Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Naile Zhupani: Atdhetarizmit Shqiptar

Shko poshtë

Naile Zhupani: Atdhetarizmit Shqiptar Empty Naile Zhupani: Atdhetarizmit Shqiptar

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 02, 2009 12:02 am

Naile Zhupani: Atdhetarizmit Shqiptar N1161530640_8232
Naile Zhupani: Atdhetarizmit Shqiptar

Disa ngjarje të ditëve të fundit më kanë ba të mendoj shpesh për mangësitë e atdhetarizmit shqiptar, të cilat përthyhen pastaj si simptoma të kombëtarizmit primitiv.

Nga një anë, zhvillimet politike në Kosovë nuk mund të mos interpretohen edhe si dështim i diplomacisë shqiptare – të Prishtinës dhe të Tiranës.

Më anë tjetër, ministri i Jashtëm Basha, i cili i ka disa dosje të hapura në Prokurorinë e Republikës, për gjithfarë pisllëqesh që kanë ndodhur me financimet e rrugës Rrëshen-Kalimash, asht mbrojtur ndaj këtyne akuzave tue përmendue “randësinë” e kësaj rruge për kombin shqiptar, por edhe sabotimin që i paskan ba konceptit të kësaj arterieje qarqet “serbo-greke”.

Mero Baze patriotizmin kaq solemn të Bashës e quan strehë të fundit të horrave.

Nga ana e vet, po ky Mero Baze përmend aferat e lidhura me emrin e Damir Fazlliçit nga qeveria Berisha dhe vetë Kryeministri; me ç’rast më kujtoi se kur erdhi puna për t’i diskutue këto afera, mediat u duk sikur u shqetësuan ma tepër ngaqë ky Fazlliçi asht “serb”, sesa me shkeljen e ligjit dhe korrupsionin, të cilat s’kanë fare të bëjnë me etninë e personit në fjalë. Me një fjalë, për një kategori zëdhënësish të pasionit patriotik, maskarallëku në aferën Fazlliç kishte të bënte kryesisht me prejardhjen e këtij, prandaj duhet dënuar bilee ashpër, sidomos në këto kohë të vështira kur plagët e Kosovës nuk janë mbyllur hala; njëlloj siç ndodhi edhe pak ma pas, kur u tha se një kompani serbe kishte fitue një tender kompjuterash…

Sa herë që dëgjoj reaksione të tilla, bindem se atdhetarizmi jonë, si shqiptarë sot, priret drejt tipit pasiv-agresiv, kryesisht për shkak të këtyne tipareve: pafuqia e qëllimshme, humbja e kohës, kokëfortësia, mllefi, zymtësia, shmangia e përgjegjësive, dështimi i përsëritur në kryerjen e detyrave, projektimi i fajit përtej vetes, mosbesimi ndaj të tjerëve, përfytyrimi i vetes si viktima, paaftësia për të analizue veten në mënyrë kritike.

Deri pardje, askush nuk kujtohej për Skënderbeun, përveç disave që po mbledhin fonde në Internet, që ta xhirojë pastaj filmin blockbuster Stan Dragoti. Papritur, mjaftuan disa deklarata të lehta dhe të papërgjegjshme dje të përkthyesit të veprës së pabotue së një historiani gjerman, për t’u tronditur dynjaja nga themelet: “mos na e prekni heroin!”. Asht për t’i shprehur mirënjohje Ardian Klosit, që u kujtoi shqiptarëve se edhe historia ka nevojë të mirëmbahet, sikurse ndjenja kombëtare dhe dinjiteti, paçka se shumë nga të indinjuarit e kishin ma tepër merakun me gjumin nanuritës që ua prishën – kur ua hoqën nga goja çibukun e opiumit.

Ardian Klosi, nga ana e vet, nuk merret vetëm me përkthime; por edhe kryeson një lëvizje popullore për mbrojtjen e gjirit të Vlorës nga industrializimi dhe ndotjet. Nga larg unë e kam të vështirë t’ia gjykoj efektet kësaj lëvizjeje, por kam përsëri përshtypjen se edhe ajo shtjellohet në trajta pasive-agresive, meqë e dëgjoj të aktivizohet veçanërisht kur asht fjala për të kundërshtue nisma të ndryshme investimesh.

Erdhi në Shqipnii Berlusconi, vitin e kaluar, për të bisedue, ndër të tjera, për ndërtimin e një impianti të madh turbinash me erë në Karaburun, për të ushqyer me energji Italinë. Menjëherë u hodhën patriotët përpjetë: Po Karaburuni asht parajsa e fundit e Europës! Natyrisht, sepse atje nuk ka as ujë të pishëm, as rrugë për makinat, as banon njeri, as dëshiron të banojë njeri; tek tuk gjen ndonjë çakall ose cjap ose ndonjë homoseksual anglez majë mushkës; bile asht për t’ia propozuar NASA-s që t’i zhvillojë atje simulimet për zbarkimin e ardhshëm të astronautëve në Mars ose në Mërkur.

Natyrisht marrëveshja e qeverisë shqiptare me palën italiane linte shumë për të dëshirue; por kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje me argumente patriotike, të “shitjes” së Shqipnisë, binte erë. E mira do të ishte që fermën e turbinave të erës qeveria shqiptare ta kishte ndërtue etë, për të furnizueme energji Shqipninë; por kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-italiane të cilat zhvillohen në interes të të dy palëve. Tek e fundit, atë energji që do t’i shkojë Italisë nga Karaburuni, Shqipnia do ta marrë në dimër, kur t’i duhet, nëpërmjet kabllos së ndërlidhjes nënujore, që do të ndërtohet edhe ajo – po e lanë ambientalistët.

Në thelb, kur një qeveri punon keq, mund të thuhet se punon edhe kundër interesave kombëtare; por asht qesharake ta sulmosh një qeveri demokratike, të dalë nga një parlament i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve, si qeveri që po e shet Shqipninë. Nuk them që asht e gabue – vetëm që asht qesharake. Do të mjaftonte të vihej në dukje se qeveria po punon keq – argumentit patriotik i ka dalë boja kaq shumë, sa nuk e blen më kush; ose e beson po aq sa ç’beson ministrin e Jashtëm Basha, kur ky e lidh përgjegjësinë e vet për rrugën Rrëshen-Kalimash dhe katrahurat përkatëse, me perspektivën historike të Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan.

Tashti, në qoftë se duam të kuptojmë më mirë se ç’mendon qeveria Berisha për arritjet e veta kombëtare, le të dëgjojmë se ç’mendonte Arben Imami, shef i kabinetit të Kryeministrit:

Pas 20 vjetësh mund të themi, që vendi ka ba hapa të mëdha përpara. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që në këto 20 vjet ka pasur shumë vuajtje, dilema, shumë humbje kohe dhe energjie, por pakkush do të mendonte para 20 vjetësh që Shqipënia në 2010 të jetë kandidate për në BE, të jetë anëtare në NATO dhe një vend që po fillon të normalizohet dhe t’i ngjajë sado pak vendeve të familjes ku ajo bën pjesë.

Pakkush do të mendonte? Përkundrazi, unë jam i bindun se të gjithë ata që e donin Shqipëninë dhe që mendonin se regjimi komunist ia kishte zanë frymën, mendonin bile shpresonin bile ishin të sigurt se Shqipënia do të pranohej në BE brenda pak vjetësh, gjithsesi shumë më pak se 20 vjet.

Shqipënia asht e vonue; krejt shqiptarët janë të vonue. Jo vetëm kaq: Shqipërisë i mungon një plan strategjik perspektiv i zhvillimit kombëtar përtej anëtarësimeve në këtë apo atë organizatë, që nga Konferenca Islamike e deri në NATO; të cilat bëhen kryesisht për të zhvatur ndonjë pará ose investim qyl ose garanci për të mbetur në pushtet (prandaj ka të ngjarë që kontingjenti i forcave tona paqeruajtëse në Irak të mbetet atje edhe pasi të jenë tërhequr amerikanët).

Ndërkohë shqiptarët duan të ikin në masë nga atdheu, sikurse edhe kanë ikur me qindra mijëra, sepse u ka ardhur në majë të hundës – por Skënderbeun nuk të lanë t’ua prekësh, as ilirët, as pellazgët; sepse po guxove, të quajnë të shitur, të rrëmojnë biografinë, të akuzojnë për spiun dhe këlysh të këtij apo atij armiku real a imagjinar.

Ndërkohë shqiptarët nuk pyesin shumë për mjedisin, bile as për rrugën përbri hyrjes së pallatit kur u mbushet me plehra dhe ujëra të zeza; por qajnë kur lexojnë ndonjë turist karagjoz që e quan Shqipninë El Doradon e Europës, vendin e malësorëve kreshnikë e të shqipeve të malit; bile janë gati t’ia falin edhe Kanunit mëkatin që i mban Lulat e Vecërr në kulla ngujimi, ku u shkojnë mësuesit t’u mësojnë abetaren dita-ditës.

Ndërkohë shqiptarët ngrenë supet përballë Tiranës gropë thithëse demografike, që u bëhet gjithnjë e më e pabanueshme për shkak të trafikut dhe piramidës së ndërtimeve dhe mungesës së infrastrukturës dhe starkitektëve të pudrosur që hypin e zbresin avionëve, me master-planet futuriste në sqetullën parfum-dirsur ose, sipas rastit, në Prada; por do të votonin pa iu dredhur dora kundra TEC-eve në bregdet, ose veprave industriale madhore, bile edhe sikur t’u iknin dritat bash ditën e votimit dhe ta shprehnin vullnetin sovran nën zhurmën solemne të gjeneratorëve.

Ndërkohë shqiptarët nuk punojnë tokën e tyne dhe i humbin traditat e mjeshtërive të bujqësisë, të blegtorisë; dhe harrojnë si të rritin shalqiun e si të mjelin delen e si të prodhojnë djathin Feta për ta shitur anembanë botës njëlloj si grekët e bullgarët; por mësojnë si të vënë baste për ndeshjet e kombëtares kuqezi dhe ta nxjerrin shqipen me dy krena në sfond të blackberry-t, për ta parë me sytë atdhedashës sa herë përfshihen në allish-verishin e radhës, për të kaluar maunën në doganë, ose drogën në kufi.

Ndërkohë shqiptarët i lanë spitalet e tyne t’u kthehen në paradhoma të trishta të vdekjes, por duartrokasin të gjithë kur marrin vesh se, për shkak të një geni të fibrozës cistike, mund të jemi me prejardhje nordike… Sikurse i lanë shkollat e tyne t’u shemben, dhe fëmijët t’u marrin rrugët herë të hallit herë të vesit e herë të Evropit, dhe trashëgiminë e tyne kulturore t’u harrohet e t’u shkërmoqet para syve, por pastaj shkojnë e theren forumeve të Internetit për Fishtën e për Konicën e për etimologjinë e fjalëve pellazgjishte.

Ndërkohë shqiptarët nuk kanë lanë monument arkeologjik e kulturor pa shkatërruar, pa përdhosur me graffiti e ose pa braktisur në mëshirë të fatit që të rrënohet krejt dhe pastaj të ndërtojnë mbi të hotelin ose lavazhin e makinave; sikurse i ndërtuan dje fshatrat në fushë të Myzeqesë me mermerin e bardhë të Apolonisë; pa përmendur ikonat e vyera që kanë shkulur e shitur anembanë botës dhe relike të tjera që i kanë nxjerrë ndonjëherë edhe tue hedhur në erë këmbët e urave me tri harqe bashkë me legjendat dhe eshtrat e të parëve; por nuk lejojnë kënd t’ua vërë në dyshim mbretin Genc, pa folur pastaj për Homerin që e ka shkruar jo vetëm Iliadën shqip por edhe një pjesë të madhe të Odisesë.

Ndërkohë shqiptarëve nuk u bëhet vonë për gjithfarë trafiqesh dhe kontrabandash; bile janë të parët që admirojnë hajdutët, egërsirat dhe të fortët, rrahësit e grave dhe spekulatorët e basteve, falin vjedhjen dhe vrasjen sidomos “për burrni”, mashtrimin dhe korrupsionin, bile janë gati të përligjin edhe prostitucionin sidomos kur prostitutat hala u dërgojnë “ndonji lek pleqve”; por shkrihen ama rregullisht në mbramje para televizorit, tue parë emisionin e radhës për virgjineshat.

Ndërkohë shqiptarët e pranuan me indiferencë të plotë shpërndarjen e Akademisë së Shkencave dhe reduktimin dramatik të buxhetit për kërkime sidomos në fushat albanologjike, por mbeten të gatshëm për t’u përleshur për punë të rishkrimit të historisë nga mëngjesi në mbrëmje, pa folur për veprat madhore të sharlatanëve që i rrëmbejnë prej rafteve të librarive, thuase profkat me etruskë dhe egjiptianë do t’i shelbojnë nga vrima e zezë e së përditshmes.

Ndërkohë shqiptarët u hodhën të linçojnë komuniste qe në vitet 1970-1980 Ismail Kadarenë, pikërisht kur ky ishte ndoshta shkrimtari më i madh në Ballkan e në Europë; ose Eqrem Çabejn përsëri komunist qe në vitet 1960-1970, kur ky ishte ndoshta albanologu më i madh në botë; ndërsa tashti e trajtojnë Ismail Kadarenë si të ishte mumje e mbyllur në mauzoleun e veprave të veta, dhe intervistat televizive vrapojnë t’ia botojnë njëkohësisht të gjitha gazetat, si fjalimet e Enver Hoxhës dikur.

Ç’emën t’u vësh këtyne kontradiktave?

Ndonjëherë më duket sikur kemi mbetur popull-fëmijë ose popull-jetim, hala jo gati për ta marrë fatin tonë në duar; prandaj sillemi kaq çuditshëm, njëlloj si ata femijte britanikë te “Lord of the Flies”, roman për t’u lexuar.

Apo ta bëjmë Lord of the Rings, dhe të vazhdojmë përrallën, se sikur erdhi prapë ora e gjumit?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi