Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Skender Limani:Kombinimi Jugosllav-Serb mbi Kosovën

Shko poshtë

Skender Limani:Kombinimi Jugosllav-Serb mbi Kosovën Empty Skender Limani:Kombinimi Jugosllav-Serb mbi Kosovën

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 04, 2009 11:32 pm

Kombinimi Jugosllav-Serb mbi Kosovën



Skender Limani:Kombinimi Jugosllav-Serb mbi Kosovën Kosova071



Nga: Skender LIMANI

Siç po shkojnë hesapet, do të jetë vështirë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta shpall legjitime dhe të ligjshme shpalljen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, përkatësisht, shkëputjen edhe ndërkombëtare të Kosovës nga Jugosllavia.Sigurisht që nuk do të injoroj por, megjithatë, kjo Gjykatë nuk gjykon të drejtën morale dhe as vet moralin. Kjo Gjykatë nuk do të gjykojë as se kush ka luftuar, kush ka fituar e kush ka humbur në luftën e Kosovës më 1997-1999. Kjo Gjykatë nuk do të merret as me viktimat dhe pasojat tjera, as ekonomike e as politike.

Gjykata do të merr parasysh vetëm dy parime, pa marr parasysh rëndësinë dhe peshën e rastit. Ato janë gjendja në terren dhe gjendja e dokumenteve, pra, pronësia me letra. Kosova, në këto dy parime, ka kundërthënie edhe të brendshme, edhe në raportin Kosovë-Serbi, edhe në raportin Kosovë-Shtete Ndërkombëtare.Të sqarohemi, Gjykata nuk shtron çështjen nëse është dashur të shpallet Kosova e Pavarur dhe ndarja territoriale e saj nga Jugosllavia, përkatësisht, Serbia dhe si u bë ajo. Gjykata, edhe një herë, shqyrton gjendjen në terren dhe gjendjen me letra me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, përkatësisht, Serbia. Do të ishte e shkëlqyeshme nëse kjo Gjykatë do të gjykonte në favor të shpalljes së Kosovës shtet, plus i pavarur, dhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, përkatësisht, Serbia Por, kjo s’do të jetë e lehtë fare.

Gjendja në terren

Kosova shfaqet por ende nuk funksionon si shtet, as i pavarur e as i varur. Kosova nuk është sovrane. Përveç dallimeve politike, kushteve të rënda ekonomike-shoqërore dhe keqpërdorimit të ligjit, Kosova ka edhe dallime territoriale mes shqiptarëve dhe serbëve brenda saj. Përmes procesit të decentralizimit, kjo ndarje bëhet edhe më evidente, edhe më e gjerë ose më e shtrirë, pra, më faktike dhe me letra, edhe territorialisht edhe politikisht.

Gjendja me letra

Me letra, Kosova i takon edhe Jugosllavisë edhe Serbisë. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KSOKB), përmes Rezolutës 1244, territorin e Kosovës e njeh si pjesë të, siç shkruan, Republikës Federale të Jugosllavisë, përkatësisht, “konfliktin” e vitit 1997-1999 e njeh si e ndodhur mes shqiptarëve të Kosovës (si pjesë e Serbisë) dhe Republikës Federale të Jugosllavisë. Sipas kësaj, me letra, Kosova ka luftuar me Jugosllavinë e jo me Serbinë. Ndërkohë, si ndikim, misioni politik-qeverisës i OKB-së, i njohur si UNMIK, ka vepruar dhe vazhdon të veproj duke e njohur territorin e Kosovës si pjesë të Jugosllavisë. Edhe Bashkimi Evropian (BE) e respekton dhe vepron sipas Rezolutës 1244 (EULEX). Sipas kësaj, Jugosllavia ende jeton, edhe me letra edhe ndërkombëtarisht. Kështu, në këtë kuadër, Kosova vazhdon të jetë pjesë e Jugosllavisë, përveç se e Serbisë.



Serbia trashëgon Jugosllavinë - me letra

Ajo çfarë e bën këtë çështje interesante është situata e vazhdueshme ku shteti i Serbisë merr trashëgiminë politike dhe juridike të Jugosllavisë (Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë) gjatë tërë kohës sa është shpërbërë ajo, prej vitit 1992. Përkundër shkëputjes së Sllovenisë, Maqedonisë, pastaj Kroacisë, Bosnjës, Malit të Zi, Serbia vazhdon të njihet si trashëgimtare, përkatësisht, si themeltare e Jugosllavisë dhe, me këtë, edhe një herë, duke marr krejt trashëgiminë politike dhe juridike të saj. Edhe mbi Kosovën. Për t’u bërë ky perceptim dhe kjo qasje edhe më interesante, janë organizatat globale politike dhe ekonomike si OKB, BE dhe të gjitha organizatat tjera tregtare-ekonomike dhe kulturore, që ja njohin këtë trashëgimi Serbisë. Edhe mbi Kosovën.

Nuk duhet të kihet shumë tru për të ditur që kjo s’ka kuptim as politik, as juridik e as historik. Pavarësisht perceptimeve të politikanëve dhe juristëve ndërkombëtarë, politikanët dhe avokatët e Kosovës zakonisht thonë që Serbia më s’ka legjitimitet (në terren) mbi Kosovën qysh prej 13 qershorit të vitit 1999, ose juridikisht (me letra) prej 1 shkurtit 2008. Nuk e di nëse ky supozim bëhet për konsum të brendshëm, por kjo deklaratë bëhet e pavlerë kur kihet parasysh që Kosova, si shtet i pavarur nga Jugosllavia- Serbia, nuk është pjesë e OKB-së e as e BE-së dhe e asnjë institucioni tjetër politik, tregtar-ekonomik dhe kulturor botëror. Për këtë, ka shpjegim. Por kjo, nuk është temë në këtë shkrim. Mund të thuhet që Kosova është nisur kësaj rruge, por se a do të mbërrij ndonjëherë atje kjo është tjetër çështje. Historia na e mëson që rrugëtimet e tilla asnjëherë nuk kanë pasur sukses. Rrugëtarët ose i ka ngrënë ujku ose janë blerë me pare.

Sido që të jetë, politikanët dhe juristët e Kosovës kanë dështuar dhe vazhdojnë të dështojnë në krijimin e një infrastrukturë faktike dhe ligjore (për të prodhuar dokumente) për ta sqaruar gradualisht çështjen e trashëgimisë Jugosllave-Serbe mbi Kosovën. E ky dështim lehtë mund të ndodhë edhe para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërsa politikanët dhe juristët serb vazhdojnë të jenë mjaftë punëtorë, të zëshëm dhe të suksesshëm në punën e tyre. Ata herë përdorin legjitimitetin dhe juridiksionin Jugosllavë e herë atë të shtetit të Serbisë mbi Kosovën, pra, varësisht nga leverdia politike dhe financiare ndërkombëtare. Ata po kanë sukses. Kjo është esenca. Ndërsa, politikanët dhe juristët e Kosovës vazhdojnë ta masin suksesin e tyre me konsumin e brendshëm politik dhe financiarë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi