Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Edlira Gjoni: Ata që mohojnë Skënderbeun

Shko poshtë

Edlira Gjoni: Ata që mohojnë Skënderbeun Empty Edlira Gjoni: Ata që mohojnë Skënderbeun

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 12, 2009 2:33 pm





Edlira Gjoni: Ata që mohojnë Skënderbeun U2_EdliraGjoni
Edlira Gjoni
Ata që mohojnë Skënderbeun
Nga Edlira Gjoni

Skënderbeu mit apo jo? Ekzistoi ndonjëherë? I luftoi turqit? Apo ishte sllav që e kishte sjellë era në Shqipëri? Debat interesant. E bëhet më shumë i tillë sepse bazohet mbi hamendësime shumë afër të paverifikueshmes.
Por, nuk është thjesht çmitizimi i figurës së tij që vërtitet Shqipërisë. Më shumë se miti i Skënderbeut, mes nesh po zë vend kulti i mohimit. E kjo nuk nisi sot. Që në kohën e Gjergjit, që tani s’dimë më në është trill nevoje për identitet, mohimi thuhet se lulëzonte mes njerëzve që ai drejtonte. Kjo u pa shumë qartë edhe me ndryshimet e menjëhershme fill pas vdekjes së tij. Bri muzeut që i është ngritur në Krujë në fushatën e mitizimit, ndodhet muzeu etnografik, djep i kulturës dhe prezencës së fortë myslimane bash në kështjellën e Skënderbeut. Pra, me vdekjen e tij, shqiptarët jo vetëm u dhanë ndër turq, por edhe e përqafuan tërësisht metodën e tyre të jetesës. Aq shumë sa me vite mësuan të mos identifikohen dot pa turqit. Më saktë, pa fenë e tyre. Si?
Teksa Evropa jep mesazhe të qarta për kufijtë e saj brenda qytetërimit perëndimor (prej ku Turqia është e përjashtuar me gjithë kërkesën e saj 40 vjeçare për afrim në BE e me mbajtjen nëpër dhëmbë të kushtetutshmërisë që e frenon shtetin sekularist t’i jepet islamizimit), Shqipëria e konvertuar në myslimane prej paraardhësve të Qemal Ataturkut, regjistrohet me dëshirën e saj në Konferencën Islamike. Në fakt loja e fjalëve “Jemi, s’jemi anëtarë të konferencës” është e kotë. Shqipëria është regjistruar aty nga mbrojtësit e sotëm të çështjes së çmitizimit të Skënderbeut, që i mbajti larg sa mundi nga myslimanizmi njerëzit e tij (kështu thonë).
Kurse sot Shqipëria vazhdon të perceptohet si vend me popullsi dërrmuese myslimane, edhe pse të dhënat e fundit të sakta për shifrën klasike 70%, në të vërtetë i përkasin vitit të largët 1949, kur Shqipëria mezi kapte një milionë banorë.
Por, pas 60 vjetësh e me popullsi katërfishe, me 45 vite ateizëm të detyruar në mes e me një numër të lartë jo-praktikantësh, Shqipëria vazhdon të quhet “vend mysliman”.
Mbase BE nuk ka pasur këtë parasysh kur i ndau ftesat dhe prioritetet për në gjirin e saj në bazë të feve, por, në hartën e re të kufirit lindor të qytetërimit perëndimor, Shqipëria është lënë jashtë. Gjysma e Bosnjës gjithashtu. Po ne hiç. Shqipëria nuk trajtohet aspak si “djepi i ruajtjes së krishterimit” për të cilin paska luftuar Skënderbeu. Dhe qytetërimi perëndimor nuk lindi sot, që të mos jetë i njohur për përkatësitë e lëkundura fetare të Shqipërisë. Ama jashtë kufirit të tij evropianët na kanë lënë me qejf të madh. Ashtu si kanë lënë Turqinë për 40 vjet.
Por, Turqia, që prej drejtimit të Turgut Ozalit ka dhënë shenja se po lodhet ca si shumë me sekulizmin e saj e nuk i pëlqen të vazhdojë të jetë lypësja e qytetarisë perëndimore. Në një moment shumë të bukur, laicizmi i Ataturkut mund të hiqet nga kushtetuta dhe Turqia do ta gjejë veten në vendin konkurrues për të qenë djepi i islamizmit modern. Për shkaqe të tjera të brendshme e të jashtme, as Egjipti (shumë i varur nga Perëndimi), as India (larg qendrës islame gjeografikisht), as Arabia Suadite (e vogël në numër për peshën në rritje të fesë që i ka lindur aty), nuk kanë shumë gjasa ta bartin atë. E kështu, Turqia, nëse vendos të ndërpresë pritjen poshtëruese nga Evropa, rrezikon të kthehet në bujtësen kryesore të Islamit.
Islamizimi i shekullit XXI ka një shpërthim tamam në kohën kur perëndimorizimi është në rënie. Logjikisht, çdo qytetërim ka fazat e veta. Por, vihet re se me rënien e vrullit të industrializimit, rritjes ekonomike dhe ndryshimeve të mëdha në Perëndim, krishterimi nuk është ri-zgjuar aq fort sa po ri-zgjohet islamizmi në botën arabe. Përpjesëtim i drejtë mes fesë dhe qytetërimeve, i zhdrejtë në masën që po ndodh në Evropë e në Azi. Globalizmi ka luajtur po ashtu rolin e vet në bumin ekonomik të Azisë, por, teksa Kina e ka marrë shtruar rikthimin e kultit budist, vendet islamike e kanë filluar ri-ngritjen pikërisht duke ringjallur të parën fenë e tyre islame.
Turqia mund të bëhet bujtëse, dhe mund ta bëjë mirë. Mund të përziejë modernizimin e saj qemalist të detyruar me rikthimin në fenë që u quajt se po mbante peng zhvillimin e saj. Por, ç’pasojë do të ketë e gjitha kjo në Shqipëri?
Nuk është aq absurde apo paradoksale sa duket. Rasti i Shqipërisë në BE shihet në shumë prizma i ngjashëm me atë të Turqisë. Ja paskemi fatin të jemi porta që do të ruajë me fanatizëm Perëndimi për të mos lejuar Rusinë t’i afrohet pragut të saj, por ky është hamendësim njëanshmërisht i hiperbolizuar. Zgjerimi i NATO-s në Ballkan s’ka të bëjë me Shqipërinë, por me copën e tokës që ndodhet në kufijtë lindorë të qytetërimit perëndimor. Pra, aty ku mbaron krishterimi.
Po a mbaron krishterimi në Shqipëri? Skënderbeu do të kishte një përgjigje më të saktë, por as në mënyrë analogjike, as në propabilitete e hamendësime nuk ngremë dot hipoteza, se tashmë dyshojmë tërësisht edhe në ekzistencën e tij, e jo më në kauzat që jemi mësuar të besojmë se ai mbrojti.
A është Shqipëria kufiri evropian i krishterimit, e si rrjedhojë ka për të ngelur jashtë saj? Jo. Nuk duket kështu. Por veprohet hapur për të na mbajtur larg territorit të saj, tashmë edhe duke nxitur mohimet e çmitizimet. Pra, Skënderbeu nuk qenka thjesht mit përrallash, as 600 vjet pas ngjizjes së tij të pikëpyetur. Është nevojë e provë përkatësie, që bëjmë mirë ta shohim me shumë kujdes.

TO
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi