Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tregim nga: KUJTIM AGALLIU

Shko poshtë

Tregim nga: KUJTIM AGALLIU Empty Tregim nga: KUJTIM AGALLIU

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 23, 2009 9:21 pm

Tregim nga: KUJTIM AGALLIU


Tregim nga: KUJTIM AGALLIU
PLAKA NË TAPET
E di që s'do të më besoni, por unë do t'ua rrëfej këtë ngjarje ashtu siç më ngjau dhe ju gjykoni vetë.
Kisha a s'kisha një vit që bëra ato të flamosura letra për qëndrimin tim në Greqi, kur sime ëme i ra goja:
- Të keqen nëna, më nxirr edhe mua njëherë të shoh dynja me sy se do vdes me një peng në shpirt. Ja, mbushja mendjen grekut që të më japin një vizë. Vetëm ca ditë do të rri dhe iki pastaj.
Nuk ia prishja dot qejfin, edhe pse e dija se sa të vështirë e kisha t'ia nxirrja atë dreq vize, por dhe që ta merrja ajo nuk ishte në atë moshë që i përballonte këto mundime. Kishte kaluar me kohë e vakt të tetëdhjetat. Gjithsesi ishte e mbajtur, kockë e fortë si i thonë fjalës. E bisedova me time shoqe. Edhe ajo sikur u tkurr kur mësoi për dëshirën e nënës për të ardhur në Greqi. Ramë në hall të madh: po të mos e merrnim do të na gjykonte sikur nuk e donim dhe respektonim. Ta merrnim, ajo ishte e moshuar dhe një Zot e di se ç'mund t'i ndodhte. E bisedova dhe me tim vëlla që banonte një lagje më tej nga unë. Edhe ai u përtyp pa ditur se ç'mendim të më jepte. Pastaj tha si me përtesë:
- Po, fundja e marrim. Pleqëri është dhe ka qejf të dalë edhe ajo nga shtëpia e të na shohë ne se si jetojmë këtu në kurbet.
Unë kaq desha se kisha ditë të tëra që i kisha bërë gjyqin vetes pa vendosur dot. Fjala e tim vëllai, ca vjet më i madh se unë, i vuri kapakun këtij shqetësimi.
E binda pronarin të më lëshonte një garanci për ambasadën se e dija që nuk do të më nxirrnin shumë pengesa për shkak të moshës së thyer që ajo kishte. Ai, që më respektonte mua për punën pa fjalë që bëja nuk ma prishi qejfin. Kështu, pas dy a tri javësh motra ma nisi nënën deri në aeroport dhe unë dola dhe e prita bashkë me familjen. Morëm një taksi dhe e çuam në shtëpi. Ajo dalldiste nga gëzimi dhe nuk ngopej së pari sa majtas, djathtas. Rrinte e rrinte e fliste si për veten e saj:
- Ah, ne të mjerëve na iku jeta kot. Sa bukurira ka kjo e flamosur dynja! Njeriu i gjorë nuk shikon asnjë thërrime prej tyre.
Nëna do të rrinte në shtëpinë time, jo vetëm se isha më i vogli dhe jetonte me mua, por kisha edhe më shumë hapësirë. Kur të mërzitej le të shkonte te vëllai. Si t'i donte qejfi të bënte vetëm që të kënaqej dhe ta mbante mend sa të ishte gjallë.
Të dielave e nxirrnim nëpër Athinë dhe jashtë saj për të kullotur sytë e të kënaqej. Dhe vërtet u kënaq shumë. Na dukej sikur u përtëri dhe sytë i nxirrnin xixa nga kënaqësia. Edhe ne na kishte të gjithëve aty e na shihte pothuaj çdo natë.
Por kjo nuk zgjati shumë. Entuziazmi i saj sa vinte e zbehej çdo ditë e më shumë. Sapo ime shoqe i bënte kafenë e mëngjesit dhe ia vinte përpara, ajo me filxhanin ende pa rrufitur fillonte e tregonte ëndrrat që kishte parë tërë natën në ato katër - pesë orë që kishte fjetur.
- Më ngritën ëndrrat gjithë natën, moj nuse. Se qysh do jenë andej, një Zot e di!?
- Po mirë do jenë, moj nëne! Larg qoftë po të ndodhte gjë do të na kishin lajmëruar. Pse i kemi telefonat, ja për këto punë.
- Mirë e ke, të keqen nëna, mirë, po mua nuk po më lënë rehat ëndrrat, që për hair na i bëftë Zoti ishaallah!
Që të mos e zgjat e t'ju lodh, aty në të hyrë të vjeshtës ajo ra e sëmurë. Ca nga meraku, ca edhe nga pleqëria, një mëngjes nuk u ngrit nga krevati për të pirë kafenë si zakonisht. Ne u shqetësuam dhe të nesërmen e çuam në spital për vizitë.
- Mos u shqetësoni, - na tha mjeku që e vizitoi, pak grip ka. Do t'i kalojë.
Para se ta çonim në shtëpi u kthyem në një farmaci dhe morëm ilaçet që na kishte dhënë mjeku. Ia filluam që atë ditë, pas buke. Po a hante bukë ajo, thuaj? I ishte prerë oreksi dhe fytyra kishte filluar t'i tretej. Pritëm në ankth që ilaçet të bënin punën e tyre dhe nëna të ngrihej e të pinte kafenë bashkë me ne në mëngjes para se të shkonim në punë, por ajo vazhdonte të rrinte shtrirë, pa hapur gojën që të rrufiste ndonjë gllënjkë kafeje. Time shoqe e hoqa nga puna për pak ditë që t'i rrinte pranë dhe të përkujdesej për të. Edhe im vëlla ngeli tutje - tëhu, çdo natë edhe pse i lodhur e i dërmuar nga puna. Lodhjes dhe problemeve tona ekonomike iu shtua edhe shqetësimi për nënën e sëmurë. E biseduam me vëllanë ta nisim në Shqipëri, por edhe këtu u lëkundëm pak. A mund ta përballonte ajo udhëtimin e gjatë në gjendjen që u bë?
- Lëre njëherë, - i thashë vëllait, - do Zoti e shërohet dhe pastaj me të parë, me të bërë.
- Ta çojmë në spital e ta shtrojmë, - tha prerë ai.
Dhe të dy iu qasëm te koka nënës dhe ia thamë mendimin tonë.
- Të keqen nëna, - tha ajo me ngadalë. - Më lini rehat në hallin tim. Nuk më bën derman spitali mua. Në e ka shkruar Zoti do të rroj, nëse ai do që t'i vete pranë, u bëftë dëshira e Tij. Sido që të bëhet mjafton që u ngopa me ju kaq ditë dhe pashë njëherë dynja me sy.
E pamë se nuk ia mbushnim dot mendjen, por dhe të rrinim duarkryq nuk bëhej.
Po ç'ndodhi?! Të nesërmen ndaj të gdhirë nëna vdiq. Ky ishte hall mbi hall për ne. Veç hidhërimit që na shkaktoi vdekja e saj ne u gjendëm edhe ngushtë nga xhepat. Ku ta përplasnim kokën? Ato pak kursime që kishim nuk mjaftonin për ta përgatitur meitin për rrugë. Tërë atë ditë bashkë me vëllanë jepnim e merrnim për të gjetur mundësinë që të niseshim për në atdhe e t'i bënim nderimet e fundit nënës. Asnjë nga variantet që menduam nuk na dukej bindës. Ta nisnim në rrugë shtetërore dhe në bazë të formaliteteve ligjore jo vetëm që na duhej një kohë e gjatë, por edhe financiarisht nuk e përballonim dot edhe sikur t'i bashkonim të dyja kursimet tona. Na duheshin të paktën mbi 3000 Euro për shpenzimet. Gruaja më erdhi në ndihmë:
- Po sikur ta çojmë me makinën tonë për tërë natën?
- Po telashet që mund të hasim i ke menduar? - ia ktheva unë. - Për transportimin e saj duhen vënë në dijeni autoritetet shtetërore, dhe po e nisëm, me ta kemi probleme të tjera.
- Epo rrugë tjetër nuk ka. Ja natën dhe fshehurazi sa të hyjmë në tokën tonë, ja në rrugë shtetërore dhe të përballojmë shpenzimet.
- Sikur ta mendojmë më shtruar atë variantin që tha jot shoqe, - tha mendueshëm im vëlla. - Pastaj ne bëhemi katër vetë në makinë dhe si do ta rregullojmë nënën gjatë rrugës?
Këtë s'e kishim menduar, ndaj sikur u tulatëm për disa çaste. Përsëri ime shoqe na nxori nga situata. Pse thonë mendje femër, ja për këtë se gratë në të tilla raste janë treguar më të mençura se burrat.
- Ta mbledhim me tapet dhe ta lidhim mbi kabinën e makinës, - mendoj unë. - Askujt nuk do t'i vejë në mend të pyesë se do të pandehin që i kemi plaçka për në shtëpi.
Ky propozim m'u duk më i përshtatshmi, por i rëndë për ndjenjat tona. Si mund ta lidhnim nënën tonë të dashur mbi kabinë të mbështjellë me tapet? Po a kishim zgjidhje tjetër?
Me dhimbje vendosëm të vepronim kësisoj dhe sapo ra dielli në det, iu përveshëm punës. E lëshuam të ndjerën nënën tonë me kujdes mbi tapet, e rrotulluam atë përreth saj dhe e lidhëm fort që të mos na ndodhte ndonjë e pabërë rrugës, e ngarkuam mbi kabinë dhe e lidhëm përsëri te traversat e forta prej çeliku që shërbenin si bagazh i jashtëm. Pasi e bëmë paq këtë punë dhe çdo na u duk për së mbari, u nisëm të tre, unë, vëllai dhe ime shoqe. Fëmijët i porositëm të kujdeseshin për shtëpinë sa të ktheheshim.
Udhëtuam për tërë natën, rrugë pa rrugë, duke iu shmangur autostradës dhe pas mesit të natës u gjendëm në doganën e Kapshticës. Ndaluam makinën për të bërë kontrollin rutinë dhe u nisëm drejt postbllokut me pasaportat në dorë. Në doganën greke mbaruam punë shpejt dhe për fatin e mirë tonin doganierët e përgjumur grek nuk na bënë ndonjë kontroll të imët.
Në doganën tonë kishte më shumë udhëtarë që po vulosnin pasaportat me vulën e hyrjes. Një polic i hodhi një sy makinës sonë, pa nga tapeti i lidhur mbi kabinë, por vetëm kaq. Ne na ngriu gjaku se mos ky tapet i tërhiqte vëmendjen dhe shkonte e shihte nga afër. Pas kësaj ne e humbëm mendjen dhe me pasaportat në dorë po mbanim radhën për të vulosur. Kishte mjaft emigrantë dhe ishim të lodhur nga rruga e gjatë. Kapakët e syve na rëndonin nga pagjumësia. Mua, i mbështetur në kangjellat e dritares së pikës së kontrollit, m'u këput koka për gjumë. Gjithë natën kisha ngarë makinën dhe më ruajti Zoti se si nuk u vithisa në ndonjë kanal anës së rrugës.
Mbaruam punë dhe shyqyr që shpëtuam edhe këtu pa andralla. Ishim të lehtësuar në shpirt se ia hodhëm paq dhe se pas të paktën dy a tri orësh do të ishim në qytetin tonë, ku farë e fisi na prisnin të bënim ceremoninë e përmortshme të nënës. U nisëm. Ora katër e gjysmë e mëngjesit na gjeti në Dragostunjë, afër Librazhdit. Qëndruam të pimë një kafe e të marrim pak veten nga lodhja dhe pagjumësia. Rreth e rrotull errësira ende nuk ishte davaritur dhe trajtat e majave të rrapeve mezi shquheshin. E pimë më nge kafenë dhe u ngritëm të vazhdonim rrugën. Por... o Zot, ç'të shihnim! Tapeti nuk ishte më mbi kabinë, na e kishin vjedhur. Na ra pika kur e pamë makinën pa tapetin dhe nënën brenda tij. As bërtisnim, as ankoheshim dot, se na dilte e fshehta në shesh. Nga u ngushtua zemra nga kjo e keqe që na ndodhi. Dhimbje më të madhe nuk kisha provuar kurrë në jetën time. E krehëm tërë zonën përreth me tahmin se mos e kishin braktisur nënën diku në ndonjë cep, por asnjë shenjë nuk dalluam dot. Kështu na gjeti mëngjesi dhe pasi u bindëm se s'kishte rrugë tjetër dhe t'ia linim kohës dhe Zotit në dorë të vendoste për nënën, u nisëm të pikëlluar për në shtëpi...
Dy ditë më vonë, në kronikën e zezë, televizioni njoftoi se një grua e moshuar, e pa identifikuar, ishte gjetur në një ledh ndanë ujërave të lumit Shkumbin.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi