Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Shezaim Mehmeti

Shko poshtë

Cikël poetik nga Shezaim Mehmeti Empty Cikël poetik nga Shezaim Mehmeti

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 20, 2009 1:58 am

Cikël poetik nga Shezaim Mehmeti N100000159158063_9287

Cikël poetik nga Shezaim Mehmeti

MË NUHAT ME HUNDË PRANVERE

Kjo vjershë nis te hunda
kjo vjershë nis te hunda, E mira
te hunda jote e drejtë
e mprehtë si sqep pëllumbi
te hunda që më shëtit fytyrës
dhe më nuhat
dhe më lan fytyrën
me aromë pranvere

Oooo, frymim natyre!
Oooo, nuhatje e papërshkrueshme
që rrudhat e fytyrës mi thith
e më përtërin si prilli pemën!

Unë jam druri, E mira
jam druri që përtrihet
në pranverën tënde
në atë pranverë që ti ma nis fytyrës

Jam druri që nxjerr sythat
druri që rilind e bëhet
në kopshtin tënd blerosh

Preke drurin
preke drurin
preke drurin, E mira
preke drurin në çdo syth!
Duke prekur drurin
ti pranverën tënde ke zbuluar
Dhe blerimi im prej burri
do çelë aty mbi ty

Po vij
po futem
po vij po futem
në kopshtin tënd blerosh

Dëgjoje hapërimin
dëgjoje hapërimin, E mira!
Brenda teje më ndjej!
Ndjeje drurin që të sjell rinimin!

E ndjen shushurimën
e gjetheve gjelbëroshe?
I dëgjon zërat e zogjve buzëburimit?
Dhe vetë shpirtburimin
që rrjedh e gurgullon
me zërat e hareshëm?

Lëngështia rrjedh
lëngështia rrjedh flladshëm
nëpër dejet e drurit
kopshtin pranveror ujit, E mira

Ti je kopshti
ti je kopshti domosdo!
Unë jam druri
unë domosdo jam druri!
Jam druri që lëshon rrënjë
e derdh blerim

Më ndjej
më ndjej
më ndjej, E mira!
Më ndjej si pushtuesin
e tokës që ribëhet
ti toka ime që ribën pushtuesin

Më ndjej
më prek
më pushto
më ndjej më prek më pushto!
Më nuhat me hundë pranvere!


MËNGJES MOLLËSH

mëngjes mollësh-
cica verore
të vogëlthta
gati inatqare
me thimtha të zinj ngritur
nën bluzat blu

syçka që ndjejnë
e shohin rinueshëm
drejt syve ujorë
të qiellit kaltërosh

freske gjinjsh
të posasajuar
të posadalë
që si puhiza mëngjesi frymojnë
mbi krahërorë të bardhë vashash
dhe gishta të hollë ndjesie
që si vesa prekin
ledhatojnë

flokë të lehtë natyre
të posalarë
të lagur
të njomë
që lëvaren e derdhen qafash
e bien ledhatueshëm
e frymojnë
mbi supe e mbi gjinj

hukama epshesh
që gjurmët lënë
ballit të vesëzuar pranveror

padurimin e zemrës ndjej, o perëndi
dhe e përqafoj marrëzisht
shpërthimin e dritëshpirtit
të lulemollëve në kopsht


KËNGË PËR USHUJZËN E POSAZGJUAR

Dielli i përzjarrtë i gushtit
si copëz zemre digjet
mbi qiellin e shpalosur si një pëlhurë shpirti

Larg vitit, larg stinës, larg syrit të përbotshëm
ajo është në banjë
vetëm me vetveten
dhe me ujin që i skuqet ngadalë ngadalë
përposhtë këmbësh, në vaskë

Përballë ka pasqyrën
dhe te pasqyra veten
me mollëzat e posadalura
me fundbarkun e lulëzuar

Nimfëza ngjyrëgruri
e lëngësht dhe e gjallë
ngrit kokën, lag buzët
mbush gojën me jetë

Currilët e ujit i derdhen mbi supet si muzikë
Nën harmoninë drithëronjëse
që i derdhet trupit
nga flokët, nga duart, nga shkuma, nga sapuni
ajo frymon e ndizet

Kafshon buzët e fryra
dy gjysmëpjeshkëzat e kuqe
që i hapen gjithë epsh
në fytyrën e re të engjëlluar

Fshin avujt e nderur
që përepshëm mbushin
kënd më kënd pasqyrën

Bëhet ushujzë e posazgjuar
Gjithnjë e përflakur e lë vetveten
lulezën e posaçelur e të rrallë
që është e njëmë, e njomë, e njomë
tepër e njomë për ta këputur

Dielli i përzjarrtë i gushtit
si zemërimja digjet
mbi qiellin që është i shpëlarë si shpirt i saj
Larg vitit, larg stinës, larg syrit të përbotshëm
ajo është në banjë
vetëm për vetëm
me zotin e zjarrit dhe zotin e shiut
që xhelozojnë e dyluftojnë mbi avujt
dhe… dhe me syrin tim prej burri
që rri, e përgjon, e pret
e… s’e këput si pjeshkën


BORHES I VERBËR

O Borhes!
O Borhes i verbër
që sheh kur nuk sheh!
Me sy mendjeje, Borhes!
Borhes dinak!
Borhes, Borhes!…

Më ke pikur në mendje
me atë Aleph
që s’është veç dritë
që s’është veç gjithësi
që është dhe plazmë gjaku
dhe flutur livadhi njëkohësisht!
Dhe sy!
dhe sërish sy
dhe sërish sy!
Dhe mendim i kaltërt ere
që nëpër trurë më frynë
e ëmbëlsisht më pëshpërit:
shikoji këto vithevise
shikoji këto visevithe!
Janë për t’u prekur
janë për t’u shkelur
janë për t’u parë!

Oh, vithe, vise
vithe , vithe, vise!…
Vithe nimfash
që si në dasëm vallëzojnë
e më rrëshqasin nëpër sytë
deri te i përgjakuri shesh i zemrës!
Vise nimfash
me përmasa përsosmërie
si oaza të vogla jete
ku mund të pushosh
ku mund të pijsh ujë
në buzë të atij pusi të thellë të zi
nga ku derdhet drita krejt e bardhë!
Vithe të rrumbullakta vashash
që i shoh e s’mund t’i prek!

Preke jetën
preke jetën
preke jetën, Aleph!
Jeta mund të preket gjithandej
vetëm duke u bërë ajër

Më bër ajër
Më bër ajër
Më bër ajër, hirësi!
Më bër ajër
t’u ngjitem prapa këtyre vitheviseve
e t’i prek!
T’u ngjitem prapa këtyre visevitheve
e t’i puth!
T’i puth njerëzisht
t’i puth epshmërisht
t’i puth tmerrsisht
t’i puth përjetësisht
si e puth Zotin
si e puth Zotin
si e puth Zotin
ai Aleph!



VASHË

Ti shtrat trëndafilash
që kundërmon erë jete
erë kurmi të ri.
Je trup ku drita prarohet
mbi një zjarr prej uji
që djeg dhe vragë nuk lë.
Me flokët që t’i derdh era
dhe ku flakërojnë hareshëm
grumbuj të tejdukshëm jete.
Lëndinë e gjallë
ku rri e ç’mallet
e brishtë dhe e blertë
e blertë dhe e begatshme
bima e panjohur e frymëzimit.
Pllajë e pashkelur
ku qiellzohen përjetësisht
avuj të dendur drithërimash.
Një krua i pashijuar je
ku edhe zoti ka mallë të shijojë
të kërkojë me gjuhë
në ujërat më të freskët
në ujërat më të thellë të mundshëm.
Oh vashë, klithmë e lules!
Ç’fsheh me aq xhelozi
në fytin e lëngësht
të atij zogu të drojtur?


ËSHTË ÇUPKË

Të duket
si një stoli perëndishë?
Që duhet prekur patjetër?
Që patjetër duhet shijuar?

E kuptueshme!
Por, ti mos e prek!
Është çupkë dhe dashuron njerëzisht!

Ka edhe ca kohë
sa t’ua zbukurojë jetën jorgavanëve
sa s’është bërë grua
dhe sa s’ka filluar
të kafshohet njerëzisht!

VJERSHË MITURAKE

Flej, e dashur!
Pushi i argjendtë i ullishtës
le ta zbukurojë fytyrën
Reflekto me qepallët dritëza lumturie
të derdhen ullishtës
si zëra të mekur gjinkallash.
Dhe ëndërro për vete
një det lumturie këtë çast
sepse engjëll je, e re, e pafajshme.
Unë do të brof të bëj vjershë për ty.
Dhe, po që se s’do të di, e dashur,
me flakëbriskun e syve
hënën do ta ndaj përgjysmë!
Në gjoksin tënd të shndritshëm
do t’i vë dy gjysmëhënat
Që ti të flesh e qetë
si grua në ullishtë
me një det lumturie në qepallë.
Dhe unë të flej i qetë
si burrë në ullishtë
me gjirin tënd nën krye!


Cikël poetik nga Shezaim Mehmeti 16135_105925616089410_100000159158063_161766_6669052_n


EKZISTENCA- pikture e Shazim Mehmetit, vaj mbi pelhure, 100x100cm.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi