Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Brenda mendjes së një diktatori

Shko poshtë

Brenda mendjes së një diktatori Empty Brenda mendjes së një diktatori

Mesazh nga Agim Gashi Sun Feb 20, 2011 2:43 pm


Brenda mendjes së një diktatori



Brenda mendjes së një diktatori 15mubarak-saidaonline

Despotët janë të mirë për një sërë gjërash: për të shtypur disidentët, për t’i bërë presione shtypit dhe gazetarëve, për të shtypur dhe zhdukur shpresën në sytë e njerëzve dhe për të kryer të gjitha këto misione, atyre u duhet që të kenë disa cilësi shumë të veçanta dhe talent të posaçëm që i mban në pushtet për 30 apo 40 vjet e më tutje. Por ata kanë edhe talente psikologjike, të cilat i ndihmojnë kryesisht në manipulimin në shkallë të ngushtë dhe në shkallë të gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre dhe të masave të gjera të popullit. Ata kanë aftësinë e krijimit të përshtypjes se motivohen nga nevojat dhe kërkesat e masës, por në fakt, veprojnë në të kundërtën e kësaj, pra veprojnë vetëm në përmbushje të axhendës së tyre dhe shpeshherë këtë e bëjnë jo vetëm me mënyra fine e mashtruese, por me një përdorim të përshkallëzuar të dhunës, që shpesh krijon efektin e kundërt të saj, pra i rrëzon përfundimisht nga pushteti.

Pikërisht të enjten, despoti i Egjiptit, tashmë i rrëzuar nga froni i pushtetit, Hosni Mubarak, me daljen e fundit televizive në pozicionin që mbante, u përpoq që të luante me “veglat” që i ka përdorur me efikasitet herët e tjera në raste të vështira, por aspak të ngjashme. Ishte deklarata përmes së cilës ai u deklaronte njerëzve që kërkonin në mënyrë të pandërprerë largimin e tij, se në fakt, Mubarak nuk kishte aspak ndërmend që të largohej nga posti dhe detyra deri në përfundim të mandatit. Por ishte një mesazh që nuk e pati jetën e gjatë, sepse vetëm një ditë më pas, edhe pse këtë herë nuk doli vetë që ta njoftonte, ai u largua nga pushteti, falë këmbënguljes së asaj turme njerëzish, forcën e së cilës e kishte nënvleftësuar.

Mubaraku, më në fund, me hir apo me pahir plotësoi vullnetin e popullit të tij, duke u dorëhequr dhe kjo është një gjë e mirë, por koha e gjatë që iu desh për të marrë këtë vendim na flet shumë për atë që ndodh në të vërtetë në momente të tilla në mendjen e një diktatori. Ai e ka shumë të vështirë që të shohë botën, përveçse me sytë e tij apo në mënyrën se si e shohin të tjerët.

Nuk ka autokrat më të lumtur se ai, rregullat e të cilit zbatohen pa asnjë dyshim dhe që nuk merr asnjëherë goditje në autoritetin e tij. Por problemi nuk qëndron kurrë në ekzistencën e disidentëve apo grupeve të vogla të kundërshtarëve. Ato mund të menaxhohen dhe shkatërrohen shumë lehtësisht. Problemi i madh janë revoltat dhe pakënaqësitë e mëdha. Kjo është rrethana që i bën mendjet e diktatorëve që të punojnë në një mënyrë siç nuk kanë punuar kurrë më parë, sepse një situatë kryengritjeje masive kërkon edhe një kundërpërgjigje të ndryshme, të denjë për rëndësinë e situatës. Sipas një biologu antropolog në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, i cili merret me studimin e impulsit revolucionar te njerëzit, ata janë specie shumë hierarkike, pra qenie që i zgjedhin liderët e tyre dhe u japin autoritet gjithmonë në të mirën e përgjithshme të komunitetit. Por nga ana tjetër paraardhësit tanë gjahtarë kanë përcjellë në gjenet tona edhe forcën dhe vrullin e rebelimit dhe të “ndezjes” kur një situatë e kalon pikën e vlimit. Në një situatë të tillë edhe qenia, apo më mirë sjellja njerëzore, ndryshon duke u shndërruar shumë shpesh në promotore e zhvillimeve të mëdha në strukturën e shoqërisë. Kështu kur një individ i komunitetit nis që të shpalosë një sjellje jo konform rregullave të tij, ai përballet me kundërshti dhe reaksion. Ky impuls, pra impulsi i reagimit dhe i kundërshtimit, është një nga vlerat që kemi dhe që ne e praktikojmë shpesh në jetën tonë të përditshme dhe madje edhe në jetën e kombeve apo sistemeve. “Nxitja revolucionare është reagimi universal ndaj një pushteti që është ushtruar ndaj nesh, në një mënyrë të paligjshme”, thotë një psikolog i moralit në Universitetin e Virxhinias. Sipas tij kjo nxitje është e jashtëzakonshme dhe “infektive”. Po në deri çfarë përmasash? “Le të imagjinojmë se flamuri i shtetit tim është imazhi i një gruaje luftëtare, me gjoks përjashta dhe me këmbët të ngulura mbi kokën e një mashkulli të vdekur që përfaqëson tiraninë. Kjo do të thotë se emblema e shtetit është një vrasje”, shprehet psikologu. Por një diktator si Mubaraku nuk rrëzohet nga pushteti vetëm me një luftëtare të egër. Atë dhe diktatorë të tjerë të atij kallëpi e rrëzon nga pushteti një forcë e madhe, që është pjesë përbërëse në një moment të caktuar e një kombi të tërë, të cilit i ka ardhur në majë të hundës. Është një forcë që sillet në një mënyrë shumë të parashikueshme.

Zjarret e situatave politike, ashtu si zjarret e tjera në përgjithësi janë fillimisht të vogla dhe zakonisht janë pasojë e akteve të veçuara të rebelimit lokal. Por kur kushtet janë ato të duhurat, atëherë ky zjarr përhapet me shpejtësi dhe vrull të jashtëzakonshëm sikundër ndodh me zjarret e verës, që përhapen nga era me mijëra kilometra. Sipas specialistëve të fushës së psikologjisë kjo ka të bëjë me një sërë faktorësh që ndikojnë në përshpejtimin e zjarrit, si dendësia e rrjeteve sociale, shpejtësia e mbështetjes së nismëtarëve nga ana e personave të tjerë dytësorë, homogjenizimi i të gjitha grupimeve të ndryshme në një ide të përbashkët dhe unike, që shndërrohet edhe në forcën lëvizëse të asaj çka ndodh e të tjera. Në pjesën më të madhe të të gjitha rebelimeve kemi të bëjmë me të njëjtat tipare të këtyre zhvillimeve dhe kjo thuajse në të gjitha epokat historike, që nga antikiteti e deri në ditët tona. Sigurisht duke i shtuar konotacionin përkatës. Bëhet fjalë për një sërë ngjarjesh që kanë një fillim, pra nisin nga një shkëndijë dhe më pas marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha brenda një kohe të shkurtër, duke arritur gjithmonë në një pikë kulmore. Por edhe një revolucion i cili duket shumë i shpejtë së brendshmi mund të shpaloset me shumë vështirësi së jashtmi, sa për të arritur pikën e vlimit që shkakton edhe rrëzimin e pushtetit, pra të objektivit. Kështu para se Mubaraku të jepte dorëheqjen, duhet që të kalonin 18 ditë të vështira, gjatë të cilave protestat masive nuk e humbën kurrë tempin dhe kjo ishte edhe cilësia më e çmuar që realizoi objektivin. Për pjesën më të madhe të kësaj periudhe ishte e qartë nga këndvështrimi i vëzhguesve më të matur dhe me nuhatje se Mubaraku do të përfundonte duke dhënë dorëheqjen. Në këto kushte pyetja që lind është: po përse vallë atij iu desh një kohë kaq e gjatë për të kuptuar diçka të tillë dhe për të marrë vendimin e shumëpritur?

Pikë së pari nuk duhet nënvleftësuar kurrsesi mospenetrimi i “flluskës” presidenciale. Diktatorët nuk i pëlqejnë disidentët dhe e rrethojnë veten me lakej dhe sahanlëpirës, të cilët në fakt i marrin në qafë, duke ia fshehur të vërtetën edhe kur ajo ka dalë qartas në dritën e diellit. Për diktatorët është një fakt i zakonshëm që të mos e kenë në të vërtetë idenë për një realitet të caktuar në vendin e tyre, edhe kur bëhet fjalë për një realitet të përmasave të tilla që mund të konsiderohet si vendimtar për vetë vazhdimësinë e tyre në pushtet. Ata nuk e dinë kurrë se çfarë mendon për ta populli i tyre. Kjo mund t’i bëjë shpesh diktatorët që të ndihen pa rrugëdalje, por në këtë drejtim Mubaraku nuk është më keq se ne vetë. Si rregull, ne kemi një informacion dhe një ide shumë më të qartë në lidhje me aftësitë, të metat dhe virtytet e të tjerëve, se sa kemi ndaj vetes. Njerëzit nuk janë të mirë në çështjet e vlerësimit të vetes dhe të njohjes së saj, çka për hir të së vërtetës duhet thënë se është edhe gjëja më e vështirë. Tani këto veti njerëzore ia japim një diktatori që ka dekada në pushtet dhe rezultati është se ai shpesh as që e ka idenë se kush është dhe çfarë përfaqëson me pushtetin e tij. Kjo e bën që të sillet në një mënyrë jo logjike përkundër kërkesave të një situate të caktuar. Edhe mosbesimi luan rol të madh. Në vitin 1981, paraardhësi i Mubarakut, Sadat, u vra. Gjatë muajve që i paraprinë vrasjes, Sadak kishte krijuar një qeverisje dhe pushtet të ngjashëm me atë të Mubarakut në vitet e fundit të sundimit të tij. Pra kishte filluar që të sulmonte të gjithë kundërshtarët politikë. Kur Perëndimi ia vuri në dukje këto gjëra, Sadat pësoi një goditje mendore. Kjo sepse për një kohë të gjatë, ai ishte konsideruar nga të tjerët dhe nga vetja si një hero dhe kur Perëndimi e shembi me kritikat e tij këtë imazh, ai u kundërpërgjigj duke fyer gazetarët perëndimorë e duke i përzënë nga vendi. Ai thjesht nuk mund ta merrte me mend se autoriteti i tij do të vihej në dyshim. Në rastin e Mubarakut fati i tij i ngjan atij të javëve të fundit të Sadatit. Vendimi i Mubarakut, të paktën, ka ardhur duke arritur një pikë kulmore njësoj si revolta dhe vrulli i demonstruesve arriti një pikë vlimi, nga e cila nuk kishte më kthim pas.

Në fakt, në trurin e diktatorëve ka gjithmonë një zë që u thotë se duhet të largohen, por ai është me gjysmë zë, i pasigurt që nuk ka fuqi të detyrojë të zotin të marrë një vendim. Por kur presioni shtohet, ai nuk shqetësohet më për të ardhmen e tij të largët, por përpiqet që të rregullojë sa më shumë gjëra që të mundet brenda një kohe të shkurtër. E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e diktatorit rumun Nikolae Çausheksu. Ai mbajti shumë fjalime, në të cilat tha se nuk kishte ndërmend që të largohej kurrë, dhe befas u largua menjëherë dhe krejt papritur.

Shpesh kati i fundmë i diktatorëve nuk është aspak heroik dhe madje është shumë përçmues i parë nga larg, sepse është një akt që synon vetëm shpëtimin e lëkurës në shumë raste, edhe në mënyrë të turpshme dhe pa pikë dinjiteti. Mubaraku duket se nuk i ka shpëtuar këtij fati.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi