Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kujtim Agalliu: Burri me syze të errëta

Shko poshtë

Kujtim Agalliu: Burri me syze të errëta Empty Kujtim Agalliu: Burri me syze të errëta

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 23, 2009 2:08 am

Kujtim Agalliu: Burri me syze të errëta U1_KujtimAgalliu
Burri me syze të errëta

Tregim

Nga Kujtim Agalliu

Kam vite që, për forcë zakoni, ndjek të njëjtën rrugë. Dal nga shtëpia, fiks në orën nëntë pa një çerek dhe, pasi tërheq pas vetes portën e hekurt, çaj përmes lagjes. Pa u ndaluar askund e mbaj frymën drejt e te kafeneja e jonë e parapëlqyer. Atje patjetër që do të gjej ndonjë shok që më pret.
Gjatë dimrit rrugica e ngushtë e lagjes përbaltet nga shirat dhe vende –vende krijohen pellgje uji. Unë me shkathtësi u shmangem atyre, por pa ju shpëtuar dot spërklave të imta të rërës, që çdo mëngjes m’i mbulojnë majat e këpucëve ngjyrë kafe. Në verë ndryshon puna. Është kjo që më bën të mos ndryshoj rrugë në asnjë stinë të vitit. Nga kopshtet e rrethuara me mure të lartë shpërndahet aroma dehëse e portokajve dhe e limonëve, që më shoqëron deri sa dal në rrugën kryesore, te Namazgjaja. Edhe pse i përhumbur midis aromës së portokajve dhe mureve të lartë rrethues të shtëpive përdhese, asnjëherë nuk harroj që t’i përshëndes fqinjët që rrinë pranë portës së shtëpive të tyre për të kullotur sytë.
Unë i njoh të gjithë fqinjët e rrugicës, së paku prej fytyre. E ç’rëndësi kanë emrat? Mjafton një “mirëmëngjes”, “ditën e mirë” apo përulje koke në shenjë respekti për të vendosur marrëdhënie të mira me ta. Përshëndetja, gjëja që kushton më pak, më thotë shpesh një shoku im.
Përveç që rrugica erëmon nga lulet e portokajve dhe limonëve, në të dy anët e saj është e pamundur të mos shohësh njeri. Syrit tim të vëmendshëm nuk mund t’i shpëtojë as ndonjë plakë që hedh mbeturina, as ndonjë vajzë apo djalë që niset me nxitim në shkollë, as prindërit që shoqërojnë fëmijët në kopsht, as dhe Zihniu që lëshon lopën e tij për në kullotë, e cila spërkat rrugicën me bajga.
Në të dalë të lagjes, atje ku rruga është e asfaltuar, çdo mëngjes do të takoj një burrë rreth të pesëdhjetë e pesave, të gjatë, me flokë të thinjur e të kreshpëruar përmbi ballë. Edhe atë nuk harroj ta përshëndes. E kisha takuar rastësisht në një mjedis shokësh dhe që nga ajo ditë vazhdoj ta përshëndes vazhdimisht.
Në ditët e ngrohta të fillimpranverës burri i gjatë me flokë të thinjur e të kreshpëruar, vë duart pas shpine dhe mbështetet pas murit, përballë derës së shtëpisë së tij. Syzet e errëta nuk i heq qoftë dhe një herë të vetme nga sytë. Ndoshta ngrohet në qiellin e fillimpranverës, ndoshta çmërzitet nga të ndenjurit brenda në shtëpi, mbase dhe zbavitej, duke parë kalimtarët e shumtë që lëviznin gjatë gjithë ditës poshtë e përpjetë.
Kishte pasur raste që edhe isha përballur me të. Shpesh e kisha parë me një çantë të vjetër nga ato të kohës së parë, nën sqetull. Kisha menduar se mos ky njeri ishte ndonjë nëpunës i vogël, diku nëpër zyrat e Bashkisë.
Burri me syze më kishte bërë shumë përshtypje edhe për faktin se nuk hynte në marrëdhënie me kalimtarët. Ai shpaloste në cepat e buzëve një buzëqeshje të stampuar që linte t’i dukej dhembi i vetëm i veshur me këllëf argjendi, në të djathtë të gojës, dhe kurdoherë po kështu do ta shihje.
Si çdo ditë, kaloj përbri burrit me syze të errëta, përulë kokën me delikatesë në shenjë respekti dhe vazhdoj rrugën me hap të shpejtë. Ka raste kur burri ma kthen përgjigjen, sidomos kur e përshëndes me zë, por ka edhe raste kur ai nuk reagon. Në qëndrimin e tij pasqyrohet një shenjë fodullëku, mendjemadhësie dhe indiferentizmi që më fyen. Ky qëndrim i tij mospërfillës ma shton inatin çdo ditë e më tepër. Nuk mund ta shpjegoj dot ftohtësinë e tij, indiferencën dhe buzëqeshjen e pakumptimtë, që i jep pamjen e një njeriu të vetëkënaqur me jetën. Ballafaqimi me të po ma kthen në makth kalimin në këtë rrugë që kisha vite e s’i isha ndarë.
Përshëndetjet e mia sa vinë dhe po bëhen formale. Madje, gëzohem shumë kur dal në qoshe të rrugës dhe nuk e shoh në pozicionin e tij të përditshëm. Së paku do të eci pa e përshëndetur dhe i qetë. Por ama, kur e shoh që ka zënë vendin e tij të zakonshëm filloj e monologoj me veten: “E ç’i duket vetja atij? Apo ka ndonjë post kushedi se çfarë dhe e mban veten për të madh? Po mirë, nëse s’do që të më përshëndesë, le të mos e bëjë. Tek e fundit unë për respekt e bëj se, edhe mund të mos i flas fare. I detyruar nuk jam. Po ai pse tregohet kaq fodull e mospërfillës? Së paku, le ta përkulë edhe ai kokën sa për shenjë e të më kthejë përshëndetjen.”
Filloj të mbushem me mllef çdo ditë e më shumë. Aq më mërzit qëndrimi indiferent i tjetrit sa që nuk po më shkohet më asaj rruge, aq të pëlqyer për mua. Herë-herë mendoj: “Po sikur të ndërroj rrugë? Ja, le të kaloj nga bulevardi kryesor dhe drejt e te kafeneja jonë e preferuar. Edhe mund ta bëj, po pse? Për një mendjemadh që rri që në pikë të mëngjesit mbështetur pas murit e ma mban veten për kushedi se çfarë? Jo, jo, në asnjë mënyrë! Për hir të këtij njeriu të prish zakonin e kaq viteve e të kaloj nga rruga kryesore, ku të mbijnë nëpër këmbë tregtarët që reklamojnë mallin, jashtë dyqaneve të tyre? Në djall le të vejë ai dhe mospërfillja e tij. Aty do të kaloj dhe nuk do ta prish fare terezinë. Për deri sa ai nuk denjon të më përshëndesë, edhe unë po me të njëjtën indiferencë do t’i përgjigjem. Më të mirë se veten time nuk do ta bëj. Jo, vërtetë që jam një i papunë, por njeri i ndershëm dhe askujt nuk ia kam zgjatur dorën. Me dhjamin tim jam kaurdisur tërë jetën. E pse duhet t’i përulem atij. Çfarë kishte ai më shumë se unë, për t’ju lajkatuar?”
Sjellja e çuditshme e këtij banori të lagjes po më kthehet në një makth të vërtetë. Aromën e limonëve dhe portokajve, aq të pëlqyer për mua, nuk po e shijoj këtë pranverë. Edhe përshëndetjet me banorët e tjerë po më duken të ftohta e bajate. Mbase për dikë tjetër nuk është ndonjë problem i madh nëse dikush nga banorët e lagjes e përshëndet apo jo. Edhe mundet, por për mua nuk është kështu. Unë jam mësuar me këtë mënyrë jete dhe nuk mund ta shmang dot. I përshëndes të gjithë ata që më kalojnë para syve dhe dua që edhe ata të ma kthejnë përshëndetjen. Dhe më duket se është një veprim njerëzor apo jo? Po të ndodhë që dikush të mos ma kthejë përshëndetjen filloj e shqetësohem dhe rri e vras mendjen për të gjetur shkakun e indiferentizmit të tjetrit. S’ke ç’i bën, kjo është çështje karakteri.
Përfundimisht, çdo mëngjes, vendosa t’i kaloj pranë pa e çarë kokën që ta përshëndes. Nuk e kapërdija dot më tej mospërfilljen e tij. Respektit duhej t’i përgjigjeshe me respekt në të kundërt si të sillesh do të gjesh. Ja, kështu!
Por ai vazhdon si më parë. Nuk i bëhet vonë nëse e përkul kokën për ta përshëndetur apo jo. Me sytë nga dera e shtëpisë së tij dhe me atë buzëqeshjen e tij të shpifur e të shpërveshur cep më cep të buzëve, dukej sikur më thotë: “O, ja, m’u prish gjiza mua se s’më përshëndet ti.” Madje, ai as nuk reagon e të kthejë së paku kokën nga ana ime, qoftë dhe formalisht.
M’u prish gjumi. Nuk di se si të veproj, nuk mund ta braktis rrugicën time të dashur, me të mirat dhe të këqijat e saj, për një njeri të këtillë. Por edhe të gëlltis fyerjet e tij çdo mëngjes nuk e bëj dot. Më mirë të ngatërrohem nëpër tezgat e tregtarëve në rrugën kryesore se sa të përballem me këtë njeri. Nuk e duroj dot mospërfilljen e tij.
Lamtumirë rrugicë, lamtumirë plaka e pleq të ulur pranë portave të shtëpive, lamtumirë vajza e djem që niseni për në shkollë dhe ju, o nëna, që çoni fëmijët në kopsht. Këtej e tutje përshëndetja ime do t’iu mungojë. Dhe shkaktarin e keni aty, të ngjitur pas murit me duar të mbërthyera pas shpine, me atë buzëqeshjen e shpifur e të kallkanosur në cepat e buzëve. Atë gjykoni dhe jo mua.. Unë ju kam respektuar për vite me radhë, por tani u mbush kupa. Do të ndryshoj rrugë. Të më ndjeni, por nuk kam zgjidhje tjetër!
Pra, tani rruga ime për te kafeneja, ku më presin shokët, kalon nga bulevardi kryesor. Andej nuk e kisha problem sepse tregtarët ishin si kërpudhat dhe pak, me mirë me thënë, shumë pak nga ata njoh. Tri-katër përshëndetje dhe, ec, babe, përpara pa e çarë kokën. Por malli për rrugicën time të dashur më bren hera-herës.
Një mëngjes, tërhoqa portën e hekurt pas vetes dhe, u nisa si zakonisht në itinerarin tim të përditshëm. Kalova ngushticën midis pallatit dhe shtëpisë përdhese, pranë tregtarit të opingave, dhe dola në bulevard. U përshëndeta me shitësin e luleve artificiale, me atë të kapelave, dhe arrita te dyqanet e pajisjeve shtëpiake. Njëzet metra para meje dukej degëzimi për në rrugicën time të dashur. Mes njerëzve që hynin tek agjencia e autobusëve dallova kreshtën e thinjur të flokëve të fqinjit tim mospërfillës dhe nën të syzet e errëta. Ngula këmbët për t’iu shmangur ballafaqimit me të dhe prita sa të merrte drejtimin për nga rrugica jonë. Nën sqetull shtrëngonte dosjen e modelit të vjetër dhe në dorën e djathtë mbante një shkop të bardhë me dorezë të zezë. Ai u shkëput nga turma dhe me kujdes, duke trokitur mbi trotuar me shkopin e bardhë, mori kthesën për te shtëpia e tij. Me siguri, pasi të linte dosjen në shtëpi, ai do t’i mbërthente duart pas shpine dhe do të mbështetej te muri në pozicionin e tij të përhershëm.
... Të nesërmen fillova të kaloj përsëri në rrugën time të dashur.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi