Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE KRITIKUN LETRAR HALIL HAXHOSAJ

Shko poshtë

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE KRITIKUN LETRAR HALIL HAXHOSAJ Empty INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE KRITIKUN LETRAR HALIL HAXHOSAJ

Mesazh nga Agim Gashi Wed Sep 08, 2010 7:48 pm

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE KRITIKUN LETRAR HALIL HAXHOSAJ 6528_1138158468664_1668453579_321513_5861550_n
Halil Haxhosaj
INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE KRITIKUN LETRAR HALIL HAXHOSAJ

POEZIA BASHKËKOHORE PO AVANCOHET


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE KRITIKUN LETRAR HALIL HAXHOSAJ 39746_142646659097598_100000567942684_340919_871339_n
Bilall Maliqi

Shkrimtari dhe kritiku letrar Halil Haxhosaj lindi në Prekolluk të Vokshit më 1946. Mësimet fillestare, Shkollën Normale dhe SHLP-Dega Gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin në Universitetin e Kosovës në Prishtinë Një kohë punoi mësues dhe arsimtar në Cërmjan të Dushkajës, ndërsa tash është profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Është edhe kryetar i Degës së Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë dhe anëtar i kryesisë së Klubit letrar "Gjon Nikollë Kazazi" të Gjakovës.
Është autori i 13 veprave të gjinive të ndryshme letrare. Ideja jonë që ta zhvillojmë një intervistë me shkrimtarin dhe kritikun letrar Halil Haxhosaj ishte që të njihemi më përsëafërmi ne lexuesit e Kosovës Lindore përmes faqeve të revistës sonë me zotin Haxhosaj, e që shkrimtari me kënaqësi pranoi ftesën tonë për intervistë...



* Zoti Haxhosaj, keni botuar bukur vonë vepër, por kur e keni shkruar gjegjësisht botuar poezinë e parë?

Me shkrime kam filluar të merrem që në fëmijëri. Në bankat e shkollës fillore më kujtohet se m’u ka recituar një poezi kushtuar dëshmores Ganimete Tërbeshit në valët e Radio Prishtinës. Atëbotë gazetari i zgjodhi disa poezi e ndër to edhe timen. Ndërsa poezinë e parë e kam botuar në vitin 1966 në panoramën e grupit letrat “Afërdita” të Normales së Gjakovës, në faqet e “Zanit të rinisë”. Prej atëherë poezitë dhe shkrimet e mia janë botuar në të gjitha gazetat e revistat tona letrare të kohës. Madje disa prej tyre janë botuar edhe në “Nëntori” e “Drita” të Shqipërisë, që atëherë ishte mburrje dhe krenari për çdo krijues, por ishte edhe një problem ideo-politik i kohës.

*Viti 1992 shpalosi një krijues para artëdashësve me librin “Damarë të ringjallur”, autorë i së cilës jeni Ju, ju lutemi na i përshkruani emocionet e juaja atëbotë kur fituat epitetin poet?

Po, kështu është saktësisht, por … Ky libër fatkeqësisht ka pritur më se 10 vjet në Edicionin e botimeve të “Rilindjes” për t’u botuar, që nuk është botuar, as sot e kësaj dite nuk e di pse. Në vitin 1992 Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës rifilloi me edicionin e botimeve, kuptohet me vetëfinancim të autorëve, dhe pasi që e kisha gati librin në dorëshkrim e botova dhe u ndava i kënaqur. Për këtë libër janë shkruar recensione dhe është vlerësuar mirë. Më beso se kur është botuar ky libër i imi i parë poetik kam pasur të njëjtin gëzim sikur kur më ka lindur fëmija i parë. Edhe titulli është një sintagmë poetike që korrespondon me kohën dhe peripecitë e saj.

*Jeni shkrimtar, shkruani poezi, prozë, kritikë letrare dhe poezi haiku, na thuani cilit ligjerim poetik apo cilit zhanër letrar i jipni përparësi më tepër?

Deri tash të botuara 13 vepra letrare me poezi, një me tregime, një roman, një me kritika letrare dhe një vepër me poezi haiku, që është një formë e rrallë në poezinë tonë. Bile në Kosovë e shkruajnë 4-5 poetë. Në dorëshkrim i kam edhe 5 vepra të tjera, por tri janë të gatshme për shtyp. Nuk di si të them. Më shumë kam shkruar poezi, por me kënaqësi e shkruaj edhe prozën e sidomos kritikën letrare, sepse këtë ma mundëson profesioni im prej profesori të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Madje që disa vite e ligjëroj letërsinë bashkëkohore në klasat e fundit të shkollimit të mesëm të lartë, që më jep mundësi ta njoh mirë këtë segment të letërsisë sonë bashkëkohore, duke u përballur gjithnjë me veprimtarinë tashmë të bollshme letrare në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në diasporë. Pra, për mua nuk kanë përparësi asnjëri zhanër, por varet prej detyrës që ia vej vetit për ta kryer.


*Çfarë mendoni për poezinë e viteve të ’90-ta kur ju vetëm dolët me librin tuaj të parë dhe poezisë së sotme bashkëkohore tërhiqni një diagonale?

Poezi shqiptare bashkëkohore fatmirësisht gjithnjë po vjen duke u avancuar. Gjithnjë po pasurohet me tematikë, strukturë, figuracion dhe elemente të reja e moderne. Kjo është një mundësi që nuk ishte në kohën e totalitarizmit as andej, e as këtej. Madje askund. Por, duhet pranuar se këto prurje kuantitative kaq të mëdha lënë gjurmë të një kualiteti paksa më të pavërejtur. Pra, në këto vite nuk kemi emra të mëdhenj si të viteve ’60, ’70 e ’80-ta, por kemi një rrjedhë që ka gjurmën e vet cilësore dhe evidente. Unë nuk dua të përmend emra sepse ndokujt mund t’i hy në hak, siç i thonë fjalës. Ndërsa, poezia, dhe letërsia bashkëkohore e shekullit të ri, pra e shekullit XXI ende nuk ka shënuar dhe trasuar rrugën e vetë krijuese, që do ta kishte petkun simbolik sikur ajo e shekujve XVIII, XIX dhe XX. Por, ka kohë sepse është fillimi i këtij “sezoni” krijues i të gjitha zhanreve. Është mirë sepse tash poezia shqipe i ka zhveshur uniformat e ideologjive sociale, partiake dhe të sistemit totalitar dhe frymon tjetërsoj dhe më shlirshëm, duke u çliruar prej normave ideore të partishmërisë në art, etj. Por, frikësohem se mungon paksa cilësorja dhe artistikja, por koha është ajo që gjykon dhe vlerëson gjithçka. Kështu do të veprojë edhe me letërsinë në përgjithësi dhe me poezinë në veçanti.

Kritika letrare

*Në cilësinë e kritikut letrar si e shihni ju sot poezinë, prozën dhe zhanret tjera latrare , ka vlera dhe sa është kritika letrare objektive dhe korrekte?

Për vlerat e krijimtarisë sonë letrare u shpreha më lartë, ndërsa sa i përket kritikës letrare kam një vlerësim dhe mendim tjetër. Kritika bashkëkohore letrare më duket se është në nivelin e krijimtarisë sonë letrare në përgjithësi. Këtë e them sepse nëse kemi vepra kualitative kemi edhe kritikë të tillë, por edhe e kundërta. Kjo më se miri shihet nga shkrimet që bëhen për vepra letrare në faqet e gazetave, revistave dhe në webfaqet e internetit sot. Nuk po them për “fjalët” që mbahen me rastin e përurimit të veprave të sapo botuara sepse, aty gjithçka ka vetëm kritikë objektive e të mirëfilltë letrare nuk ka. Poashtu, kritikës dhe kritikëve u mungon objektiviteti edhe atëherë kur shkruajnë “me porosi”, apo me “njohësi”. Këto janë anët më të dobëta të kritikës sepse e ulin atë, e zvetënojnë, madje edhe e zhvlerësojnë. Megjithatë, sot botohen vepra me vlerë të pamohueshme, madje edhe të dallueshme me kritika e studime letrare. Edhe diçka. Kritika e sotme e ka të vështirë t’i përcjellë të gjitha botimet letrare që bëhen sot kudo në trojet shqiptare dhe në diasporë. Mbase, këtu mund t’u “hyjë” në hak disa veprave që kanë vlerë dhe dallohen nga të tjerat. Por, besoj se gradualisht do të arrihet edhe kjo.

*Jemi dëshmitar se kohëve të fundit ka botime të shumta, a mendoni se ndër shtëpi botuese është futur komercialiteti dhe librat dalin me apo pa kritere dhe libra të tillë sa e rrezikojnë letërsinë tonë, kush duhet ta thotë fjalën e fundit këtu përveq kritikës?

Po, është vërtet ashtu siç pohoni. Në këto botime të shumta nuk ka vlerë, cilësi, art dhe mjeshtri. Kush ka “lekë” mund të botojë vepër letrare me poezi, prozë, dramë, roman etj. Veprat e tilla janë vetëm për komercializëm. Njëjtë veprojnë edhe shumica e shtëpive tona botuese. Kuptohet këtu nuk mund të radhiten të gjitha, sepse ka edhe shtëpi botuese që plasojnë vepra me cilësi dhe vlerë të lartë artistike. Merreni me mend ka shtëpi botuese, sidomos shtypshkronja, që nuk i dinë premisat elementare të botimit të librit. Andaj, sot botohet gjithçka. Botohen libra e vepra përplot gabimet teknike e sidomos gjuhësore, drejtshkrimore dhe gramatikore. Merreni me mend çka do të thotë kur vepra poetike, me tregime, romani apo edhe publicistike e shkrimtarit që ka mbi 5-10 vepra është përplot gabime gjuhësore e gramatikore. Çka do të thotë lexuesi i kujdesshëm e sidomos nxënësi e studenti. Gjera të tilla ndodhin edhe në disa tekste shkollore, andaj mësuesit, arsimtarët, e sidomos profesorët janë në “hall” me këto gabime. Këtë po e them nga përvoja e ime prej profesori të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Të gjitha veprat e tilla jo vetëm që e rrezikojnë, por edhe e nënvlerësojnë dhe e nënçmojnë letërsinë tonë. Për këto gabime e gafe fjalën duhet ta themi të gjithë ne krijuesit, sepse nuk duhet të pranojmë t’i redaktojmë veprat e tilla. Por, autoritetin e madh do ta luante sektori adekuat pranë Ministrisë së Kulturës, që këtu në Kosovë quhet “Këshilli i librit”. Ai duhet të financojë cilësi e jo njohësi, familjarizim, nepotizëm e të tjera, sepse e tillë do të jetë edhe letërsia e jonë dhe veprat që botohen nga ai fond.

Poezi haiku

*Ju shkruani edhe poezi haiku, na thuani sa është vështirë të shkruhet në këtë zhanër?

Në vitin 2009 kam botuar përmbledhjen e parë me poezi haiku “Puhizë zemre”, që është pritur mirë nga lexuesi dhe nga kritika. Kjo më ka inkurajuar që të shkruaj prapë këtë formë poetike, e cila deri tash ka qenë e pakultivuar në poezinë tonë. Bile, këtu e kam “gjetur veten” si poet, sepse haiku që e ka origjinën dhe zhvillimin e vet në poezinë japoneze jep mundësi të shprehjes intime, ndjenjësore dhe të tjera. Kjo formë është një begati e shprehjes dhe figuracionit poetik. Madje haiku është një jetë më vete e bukurisë, natyrës dhe shprehjes poetike. Para disa ditësh e kam bërë gati për botim edhe librin e dytë me poezi haiku “Puhizë shpirti” që pres ndonjë donator për t’i siguruar lekët për ta botuar. Në proces të krijimit e kam edhe librin e tretë me haiku me titull “Puhizë përjetësie” që do të shënojë një triptik me haiku, që mbase do të jetë vepra e parë triptik e këtij lloji në poezinë e haikut në poezinë shqiptare.
E kam obligim të them se për t’u marrë me shkrimin e haikut më ka ngacmuar poeti nga Tropoja, Gjon Neçaj, të cilit i jam mirënjohës. Poashtu, merita për këtë ka edhe babai i haikut shqiptar, poeti dhe krijuesi Milianov Kallupi.
Për të gjitha këto e shkruaj këtë formë mbretërore poetike, këtë “trevargësh japonez”që më ka “flejtë” në shpirt dhe po më ngacmon gjithnjë.

*Në vitin 2006 keni fituar çmimin e tretë për kritikë letrare në konkursin e shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe gazeta “Drita” në 75 vjatorin e lindjes së Dritëro Agollit, na thuani diç më tepër?

Kam fituar disa shpërblime për poezitë dhe shkrimet e mia në përgjithësi. Ndër më të përzemërta për mua janë çmimi i tretë për poezi në konkursin anonim letrar nga revista letrare “Jeta e re”, pastaj çmimi krijues i vitit i ndarë nga Drejtoria për kulturë e Gjakovës, çmimi i tretë për kritikë letrare i ndarë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe çmimi i dytë për poezi dhe dy çmime speciale për kritikë letrare në Manifestimin “Pegasi” 2009 mbajtur në Gjirokastër. Çmimi i tretë për kritikë letrare i marrë me rastin e 75 vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit është i një rëndësie të veçantë. Këtë e them sepse ka qenë një rast historik për vet shkrimtarin Agolli në këtë përvjetor të 75 të jetës së tij dhe një shprehje e shpërblim për punën time krijuese në përgjithësi dhe të kritikës letrare në veçanti. Më besoni sepse kurrë nuk jam ndie më i privilegjuar se atëherë kur në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë thirret emri im dhe poeti Agolli ma dhuron çmimin. Kritika letrare që fitoi çmimin është “Figura e Kosovës në poezinë e Dritëro Agollit”. Andaj, më dukej se nuk jam në tokë por, diku në lartësi që më rrethonin muzat më të bukura të frymëzimit. Edhe çmimet e tjera kanë vlerë të pamohueshme për mua.

Përkthimet

*Zoti Haxhosaj jeni përkthyer edhe në gjuhë të huaja:në rumanisht, gjermanisht, italisht, polonisht, serbisht etj., na thuani sa jeni të kënaqur Ju me arritjet e juaja?

Po, poezia ime është e përkthyer në këto gjuhë dhe disa të tjera. Madje disa poezi të mia janë të përfshira edhe në antologji të ndryshme poetike. Por, të rëndësishme janë ato në antologjitë e poetëve modernë bashkëkohorë në rumanishte, mandej në polonishte, në anglishte si dhe vepra poetike “Umbra viselor – Hija e ëndrrave” botuar shqip e rumanisht, që është vepra e parë e poetëve kosovarë e botuar kësisoj në shqip e rumanisht në Bukuresht të Rumanisë në vitin 2004. Poezia e ime është e përfshirë edhe në shumë panorama të poetëve shqiptarë që janë të përfaqësuar në gjuhë të huaja. Por, duhet konstatuar se kjo formë e prezantimit të vlerave tona nuk është adekuate, sepse bëhen në mënyrë jo formale. Për këtë, pra për përzgjedhjen dhe përfaqësimin e poezisë dhe letërsisë sonë në gjuhë të huaja duhet punuar më shumë dhe në mënyrë më profesionale. Kështu përfaqësimi i letërsisë sonë, sidomos i kësaj nga Kosova dhe nga vise të tjera shqiptare do të njihet me tepër dhe më mirë nga lexuesi evropianë e botërorë.

*Njiheni me shkrimtarë nga Kosova Lindore dhe sa është bashkëpunimi i juaj me ta?

Njihem dhe shumicën prej tyre i kam edhe miq. I kam lexuar dhe i lexoj me ëndje veprat e tyre dhe mund të konstatoj se ato kanë vlerë. Me shumicën prej tyre jemi takuar në takime të ndryshme letrare në të gjitha viset tona e sidomos në Mitingun e Poezisë që mbahet që 46 vjet në Gjakovë. Madje, disa nga këta shkrimtarë kanë disa vepra të botuar nga zhanre dhe gjini të ndryshme letrare. Është mirë të shkruhet sa më shumë letërsia në këtë pjesë të Kosovës, sepse kështu mbahet gjallë kombi, tradita, historia dhe gjuha. Kështu bëhet gjithçka shqiptare e pavdekshme dhe me vlerë të çmueshme. Kjo pjesë e atdheut, pra Kosova Lindore, ka dhënë emra të shquar të poezisë sonë bashkëkohore si Jonuz Fetahaj, Mexhid Mehmeti, Sadete Emërllahu Presheva, Fehime Selimi, pastaj sot Bilall Maliqi, Nehat Ramizi, Arsim Halili, e ndonjë tjetër.

*Porosia e juaj për lexuesit e revistës “Perspektiva”

Lexuesit e revistës “Perspektiva i përshëndes ngrohtësisht, ndërkaq juve ju jam mirënjohës për mundësinë që ma dhatë të njihem me ta përmes kësaj interviste. Ju premtoj se tash e tutje do të jem i pranishëm herë pas here me shkrimet e mia në faqet e kësaj reviste.
Porosia e ime për lexuesit e saj është që të lexojnë sa më shumë sepse njeriu njihet për kulturën që ka vetëm kur rrëfen sa libra i ka lexuar. Duhet ta keni parasysh se jemi në shekullin XXI që është shekulli i shqiptarëve, andaj nuk duhet harruar kurrë cilët kemi qenë, cilët jemi dhe kush do të jemi në të ardhmen.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi