Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

HALIL MATOSHI: Mir'mjes Kosovë/OKB dhe vetëvendosja e popujve/KOHA Ditore, 8 shtator, 2010

Shko poshtë

HALIL MATOSHI: Mir'mjes Kosovë/OKB dhe vetëvendosja e popujve/KOHA Ditore, 8 shtator, 2010 Empty HALIL MATOSHI: Mir'mjes Kosovë/OKB dhe vetëvendosja e popujve/KOHA Ditore, 8 shtator, 2010

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 09, 2010 5:50 pm

HALIL MATOSHI: Mir'mjes Kosovë/OKB dhe vetëvendosja e popujve/KOHA Ditore, 8 shtator, 2010 4434_102730647320_696552320_2373638_890517_n

HALIL MATOSHI: Mir'mjes Kosovë/OKB dhe vetëvendosja e popujve/KOHA Ditore, 8 shtator, 2010

(Ata që s'kanë boll kohë ose thjesht pritojnë, lexojeni vetem kapitullin e fundit dhe Post Scriptumin)

Ku do të duhej të ishin kufijtë e vetëvendosjes së kombeve, pas Kosovës dhe ç’drejtim po merr “Qeveria e botës” pas kursit unilateral amerikan? A është OKB-ja e destinuar të shndërrohet në organizatë për ndihma humanitare, “plugje në vend shpatash” apo ajo po hyn në fillimin e fundit të ekzistimit si e tillë. A ka gjasa për reformim të OKB-ve? Pse Kosovën nuk e obligon çfarëdo rezolute e Asamblesë së Përgjithshme që eventualisht ia mohon pavarësinë kombëtare?


Pyetjet e mësipërme shtrohen në Kombet e Bashkuara pothuajse qe njëzet vjet, që nga mesi i vitit 1992, kur sekretari i Përgjithshëm, Butros Butros-Gali botoi të ashtuquajturën "Agenda for Peace." Ghali duke komentuar rolin e shteteve në ndërmarrjen e "qasjes integruese ndaj sigurisë së njerëzve", ai përsëriti përkrahjen që Kombet e Bashkuara i japin sovranitetit shtetëror. Por, ai megjithatë e bëri të qartë se koha e sovranitetit absolut dhe eksluziv, megjithatë ka kaluar: teoria e saj kurrë nuk është matur me realitetin. Është sot, kjo detyrë e prijësve të shteteve që të kuptojnë dhe të gjejnë baraspeshën mes nevojës për qeverisje të mirë të brendshme dhe kërkesave për një botë gjithnjë e më të ndërvarur.
Ai përfshiu jo vetëm paqeruajtjen, por edhe paqekrijimin, apo përdorimin e forcës ndaj palëve ndërluftuese, pavarësisht a pajtohen ato me këtë. Ai po ashtu theksoi promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe standardet më të larta të jetesës. Mirëpo, paqekrijimi megjithatë u instalua në sistemin e OKB-ve duke u thirrë në Kaptinën VII të Kartës së OKB-ve, misione të tilla u realizuan tek në vitin 1995 në Bosnjë dhe në Kosovë më1999.
Më 1992 delegati argjentinas Emilio J. Kardenas më 1992 pati thënë se në Asamblenë e Përgjithshme gjithnjë e më pak bisedohej rreth vetëvendosjes nga frika e secesionit.
"Gjithnjë e më shumë bisedohet për nevojën e mbrojtjes së pakicave brenda shteteve."
Joshua S. Goldstein në librin e tij shkollor bestseller “Marrëdhëniet Ndërkombëtare” e të adhuruar nga studentët, angazhohet për një sistem të ri ndërkombëtar, pra për rikonfigurimin e OKB-ve gjatë këtij gjysmëshekulli. Sipas tij, sovraniteti shtetëror ende ka rëndësi por ai tani kundërpeshohet nga parimi i vetëvendosjes. Normat ndërkombëtare nuk e njohin më të drejtën e një qeveria për të sunduar me dhunë një popullsi kundër vullnetit të saj dhe sidomos shkeljen masive të të drejtave të njeriut. Kështu, tërësia tokësore po shndërrohej që nga viti 1990 në një koncept të vjetruar. Edhe 35 vjet OKB-ja feston 100-vjetorin e lindjes dhe në këtë përvjetor, sipas analizës futuriste të Goldsteinit, OKB-ja e ka shkelur sovranitetin shtetërore dhe tashmë studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e përdorin më fjalën anarki. OKB-ja është shndërruar pothuajse në një “Qeveri të botës” ndërkaq që vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë zbatohen me detyrim të ushtrisë së OKB-së. Vetoja është hequr, përfaqësimi në Asamblenë e Përgjithshme është demokratizuar dhe se është krijuar një formulë për përcaktimin e fuqisë votuese në mes të rreth 400 shteteve, sa besohet se do t’i ketë OKB-ja në vitin 2050.
Edhe filozofi më i madh i gjallë gjerman Jurgen Habermas shpreson shumë tek OKB-ja pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ai është është “avokati” i fundit i forcimit të OKB-së deri në shkallë të një Qeverie të Botës duke u nisur nga idealet kantine të paqes së përhershme. Sëkendejmi, sipas tij, e drejta ndërkombëtare klasike është një lloj Kushtetute “botërore” dhe ajo mund të amandamentohet, pra edhe të ndërrohet dhe në këtë proces një rol të fuqishëm ia përshkruan ShBA-ve si “hegjemoni qëllimmirë” e cila, përmes etikës liberale do të ndikonte në konstitucionalizmin e OKB-së.
Por është e qartë se as në dekadën e parë të shekullit 21, dinozaurët që dolën fitues nga Lufta e Dytë Botërore (pesë anëtarët e përhershëm të KS) nuk mund të arrijnë konsensus. Ata nuk dhanë një përgjigje për pavarësinë e Kosovës dhe as për krizën në Gjeorgji kështu që OKB-ja ka dëshmuar qartas mungesat e një sistemi të krijuar që 65 vjet.
Në anën tjetër Robert D. Kaplan në librin “Anarkia që po troket” mendon se rikonfigurimi i OKB-ve do të çonte botën tonë në një gjendje edhe më të keqe. Ai duke iu referuar artikullit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ve Kofi Annan në New York Times, të janarit 1999, përmes të cilit Annan zotohej se do ta ndërpriste fatin e përçarjes së KS që do t’i paralizonte Kombet e Bashkuara. Por Kapllan mendon se ndarja e OKB-ve është gjendje “për t’u krenuar”, pra gjendje shumë më e mirë se unanimiteti komprometues sikur gjatë Luftës së ftohtë. Sipas Kapllanit, OKB-ja si institucion mund të ishte dobësuar, por njerëzimi kurrsesi, sepse “vlerat universale” të Kartës së OKB-ve janë ato të aleatëve perëndimorë që dolën fitues nga Lufta e Dytë Botërore e kurrsesi ato të Bllokut lindor. Madje sipas këtij autori “premtimi moral” i “heqjes së kamxhikut” në Europën juglindore, i OKB-ve që përmend Annan nuk u fitua nga Asambleja e Përgjithshme por nga disidentët atje, si Papa Jon Pauli II dhe luftëtarët e ftohtë të NATO-s. Duke qenë se morali është i paarritshëm pa një forcë amorale, sipas Kapllanit, riautorizimi i vrasjeve nga Kongresi i SHBA-ve mund të bëjë më shumë për ta ndalur të keqen, sesa zgjerimi i KS, sipas propozimeve të disave, për të hyrë India dhe Brazili, kur konsensusit në OKB do t’i thuhej vërtet lamtumirë përgjithmonë dhe do të rikthehej anarkia totale. Prandaj Kaplan sugjeron që ShBA-të duhet të marrin timonin e liderit në botë.
Por a po ia del ShBA-ja këtij misioni që, përmes diplomacisë së dhënies dhe marrjes të ndërtojë konsensus në OKB, madje edhe të nisë procesin e amandamentimit e ndërrimit të të drejtës ndërkombëtare?
Robert Kagan zëshëm, por edhe Marc Weller me qetë, janë të bindur se koncepti westphalian i sovranitetit shtetëror i shekullit 17 po merr fund, pikërisht duke pasë parasysh qasjen unilaterale amerikane dhe kështu e drejta ndërkombëtare po evoluon, sipas standardit progresiv të saj, që i trajton katastrofat humanitare si një përjashtim në rregullin e mosndërhyrjes. Natyrisht se Kosova dhe kombkrijimi atje, që arkitekti i saj Marti Ahtisaari e konceptoi si rast sui generis e dëshmojnë këtë. Kagan mendon se amerikanët e kanë siguruar triumfin e moralit mbi ligjin. Ky autor citon Glennonin që thotë se parimi i mosndërhyrjes i mishëruar në Kartën e KB-ve është shkelur aq shpesh, për këto gjashtë dekada sa që nuk mund të kualifikohet më si ligj ndërkombëtar, pra sipas tij bota është në një gjendje paligjësie ndërkombetare “desuetude.”
Porse pas intervenimit unilateral të NATO-s në Kosovë, aleanca veriatlantike arriti që më në fund me 10 qershor 1999 ta “blinte” një Rezolutë të OKB-ve (1244) që “Qeveria e botës” të adaptonte një administrim të saj në Kosovë, duke e përligjë edhe intervenimin unilateral atje. Edhe ky ishte një inicial se KB-të po ndryshonin. Por thuajse gjithçka u përmbys pas 11 shtatorit 2001, kur ShBA-të invaduan Afganistanin dhe më pas Irakun. OKB-të iu rikthyen “doktrinës së plugjeve” duke mbetë në rolin e një organizate për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Konteksti kosovar po dëshmon ndërkaq se, jo si rregull, por megjithatë si ide, edhe në të drejtën ndërkombëtare dhe në vet “qeverinë e botës” po depërton gjithnjë e më shumë doktrina e “vetëvendosjes zhdëmtuese” (që e zbërthen saktësisht Marc Weller), e cila mbi të drejtën domestike të shteteve vendos mbrojtjen e bashkësive, popujve që i nënshtrohen represionit ne shkallë gjenocidale dhe shkeljeve masive të të drejtave të njeriut e kjo pashmangshëm do ta shpinte OKB-në në reformë të thellë konceptuale dhe strukturore, pra do t’i ndryshonte edhe postulatet westphaliane të sovranitetit shtetëror.
Kësi soji, Kosova i ka konsumuar të gjitha procedurat e OKB-ve, ajo gjendet para sprovës së afirmimit të pavarësisë së saj të mohuar. OKB-të nuk janë kredibile që ta adresojnë çështjen e Kosovës në negociata të reja, sidomos pas verdiktit të “gjykatës botërore” në favor të saj. Prandaj nëse AP nuk përfillë gjykatën të cilës ia adresoi çështjen e Kosovës atëherë Kosova e ka fituar të drejtën që të mos e përfillë çfarëdo Rezolute eventuale të votuar në Asamblenë e Përgjithshme e cila ia cenon pavarësinë e njohur tashmë nga shtatëdhjetë kombe.
Prandaj harmonizimi i projektrezolutës serbe me BE-në (në ekipin komplet) e cila për sa i përket statusit të Kosovës do të jetë pa ngjyrë por që e apelon Serbinë dhe Asamblenë e Përgjithshme të kërkojnë mënyra për adoptimin e mendimit të GjND-së si valid, është akti i parafundit për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

halil.matoshi@kohaditore.com



P.S.
Ky shkrim është shkruar të martën me 7 shtator dhe është botuar të mërkurën me 8 shtator, kur edhe u dha lajmi (në mbrëmje) për harmonizimin e Rezolutës serbe me BE-në, e cila e njeh dhe respekton verdiktin e GjND-së (shih: pika d.) Për lexuesit e vëmendshëm po e ritheksoj pasusin e fundit të kësaj analize, ku parashikohet rrjedha e projekt-rezolutës serbe: “Kësi soji, Kosova i ka konsumuar të gjitha procedurat e OKB-ve, ajo gjendet para sprovës së afirmimit të pavarësisë së saj të mohuar. OKB-të nuk janë kredibile që ta adresojnë çështjen e Kosovës në negociata të reja, sidomos pas verdiktit të “gjykatës botërore” në favor të saj. Prandaj nëse AP nuk përfillë gjykatën të cilës ia adresoi çështjen e Kosovës atëherë Kosova e ka fituar të drejtën që të mos e përfillë çfarëdo Rezolute eventuale të votuar në Asamblenë e Përgjithshme e cila ia cenon pavarësinë e njohur tashmë nga shtatëdhjetë kombe.
Prandaj harmonizimi i projektrezolutës serbe me BE-në (në ekipin komplet) e cila për sa i përket statusit të Kosovës do të jetë pa ngjyrë por që e apelon Serbinë dhe Asamblenë e Përgjithshme të kërkojnë mënyra për adoptimin e mendimit të GjND-së si valid, është akti i parafundit për anëtarësimin e Kosovës në OKB.”

Teksti i plotë i Rezolutës së harmonizuar Serbi-BE

Publikuar: E mërkure, më 08 shtator 2010

Beograd, 8 shtator – Serbia ia dërgoi sonte Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të bashkuara propozimin e rezolutës për Kosovën, i cili është harmonizuar me Bashkimin Evropian, transmeton botimi elektronik i gazetës Blic. Teksti i rezolutës së re e zëvendëson atë të rezolutës së mëparshme dhe në këtë propozim-rezolutë nuk do të ketë amendamente. Komplet teksti i rezolutës së re është ky: a) Të vetëdijshëm për qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara;

b) Duke marrë parasysh funksionet dhe autorizimet e saj mbi bazë të kartës së Kombeve të Bashkuara;

c) Duke përkujtuar në rezolutën e saj 63/3 nga data 8 tetor 2008, me të cilën kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të japë mendimin e saj këshillëdhënës në lidhje me pyetjen: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e organeve të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”;

d) Duke pranuar me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së nga data 22 korrik 2010 se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën dhe pas shqyrtimit të vëmendshëm të saj, duke përfshirë edhe çështjet për të cilat është dhënë mendimi;

e) Merr në dijeni përmbajtjen e GJND-së lidhur me atë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën, si përgjigje në kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme;

f) Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve. Procesi i dialogut vetvetiu do të jetë faktor i paqes, sigurisë dh stabilitetit në rajon. Ky dialog ka për qëllim të avancojë bashkëpunimin, të realizojë përparim në rrugën drejt BE-së dhe të përmirësojë jetesën e njerëzve.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi