra ku ajo mbetet për t’u realizuar dhe patjetër ajo që kërkohet edhe nga ky takim është një apel për të gjithë aktorët. Natyrisht, në lojën e reformimit të shtetit të së drejtës ka shumë aktorë. Nuk mund të ketë absolutisht asnjë lloj monopolizimi të së drejtës për të reformuar sistemin e drejtësisë. Në lojën e institucioneve janë aktorët politikë, janë profesionistët, janë ata për të cilët diskutohet, janë gjyqtarët në të gjitha nivelet, janë ekspertët e vendit, janë ekspertët e huaj, është opinioni publik, sepse tek e fundit shteti i së drejtës vepron, në radhë të parë, në funksion të qytetarit.
Sikurse thashë, është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet gjatë për problemet që ka gjyqësori në Shqipëri. Nga ana tjetër, duhet thënë se është bërë shumë. Asnjë herë nuk duhet të mendohet, pavarësisht nga kritikat, që gjërat fillojnë për së pari. Jo! Ka gati njëzet vjet, pas kalimit në një sistem demokratik që punohet çdo ditë. Natyrisht, cilësia e punës nuk ka qenë ajo që kërkohet sot. Ky është një proces, sikurse e kemi thënë edhe herë të tjera që vjen jo nëpërmjet revolucionit, po nëpërmjet një pune të përditshme, nëpërmjet një procesi evolutiv, ku duhet të përfshihen të gjithë aktorët. Diskutohet vazhdimisht, ju jeni vetë të pranishëm. Një pjesë e mirë prej jush janë kurajozë, një pjesë janë defektozë. Gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë; nuk janë të prerë të gjithë në të njëjtin standard, por kjo nuk është se përcakton dominantin e këtij procesi. Dominanti i këtij procesi është nevoja e thellimit të reformave që realizohen së pari nga klasa politike.
Klasa politike e ka detyrim të vazhdueshëm që të merret me reformën. Kjo ka qenë arsyeja që unë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme politike kam bërë një apel të drejtëpërdrejtë për partitë politike, jo sepse ato nuk e kanë në programin e tyre, do të thoja që është pjesë substanciale e programit të partive politike reforma në drejtësi, por kërkohej një prononcim elokuent, një prononcim i qartë, sepse për reformat në drejtësi nuk mjafton të kesh për të realizuar atë që ke të shkruar, por kërkohet patjetër bashkëpunim. Dihet qartë që vetëm bashkëpunimi mes forcave politike mund të realizojë ligjet për gjyqësorin. Nuk dëshiroj t’u rikthehem apeleve frekuente që kam bërë, nuk dua ta teproj në këtë sens, sepse është në vullnetin e forcave politike, janë vetë forcat politike që dalin para publikut dhe një herë në katër vjet votëbesohen nga publiku. Është një ballafaqim i forcave politike me publikun edhe në funksion të reformës së drejtësisë. Por, e vërteta është që reforma në drejtësi, në disa raste ecën me intensitet, në disa raste ndërpritet, është një proces që për hir të së vërtetës një herë vazhdon, një herë ndërpritet. Ka raste kur politika bie dakord brenda njëzet e katër orësh për ndryshime shumë të rëndësishme, të cilat mund të konsiderohen procese të karakterit të mprehtë dhe me interesa të veçanta. Ndërsa, reforma në gjyqësor kërkon patjetër një bashkëpunim të pandërprerë.
Ne nuk e bëjmë reformën në gjyqësor për të pasur një proces ndaj gjyqtarëve, apo profesionistëve. Përkundrazi, ata nuk janë kundërshtarët e këtij procesi. Gjyqtarët e të gjitha niveleve duhet të jenë bashkëpunëtorë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të ekspertizës, me klasën politike, pra, në një farë mënyre ne plotësojmë bazën e një procesi legjislativ ku klasa politike, trupa legjislative merr në konsideratë edhe “interesat e grupeve të interesit”, sepse interesi i gjyqtarëve, kudo që janë, është interesi ligjor. Kështu që, dhe një herë bëj një thirrje për të gjithë partitë politike t’i rikthehem me vëmendje këtij momenti shumë të rëndësishëm, i cili nuk kërkon fjalë. Ai kërkon kohezion politik, kërkon profesionalizëm, kërkon monitorim, sepse po bëj parantezën këtu, që nuk janë të pakta rastet kur një pjesë e gjyqtarëve janë shumë të devotshëm, gati gati në përulje kur dëshirojnë të marrin një pozicion të caktuar, dhe janë absolutisht mospjesëmarrës në interesa të mëdha publike kur diskutohet për gjyqësorin, kur diskutohet për problemet që ka shoqëria, kur diskutohet për çështje të nxehta që prekin në mënyrë direkte gjyqësorin, pra, në një farë mënyre futen në një lloj indiference, e cila është shumë e dëmshme për gjyqësorin shqiptar.
Ne kemi diskutuar dhe vazhdojmë të diskutojmë për domosdoshmërinë e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Dikush mund të thotë që ende ka probleme. Sigurisht që ka probleme, por e rëndësishme është që të thuhet se sot, në përgjithësi sistemi gjyqësor ka shansin për të qenë i pavarur. Kur them ka shansin, kjo ka të bëjë me frymën e përgjithshme, por ka të bëjë dhe me predispozicionin individual të gjyqtarëve. Ai që dëshiron që të jetë i pavarur, realisht është i pavarur. Në rast se ai preket në këtë sens, ai duhet ta bëjë publike. Ai që është i varur, natyrisht që është i varur dhe kjo ka të bëjë me formimin e tij moral, ka të bëjë me formimin e tij profesional, pra, janë çështje që dalin në dukje kur në tërësi sistemi është i pavarur. Pavarësia nga ana e saj, varet nga shumë këndvështrime. Vazhdimisht diskutohet për pavarësi politike. Nuk është thjesht vetëm kjo. Ka pavarësi të një karakteri tjetër. Ka një pavarësi të karakterit financiar, i cili në mjaft raste përflitet nga publiku. Ne marrim në konsideratë të gjitha referencat, informacionet që na vijnë nga institucionet. Unë si President i Republikës, do të marr në konsideratë në radhë të parë informacionet që vijnë nga publiku, nga ato që jepen nëpërmjet linjës zyrtare, por edhe nga ato që dëgjohen nga opinionet e qytetarëve, sepse ata janë më të prekshëm në përballimin me problemet e drejtësisë. Janë ata, që kërkojnë drejtësi. Janë ata, të cilët preken në disa raste, apo në mjaft raste nga anësia e gjyqtarëve. Janë ata, tek të cilët ne kemi gjithmonë një pikë referimi për të parë se si realizohet shtetit i së drejtës. Të kesh një sistem gjyqësor të pavarur, padyshim që duhen këto nocione bazë, por duhet edhe një element tjetër, duhet buxhetimi i sistemit të drejtësisë. Ne, në kuptimin figurativ, nuk mund të shkojmë në Strasburg në rast se kemi karburant deri në kufijtë administrativë të territorit tonë. Pra, sistemi i drejtësisë kërkon të ndërtohet me seriozitet, të buxhetohet me seriozitet dhe gjithçka të realizohet brenda detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, por edhe brenda nevojës për ceremonial.
Sikurse e thashë në fillim të fjalës sime janë bërë shumë gjëra, por patjetër që ka nevojë që të përmirësohen kushtet e gjyqtarëve mbi bazën e legjislacionit shqiptar dhe jo mbi bazën e preferencave subjektive të gjyqtarëve të veçantë. Ne kemi nevojë të vendosim standarde të harmonizuara si në Tiranë, ashtu dhe në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Duhet të jemi koshientë që ligji është një për të gjithë. Duhet ekuivalencë e plotë në çdo njësi të territorit tonë në Tiranë, në Durrës, në Korçë, në Shkodër, në Sarandë, kudo ku njerëzit kanë nevojë të përballen me problemet që kanë, të përballen me drejtësinë dhe të marrin drejtësi.
Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet kërkuar thjesht tek politika, nuk duhet kërkuar thjesht tek institucionet, pasi pavarësia fillon tek pavarësia individuale. Në respekt të Kushetutës dhe të ligjit, duhet patjetër që çdo individ së pari, të jetë i lirë në vetvete, nuk duhet të jetë i kompleksuar, sepse po të jetë i tillë, nuk është i lirë dhe po nuk qe i lirë do të thotë është i varur. Pavarësia vjen pastaj nëpërmjet rritjes së standardeve profesionale, të kurrikulumit të gjithësecilit, sepse, po e përsëris disa herë shprehjen, por për hir të së vërtetës disa gjyqtarë e kërkojnë karrierën e tyre nëpërmjet rrugëve jo të ndershme. Kërkojnë të jenë protagonistë në linja sekondare dhe jo nëpërmjet ballafaqimit me përmbajtjen e profesionit të tyre.
Sistemi i drejtësisë ka nevojë që edhe linjën e promocionit ta bëjë shumë transparente. Janë marrë masa të rëndësishme në vazhdimësi që procesi i përzgjedhjeve të jet transparent. Nuk është maksimumi. Transparencë do të thotë të jesh transparent deri në fund, në mënyrë që të gjithë të jenë pjesë e një konkurence të lirë. Unë e them sot këtu. E kam biseduar me të gjithë bashkëpunëtorët në KLD që procesi i përzgjedhjes duhet të shkojë in-extremis transparent. Të vlerësohen cv-të e tyre, të vlerësohet veprimtaria e tyre, të vlerësohet me shumë objektivitet jo thjesht linja e zbatimit të punës në oraret zyrtare, por edhe pjesëmarrja në diskutimet publike. Tek e fundit mund të shkojmë deri aty sa gjërat t’i përcaktojë, në qarkullimet e gjyqtarëve, edhe shorti. Kemi eksperienca. Një eksperiencë shumë e rëndësishme dhe pikë referimi është ajo që është realizuar me Kolegjin Zgjedhor, ku të gjithë të jenë të pranishëm. Media të jetë e pranishme kudo. Media duhet të jetë, dhe asnjë herë nuk ka pasur kontestim nga media, përkundrazi, media ka qenë gjithnjë e interesuar dhe duhet falenderuar në këtë kuptim, sepse i ka bërë problemet, që ka brenda sistemi i drejtësisë, të prekshme për publikun. Patjetër që gjërat që do të diskutohen sot janë të shumta. Unë dëshiroj që të inkurajoj diskutime të tilla dhe ajo unë do ta ritheksoja, ka nevojë që të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të shprehin kohezion për një proces i cili nuk mund të jetë kurrë fragmentar, është një proces integral, është një proces sintonik, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet ajo që thuhet dhe në raport-progresin e Bashkimit Evropian. Pra, të mos marrim në konsideratë vetëm disa segmente të sistemit gjyqësor, por duhet të kapim të gjithë piramidën. Dhe piramidën nuk mund ta kapë një individ, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës.
Pa e zgjatur shumë unë do të doja të jepja esencën e kësaj që thashë së fundmi. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vërtet është struktura më e rëndësishme që qeveris gjyqësorin, por s’është i vetmi. Këshilli, edhe nga përbërja është multifunksional; dikush vjen nga Parlamenti, dikush vjen nga Konferenca Gjyqësore, dikush ex-officio, por të gjithë së bashku, edhe kur marrim vendime nuk i marrim për të qenë definitvë në ato vendime, sepse disa vendime nga KLD janë konstestuar nga Gjykata e Lartë, ky është treguesi i pavarësisë nga njëra anë, por nga ana tjetër është tregues që këto institucione nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin në distancë, këto institucione duhet të bashkëpunojnë, sepse janë disa gjëra të pakontestueshme të cilat vjen rasti dhe kontestohen. Këtë gjyq nuk mund ta bëj unë sot, sepse do të ishte një ndërhyrje e drejtëpërdrejtë. Por, çështjet parimore injektojnë nevojën që të gjitha këto institucione duhet të bashkëpunojnë, në mënyrë që ajo që është reale, që është objektive, të jetë pjesë e vendimeve që i takojnë të marrin institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Vetëm në këtë mënyrë ne do të bëjmë të mundur që ky sistem të jetë unik, të ketë diversitetin e vet, sepse drejtësia jepet në të gjitha shkallët, por tek e fundit qytetarët shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, ku punojnë dhe çfarë problemi kanë, të kenë shansin që të marrin drejtësi. (Presidenti Topi në konferencën ndërkombëtare “Sistemi shqiptar i drejtësisë drejt standardeve evropiane”.)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi