Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: SHTATSTOLISURA SARANDA IME

Shko poshtë

Vullnet Mato: SHTATSTOLISURA SARANDA IME Empty Vullnet Mato: SHTATSTOLISURA SARANDA IME

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jul 16, 2010 7:04 pm

Vullnet Mato: SHTATSTOLISURA SARANDA IME 37749_1299182610829_1568334934_30597620_6868629_n

Vullnet Mato: SHTATSTOLISURA SARANDA IME 37572_1298379110742_1568334934_30595962_4086654_n
Vulllnet Mato

SHTATSTOLISURA SARANDA IME

Shtatstolisura Saranda ime, nusja bukuroshe e Jonit të kaltër ka veshur purpurimet më të ndritura të ditëve verore, për të pritur miqtë e shumtë nga e gjithë gjeografia hapsinore e kontinentit. Ka kohë që nuse Saranda bashkë me dhëndrin e vet Jonin, kanë bërë gati odat dhe plazhet, ku do të rehatohen shqiptarët nga Vermoshi deri në Konispol, nga Kosova e Maqedonia, nga Greqia e Italia dhe nga të gjitha skajet e globit ku banojnë bijtë e saj emigrantë. Nuse Saranda ka shtruar vilat allafrënga dhe ka gatitur lokalet moderne me pajisjet dhe gatimet më të shijshme të kuzhinave evropiane. Dhëndër Joni ka ngrohur ujërat, ka shtruar rërën, ka bërë gati peshqit e egër dhe oktapodët për tryezat madhështore të kësaj vere të nxehtë, e cila sapo përcolli nëpër botë jehonën e kampionatit botëror, ku një oktapod sumbullandritur i kaltërsive detare parashikoi edhe fatin e disa fitoreve të mëdha.
Jam ndodhur në mes të këtij purpurimi gati dasmor, i ftuar nga Bashkia e Sarandës, për promovimin e librin tim të ri prej 400 faqesh me poezi të zgjedhura të sapodalë nga shtypi i shtëpisë botuese “ADA”. Gëzimi im, i nxitur nga kjo atmosferë festive verore dhe nderimi që po më bëhet nga autoritetet e vendit, si bir i Sarandës i larguar qysh në vegjëli, ka arritur lartësitë e majëmaleve. Këtu po shoh se emri im i gdhendur nga bashkëfshatarët e origjinës në shkëmbin e malit të Fterrës, është gdhendur jo vetëm edhe në ftesat e bukura për këtë takim shkrimtarësh e lexuesish, por edhe në zemrat e shumë miqve dhe shokëve që më presin krahëhapur e buzagaz.
Dhurata më e pastër e më e pakorruptuar e librit me autograf, i gëzon së tepërmi të gjithë ata që më duan, duke filluar që nga kryetari i baskisë, Edmond Gjoka, dy nënkryetarët Robert Maçi e Fatos Mullaj, deri te kryetari i këshillit bashkiak Arjan Demiri dhe krijuesit e lexuesit e shumtë. Doktorit të nderuar Agim Nelaj, për të cilin qesh buza e çdo qytetari sapo përmendet emri i tij, tani i qesh buza për mua dhe më bën të gjitha lehtësitë shoqërore për të takuar gojartët e Sarandës, si poetin dhe shkrimtarin Pajtim Çaushi, poetin Zaho Vasili, aktorin e shquar Anastas Nika, që fillon menjëherë të deklamojë vargjet për Sarandën në krye të librit, rektorin e degës së universitetit të Gjirokastrës Eduart Mehmeti e shumë të tjerë. Vëllai im, Agimi, poet dhe mjeshtër elektronik, bën pllakatin e madh të librit tim për sallën e kinoteatrit dhe gatit kamerat e televizionit “Riviera” bashkë me “TV Sarandën” të filmojnë këtë festë të re shkrimtarësh në brigjet e detit Jugor.
Më gufon zemra bashkë me cërritjet e celularit, kur poetë dhe shkrimtarë të largësive kontinentale që kanë marrë vesh në internet për këtë aktivitet, si Arqile Gjata, nga Greqia, Agim Gashi e Mentor Thaçi nga Gjermania, Sinan Vaka e Lumo Kolleshi nga Përmeti, miq të tjerë nga “Bota e Re” në Amerikë dhe nga “Albemigranti” në Kanada më urojnë promovimin në çastet para fillimit të veprimtarisë. Gazmohem aq, sa më duket sikur edhe ishulli i Korfuzit po afrohet nëpër ujëra të dallgëzuara të më përshëndesë: “Mirë se erdhe, o thinjosh i ikur qysh fëmijë, që ke kohë pa i lëshuar sytë nga brigjet e mia gjelbëroshe!”
Njeriu jeton botën e tij me mendimet dhe bëmat e përditshme, duke menduar rëndom se e kanë harruar ekzistencën e tij në këtë botë, aq me tepër unë, i larguari nga vendlindja para gjysmë shekulli. Por e kisha gabim. Ata më kishin ndjekur si birin e tyre në çdo hap, të hedhur me gjurmë fletësh nëpër libra. Dhe këtë ma kujtuan jo vetëm shokët e vegjëlisë që takova, por edhe miqtë e ardhur nga Fterra që folën tejet entuziast në këtë takim, si Profit Zani me të birin Besmirin, apo plaka fterriote që më kujtoi atë moshë, kur kisha shkuar në shtëpinë e saj në Fterrë dhe kisha hipur mbi çati për të afruar plloçat e gurta që të mos rigonin pikëzat e shirave.
Një befasi e këndshme më ndodhi kur hodha vështrimin nga salla e mbushur dhe pikasa aty ish drejtorin e përgjithshëm të radiotelevizionit publik, Agron Çobanin, që ndodhej ato ditë për pushime në Sarandë dhe kishte lenë argëtimet e tij për të ndjekur nga afër këtë veprimtari libri. Bashkë me djelmoshat e vegjëlisë, me të cilët luaja cinglat e nxirrja nga deti koshat e peshqve, tashmë të plakur nëpër biznese e probleme juridike, si Kostaq Lapa, Petrit Aliaj, Gjykim Dauti e shumë të tjerë.
Dhe pas gjithë atij gazi që më shoqëroi nga dita e parë deri te e fundit, më riguan fytyrën lotët e nxehtë, kur aktori i talentuar Anastasi, recitoi poezinë për nënën time hallemadhe. Dhe bashkë me mua lotuan në sallë edhe disa gra të nderuara me zemër të ndjeshme si imja. Pas kësaj desha të flisja gjatë për miqtë e mbledhur aty për të më nderuar. Mirëpo jo vetëm nuk munda nga emocionet që m’u krijuan, por edhe mendova sa kanë folur më mirë për ata njerëz të dashur 17 librat e mi, sesa goja ime. Thashë vetëm ”Kam gjashtëdhjetë vjet që e pres këtë ditë !” Mandej, boshllëkun tim e kishin plotësuar përpara më së miri gojartët e Sarandës, të cilët ligjëruan njëri pas tjetrit që nga profesori Pajtimi që më quajti gdhendës i vargjeve në gur, deri te kryetari i bashkisë, që me përshëndetjen e tij si sirena entuziaste e një vapori të ankoruar në gjiun e Sarandës, ledhatoi shpirtin tim të larguar nga vendlindja për shkak të luftës klasore dhe i ftoi miqtë në koktejin e shtruar nga bashkia. Gjithsesi, ato fjalë që nuk i thashë dot aty, por që u nënkuptuan, mendoj se i rendita këtu, te ky shkrim, në këto pak fraza të shkruara me gjak zemre.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi