Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Demir Krasniqi:MEDIUMET PUBLIKE – FLAMURTARE TË DEGRADIMIT TË VLERAVE TRADICIONALE TË KULTURËS SONË KOMBËTARE

Shko poshtë

Demir Krasniqi:MEDIUMET PUBLIKE – FLAMURTARE TË DEGRADIMIT  TË  VLERAVE TRADICIONALE  TË KULTURËS SONË KOMBËTARE Empty Demir Krasniqi:MEDIUMET PUBLIKE – FLAMURTARE TË DEGRADIMIT TË VLERAVE TRADICIONALE TË KULTURËS SONË KOMBËTARE

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 08, 2009 1:57 am

Demir Krasniqi:MEDIUMET PUBLIKE – FLAMURTARE TË DEGRADIMIT  TË  VLERAVE TRADICIONALE  TË KULTURËS SONË KOMBËTARE U1_DemirKrasniqi

MEDIUMET PUBLIKE – FLAMURTARE TË DEGRADIMIT TË VLERAVE TRADICIONALE TË KULTURËS SONË KOMBËTARE



Në mungesë të kriteriumeve redaktoriale dhe në mungesë të strukturave profesionale , të cilat do të duhej të merreshin me ruajtjen e vlerave dhe eliminimin e antivlerave nga skenat programore të emisioneve muzikore, sot mediumet publike elektronike, në veçanti televizionet, janë bërë flamurtare të degradimit të vlerave tradicionale të kulturës sonë kombëtare .

Shembuj të këtillë, me të cilët ballafaqohemi për çdo ditë dhe në çdo emision, kemi me mijëra , por kësaj radhe do të ndalemi shkurtimisht vetëm në disa prej tyre, për të cilat mendojmë se edhe opinioni publik duhet ta thotë fjalën e vet profesionale.

1. Si mund të shkojnë vaporët bregut të detit?

Duke i përcjellë emisionet e muzikës popullore që transmetohen nëpër televizionet tona publike, ndër shumë këngë të vjetra tradicionale, shpeshherë na ka rënë që ta dëgjojmë një këngë të vjetër popullore dibrane e cila titullohet :”Shkojnë vaporat rrethit t’ detit”, e që pa dyshim se është njëra ndër perlat më të bukura të këngëve tona të ciklit të nizamisë .

Fatkeqësisht, këtë këngë pjesa dërmuese e interpretuesve të saj , e këndojnë pa logjikë dhe e deformojnë tekstin e saj që në strofën e parë, ku në vend se ta këndojnë:”Shkojnë vaporat, moj nane, rrethit t’ detit”, ata e këndojnë:”Shkojnë vaporat bregut t’ detit”?!

Interpretuesit e tillë, ose nuk e dinë se çka janë vaporët, ose nuk janë në gjendje që ta dallojnë se kush mund të shkojë rrethit të detit dhe kush mund të shkojë bregut të detit?!

Por një gjë është më se e sigurt , se vaporët (anijet detare) në asnjë mënyrë nuk mund të udhëtojnë nëpër breg të detit !

Deformimi tjetër tekstual që i bëhet në vazhdimësi kësaj kënge, janë vargjet e strofës ku thotë:”Mos u kthefshim , moj nane, për shtatë vjet – le t’ i marrin, moj nane, burrat pleq”! Ndërsa interpretuesit që këndojnë pa logjikë, këtë strofë e këndojnë:”Mos u kthefshim , moj nane, për shtatë vjet – le t’i marrin , moj nane, burrat vet”?!

Vargjet origjinale të këngës , tregojnë për një të vërtetë të hidhur historike, ku djemtë e ri kanë shkuar për të shërbyer në ushtrinë e mbretit turk, ku kanë qëndruar edhe nga 12 vjet, kurse nëpër shtëpitë e tyre kanë ngelur vetëm njerëzit e moshuar, përkatësisht pleqtë ! Andaj, nuset e mbetura pa burra, po qe se do të donin të martoheshin, do të duhej që të martoheshin me burra pleq, e jo me djem të ri, nga se ata nuk do t’ i gjenin!

Pra, këtu në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për gratë e veja, të cilat do t’i merrnin burrat vet!

Për hir të së vërtetës dhe për hir të lexuesve , në vazhdim po ju sjellim tekstin origjinal të kësaj kënge:

Shkojnë vaporat , moj nane, rrethit t’ detit,

Dil e shihi, moj nanë, asqerët e mretit !


Gjysa kajnë, o moj nane, gjysa knojn-e,

Ka ni letër, moj nanë, n’ vilat pe çojn-e!


Ka ni letër, moj nanë, pe çojnë n’ vilat-e:

“Për shtatë vjet, o moj nanë, t’ na presin grat-e!


Mos u kthefshim, moj nane, për shtatë vjet-e,

Le t’i marrin, moj nane, burrat pleq-e!


Burrat pleq, o moj nane, pleq me mjekër,

Ishalla vjen, o moj nanë, noj devre tjetër!”


2. A thuhet “None” , apo “Nane”?

Ndër deformimet tjera, që po iu bëhen teksteve të këngëve tona tradicionale pa mëshirshëm nga ana e interpretuesve , kohëve të fundit ka dalë një “modë e re”, ku në vendet ku përmendet emërtimi i shenjtë prindëror:”Nanë”, ata e deformojnë duke e kënduar:”None”?!P.sh. “Shkojnë vaporat, moj none”!

Një gjë dihet mirëfilli, se në dialektin toskë thuhet:”Mëma”, ose “Nëna”, kurse në dialektin gegë thuhet:”Nana”, por në asnjë krahinë shqiptare nuk më ka rënë që të dëgjoj se Nënës , ose Mëmës i thuhet “Nona”, e aq më tepër tek kosovarët, që kurrën e kurrës nuk mbahet mend që dikush ta ketë thirrur Nënën:”Nona”, ose “Oj None”!

3. A thuhet “Tirana”, apo “Tirona”?

Deformuesit e teksteve të këngëve tona popullore, gjatë këndimit të tyre të palogjikshëm , përveç që e deformojnë emërtimin :”Nënë” duke e kënduar si:”None”, nuk ndalen me kaq .

Ata, kohëve të fundit me të madhe kanë filluar që ta deformojnë edhe emërtimin, apo toponimin e kryeqytetit shqiptarë – Tiranës, ku në vend se ta këndojnë atë:”Moj Tirana jonë”, ata e këndojnë :”Moj Tirona jonë”?! Pra, gati se në të gjitha këngët ku përmendet Tirana, ata e këndojnë:”Tirona”?!

Me kësi lloj këndimesh të deformuara, s’ ka dyshim se në opinionin publik automatikisht krijohet një huti dhe hamendje, ku njeriu i pa informuar mirë, me doemos do ta shtrojë pyetjen:”A thuhet Tirana, apo Tirona”?!

4. Kur kanë këndua kosovarët polifoni me çifteli?

Interpretuesit amatorë të dehur pas karriere dhe përfitimeve materiale pa djersë, të pa kontrolluar dhe mbikëqyrur nga askush që e njeh traditën e folklorit muzikor shqiptar, jo rrallë, duke u munduar që të dalin në parajsë , e humbin rrugën dhe dalin në serrnishtë! Të tillët , shkojnë aq larg me interpretimet e tyre “artistike”, sa në shumë raste sprovojnë që të këndojnë këngë polifonike me përcjellje të çiftelisë?!

Është për t’u dhimbsur ata që nuk dinë, por nuk është e turpshme kur të padijshmit mund t’i pyesin të dijshmit, më të vjetrit dhe njerëzit e profesionit:

”Vallë, po kur kanë këndua kosovarët këngë polifonike me çifteli?!”

Është më se e sigurt që përgjigjen në këtë pyetje, do t’ua jepnin edhe gjyshërit dhe gjyshet pa asnjë ditë shkollë!

5. A mund të bëhen humoret pa banalitet dhe amoralitet?

Duke i shikuar shou- programet humoristike të cilat i servohen publikut nga ana e televizioneve tona publike, që nga përfundimi i luftës e këndej, konsumuesi i padjallëzuar i këtyre programeve do ta formonte bindjen se në Kosovë nuk mund të bëhen emisione humori pa përdorimin e zhargonit të banalitetit dhe amoralitetit deri në ekstrem ?!

Kështu ndodhë me ne, kur njerëzit e penës dhe mjeshtrit e vërtetë të humorit lihen anash, kurse në skenat publike na dalin lloj-lloj matrapazësh, të cilët me shou-programet e tyre humoristike krijojnë një pasqyrë të gabuar ndaj teleshikuesit kosovarë , gjoja se ky popull nuk po ditka të qeshet po qe se nuk përdoret zhargoni i humorit banal, fjalori i rrugaçërisë dhe mentaliteti i mullinxhinjve !

Në këtë drejtim, prijnë dy shou- emisione të titulluara :”PËRRALLË ME TUPAN” , që projektohet dhe drejtohet nga shoumeni Valon Maloku dhe transmetohet në kanalin televiziv KTV dhe i dyti titullohet :”OXSYGEN SHOU”, që projektohet dhe drejtohet nga shoumeni Besim Dina dhe transmetohet në kanalin e televizionit publik RTK.

Në emisionin “Përrallë me tupan”, nuk zgjidhen as aktorët, as fjalët e shprehjes e as gjestikulacioni, të cilat komplet shkojnë në favor të banalitetit dhe amoralitetit. Madje, në këtë emision rregullisht na paraqiten “aktor” meshkuj të veshur me rroba femrash dhe që luajnë role të femrave?!

Një angazhim i meshkujve në role të këtilla, na rikthen me shekuj prapa dhe na i rikujton rolet e “këngëtarëve kastrat” në operat e para, kur nuk kishte femra për t’i luajtur rolet përkatëse. Në anën tjetër, angazhimi i meshkujve në role të femrave dhe në veshje të femrave, na e rikujton kohën e “ashikëve dhe dylberëve” për të cilët madje janë thurur edhe shumë këngë të kësaj gjinie.

Nga një bagazh shumë i madh i skeçeve humoristike të cilat janë transmetuar nga ky emision, po e shkëpusim vetëm njërin prej tyre, sa për ilustrim për ta parë se deri në çfarë shkalle ka shkuar humori ynë:

-E kishte takuar një plak në rrugë një vajzë të re, e cila kishte të veshur një mini-fustan. Atë ditë ishte bukur kohë e ftohtë.

Plaku i tha vajzës:

”Pse axhës , je veshur kaq shkurt, po a s’po e sheh se është kohë e ftohtë e do të mërdhihesh ?!”

Vajza ia ktheu plakut:

“Hajt, o axhë, hajt e mos ma mbajë gajle ti mua, se unë e kam një shporet me veti”!

Plaku i tha vajzës:

“E po shumë mirë , pra axhës! Mbasi e paske shporetin, a bënë ta pjekë axha një shtalb në shporetin tënd?!”

Me kësi humoresh, jo vetëm që irritohen të gjithë shikuesit me familjarët dhe fëmijët e tyre, por bien në kundërshtim me normat morale të pleqve dhe burrave shqiptarë të cilët kanë qenë të dëshmuar për moral të fortë dhe vajzat e reja gjithmonë i kanë trajtuar si vajzat e veta, e jo me sy të një veprimtarie të këtillë !

Nga banalitetet dhe amoralitetet e dëgjuara në emisionin “OXYGEN SHOU”, po e shkëpusim vetëm njërin që i ka tronditur shumë teleshikues dhe familjarë kosovarë.

Në pjesën e “Kuzit” të këtij emisioni, Besim Dina kishte para veti një vjehërr shumë intelektual së bashku me rejën (nusen e djalit të tij) e cila po ashtu ishte shumë e kulturuar , inteligjente dhe shumë e bukur.

Gjatë pyetjeve të kuizit dhe provokimeve të lloj-llojshme të cilat ua bëri gjatë tërë emisionit mysafirëve të vet, Besim Dina , kah fundi i emisionit iu drejtua vjehrrit të nuses me këto fjalë:

“E paske këtë nuse (re) për mashallah ! A kishe pranua ti, që unë të bëhem djali yt?!”

Mysafirët e emisionit: vjehërr e re, vetëm u skuqën dhe e ulën kokën, kurse edhe ne teleshikuesit u skuqëm nga ekrani dhe kjo pyetje tepër provokative.

6. Kur kanë bartur kosovarët fustanella të jugut?

Në njërin prej kanaleve të televizionit RTV-21, gjatë 24 orëve emitohet vetëm muzikë popullore.

Në këto emisione, gati se secilin interpretues të këngëve popullore vazhdimisht e shoqërojnë një grup i madh statistësh, të cilët gjoja e luajnë rolin e valltarëve, madje edhe në ato këngë që fare nuk vallëzohen !

Vallëzuesit e tillë, jo që nuk dinë të vallëzojnë , por bëhen edhe qesharak para publikut, nga se ata bëjnë hapa dhe lëvizje që nuk përkojnë aspak me këngën, por sidomos vajzat e mbajnë në duar nga një shami dhe lëvizin me to poshtë e lartë, thua se janë duke e flladitur vet-vetën dhe janë duke ua pritur mizat këngëtarëve?!

Ajo që i irriton më së shumti shikuesit e këtyre programeve, nga ana e këtij grupi të valltarëve është fakti se valltarët meshkuj vazhdimisht vishen me fustanella tradicionale të jugut?!

Redaktorët , regjisorët dhe bashkëpunëtorët e muzikës së emisioneve të këtilla, do të duhej ta pyesnin vet-veten dhe ekspertët tjerë të lëmenjve të kësaj natyre:”Vallë, po kur kanë bartur kosovarët fustanella të jugut?!”

7. Kujt po i duhen vallet me shpata, jataganë dhe me pushkë?

Në lajmet qendrore të RTK-së, para ca kohësh u transmetuan dy reportazhe që kishin të bënin me dy ngjarje në fshatrat e Rugovës. E para , kishte të bënte me inaugurimin e një fabrike të vogël për përpunimin e prodhimeve të qumshtit, kurse e dyta kishte të bënte me një manifestim përkujtimor të këtyre fshatrave .

Përpos informacionit dhe fjalimeve që u mbajtën në këto dy ngjarje, reportazhet u shoqëruan edhe me një valle burrash të Rugovës, të cilët po vallëzonin me shpata, jataganë dhe me pushkë?!

Në këso skenash, çdo njeri me mendje të shëndoshë do të pyeste:

-Vallë, po kujt i duhen vallet me shpata, jataganë dhe me pushkë luftarake?

Vallja popullore luhet për argëtim e disponim, e jo për dyluftime, kasaphane dhe luftë!

Në mileniumin e XXI, kur e kemi gojën plotë aspirata për integrim në BE dhe në NATO, mendojmë se këtyre koreografive ju ka tejkaluar koha dhe duhet t’i flakim këto dukuri njëherë e përgjithmonë, nga se as Evropa, as NATO-ja nuk kanë më nevojë për shpata, jataganë dhe pushkë !

Gjilan, më 07.12.2009. Demir KRASNIQI
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi