Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Një zgjidhje "kushtetuese" për gjestin e kryeministrit

Shko poshtë

Një zgjidhje "kushtetuese" për gjestin e kryeministrit Empty Një zgjidhje "kushtetuese" për gjestin e kryeministrit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 23, 2009 10:39 pm

Një zgjidhje "kushtetuese" për gjestin e kryeministrit

Nga Mero Baze

http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=0&id=6813

Spiralja e krizës shqiptare rrezikon të thellohet më tej për shkak të defaktorizimit të njërit prej aktorëve të saj kryesorë, kryeministrit Sali Berisha. Në kulmin e një proteste të fortë politike, e cila minimalisht duhet marrë seriozisht, dhe pas kërkesave të përsëritura të Bashkimit Evropian, se qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për opozitën, kryeministri Berisha ofroi dje një plan të thjeshtë, radikalizimin e krizës. Shfaqja e tij pas xhamit të blinduar të Kryeministrisë me dy gishta i ka brenda të gjitha versionet, që nga ato më ciniket deri tek ato më qesharaket, që nga përpjekja për t'i nxjerrë frikën vetes e deri tek simptomat e ditëve të fundit të Enver Hoxhës, kur përqeshte ushtarët e Gardës në "Bllok". Por, pavarësisht këtyre simptomave të tij, një gjë shihet fare qartë: Sali Berisha po ndjell opozitën drejt një beteje ekstreme, pse jo dhe të dhunshme e jashtë kontrollit. Kjo është mënyra e vetme që Sali Berisha të faktorizohet dhe të dalë si palë nga kjo histori.

I vendosur të refuzojë gjithë kërkesat e Brukselit për një plan politik për zgjidhjen e krizës, i vendosur të mos bëjë asnjë gjest për uljen e tensionit dhe rritjen e klimës së besimit, i vendosur të provokojë deri në ekstrem protestuesit herë me makina me çimka e herë me gjeste deliranti duke u shfaqur pas xhamave të blinduar, ai thjesht po tenton i vetëm dhe në këtë rast t'i hedhë benzinë zjarrit. Ishte e dhimbshme se si Garda e Republikës dje, e cila komandohet nga roja i djalit të tij, mbante "nën kontroll" dy dalje nga shtëpia e tij, një publike dhe një "sekrete", se si siguronte hyrjen e pasme të Kryeministrisë dhe si provokonte qytetarët në protestë me makinën përgjuese. Të gjitha këto detaje konspirative në të vërtetë i bënte publikisht për të treguar se "komandantit" nuk keni ç'i bëni, se e ruan Garda. Po ashtu shfaqja e tij pas xhamit të blinduar i ngjante pak a shumë mizanskenës së gardistëve, pasi donte të tregonte se pas 14 shtatorit kryeministrat kanë marrë masa dhe e ruajnë kokën e tyre. Dje në mes të turmës së demonstruesve ishin futur njerëzit më të afërt të Familjes së tij, dhëndurë mbesash dhe truproja që provokonin njerëz, gazetarë dhe shpesh dhe policë. Për fat askush nuk i përfillte. Ata sikur luteshin që dikush t'i kapte për leckash dhe t'i flakte në oborrin e Familjes brenda Kryeministrisë, por askush nuk reagoi. Thjesht i injoruan. Në të vërtetë kjo joshje e Sali Berishës për të hedhur opozitën në luftë edhe fizike kundër tij, është e vetmja mënyrë që ai të dalë i viktimizuar nga kjo betejë, dhe të bëhet palë deri në fund.

Por për fat opozita po përmbahet dhe nuk e ka humbur as qetësinë dhe as humorin. Njerëzit që këndojnë dhe shtyjnë orët para Kryeministrisë, janë më të prirur të tregojnë barsoleta për Familjen Berisha se sa të thurin plane se si duhet qëlluar ai me vezë, kur të dalë nga shtëpia apo zyra e Kryeministrisë.

Dëmi i vetëm i madh që po shkaktohet në këtë spirale krize, është se aktori kryesor i krizës nuk është më një faktor për ta zgjidhur krizën. Ai kërkon ta përdorë krizën për të mbetur ende në politikë. Defaktorizimi i tij i vetëdijshëm, injorimi i thirrjeve perëndimore për të gjetur një zgjidhje për krizën, marrja përsipër e misionit gjysmë qesharak, gjysmëparanojak të provokatorit, janë gjeste të qëllimshme për të mos i kujtuar se duhet biseduar për krizën. Ai përpiqet të jetojë me "parajsën" familjare që ka krijuar, me një Shqipëri joreale, ku s'ka krizë, ku s'ka të papunë, ku s'ka vjedhje votash, ku s'ka banditë, ku s'ka vjedhje pronash etj. Nuk është se nuk e njeh Shqipërinë tjetër, por nuk do ta pranojë, pasi ajo e zgjon nga ëndrra mashtruese që përpiqet të përjetojë pas xhamave të blinduar, pas gardistëve dhe hekurave të Kryeministrisë.

Në këto kushte problem nuk është si t'i përgjigjesh provokimit të Berishës me dhunë. Gjeste të tilla poshtëruese për një shoqëri të lirë, si ajo që ai bëri nga dritarja me xhama të blinduar, në vende të tjera kanë ndjellë luftëra civile. Për fat protestuesit u mjaftuan me disa vezë dhe sharje në adresë të tij. Ajo që kërkon me çdo kusht Berisha, është dhuna. Ai ka nevojë që dikush të ngrejë dorën, dikush t'i kundërpërgjigjet, dikush ta marrë seriozisht si provokator dhe t'i kthejë reston, duke e bllokuar brenda apartamentit të dhuruar nga sekserët e Familjes apo duke e bërë të futet në tunelin nga ku iku kundërshtari i tij i dikurshëm më 14 shtator. Në të vërtetë atë s'po e merr kush seriozisht dhe si provokator dhe kjo e bën që brenda një ore, nga zyra deri në Krujë, të ndryshojë humorin, dhe të humbasë qetësinë.

Problemi është se kjo krizë duhet zgjidhur me kosto sa më të ulët për qytetarët dhe shoqërinë shqiptare. Një aktor i rëndësishëm i kësaj krize, Sali Berisha, po kërkon thellimin e krizës dhe mundësisht përdorimin e dhunës. Shpresoj që protesta të merret në të ardhmen e saj pikërisht me kurimin e këtij problemi, me largimin e këtij aktori të defaktorizuar për zgjidhjen e krizës. Shqipëria e NATO-s dhe aplikante e BE nuk ka luksin të ketë një kryeministër të roitur që del pas xhamave të blinduar dhe përqesh protestuesit e zemëruar. Për ta zgjidhur këtë krizë duhen dy palë dhe meqë një palë është edhe mendërisht jashtë standardeve për zgjidhjen e krizës, beteja duhet bërë për ta zëvendësuar atë me një njeri normal. Kushtetuta jonë e ka të përshkruar qartë se kur presidenti apo kryeministri mund të shkarkohen, edhe kur janë mendërisht të paaftë. Gjesti i djeshëm i Sali Berishës ishte më i rrezikshëm se kaq, pasi ishte një përpjekje për të përdorur roitjen e tij për gjakderdhje. Prej sot është mirë të kërkohet ikja e tij, pa dhunë, pa hakmarrje dhe pa revansh. Është mirë të ndalemi vetëm te problemet që ka krijuar ai dhe t'i zgjidhim pa hapur të reja. Kështu do të jenë të fituar të gjithë, dhe vetë Familja, që nga makthet e humbjes së pushtetit mund të provokojë gjakderdhje, siç u përpoq boll këto dy ditë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi