Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

8 lirika nga Namik Selmani‏

Shko poshtë

8 lirika nga Namik Selmani‏ Empty 8 lirika nga Namik Selmani‏

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 08, 2010 10:05 pm

Do të bëhem lëng i blertë…



Nje cikël me lirika nga Namik Selmani



1.Hark i dritës, lumë me rreze…

Motiv popullor



Shkon e vjen me hap princeshe.

Gjethëron –o fletë pas flete.

Hark i dritës, lumë me rreze

Shigjeton pa fund mëngjese.



E vë veshin te një lumë

që sjell malit valë me shkumë.

E vë veshin te një lule

Kur petalja kërkon puthje.



Përmbi ballë po vike dorën

se kërkoke prapë kurorën.

Ç’po thërret një sqep pëllumbi

të të sjellë ca tinguj gjumi.



Se qepallat s’mbyllen dot

Kur rri zgjuar mbarë një botë

Ku një gurrë bën festë me këngë

Ku shkon kali hijerëndë.



Se do marr ca lëng prej druri

Se do marr ca forcë prej guri

Për dy buzët , mjaltë pa tretur

Të të flas me zë të mekur.



As më thuaj ç’të bëj sonte

Kur ndë gjoks me mblidhen kombe

Përmbi zemër vër pëllëmbën

Si të vësh mbi dorë gjilpërën.



Vjeshton vjeshta verdhullore

Pranë më vjen erë pranverore.

Dimërojnë maja e drurë

Sytë e tu më ndrijnë në udhë.



Si shtegtar që po than djersën

Në një rrugë që s’njeh pengesën.

Si një këngë që mbin në buzë

Për një faqe djegur prush.



Hark i dritës, thellë në pus…

2.Do të bëhem lëng i blertë







Në një degë të trëndafilit

Do të bëhem lëng i blertë

Të spërkas detin e sirit

T’i largoj tutje rrufetë.





Në petalet kuq si gjaku

Do të bëhem lumë e krua

Në s’të mbjell, moj, dot te pragu,

Tërë natën do rri zgjuar .





Nëpër buzët qershikuqe,

Do të bëhem bahçevan.

Të mbaj këngët përmbi supe

Si një pjergull krahët zgjat.





Nënë gjoksin tënd zjarrmuar ,

Do thërras të vijë pranvera.

Në ke ftohtë, të ngrohësh duart,

Në ke nxehtë, të puthë era.





Me purtekë të sirit shkruar

Pa mëshirë më ke rrahur

Hyj e dal i ëmbëltuar,

Në një det që ngjan si laku.





Shkoj në udhët bukurore

Si kalorës që s’njeh prehje.

Përmes ditëve klumushtore

Moj, t’u bëfsha Diell jete!





Me sëpatë prite degën

Premë e futmë thellë në si!

Nikoqire të pashë vetëm

Pse mos bëhemi sonte di ?





O moj, lule trëndafili,

E bashkuar gjëmb e gjethe

A t’i them të flasë ulliri

Të kërrejë sevdanë prej zemre?





















3.Ku shkoi ?





Më thanë

se në pyllin gjetheshumë kishte shkuar

Me kokëshkrepje për të shkruar lirika.

Ca ujq te këmbët i kishin shfryrë të urtuar

E…… jetimë mbetën pisha e lisa ..







Kishte ndalur një çast në strehë qerpiku,

Sodiste qiellin e brigjet, fletët e zogjtë.

Në dallgën e parë pas erës së nisur,

Shkumën e bëri folezë të ngrohtë.









E ndali në grykën e pusit të sapohapur

Nuses së re ia ngriti ujin e kovës së mbushur ,

Ish ujë i kaltër apo ujë diellor i përflakur?

Apo përralla e gjyshes po zgjohej vrullshëm?









Më thanë se ishte futur në shtratin ndriçuar nga hëna

Ku fjala flinte nën jorganin e heshtjes.

Të merrte dhimbjet, puthjet e amanetet e pathëna

Për t’i shkruar në Memuarët e jetës .



………………………………………





Kishte shkuar…….e unë s’e takova,

Me sytë nga strehët mbeta mbërthyer

Duhet të nisesha pas saj me revan kohërash

Këmbëzbathur mes qelqesh të thyer …..



4. Lule, Neço Himarioti



Kristalon kristal i ëndrrës

sjell në supe Neço Këngën.

E kërkojnë një varr që s’duket

kërkojnë ison t’u ngrejë supet

Hap e mbyll porta magjie

me flamur prej Shqipërie

zezon qielli, zezon deti

dallgëzon iso kurbeti..



Vjen Feniksi prej Himare

fytplaguar nëpër halle .

gjethon gjeth i portokallit

I bëjnë hije lavdimadhit

Prek ca shpate Vetëtime

duke bredhur mes ullinjve

Pres Feniksin prej Himare

përkëdhel ca jele dallge



Dallgë e këngës fushon malin

Dallgë e ehos na zgjon mallin

E kurorë thur Baba Joni

ia puth buzën si gojë kroi.

Në Pire te peshkatarët

Thahet djersa, ngrohen fjalët.

Në Parisin drita ndezur

Zgjohet kënga , tel i nderur.



Zonjëron kjo këngë e Bregut

cep më cep në shpirtin gdhendur

me kurorë valësh të kaltra.

përcjell djemtë kur mbaron Nata .

E sërish vjen mes Himare

portë më portë ku presin pragje

Janko Pali* hap radhorët

të gdhendë këngën himariote.





Të gdhendë frymën që mbush oda

të gjejë fjalën që peshoka

të na sjell një kapedan

mbret mes tingujsh kurorëartë

Pret një Vajzë atje te shkëmbi

iu thinj floku, iu tremb zëri.

një shami e puthka flladi

kur vjen pranë Neço Labi



*Janko Pali- autor i monografisë kushtuar këngëtarit të shquar himariot Neço Muka të titulluar “Feniksi prej Himare”

13 dhjetor 2009





5. Marrëzia e mençurisë



1.

Pimë .

Pimë e hëngrëm dashin borrokoç të malit.

E qamë,

Siç qajnë çupkat e ndjeshme pas puthjes së parë.

E kravatat

Një nga një i zgjidhëm si litarët e samarit .

E s’pyetëm për këmbët e grave

Tek na shkelnin mbi këpucë me takën e lartë.





2

Pimë.
Pimë e kërcyem, e puthëm brengën e Kujtimit.


Pimë

E u përqafuam kaq ngrohtë me nostalgjinë.

Orët i hodhëm

Në një det që vetë e sajuam mes këngës e tymit.

E s’pyetëm për kohën

Se edhe dielli ishte i tepërt atë ditë.







3.

Pimë.

E si të verbër duart zgjatëm drejt Murit të Dashurisë së Parë.

Dallgët e jetës gjer në fyt na erdhën

Po kurrë s’na futën në Arkëmortin e zi.

Ish dimër .

Një lule çante borën për ta këputur një dorë valltari,

Një zjarr pa dru e fletë

Ngrohte dollinë e urimit në Shtëpinë e Mallit të Ri.

4.

Pimë.

Pime e hëngrëm në sofrën e drunjtë mes gazit të mbledhur.

E cicëronë të urtë,

Për besë, të gjithë atë ditë u bëmë më të ditur.

Po Muzetë ku ishin, ku,

T’i hapnim e t’i mbyllnim duardridhur me ca shandanë të vjetër ???!!!!

E të flisnim si pleq pa bastunë

Tek të na ndiqnin vizitorët gjer në agimin e ndritur.



5.

Pimë.

Pimë e zgjuam një krua që flinte mes flakësh.

Një rrugë aty pranë

Na dha ca gjunjë të gjakosur si lule të freskëta kujtese.

Fëmijët na u rritën më shpejt

Tek na shihnin me ca sy qelqorë të pafajshëm.

Ne , më të vegjël se ata,

Përuronim sërish Marrëzinë e Mençurisë së Përjetshme.



6.

Pimë.

E ngritëm një hidrocentral ku lumë gjarpërosh nuk kishte.

Khajamin

E dëbuam nga fushat e shkretëtirta. të mbushura me kupa.

Qielli i paanë

Tek na shihte sytë tanë i turpërur ikte.

Gardianët

Dorëzonin çelësat e rënda për gotat tona të mbushura.

…………………………………………….

Pimë …….. Po kur do të pimë përsëri??!!!





6. Monolog



Poetit Gjergj Fishta

Thep më thep të Dukagjinit

do të bëhem Zanë Kroi

Dorë më dorë me vetëtimat

frymë më frymë do të frymoj







Kullë më kullë do të hidhem

e një kafe do gjerboj

Gur më gur do ndjej rilindjen

në udhë telash do ndaloj.



Në s’gjej dot një bacë të thinjur

symasat e zëbajraku

Do kërkoj-o një lahutë

të më japë fjalë gjaku.





Në s’takoj gjëkund një Loke

me ninulla lumturie

Do shkrij borën plloçë pas plloçe

që të zgjoj dhjetra burime





Në s’më shohin gjithë meshtarët

që t’i bien fort këmbanës .

Do kërkoj zile stanarësh

t’i jap frymë urimit, fjalës.



E do ndal Gjogun e Fjalës

thinjur-o në 70 dimra

Përmbi supin e baladës

të zjarrmoj ndër shkrepëtima





Do të zgjoj vikama burrash

Të dëboj Mordin Lugat

Ku damarin ushqen gurra

Do të bëhem kryemal.







Me carrokët që lind trolli

do mësoj shkronjën e parë

Sup më sup të shporrim Natën

dritë të mbjellim farë më farë



Do martoj nipat e Zogës

me tupanët e Poetit

U bëftë vera lumë në sofra

që një ditë të derdhet detit.





Ku pëllumbi ngre një strehë

në livadh ku Mbret është bari

fqae dielli do të mbjell

faqembetur te ugari.





Do kërkoj një hark ylberi

zemrës sime të pafaj

një kukamë që shkëmbin treti

Ta kthej sot në buzagaz.





Thep më thep ku thyhet drita

do të bëhem tel sharkie

Të më dehë gjakun Rilindja

si një fjongo shqiptarie.












7.Sytë e mallit



Lirikë kurbeti





Mes nesh një det me nimfa malli

Një lot që fsheh qerpik i njomë.

Po sa i lartë na qenka mali

Që nuk na lë të kuvendojmë?

I gjatë, i gjatë litar i udhës.

Asnjë sëpatë nuk e pret.

Në ç’jastëk i vë ti sytë e bukur?

Ç’mendon pas grile kur mbrëmja vjen?



I lartë ky mur , si gardh i hekurt,

Pelin i fortë kjo ndarje detesh.

Po si ta marr një përkëdhelje

e si ta jap një fjalë që tretet?

Një drithërimë shpirti zien në gjokse.

Një thinjë, një rrudhë flet si njeri.

Në sytë e tu si mijëra kroje

do ndez një zjarr me dashuri.



Si të të vë një fjongo lulesh

Mbi flokë të thinjur nga mundimi?

O, ç’barrë që mbajtëm përmbi supe

Po kurrë s’u lodhëm nga rënkimi.

Kur trungjet, shkarpat të mbarohen,

Një mal me dallgë do prushëroj….

Të kesh veç gaz në sy, moj motër,

Ndër hapa diellin do ndaloj.



Jam bërë, vëlla, si një memec.

Si një fëmijë i burrëruar.

E zemra dridhet si në rrebesh

..dhe dora s’hesht, po shkruan, shkruan…….

Mes nesh një det me nimfa malli

Një lot që fsheh qerpik i njomë.

Po sa i lartë na qenka mali

Që nuk na lë të kuvendojmë???
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi