Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: E FSHEHTA TRONDITËSE

Shko poshtë

Vullnet Mato: E FSHEHTA TRONDITËSE Empty Vullnet Mato: E FSHEHTA TRONDITËSE

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 29, 2010 11:25 pm

Vullnet Mato: E FSHEHTA TRONDITËSE 20665_1172499203823_1568334934_30359662_3479065_n

Vullnet Mato: E FSHEHTA TRONDITËSE 22665_1163900988873_1568334934_30345381_3410171_n

Vullnet Mato

E FSHEHTA TRONDITËSE
Tregim

Të qeshurat e mbytura , që nisën të vinin nga korridori i ngushtë, tregonin se rekrutët kishin filluar të zhvisheshin. Të tre pjesëtarët e komisionit dhe mjeku patolog, që bënte kontrollin, e prenë njëherësh bisedën e pushimit të shkurtër. Ata zunë sërish vendet në tryezën e gjatë të mbuluar me çarçaf të bardhë dhe u përkulën mbi letrurinat që kishin përpara. Shefi i degës ushtarake, një oficer fytyrëgjerë, që çapitej me vështirësi për shkak të këmbëve dystaban, thirri me emër nënoficerin e shërbimit.
Dera u hap me vrullimë. Bashkë me vërshimin e ajrit të vakët, të përzier me erën e djersës, që lëshonin trupat e sapozhveshur të rekrutëve, hyri ai, që e thërrisnin kapter Xhepi.
-Urdhëro, shef Stefani!
-I ke gati të fillojmë? -pyeti shefi me një ton pakëz të shtrirë e të njëtrajtshëm.
Nënoficeri shtrëngoi nofullat një grimë dhe mustaqet e holla të zeza pis iu mblodhën hark rreth buzëz së poshtme. Duke e bërë më të qartë shprehjen nervoze në fytyrën e tij të rruar paq.
-Një rekrut nuk pranon të zhvishet!...-tha kapter Xhepi me duf zemërimi, duke picërruar sytë nga shefi te mjeku e anasjelltas.
-Si ka mundësi? -pyeti shefi, pamja babaxhane e të cilit ndryshoi menjëherë nga habia.
-Kundërshton për qamet, o shef Stefani!
-Mbase nuk e ka kuptuar akoma që këtu s'është te mamaja. - qeshi shefi, duke kthyer vështrimin nga anëtarët e komisionit. -Ka nga ata, që vetëm kur veshin uniformën ushtarake e kuptojnë ç'domethënë urdhër.
-Mund të jetë me ndonjë ekzagjerim patologjik në organin mashkullor. - bëri shaka mjeku, bluza e bardhë e të cilit nuk arrinte t'ia mbulonte pjesën e përparme të trupit, për shkak të shëndetit që i kishte hipur kohët e fundit.
Shefi u ngrit si me përtim dhe, duke hedhur me ngathtësi hapat e rëndë të këmbëve të dysta, doli në korridor. Rekrutët lakuriq vunë menjëherë duart përpara dhe i prenë të qeshurat, që u shpërthenin herë pas here, kur shihnin përmasat e ekstremiteteve mashkullore të zbuluara të njëri-tjetrit. Gjysmerrësira, që kishte krijuar zënia e dritares me batanije, e pengoi shefin të orientohet dhe u ndal një grimë. Kapter Xhepi e udhëhoqi deri pranë dritares, ku një djalosh, i veshur me kominoshe doku, kishte zënë fytyrën me duar, i tmerruar nga ajo lakuriqësi e përgjithshme me gjeste mburrjesh mashkullore, ku secili tundte penisin e forcuar para të tjerëve. Shef Stefani u përkul pakëz, e kapi lehtësisht nga kyçi i dorës dhe u orvat ta kthejë për t'i parë fytyrën.
-Pa dale, mor djalë, çfarë ke ti kështu?...
Djaloshi kundërshtues e tërhoqi dorën me forcë, pa i hedhur sytë fare nga njeriu që i foli dhe u mblodh gërmuq nën cepin e varur të batanies së leshtë. Sakaq shtrëngoi më fort të dy duart mbi fytyrë, tejet i tronditur nga ç'kish parë e dëgjuar rretheqark.
Shef Stefani kishte pasur të bënte edhe herë të tjera me rekrutë të turpshëm, por jo si ky djalë, që ndiente krupë nga lakuriqësia e djemve të tjerë. Ndofta ishte fare i padalë nga fshati, i rritur në ndonjë banesë të veçuar malësie, në kushte të mbyllura familjare, larg mjediseve ku djemtë laheshin së bashku nëpër lumenj e hurdha përrenjsh. Për këtë nuk i vuri faj. Por nuk i pëlqeu aspak mënyra, se si kundërshtonte edhe për të kthyer përgjigje. Mbase duhej marrë me të mirë. Shefi u ul mbi gjunjë dhe u afrua te shpina e kërrusur e rekrutit.
-Ma thuaj mua që jam komandant, si e ke punën, pa hë?... -i foli me zë të ulët.
Përsëri asnjë përgjigje. Shef Stefani mblodhi supet dhe tundi kryet i befasuar nga një qëndrim i tillë i pazakontë.
-Ohu, - ia bëri Xhepi me padurim. -s'lashë gjë pa i thënë unë, po ku ha pyka ky...
-Shprehu lirisht me mua, unë do të të ndihmoj ! - ngulmoi shefi me durim.
Rekruti vazhdonte të qëndronte kundërshtues, shpërfillës dhe gjithnjë gërmuq, si fundi i një trungu të prerë.
-Si quhet? -pyeti shef Stefani duke u kthyer përgjysmë nga nënoficeri, i cili shkumëzonte nga inati dhe ishte gati ta shkundte për krahësh para eprorit këtë rekrut kokëngjeshur.
-Gëzim Alhysa. -tha prerazi kapter Xhepi.
-Nga është?
-Nga Funarësi. -shfryu Xhepi. -Dhe e ka kokën si Shkëmbi i madh i Çermenikës.
Shefi tundi kryet në shenjë pohimi.
-Pse nuk bën si gjithë djemtë e tjerë? -vijoi t'i flasë me një zë gati prindëror. -Këtu s'ka ndonjë gjë për t'u turpëruar, kur të gjithë shokët e tu janë zhveshur... është rregull, do të të vizitoj mjeku...
Rekruti prap nuk u bë i gjallë. Kapter Xhepi e humbi durimin dhe u bërtiti me nervozizëm rekrutëve të tjerë që ishin grumbulluar përqark, në atë pozicionin e tyre të zakonshëm me të dy duart mbi organin mashkullor.
-Si t'ia bëjmë? -pyeti kapteri në hall dhe me shenja tregoi, se kërkonte lejen e shefit për ta zhveshur forcërisht.
-Vazhdo! -tha shefi, duke parë se e vonuan shumë komisionin.
Xhepi i kapi djaloshin me kominoshe për krahësh dhe e ngriti në këmbë me forcë.
Ai klithi egërsisht, u kap pas batanies aq fort, sa e shkuli nga thumbat që e mbanin dhe përplasi këmbët përtokë, duke u bërë më ngulmues në kundërshtimin e tij kategorik. Rekrutët e tjerë klithën nga drita e fortë që u ra përnjëherësh.
-Lere! -urdhëroi shef Stefani dhe drejtoi trupin. - Mirë, mos u zhvish, po çou të bisedojmë në zyrë! Po ke ndonjë hall, mund mos të të marrim ushtar...
Toni i tij tingëlloi tepër i butë e mirëdashës në veshët e djaloshit. Ai u kthye me ca sy të hapur tej masës, si sytë e ndonjë egërsire të kapur në lak. Mandej lëvizi ngadalë, rrëzoi kokën mbi gjoks dhe bëri përpara, duke shkarë rrëzë murit. Te pragu i derës së zyrës u ndal si i gozhduar. Shef Stefani i rrahu supet nga prapa për ta nxitur të hyjë brënda. Rekruti bëri edhe dy hapa të tjerë me kokën ulur, por sytë kureshtarë të anëtarëve të komisionit, që ranë mbi të njëherësh, e bënë të shtanget në vend.
Mjeku patolog, me gjithë shtatin e rëndë, kërceu vrikthi nga karrigia anësore dhe i shkoi fare pranë. Ai zgjati dorën te mjekra e djaloshit fshatar dhe ia çoi kokën lehtë. Sytë e tij zhbirues hetuan me kujdesin e veçantë të ekspertit profesionist fytyrën e njomë, lëkurën me pore të pastra, formën e butë e të lakuar të faqeve me mollëza të përskuqura nga turpi, sytë e druajtur me qerpikë të gjatë e të zinj, ku shëndrisnin ende pikëzat e lotëve të patharë dhe në fund, gjoksin e sheshtë por të valëzuar. Mandej me një nënqeshje të lehtë u kthye nga shefi, që kishte qëndruar përballë dhe i shkeli syrin.
-Të presi pak përjashta! -tha me një ton që mund të merrej edhe si urdhër edhe si kërkesë e specialistit.
Shef Stefani, që s’kuptoi asgjë nga ai vëzhgim i sipërfaqshëm dhe vendim i papritur i mjekut, i tha rekrutit në mënyrë automatike:
-Prit në oborr, po mos u largo! -dhe iu drejtua kapter Xhepit, që gjendej një hap prapa: -Shoqëroje deri te stoli dhe prisni aty të dy!
Djaloshi doli nga dera si i çliruar nga një ankth i tmerrshëm. Mjeku hoqi stetoskopin nga qafa dhe duke e lëshuar mbi tryezën e komisionit pa ndonjë ngutje, tha me ton të qetë, gati pëshpëritës:
-Është vajzë!...-pastaj lëshoi një buzëqeshje disi të veçantë, që shprehte jo vetëm zbulim, po edhe siguri absolute.
-Vajzë? -zgjati qafën e hollë krejt i çmeritur përfaqësuesi i pushtetit lokal, një tridhjetëvjeçar me flokë të rëna deri në thellësi të kokës. -Po ju... si?... Pa e vizituar... Të paktën gjoksin...
-Nuk ishte e nevojshme. Kuptova që e kishte shtrënguar fort me diçka si brez.
-Epo, paska patur të drejtë. Bo,booo, ç’i kanë parë sytë asaj të gjorës mes gjithë atyre pykave të djemve!…- qeshi përfaqësuesi beqar i pushtetit lokal.
Shef Stefani iu afrua mjekut dhe shtoi me zë të ulët, sikur druhej se mos dëgjohej pas derës.
-Pse të jetë veshur si djalë?!...
Mjeku, që mbështetej vetëm te konstatimet konkrete, iu shmang hamendjeve dhe heshti një grimë. Ai u suall përqark boshllëkut të zyrës mendueshëm dhe, si vuri re që sytë e të tjerëve kishin mbetur të pikëzuar mbi të, tha me mëdyshje:
-Veshja ka mundësi të jetë maska që fsheh ndonjë dramë familjare...
-Dramë?! -ia bëri përfaqësuesi i pushtetit lokal, duke këqyrur në boshllëkun para tryezës. -Atëherë të thërrësim të atin.
-Nuk jam dakort. -ia ktheu mjeku. -Zbulimi i menjëhershëm i maskës, po të jetë vërtet e tillë, do të hapte telashe për dikë brënda familjes, i cili mund të jetë protagonist kryesor, por ndoshta edhe për vet vajzën. Mbase do të ishte më mirë të zbulohet enigma, duke iu afruar fshehtësisë së saj me rrugë anësore.
-Po, po, duhet vepruar me takt, që të mos diskreditojmë edhe vajzën. - sugjeroi shef Stefani, duke e kundruar përfaqësuesin e pushtetit lokal ngultas e pa kujdes në zhogën e kokës tullace. - Më mirë thërresim kryeplakun e fshatit. Ai mund të na sqaroj diçka para se t'i drejtohemi babait të saj.
-Cilin ka baba? -pyeti sërish mjeku me një kureshtje gati instinktive.
Shefi i degës ushtarake u ndërmend, se te dosja mbi tryezë ndodhej lista e rekrutëve, tek e cila ishin shënuar disa të dhëna për secilin prej tyre. Shkoi e hapi në çast. Befas në fytyrën e tij çeli një buzëqeshje, që u duk sikur zbuloi diçka të rëndësishme.
-Quhet Tafil Alhysa, po më e lezetshmja qënka, se ky "djalosh" femër paska profesionin ndihmëstraktorist...
-Ndihmës!... -shqeu sytë përfaqësuesi beqar i pushtetit lokal. -Dhe ustai i traktorit të mos e ketë kuptuar që është vajzë?...
-Ku dihet, edhe mund ta dijë. -u gjegj shefi duke rrudhur supet.
-Nuk e teproj po të them, se në këtë mes nuk kemi të bëjmë vetëm me një dramë, po edhe me një komedi. - ia priti buzagaz përfaqësuesi i pushtetit lokal.
Mjeku qeshi me zë.
-Po të gërmosh më tej, o shef Stefani, ndofta ke për të zbuluar edhe çudira të tjera.
* * *
Kryeplaku u fshatit, që u lajmërua ngutësisht, erdhi pas dy orësh. Në fillim ai mezi arriti të besojë dhe mbeti gati pa mend, që edhe djali i vetëm i Tafës, pas kaq vitesh, kishte dalë femër. Kryeplaku mori përsipër të bisedoj vetëm për vetëm me rekrutin Gëzim Alhysa, me të cilin ishte jo vetëm bashkëfshatar, por kishte edhe lidhje fisnore.
Ai e mori vajzën për të biseduar diku aty afër. Shkuan përballë degës ushtarake, ku ishte një kodrinë e ulët me akacje të dëndura dhe bar të njomë. U ulën mbi një sop të blertë. Ishte mes pranvere. Rretheqark qetësi. Tej akacieve shtrihej rruga e asfaltuar ku lëvizte ndonjë kalimtar i rrallë. Nëpër akacie ca zogj ndiqnin njëri-tjetrin duke rrahur krahët e duke çuçuritur me nxitim.
Vajza pranoi t'i zbulonte të fshehtën e madhe të jetës, me kusht që kryeplaku të mos i tregonte asgjë babait të saj. Dhe vetëm kur ai u betua për kryet e dy fëmijëve, ajo besoi në sinqeritetin e tij.
-Gjyshja nga baba, -ia nisi ajo me sy të lëngëzuar. - më ka rrëfyer, se ka dalë nga dera e Çelmetëve, që bien kushërinj të dytë me fisin tuaj të Albajramëve. Prej kësaj po më mbushet mendja me të thanë të vërtetën, e në mos qofsh me besë, kam me e mallkue fisin tuaj e me e sha gojë më gojë, sa të jem gjallë...
-Po dëgjove llafin më të vogël të dalë prej gojës sime, qofsha burri ma i poshtër i të tanë Albajramëve.- u betua edhe një herë me gjithë shpirt kryeplaku.
Vajza fshiu sytë me një shami të palosur, që nxori nga xhepi i xhaketës bluxhins dhe vijoi me një ton të lehtë, të dridhshëm.
- Gjyshja më ka tregue, se kur linda unë, nana ime qau, sa u enjt nga fytyra. Qau sa i pikoi zeher nga sytë e deshi me vdekë. Deshi me u pre, si bagëtia, me thikën e madhe që grin duhan baba. Deshi me vdekë qysh atë minutë, kur gjyshja i tha se edhe unë fëmija i katërt dola cucë. Po gjyshja i shfryu keq, edhe pse nana ishte lehonë e rënkonte aty pranë vatrës, ku sapo kish pjellë. Ajo i briti e zemëruar, ia rrëmbeu thikën nga duart dhe e hodhi jasht dritares mbi togun e plehut. Gjyshja më nxori mua nga govata prej lisi shpejt e shpejt e më mbështolli me pelenat që kish bërë me kast për të lidhur djalë. Gjyshja thotë, se edhe unë qaja me sa më mbanin mushkritë, gërthisja si mace e egër. Qaja sikur ta dija qysh atje brënda në barkun e nanës, se babai nuk donte për qamet me pa me sy cucë tjetër. Robi i gjallë, që nuk qante atë mëngjes në konakun e zjarrit, ishte vetëm gjyshja ime. Ajo më lëshoi në gjirin e nanës e më tha: " Pi, të piftë dreqi, oj farë e qoftëlargut! " Më pas u ul pranë lehonës, që ishte zgajtur keq prej ofshamjeve e prej lotëve. E vërejti gjatë e gjatë pa i bëzajtur dhe iu këput shpirti, që ajo vuante aq shumë për të keqen që i pruni pjella e vet. I erdhi keq për të e iu dhims sa s'ka. Në tërë katundin thonë, se s'ka vjehrrë tjetër që ta dojë aq shumë nusen si gjyshja ime. Besoj ke dëgjue. E për ta qetuar gjyshja i tha:
"Ti polle belanë, oj nuse, po edhe mua më polli mendja një yçkël që të shpëtosh nga kjo bela."
Nana fshiu lotët e syve të gjaksuar prej sikletit që hoqi në lindje dhe ia ktheu me të rënkuar:
"S'ka derman që më shpëton mua në këtë dynja, moj nanë e dashur... Tafili më ka thënë me kohë : " Po qe se pjell cucë tjetër, shporru nga shtëpia ime, se nuk e shuaj fisin për fajin tënd!"
Gjyshja, që i pati dëgjuar edhe vet këto fjalë nga goja e të birit, u zemërua keq kur i dëgjoi tani nga goja e nuses së pafajshme. Dhe kur i hypte asaj inati në kokë, siç e ke njohur edhe vet, nuk përtonte tu kthehej me fjalë të trasha edhe burrave të fshatit.
"Tafilit ia marrtë dreqi surratin! -shfryu ajo e zemëruar. -Ai vet i pjell cucat. Te ara mbin ça ke mbjellun. Për këtë s'është faji yt!"
"Është i kujt është faji, ai më është betue që do më ndajë..." -tha nëna me të gulçuar.
Gjyshja u tërbua nga këto fjalë dhe menjëherë i doli për zot:
"Sa të jem unë gjallë, Tafili të merr veç pleshtat! "
"Me katër cuca, -qau hallin nëna. -ka të drejtë të mos më dojë..."
"Po ja që të dua unë e ai s'ka ç'ban hiç fare, se unë di t'i punoj një rreng..."
"Ah, moj nanë e dashur, -rënkoi prapë nana ime.- ai bën ç'të dojë me gruan e vet."
Gjyshja pështyu zjarrin e oxhakut e tha gjithë inat:
"Gruaja s'është vetëm e tij, po edhe e konakut."
"Merr tjetër ai, konaku s'mbetet bosh...-tha nana dhe lotët i rrodhën prapë rrëke.
"Nuse tjetër nuk fus ke shtëpia unë, sikur të bahet kiameti ! -tha gjyshja me të buçitur. - Ty të kam zgjedhun vet e më duhen vetëm huqet e tua, se jam me një kambë në varr. Ti më ke shpëtue dy herë nga vdekja kur jam sëmurun keq. Më ke fërkue kockat, më ke ushqye me lugë e je gdhi mbi kryet e mi, si të isha fëmija yt. Cila nuse i ban ato që ke ba ti për mua? Pa më thuaj!... Ato të rejat janë firifiu, mezi presin sa të vdesi vjehrra që të torolisin mollaqet poshtë e përpjetë.
Nanës iu gëzua shpirti e i ndritën sytë nga këto fjalë të gjyshes. E dinte që ajo e donte shumë, po jo aq sa t'ia përmendte edhe në sy të mirat që i kish bërë.
"Ti rrofsh e qofsh njëqint vjet, moj nanë, se për mua je njësoj si ajo që më bani kryet, po Tafili nuk të pyet, se ai është inatçi..."
Gjyshja u kollit dy-tri herë me të tallur.
"Ai inatçi, unë marifetçie..."
"Thua të ketë marifet që i kurdiset atij? " -e pyeti nana me buzët e thara nga sikleti.
"Kam me ia dhi turinjtë, siç i takon, do t'i them, polle çun! -u shkreh gjyshja, si çiftja e vjetër e gjyshit, rahmet pastë.
Sefte nana nuk i besoi këtij rrengu të gjyshes. Ajo më vështroi me dhëmshuri mua, që kisha zënë të pija si e limaksur dhe më vuri në gjirin tjetër. Pastaj i tha gjyshes me merak të madh:
"Halli po e mori vesh, Tafili ban gjamën... "
"S'ka si ta marri vesh. " - tha gjyshja me plot gojën.
"Do ta kuptoj një ditë, se s'bën! "
"Asnjëherë. - tha Gjyshja me mëndje top. -Ne gratë kemi futur shejtanin në shishe, jo Tafilin, që është bajga e shejtanit..."
"Po qysh? " -e pyeti nana e habitun.
"Ja, këtë pëckën, që po pi si thithlopë, kemi me e vesh si çun e shenjat e trupit nuk do t'ia rrëfejmë Tafilit asnjëherë. "
"Ah, sikur t'ia dilnim mbanë ta fshihnim deri në fund!" - tha nana me buzën në gaz dhe duke më puthur për herë të parë mua, sikur harroi që i dhimbte gjithë trupi.
"Ne jena gra, e për pjellën e shpirtit na dhëmb shpirti. " - tha gjyshja me fytyrën e saj tërë rrudha, po edhe tërë gëzim, që kishte gjetur rrugën e shpëtimit.
Dhe siç më kanë tregue me gojën e tyne, si njana ashtu dhe tjetra, që nga ai çast, gjyshja më mori në prehën e nuk më lëshoi nga duart deri sa u rrita. Ajo më lëshonte në duart e nanës, sa të më jepte gjirin dhe më linte në duart e babës, aq sa kishte kohë të rrinte vet aty pranë. Gjyshja më vuri emrin Gëzim, që të mos i shkonte mëndja kurrë te hidhërimi që pruna në shtëpi. Dhe më mësoi si të luaj me çunat e lagjes, si ta baj zanin e si të qëlloj me gurë. Më qepej pas ngado ku vërtitesha nëpër katund e për sy të botës thoshte: " Këtë çun ma ka dhanë perëndia mua plakës, që ta kem me kimet e të mos e lëshoj nga duart." Mbaj mend një herë kur mbusha shtatë vjeç, baba deshi me m’i vish vet një palë pantallona të reja që më kish ble në pazar. Po gjyshja ia rrëmbeu nga duart e i tha : Jazëk të qoftë, ke lujtun mendsh, ashtë gjynah që babai të veshi djalin e vetëm, se zoti e zhvesh të atin përgjithmonë nga pasja e djemve." Dhe që nga ajo ditë baba s'kishte të bënte fare me rrobet e trupit tim...
-Epo vallahi, bilahi, plakë ma të rrezikshme se kjo kushërina ime, s'ka pas ndonjëherë nahija jonë e Çermenikës. -tha kryeplaku duke qeshur i çmeritur. -Ajo ia ka çue ujin nën rrogoz, jo vetëm birit të vet, po edhe gjithë katundit!
Vajza buzëqeshi me krenim dhe vijoi më tej :
-Edhe kur vazhdova shkollën e fshatit edhe kur u rrita e baba më vuni të mësoj traktorin me Petrit Bashën, gjyshja vinte shtatë herë në ditë, gjoja për me më sjellë bukë e ujë e më mësonte si të sillem me të. Po sot nuk dinte si të më mësonte, se as ajo dhe as unë nuk e dinim që këtu në degën ushtarake...
Kryeplaku i fshatit, që kishte mbetur i mahnitur nga gjithë kjo ndodhi e gjatë që po dëgjonte, sakaq e mblodhi veten dhe u përqëndrua te pikëpyetjet e fundit.
-Po mirë, moj cucë, Petriti nuk të tha gjë sot, kur ia le traktorin vetëm, se ti kishe për të dalë e zhveshun para komisionit?...
Ajo uli kryet, qeshi dhe kafshoi buzën lehtas. Pastaj u mendua një grimë dhe tha gati duke iu dridhur zëri:
-Petriti e ka kuptue me kohë që jam vajzë. Po sot unë nuk i thashë që më kërkojnë në degën ushtarake.
Kryeplaku zuri me duar nufullën e rrudhosur e të parruar, shqeu sytë dhe i rrëzëllitën në mendje disa pyetje të tjera njëherësh.
-Ai e di që je vajzë dhe sillet me ty si me një djalë?!...-foli gati me gojë të mbyllur dhe u duk sikur tingujt e fjalëve i nxori nga barku.
Vajza uli përsëri kokën e turpëruar. Dhe padashur iu kujtua ai çast lumturie, kur Petriti çapkën që dallonte edhe erën e femrës, e shtriu për herë të parë pas një gëmushe me bar të njomë dhe e puthi në buzë me aq forcë, sa asaj iu zu fryma e i gufoi gjoksi, duke ndjerë ëmbëlsinë më të çuditshme që kishte provuar në jetë. Mandej drejtoi vështrimin me një skuqje të lehtë dhe mbi buzë i farfurinte tashmë një gaz i fshehtë.
-Ne me fisin e Albajramëve biem kushërinj... Ty të lutem si xhajë që të kam, të mos i thuash gjë babës, deri në vjeshtë, kur e kemi lanë me Petrit Bashën të martohemi...
Kryeplaku u kollit lehtë, nxori një cigare nga paketa dhe e ndezi me një çakmak metalik.
-Ja ku po të them, moj cucë, Tafili është kokëshkretë dhe ti prapë ke për të hapur sherr në vjeshtë, kur të kërkosh të shpallësh fejesën apo dasmën...
Vajza shkuli një tufë bar të njomë aty pranë dhe e vuri sipër një guri.
-Petriti ka me më rrëmbye dhe kështu i vëmë kapak këtij sherri që u fsheh për tetëmbëdhjetë vjet. Ti më ke dhanë fjalën që s’ke me i thanë asgjë nga këto që tregova, apo jo?
-Mos e fol më atë llaf, -ia ktheu menjëherë kryeplaku. - se unë jam me një barrë namuz e nuk e ha fjalën që kam dhanë.
Vajza i vuri dorën në sup miqësisht.
-Them, se ka me më shkue mbarë. Po vetëm për një gjë më vjen keq, or xhaja im. Qysh kur u rrita e zuna të kuptoj nga jeta, shumë herë kam qa e jam brengosun, që s'pata edhe unë fat ta gëzoj vajzërinë si të gjitha vajzat, po mbeta gjithë kohën e fshehun, as me shoqe, as me shokë...
Kryeplaku e kundroi një grimë me dashamirësi dhe u ngrit i pari me kokën të rënduar plumb. Vajza instinktivisht u çua pas tij. Bari i njomë gjithë lëng që ishte ngjeshur pas tokës po shkëputej ngadalë fije pas fijesh.
Dhe kështu ngjau. Kryeplaku rregulloi punët me regjistrat në degën ushtarake dhe nuk foli me askënd deri sa të vinte koha.
Vjeshta erdhi shpejt. Atë natë, kur do të ndaheshin përgjithmonë, gjyshja që kishte zënë krevatin për të bërë gjumin e përjetshëm, qau për herë të parë me lot të hidhur. Ajo e mësoi për herë të fundit "nip" Gëzimin si të kapërcej ylberin, për tu bërë vajzë, duke i shtuar emrit nga pas vetëm një "e". Mirëpo plani i Gëzimes për të ikur nga shtëpia si e rrëmbyer, u përmbys po atë natë. Në kohën kur Petrit Basha shkoi për ta marrë si hajdut, ai i tha, se i përgjigjej pozitivisht një kërkese të bërë ditë më parë nga e dashura dhe njëherësh ndihmëstraktoristja e tij, që të hynte dhëndër brënda. Kjo për dy arsye: Për të mos i hapur telashe familjes së saj dhe për t'u dhënë mundësi të dy fiseve të gëzonin harenë e dasmës së tyre.
Të nesërmen, me kërkesën e të dyve, kryeplaku, që e kishte mësuar i pari të fshehtën tronditëse dhe e kish mbajtur sekret, njoftoi Tafil Alhysën, se tani ishte bërë vërtetë me një goxha djalë...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi