Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Historia e jetës dhe e vdekjes së Fatime Sokolit

Shko poshtë

Historia e jetës dhe e vdekjes së Fatime Sokolit Empty Historia e jetës dhe e vdekjes së Fatime Sokolit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 24, 2008 1:00 am






Përparim Sokoli rrëfen jetën e këngëtares së njohur
Flet i nipi: Historia e jetës dhe e vdekjes së Fatime Sokolit
Historia e jetës dhe e vdekjes së Fatime Sokolit Fatime-sokoli-(1)





Armand JONUZI

Ishte vetëm 11 vjeç kur e veshur si djalë këndoi me çifteli përpara një numri të madh njerëzish, duke thyer edhe tabutë e Tropojës. Fatime Sokoli, ylli i këngës popullore, ishte vajza e parë në Malësi që këndoi përpara publikut, duke bërë që ky i fundit ta pranonte vendimin e vajzës së vogël dhe të dashurohej me zërin e saj. Për nipin e këngëtares së njohur, fama e saj u shtri edhe jashtë kufijve të vendit, ku shqiptarët e diasporës e kishin këngëtaren si idhull. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Përparim Sokoli rrëfen jetën e këngëtares së njohur. Për nipin e këngëtares, ajo ishte e dashuruar me këngën sa nuk e ndërpreu atë as edhe nga sëmundja, por vazhdoi deri në fund pa frikësuar nga vdekja. Ai tregon edhe momentet e ndarjes nga jeta të këngëtares së njohur Fatime Sokoli.
A mund të na flisni pak për hallën tuaj, bilbilin e këngës, Fatime Sokoli?
Halla ime ka lindur në Dragobi, aty ku buron edhe lumi i bukur e i pastër i Valbonës. Që e vogël ajo u rrit me dashurinë për vendin e saj, të cilën e shprehte në çdo moment të jetës apo të këngës së saj. Bukuria e lumit të Valbonës bëri që halla ime të xhironte çdo këngë të saj në atë vend me peizazhin e luginës së lumit nga pas.
Si e mësoi ajo çiftelinë dhe nga e trashëgoi zërin dhe talentin për të kënduar?
Ajo e trashëgoi zërin nga daja i saj, Ramë Salihi, i cili ishte një nga rapsodët më të shquar të Malësisë së Gjakovës. Kur ishte e vogël, siç më tregon babai im, ajo rrinte gjithmonë në odën e burrave dhe vishej si burrneshë. Duke u rritur mes këngës dhe çiftelisë, talenti i saj u përsos shumë.
Kur debutoi për herë të parë Fatime Sokoli përpara publikut?
Siç më ka treguar babai, ajo ka qenë vetëm 11-12 vjeç kur do habiste gjithë krahinën tonë. Ka qenë përvjetori i vrasjes së patriotit Bajram Curri dhe njerëzit mblidheshin çdo vit në vendin ku u vra heroi, ose siç njihet ndryshe Shpella e Bacë Bajramit. Aty njerëzit organizonin aktivitete të ndryshme. Në atë kohë, në një skenë të improvizuar buzë shpellës, Fatime Sokoli u ngjit dhe e veshur si djalë me çifteli në dorë këndoi një këngë për Bajram Currin. Të gjithë pjesëmarrësit u habitën nga zëri dhe nga melodia që nxirrnin tingujt e çiftelisë. Por më të shokuar ngelën pjesëtarët e familjes, të cilët nuk e kishin dëgjuar kurrë të këndonte Fatimen. Ajo kishte arritur të mësonte vetë t'i binte çiftelisë dhe atë ditë u bëri një surprizë të gjithëve. Fatimeja jo vetëm që i habiti të gjithë me talentin e saj, por theu edhe një tabu në krahinën tonë. Ajo ishte malësorja e parë që këndonte dhe i binte çiftelisë, një tabu që nuk ishte thyer për shekuj me radhë.
Po më pas…
Pas shfaqjes së parë para publikut edhe pse e vogël, ajo u bë si të thuash, e famshme. Sa herë organizoheshin festa ose nëpër gëzime familjare, Fatimen e merrnin në odën e burrave dhe ajo këndonte dhe i binte çiftelisë, më pas ajo u bë pjesë edhe e Ansamblit Popullor të rrethit të Tropojës. Më vonë ajo vazhdoi liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë dhe pas përfundimit të tij, u kthye në Tropojë, ku punoi si mësuese muzike njëkohësisht ishte edhe anëtare e Ansamblit. Gjatë kësaj kohe, ajo mori pjesë në të gjitha festivalet e Gjirokastrës, ku ka fituar një numër të madh çmimesh. Ajo ishte e apasionuar mbas këngës, sa një herë edhe pse ishte me temperaturë të lartë u ngjit në skenë, këndoi dhe fitoi çmim të parë. Duke qenë se ajo ishte një këngëtare shumë e pëlqyer edhe nga shqiptarët që ndodheshin jashtë atdheut, apo në Kosovë, Maqedoni, etj., sa herë që Ansambli dilte jashtë vendit ajo do merrte gjithmonë pjesë.
Siç më ka treguar babai, apo siç më kanë thënë edhe të tjerët, ajo ishte shumë e pëlqyer në diasporë. Kjo pasi ajo gjithmonë këngët e saj ia kushtonte Eposit të Kreshnikëve, trimërisë dhe dashurisë për vendin, këngë për Kosovën e për viset e tjera shqiptare jashtë kufijve tanë. Njëherë, siç më kanë treguar, në një koncert në Prishtinë disa serbë fikën dritat e sallës ku ajo po këndonte. Por, ajo nuk e ndërpreu këngën, vazhdoi të këndonte, ndërkohë disa spektatorë atje hoqën bluzat dhe u vunë flakën në mënyrë që të bëhej dritë. Këngët e saj ishin nga më të pëlqyerat edhe në emisionin e Radio Tiranës në atë kohë, që me sa duket titullohej "Për bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut". Në këtë emision, kërkesat për këngët e saj ishin të shumta dhe ishin në vend të parë. Dashurinë që kishin për Fatimen shqiptarët e diasporës e shprehën edhe kur ajo vdiq. Pasi në shtëpinë e saj nuk munguan të vinin letra dhe mesazhe të panumërta ngushëllimi. Por gjënë më të bukur e kanë bërë disa shqiptarë nga Zvicra, të cilët sollën një si sixhade nga ato që vareshin në mur, copë e madhe gati 4 metra katrorë, ku ishte e qëndisur portreti i saj duke i rënë çiftelisë.
A mund të flisni për sëmundjen e saj?
Ajo kishte kohë që vuante nga veshkat, derisa sëmundja kaloi në azotemi. Duke qenë se në atë kohë ajo gëzonte një farë statusi pasi mbante titullin "Artiste e Merituar", ajo u dërgua për kurim jashtë vendit, por nuk u arrit që të shërohej. Pas kthimit në vend dhe pas një kurimi të gjatë, ajo edhe pse ishte e sëmurë vazhdoi të këndonte dhe të merrte pjesë në koncerte të ndryshme, derisa pas disa muajsh u detyrua të shtrohej në spital në Tiranë. Pas një qëndrimi dhe mjekimi prej disa muajsh, gjendja e saj nuk u përmirësua, por u rëndua edhe më keq. Unë isha i ri në atë kohë dhe mbaj mend që kur shkoja për ta vizituar, ajo bënte gjithmonë shaka dhe ishte shumë e fortë. Mjekët thoshin se ajo nuk stepej nga sëmundja dhe e mbante gjallë me humor gjithë pavijonin ku ajo ishte shtruar. Duke parë që gjendja u bë edhe më keq, edhe ajo dëshironte të kthehej në vendlindje, kështu u bë e mundur nxjerrja dhe sjellja me helikopter e saj në Tropojë. Vetëm një ditë pasi kishte ardhur, ajo vdiq.
Si e kujtoni ju si nip hallën tuaj, Fatime Sokoli?
Babai im ishte vëllai i madh dhe i vetëm i Fatimes, njëkohësisht kishin edhe një motër tjetër, por që nuk banonte në Tropojë, por në Tiranë. Ajo dhe babai ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, kjo pasi edhe ata kishin ngelur jetimë në moshë të vogël. Mua halla më kujtohet gjithmonë e qeshur dhe e dashur. Duke qenë se ne ishim pesë vëllezër dhe ajo nuk kishte fëmijë për shkak të sëmundjes së saj, ajo çdo ditë pushimi na merrte në shtëpinë e saj. Por që mos i mbetej qejfi asnjërit, na merrte me radhë dhe duke qenë mësuese në shkollën ku ne studionim, ajo gjithmonë interesohej se si ecnim ne në mësime.
A ka pasur privilegje ajo nga regjimi?
Ndryshe nga sa mund të mendohet, ajo nuk ka pasur ndonjë privilegj të madh, përveç atij të të qenit pjesëmarrëse në Ansambël sa herë ai dilte jashtë kufijve të vendit. Madje, aq e vërtetë është kjo, sa ajo edhe televizorin e mori me autorizim në atë kohë si gjithë njerëzit pavarësisht emrit dhe titujve që gëzonte.
Ju thatë se Fatimeja e ka trashëguar talentin nga daja i saj, Ramë Salihi. Po ajo ka ndonjë njeri nga familja që vazhdon rrugën e saj.
Shtëpia jonë është shumë e lidhur me muzikën, babai im i ka rënë dhe vazhdon t'i bjerë çiftelisë sa herë kemi pasur festa apo gëzime familjare. Por më shumë rrugën e saj e ndjek vëllai im i vogël, Arditi, ose siç njihet ndryshe si DMC. Ai ka marrë pjesë në shumë festivale apo koncerte për të rinj dhe ka fituar edhe disa çmime. Arditi e ka si idhull hallën, por ndryshe nga ajo, ai nuk i bie çiftelisë dhe këndon në një rrymë tjetër, hip-hop. Ai ka trashëguar nga ajo zërin dhe dashurinë për atdheun që i shpreh edhe në këngët e tij.

Kush ishte këngëtarja e shquar tropojane
Fatime Sokoli lindi në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948. Ajo u bë e famshme që në moshën 11-vjeçare kur edhe pse ende e vogël, mori pjesë në grupet folklorike të rrethit. Ajo u aktivizua si këngëtare në aktivitetet lokale, por që përfaqësoi denjësisht Tropojën edhe në festivalet folklorike kombëtare. Këngëtarja e shquar ka lënë një sërë krijimesh dhe interpretimesh shumë origjinale, si në të kënduar ashtu edhe në interpretimin e instrumentit të çiftelisë. Regjistrimet e saj muzikore gjenden pranë Radio-Televizionit Shqiptar. Fatime Sokoli ka fituar një numër të madh çmimesh në festivalet e Gjirokastrës. Artistja e Popullit u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, më 8 qershor 1987.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi