Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kush po e viktimizon UÇK-në dhe Ramush Haradinajn

Shko poshtë

Kush po e viktimizon UÇK-në dhe Ramush Haradinajn  Empty Kush po e viktimizon UÇK-në dhe Ramush Haradinajn

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 21, 2010 5:28 pm

Kush po e viktimizon UÇK-në dhe Ramush Haradinajn

Kush po e viktimizon UÇK-në dhe Ramush Haradinajn  Teki%20dervishi
Shkruan Teki Dervishi
Sheshi në sirtar

Një ditë para se të shpallet vendimi i verdiktit të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë në Hagë, burgoset pamëshirshëm heroi i Kosovës, Ramush Haradinaj. Athua pse vallë, vetëm një ditë para shpalljes së verdiktit të GJND-së? Para se të përgjigjem, duhet cekur këtu se edhe vetë brenda partisë së zotit Haradinaj (AAK) u gjetën autsajderë politikë që këtë krim të “drejtësisë” nën kthetrat e politikës, ta përdorin për intrigë politike rivalitetesh komike partiake. Kjo dëshmon se komploti ishte shumë mirë i programuar nga mafia politike e misionarëve të huaj në Kosovë, që njëherësh, pos efektit propagandistik medial ndërkombëtar, plus të nxiten përçarje dhe armiqësi të papajtueshme dhe të egra brenda proveniencës së strukturave të dala nga Lufta Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Mirëpo, ngjarjet në vazhdim, pas verdiktit të GJND-së, do të dëshmojnë se aleatët e Serbisë, që janë kaq shumë në qarqet influente evropiane në Misionin e BE-së në Kosovë, do ta fillojnë një luftë të egër për diskreditimin e UÇK-së, për ta bindur një pjesë të opinionit botëror që lufta e Milosheviqit në Kosovë ka qenë e drejtë, pasi që UÇK-ja nuk paska qenë ushtri çlirimtare, por paska qenë një bandë e krimit të organizuar, e korrupsionit dhe e trafikimit me organe njerëzore të serbëve, etj.etj.
Pse u burgos Ramushi, Haradinaj, vetëm një ditë para se të shpallet verdikti i GJND-së? A mund të ishte kjo vetëm një “rastësi”? Njohësit e kundërthënieve dhe dekonverzacioneve (thjeshtë vetëm politike) brenda Aleancës Atlantike (bipolariteti planetar), në mënyrë precize do të mund ta vërtetonin “arsyen” e burgosjes thjesht politike të zotit Haradinajt. Po, kjo është burgosje politike, pikë. Pse heshtin ata, sidomos aleatët e sinqertë të Kosovës, edhe pse kanë informata të bollshme dhe faktike që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë çlirimtare që nuk ka sulmuar civilët e ndonjë popull, por e ka mbrojtur popullatën civile të paarmatosur të Kosovës nga gjenocidi militar dhe paramilitar i Serbisë - shtet terrorist dhe se UÇK-ja asnjëherë nuk i ka shkelur ligjet e luftës, pikë së pari për arsye se edhe gjatë luftës, UÇK-ja ka qenë e monitoruar nga instancat ndërkombëtare autoritative të Fuqive të Mëdha. Po të ekzistonte vetëm ndonjë episod i vogël i shkeljes së kodit të luftës nga UÇK-ja, Serbia këtë do ta internacionalizonte në përmasa planetare juridike dhe politike.
E detyruar nga Misionet e OKB-BE-së në Kosovë, Kosova nuk e ka akuzuar Serbinë në Tribunalin e Hagës për krimet dhe gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës. Tash po shihet pse? Këtë rol do ta merrte prokuroria e Tribunalit të Hagës, duke provuar me sukses të akuzojë individë kriminelë si Milosheviqi, Karaxhiqi, etj. etj. por duke amnistuar shtetin terrorist të Serbisë. Pra akuzohen individët, amnistohet shteti terrorist!!! Derisa Kosovës nuk i është lejuar akuza kundër shtetit të Serbisë terroriste, Serbia (me hetuesit rusë të UNMIK-ut) ka paraqitur aktakuza të mbajtura në konspiracione diplomatike kundër “kriminelëve” shqiptarë të luftës, dhe UNMIK-u (lexo: EULEX-i) është kërcënuar me dosje false përkohësisht të mbyllura për ta pasivizuar Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës para sfidave të riokupimit procedurial “kushtetues” të Kosovës me xhelatin Ahtisari në krye. Në Kosovë janë burgosur një numër i madh ushtarësh të UÇK-së me “patentë akuza” dëshmitarësh të paguar dhe “nën mbrojtje”. Kjo ka qenë dhe është ende strategjia perfide e Këshillit të Sigurimit (OKB) për ta devalvuar luftën çlirimtare të Kosovës dhe për ta quajtur atë zyrtarisht “konflikt ndëretnik”. Misioni Evropian gjen “dëshmitarë” si tipi i Bllacës, dhe kjo dëshmon ofensivën e BE-së kundër UÇK-së. Derisa Tribunali i Hagës akuzon individë kriminel serbë e jo armatën e Serbisë, në përmasa politike dhe juridike të BE-së satanizohet karakteri ligjor-politik i luftës çlirimtare të UÇK-së. Prandaj viktimizohet Haradinaj si legjendë e luftës çlirimtare të Kosovës, dhe qëllimi i këtij viktimizimi është satanizimi, demonizimi i UÇK-së në instanca të larta politike të qendrave të vendosjes, një krah i të cilave pretendon në këtë mënyrë ta rikthejnë zyrtarisht Serbinë në Kosovë.
Po pse aleatët e sinqertë të Kosovës nuk i ofrojnë të dhënat faktike që dëshmojnë se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë çlirimtare? Nuk ka të ngjajë kjo me teoritë konspirative, por t’i shpërvjelësh argumentet deri në cipë, nuk është “e shëndetshme” dhe e dobishme në situatë të Luftës së Ftohtë ndërmjet superfuqive, që sot është shfaqur transparentisht pikërisht në Kosovë, pasi që kërkohet vetëm një xixë për të shpërthyer “fuçia e barutit” që quhet Ballkan. Pra kjo punë u mbetet shqiptarëve që presin vetëm nga aleatët, e asgjë nuk bëjnë vetë. Më shumë sesa e viktimizojnë pa mëshirë zotin Haradinaj, ai vetë si hero që është dhe si njeri që ka dëshmuar se do të shkrihet me familje për çështjen e Kosovës, nuk dëshiron ta shqiptojë një të vetmin argument që do të ishte krucial për mbrojtjen e tij, duke akuzuar drejtësinë ndërkombëtare, po përkundrazi pareshtur deklaron se ai i beson kësaj “drejtësie”. Këtë fisnikëri dhe sjellje xhentile të heroit Haradinaj do ta shfrytëzojë pamëshirësh pikërisht “drejtësia” nën kthetrat e politikës së BE-së. Nder dhe trimëri nuk është t’i besosh drejtësisë së degjeneruar që i nënshtrohet urdhrave të politikës, e jo të ligjeve postulate të drejtësisë standarde ndërkombëtare.
Mbes, aty nga ku u nisa, tek pyetja: pse vetëm një ditë para se të shpallet verdikti i GJND-së, burgoset Ramush Haradinaj? Burgoset: 1) të relativizohet fitorja triumfale e drejtësisë ndërkombëtare në GJND që dëshmon se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me pavarësinë e saj; 2) sepse dihej se “diplomacia” e Kosovës do ta priste e papargatiur vendimi i GJND-së që e zuri në gjumë dhe befasi, pasi që “diplomacia” e Kosovës nuk ishte përgatitur të ofronte argumentet juridike dhe politike për ta vërtetuar zyrtarisht verdiktin e GJND-së, kështu duke e heshtur edhe burgosjen e heroit Haradinaj. Ai grup i armiqve të shqiptarëve brenda Aleancës Atlantike, menjëherë pas vendimit të GJND-së, do të fillojë të ofrojë “argumente” të falsifikuara për ta anatemuar UÇK-në, që do të thotë edhe liderët e saj, duke i burgosur ose duke i shpallur në mediat botërore si të korruptuar, si kriminelë, etj. dhe kjo propagandë anti-UÇK-së sot është bërë një industri për relativizimin (mundësisht mohimin) e verdiktit të GJND-së që vërteton se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e shpallur pavarësinë e saj nga përfaqësuesit e popullit.
Kronologjia e fakteve dhe datave të anatemës së pashpirt të aleatëve të Serbisë kundër Ramush Haradinajt, fillon me burgosjen e Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës. Të burgoset kryeministri i një shteti, kjo është hera e parë që ndodh në historinë botërore. Mund të rrezohet një qeveri me puç ose me revolucion, ose me mosvotëbesim parlamentar, por të burgoset vullnetarisht një kryeministër, dhe qeveria e tij ta vazhdojë “punën” sikur nuk ka ndodhur asgjë, kjo nuk mund të shitet në asnjë vend afrikan, por mund t’u shitet vetëm atyre që analfabetisht nuk e kuptojnë fjalën “imunitet” juridik dhe politik. Kështu nuk është shkelur vetëm imuniteti i postit të kryeministrit Haradinaj, por është shkelur imuniteti juridik i shtetit të Kosovës.
Miq, bashkëbisedues, me këtë shkrim që po e lexojmë së bashku, ejani të pyesim: ku është qëllimi i këtij shkrimi? Të shtrojmë në minimumin e mundshëm sa lejon hapësira në këtë kënd gazete argumentet se “drejtësia” ndërkombëtare në Kosovë është shndërruar në instrument politik të BE-së. Politika e BE-së po e vulgarizon dhe degjeneron drejtësinë ndërkombëtare me vetëm një strategji shumë transparente: të anatemohet lufta për pavarësi e shqiptarëve dhe heronjtë e UÇK-së të shpallen kriminelë lufte, dhe kështu të sanksionohet verdikti i GJND-së që juridikisht vërteton se pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndaj edhe lufta për këtë pavarësi e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe nuk ka shkelur ligjet e luftës.
Disa analistë me përkatësi ideologjike nga shkalla speciale e shoqërive civile që e financon Lobi Serb nëpërmjet firmave të regjistruar në emër të shtetasve mercenarë të vendeve të Evropës Qendrore, do ta arsimojnë politikisht (në disa media shqip) opinionin shqiptar në Kosovë t’i besojë “drejtësisë” me rregullore (e jo me ligje) të “ligjeve” dominuese “mbikëqyrëse” të “sovranitetit” të Kosovës që i zbaton këtu ligji ilegal i Evropës (EULEX-i). Këtij tipi “drejtësie” i beson (së paku është deklaruar) edhe heroi ynë kombëtar Ramush Haradinaj, e të mos flasim për partinë e tij AAK. Ky indokrinim i servilizmit të shoqërisë shqiptare ndaj “drejtësisë” së të huajave, ka bërë që në protestë ndaj vendimit që të mos lirohet përkohësisht gjatë festave të fundvitit zoti Ramush Haradinaj, të dalin vetëm nja dhjetë protestues. Ky popull për vetëm 10 vjet u arsimua t’i besojë “drejtësisë” së mbikëqyrësit evropian, thua nuk e ka të qartë se vetëm i burgosuri mbikëqyret.
Të bëhem edhe më decidiv: kjo “drejtësi” e BE-së nuk e ka qëllim zotin Haradinaj, por UÇK-në, nuk e ka qëllim as UÇK-në, por inkriminim politik të luftës çlirimtare të shqiptarëve, nuk e ka qëllim as inkriminim e luftës çlirimtare të shqiptarëve… por të gjitha këto qëllime së bashku cakun definitiv e kanë kthimin i juridiksionit shtetëror të Serbisë në Kosovë.
Mos i besoni kësaj “drejtësie”, mos dilni vetëm dhjetë veta të protestoni për Ramush Haradinajn që e ka sakrifikuar krejt familjen për çështjen shqiptare, por të dalim të gjithë sa jemi shqiptarë, se Kosova po riokupohet, mos thoni nuk e kemi ditur! Sikur të dilnim të gjithë sa jemi shqiptarë në demonstrata për ta mbrojtur heroin tonë Ramush Haradinaj, kështu do ta mbronim Kosovën nga “drejtësia” e instrumentit politik që BE-ja po e përdor për rikthimin gradual, spontan, “kushtetues” të pasardhësve të Milosheviqit në Kosovë.
Këshilli Evropian këto ditë ka shpallur luftë kundër UÇK-së. Varet a e pranojmë ne këtë sfidë, apo do të vazhdojmë t’i besojmë “drejtësisë” që po e “kushtetutizon” kthimin e Serbisë në Kosovë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi