Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

DR. FLORI, "Ju tregoj sekretet e hiteve tona muzikore"

Shko poshtë

DR. FLORI, "Ju tregoj sekretet e hiteve tona muzikore" Empty DR. FLORI, "Ju tregoj sekretet e hiteve tona muzikore"

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 10, 2009 7:37 pm

DR. FLORI, "Ju tregoj sekretet e hiteve tona muzikore"
Grupi “West Side Family” shumë shpejt me një videoklip të ri dhe krijime të reja
DR. FLORI, "Ju tregoj sekretet e hiteve tona muzikore" Dr-floriAta janë tre djem Dr. Flori, Landi dhe Miri, të cilët prej vitesh njihen si djemtë e “West Side Family”. Dikur shokë në një klase, tani anëtarë të një prej grupeve më të njohura muzikore të Shqipërisë. Pas sukseseve me këngët ndër vite, ata u prezantuan së fundmi në dy festivale me dy këngë, të cilat morën vlerësimet e publikut. Ky rikthim i tyre tregoi se ata janë gjithmonë të suksesshëm. Publiku i pëlqen këngët e tyre dhe nuk i harron, pasi që në momentin e parë që përmendet emri “West Side Family” shpërthejnë duartrokitjet. Pas një periudhë pushimi ata sjellin sërish hite muzikore. "Mirëmëngjes", "Pse?", "Kena lind për qejf", "S.O.S", “Jehonë”etj, janë titujt e këngëve të "West Side Family", tekstet e të cilave mbajnë autorësinë e Dr. Florit. Në këtë fundviti ai tregon gjatë një interviste dhënë për gazetën “SOT”, se pas prezantimit në dy festivale, ata ndjehen pak të lodhur por mbi të gjitha të kënaqur për punën që kanë bërë. Më tej ai tregon dhe për projektet në vijim, videoklipin e ri që pritet të lançohet në muajin janar të viti 2009, si dhe disa momente të bukura të krijimtarisë së “West Side Family”. Por si ka qenë për grupin ky vit dhe cilat janë synimet në vazhdim, Dr.Flori na i zbulon në vijim të intervistës.


-Pas dy festivaleve si ndjehet tani Dr. Flori?

Ndjehem pak i lodhur, sepse kam pasur shumë angazhime, por dhe shumë impenjime këto ditë të fundit të vitit. Kemi punuar shumë mirë për dy këngë dhe tani pritet që të dali dhe videoklipi që po përfundojmë, pastaj kemi pasur dhe shumë koncerte. Kështu kanë qenë këto ditë dhe prandaj them se jemi të lodhur.

-Po kjo lodhje besoj se ju ka falur dhe kënaqësi?
Normalisht që na ka falur kënaqësi, sepse është një lodhje e bukur, që të fal puna që ne kemi bërë. Kam satisfaksion, pasi është shpërblyer puna që ne kemi bërë, por dhe kemi ndjerë dhe një afrimitet me publikun, sepse kishim dy vjet që ne mungonim, dhe është normale që kur largohesh publiku fillon dhe ftohet pak, nuk po them që harrohesh por ndodh një ftohje në marrëdhënien me publikun.

-Megjithatë nga vlerësimi që morët, nuk besoj se publiku ju ka harruar?

Normalisht që jo, ai gjithmonë na ka vlerësuar, por unë po them përpara se të ndodhte prezantimi ynë në këto festivale, “Kënga Magjike” si dhe në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar.

-Ç’mund të na tregoni për videoklipin që ju po përgatisni?
Videoklipi është për këngën e fundit në Festivalin e RTSH, “Jehonë”. Në videoklip ne jemi së bashku me këngëtaren Aurela Gaçe. Xhirimet e tij kanë mbaruar dhe i tërë videoklipi është regjistruar në Tiranë.

-Në 2009 do të kemi një klip të ri të përfunduar nga grupi “West Side Family”?

Po patjetër që do të jetë gati klipi, i cili pritet që ai të lançohet sa më shpejt ndoshta në dy javët e para të janarit 2009, tani pritet që të përfundojnë vetëm disa procese teknike.

-Kënga “Jehonë” ishte prezantimi juaj i fundit në skenën e festivalit. Sa kohë keni punuar për këtë këngë,duke ditur që tashmë po përfundoni dhe një klip?

Në fakt unë të gjitha këngët i kam si projekte, dhe kur vjen momenti duhur i nxjerr dhe i përpunoj ato. Këngën “Jehonë” e kam filluar duke punuar me Klodian Qafokun. E dëgjova si bazë dhe më pëlqeu dhe i thashë që duhet të fillojmë që ta përpunojmë këtë këngë. Më vonë unë i kërkoj një mendim për këngën mikut tim Ardit Gjebresë, i cili vuri re disa gjëra që nuk shkonin mirë dhe ishte ai që i dha dorën përfundimtare këngës “Jehonë”. Pas disa kohësh ne e realizuam këtë dhe bëmë një këngë të mirë.

-Si e ndjetë konkurrencën në Festivalin e Këngës në RTSH?
Ne nuk ndjemë konkurrencën e festivalit. Ishim shumë rehat, kemi bërë gallatë gjatë gjithë kohës dhe ia kemi kaluar shumë mirë. Në fund ne arritëm shumë mirë, sepse për formatin që ka ai festival, ne mund të ishim pak pa lidhje, por ne arritëm deri në vendin e tretë.
-Si janë marrëdhëniet tuaj me Ardit Gjebrenë?
Marrëdhëniet gjithmonë kanë qenë të mira, njerëzore dhe marrëdhënie të mira pune. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me kolegët dhe i respektojmë të gjithë. Me Arditin kemi diçka më shumë, sepse edhe ai ka një eksperiencë më të madhe në muzikë dhe në tregun muzikor dhe di të të orientojë. Por mbi të gjitha mund të them që Arditi ka mbajtur lart një krijimtari të pastër.

-Grupi “West Side Family” ishte pjesëmarrës dhe në festivalin “Kënga Magjike”.Cili është mendimi juaj për këtë festival?


Festivali “Kënga Magjike” nuk krahasohet me Festivalin e Këngës në RTSH, pasi janë formate krejt të ndryshme. Festivali i Këngës në RTSH ka më shumë vëmendje në të kënduarit live, ndërsa festivali “Kënga Magjike” i jep më shumë rëndësi edhe perfomancës dhe show-t në skenë. Por edhe Festivali i Këngës në RTSH, nëse duhet të jetë një festival me parametra për të kënduar live, duhet që të përmirësojë shumë gjëra. Duhet të përmirësojë sallën, sepse ajo nuk është një sallë akustike. Po ashtu transmetimi në televizion është një problem tjetër. Të gjitha këto bëjnë që të bien vlerat. Performanca jonë sado të jetë mirë live me këto probleme, të duket jo shumë e mirë. Përveç këtyre kemi dhe problemin me audiencën, që krijohet mes këngëtarit dhe skenës, pasi ato kthyesat ndonjëherë nuk punojnë, por megjithatë edicioni i kësaj radhe në RTSH pati më shumë zhvillim se edicioni i kaluar. Ndërsa Festivali “Kënga Magjike” është i përqendruar komplet tek show. Aty mund ta shprehësh krijimtarinë tënde edhe me anë të një perfomance shumë të mirë, pasi të ndihmon skenografia, ndriçimi etj. Duke qenë se ai është një festival privat, ai përpiqet që të risë sa më shumë cilësinë, sepse është privat dhe kjo është normale. Pra aty ke shumë mundësi të realizosh shumë mirë performancën tënde në një kohë kur në festivalet e tjera nuk ke mundësi që t’i realizosh. Ashtu si ne arritëm të bënim një performancë me 150 nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Mendoj se ishte diçka e veçantë që do të mbesë si diçka bukur, në organizmin e festivaleve shqiptare.

-Në festivalin “Kënga Magjike”, përveçse një performance shumë të bukur, publiku ju vlerëson dhe për këngën. Ç’mund të na thoni për këngën , pasi ajo ka dhe një mesazh shumë të bukur?


Kënga dhe mua më pëlqen shumë, sepse zakonisht kur unë i realizoj këngët në studio nuk ndodh që ti dëgjoj përsëri për disa kohë, pasi jam i lodhur, por me këtë këngë ka ndodhur diçka ndryshe. Kur e kam mbaruar këtë këngën unë e kam dëgjuar disa herë me radhë dhe sërish ta dëgjoj unë nuk mërzitem. Është një këngë që më pëlqen shumë.

-Si janë të ndërtuara marrëdhëniet me dy djemtë e tjerë të grupit “West Side Family”?
Kemi marrëdhënie shumë të mira, pasi i kemi kaluar bashkë momente e suksesit dhe të vështirësive. Bashkë kemi luftuar për çdo gjë dhe duke kaluar provat, njeriu konsolidon edhe miqësinë.

-Si e shikoni të ardhmen e grupit “West Side Family”?
Për këtë nuk mund të flas tani , sepse nuk mund të parashikoj asgjë, por them se ne do të vazhdojmë deri sa ta ndiejmë se do të jemi të tepërt dhe më pas edhe ne do ta lëmë grupin. Por dua të them se deri tani “West Side Family” është shumë mirë. U surprizova nga kjo që na ndodhi tani me këngët në festivale, sepse nuk e prisja që do të na priste kaq mirë publiku. Mendova se me kalimin e kohës ndoshta ishim konsumuar dhe mbase do të ishim pak të dalë jashtë mode, por nuk ishte aspak kështu,sepse ishte komplet e kundërta.

-Grupi “West Side Family” tashmë e ka suksesin e tij, por nëse do të ktheheshim pas në vite, si u krijua grupi?

Grupi “West Side Family” i ka fillimet e tij në vitin 1997. Në fillim unë merresha me muzikën e shumë grupeve muzikore, që në atë kohë kishin dalë në modë që çdo lagje të kishte nga një grup dhe unë isha i evidentuar në këtë kohë. Ndërkohë që dy djemtë e tjerë të grupit unë i kisha në klasë dhe rrinim bashkë, sepse ne i kishim shumë qejf këto evenimentet muzikore. Kënga e parë që ne kemi krijuar si grup, ku i vumë dhe emrin “West Side Family”, ka qenë kënga “Më mirë a më keq”, që u shfaq në atë kohë në televizionin “Teuta”të qytetit të Durrësit. Në atë kohë u zhvillua një aktivitet me performancën e të gjitha grupeve të reja. Në atë kohë ne u vlerësuam me çmimin si teksti më i mirë, por e rëndësishme është që kënga u bë e famshme në atë kohë. Në atë kohë unë isha marrë me shumë këngë . Ka qenë kënga e grupit “The Dreams” me titull “Ëndrra”, apo këngë të tjera si “Mos më lër”, etj.


-Pas kaq shumë vitesh ka ndryshuar ndonjë gjë tek grupi “West Side Family”?

Mendoj se ne jemi bërë më të mirë, më cilësorë, sepse ashtu si ndryshon dhe koha ashtu ka ndryshuar dhe “West Side Family”. Gjatë këtyre kohëve kemi eksperimentuar dhe kemi kaluar shumë gjëra, por besoj se ia kemi dalë dhe kemi qenë gjithmonë të suksesshëm. Për këtë gjë më bëhet qejfi, sepse kemi kaq shumë kohë me këtë lloj rryme, e cila as nuk ka ekzistuar, dhe kjo për mua është një sukses.

-Tashmë falë këngëve që ju keni krijuar jeni bërë të famshëm. Çfarë domethënie ka kjo për “West Side Family”?


Ne kemi shumë kohë që jemi prezantuar me këngën dhe kemi qëndruar gjithmonë kështu. Kemi mbajtur të njëjtin nivel, prandaj dhe fama nuk është se ka ndryshuar diçka tek ne.

-Po jashtë këngës, në jetën tuaj si ka ndikuar fama tek ju?

Ka ndikuar për mirë, sepse njerëzit janë më të predispozuar që të na presin për mirë. Ne si “West Side Family” gjithmonë kemi ngelur të thjeshtë dhe nuk kemi krijuara një ide, që pse jemi bërë të njohur të mos i flasim apo të mos i respektojmë të tjerët, ashtu siç ka ndodhur zakonisht. Unë them se “West Side Family” këtë fazë e ka kaluar mirë, jemi mësuar dhe nuk na bën më përshtypje.

-Po në marrëdhëniet tuaja me shoqërinë, ka ndryshuar diçka apo është po i njëjti Dr. Flori?
(Qesh) Jam shumë mirë, vazhdoj të jem po ai tip, pak karagjoz, me humor. Nuk shtirem në asnjë vend. Jam ashtu si dukem dhe në skenë, jam po ai tip nuk bëj gjëra për t’u dukur apo për të dalë mirë. Unë jam ky që jam dhe njerëzit më mirë të pranojnë ashtu siç je, se sa ia që do të dukesh.

-Kënga “Kena lind për qejf” vazhdon akoma të mbetet e preferuar nga publiku. Si u krijua kjo këngë?
Kur kam qenë i vogël, aty ku jetoja unë rreth e rrotull jetonte dhe komunitetin rom. Në atë kohë ata ishin njerëzit që dilnin me kanistra nëpër shtëpi, shisnin gjëra të ndryshme, punonin me baltë etje. Ne si fëmijë kishim shumë kuriozitet për këta njerëz, duke i parë ata unë kënaqesha. Më pëlqente bota e tyre, sepse ata ishin njerëz që gëzonin, megjithëse ishin shumë të varfër ata ishin të lumtur. Dhe kjo më ka ngelur në mendje. Më vonë erdhi koha që atë që unë atë që kisha parë ta shprehja me këngë, por dhe të shprehja realitetin shqiptar, ku jeta bëhet e bukur dhe me pak gjëra.


-Po videoklipi i saj, ku është realizuar ?
Videoklipi i këngës “Kena lind për qejf” është realizuar në Maqedoni. Atje ka një komunitete shumë të madh rom në Shkup. Ne e gjetëm atë komunitet dhe arritëm ta realizonim këngën me “Alexandrin”. Për mua ai është një videoklip shumë i mirë dhe jemi të kënaqu për këtë realizim.

-Keni vite që merreni me këngën dhe jeni pjesëmarrës në festivale. Për ju sot cili është festivali më i mirë që zhvillohet në Shqipëri?


Festivali më i mirë për mua është “Kënga Magjike”, për arsye sepse është më komercial se të tjerët. Edhe “Top Fest” ka pasur disa edicione të mira, por për mendimin tim nuk ka mbajtur një qëndrueshmëri të gjatë ashtu si po mban “Kënga Magjike”.

-Si do të jetë në vijim aktiviteti juaj me këngën,do të kemi krijime të reja?
Patjetër që ne do të vazhdojmë që të krijomë. Do të bëjmë dhe videoklipe të tjera si dhe këngë të reja. Po ashtu shpresojmë që vitin që vjen të nxjerrim dhe një album.

-Jemi në ditët e fundit të vitit 2008. Si ka qenë për ju ky vit?
Viti 2008 ka qenë me të mirat dhe të këqijat e veta. Pak e a shumë si të gjitha vitet, nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim. Por në përgjithësi ka qenë i mirë.

-Ku do ta gjejë mbrëmja e datës 31 dhjetor Dr. Florin?
Unë do të jem në shtëpi së bashku me gruan. Kishim oferta për ta kaluar jashtë Vitin e Ri, por nuk i pranuam do ta kalojmë sëbashku në shtëpi.

-Djemtë e grupit “West Side Family” kanë pasur ndonjëherë debate mes tyre?
Shumë herë dhe kjo është normale, por të gjitha këto debate kanë dalë për mirë. Kjo është e rëndësishme, sepse nuk kanë cënuar gjërat themelore.

-Për të gjithë ata që nuk e dinë pse ju thërrasin Dr. Flori?

Këtë ma kanë ngjitur pseudonim në vitin 1997. Pastaj unë jam mësuar me këtë pseudonim.

-Sa ka ndikuar pirateria muzikore në krijimtarinë tuaj?
Ka ndikuar si tek të gjithë këngëtarët e tjerë. Pirateria nuk është e mirë. Ajo duhet parandaluar, duke filluar të luftohet që nga internet kafetë. Ndërkohë që mund t’ju them se jashtë, policia po të pa me një CD fallso në makinë, ajo të vendos gjobën. Pirateria dëmton krijimtarinë dhe biznesin. Është e vështirë më pas që të mbijetosh.

-Shumë vite me këngën, por a keni ndonjë histori të veçantë që ju ka ngelur në mendje?
Ka shumë histori, por po tregoj për videoklipin e këngës “Kena lind për qejf”. Ne e filluam duke pirë dhe kishim pasur disa shishe me alkool për videoklipin, por ne filluam duke pirë aq shumë sa në fund kemi qenë komplet tapë.

-Keni bashkëpunuar me grupin “Produkt 28”. Do të kemi dhe bashkëpunime të tjera me këtë grup apo dhe me këngëtarë të tjerë?


Grupin “Produkt 28” unë e kam përkrahur dhe mbështetur krijimin e tij, që ai të ecte më pas vetë. Ndërsa bashkëpunime ne kemi bërë shumë pak. Kemi një bashkëpunim me Aurela Gaçenn dhe një me Edit Mihalin.

-Ju bezdisin paparacët?
Nuk më bezdisin dhe nuk është se e kam ndjerë veten keq nga ata.

-Gjatë këtyre viteve, cila ka qenë periudhë ka qenë më kulminantja për “West Side Family”?

Ne gjithmonë e kemi ndjerë veten në kulminacion, dhe më kënaq shumë suksesi i fundit me këngët.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi