Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Njoftim për shtyp

Shko poshtë

Njoftim për shtyp Empty Njoftim për shtyp

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 06, 2009 8:02 pm

Njoftim për shtyp

Anilda Ibrahimi


prezanton në Torino

Rosso come una sposa


(Einaudi, 2008)
“Shqiptarët janë tashmë një nga bashkësitë e huaja më të integruara në Itali. Ata i japin shoqërisë Italjane të paktën po aq sa marrin prej saj, ndaj nuk duhen konsideruar as më shumë e as më pak se qytetarë me të drejta të plota. Në këtë kontekst duhet konsideruar edhe letërsia ime. Ajo është vlerësuar nga shtëpia botuese Einaudi e më pas nga lexuesit dhe nga kritika, jo sepse është realizuar nga një shkrimtare e huaj, në këtë rast me origjinë Shqiptare, por pasi përmban vlera në vetvete, të pavarura nga kombësia e autores së saj.”
Kështu u shpreh shkrimtarja Shqiptare Anilda Ibrahimi gjatë takimit me publikun torinez që u zhvillua ditën e Enjte, datë 2 prill 2009, në Torino, në mjediset e bibliotekës Italo Calvino. Ndërhyrjet e saj u mirëpritën dhe u duartrokitën gjatë nga publiku i shumtë i pranishëm në sallë.
“’Rosso come una sposa’ është romani im i parë” u shpreh autorja. “Atë kam dashur t’ja dedikoj familjarëve të mi, në veçanti grave të familjes sime, duke u përpjekur kështu t’ju kthej atyre të gjithë mirësinë që më kanë dhuruar gjatë fëmijërisë sime.”
Në takim morën pjesë mbi 150 persona, Shqiptarë dhe Italjanë, ndër të cilët edhe shume eksponentë të institucioneve vendore dhe të botës artistike e intelektuale të Torinos.
Ilda Curti, Asesore e Integrimit në Bashkinë e Torinos, e cila përshëndeti publikun në emër të institucioneve të qytetit, shprehu konsideratën e lartë për krijimtarinë e shkrimtares Shqiptare. Ajo e renditi letërsinë e Anilda Ibrahimit krahas veprave të shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, të cilët po kontribuojnë në transformimin e letërsisë bashkëkohore europjane. “‘E kuqja si nuse’ e Anildës,” tha ajo “më tërhoqi menjëherë për përdorimin origjinal e të shkathët të gjuhës Italjane, për tramën e tij të veçantë, me në qendër historinë e disa brezave grash Shqiptare, përgjatë një shekulli të historisë së Shqipërisë, si edhe për përdorimin e një gjuhe të ngarkuar me ironie absolute, e cila e bën leximin edhe më të këndshëm”.
Ndërsa Paolo Messina, drejtor i përgjithshëm i bibliotekave të Torinos, tha se është shumë e rëndësishme që pasuria e origjinës së një individi të mos mbyllet në sirtar, kur ky emigron në një vend tjetër. Ajo duhet të shpaloset në të gjitha trajtat e saj origjinale, theksoi ai, pasi duke ndërtuar marrdhënie me kulturën e vendit pritës, rrënjët e vendit të origjinës mund të japin lule e fryte të mrekullueshme, siç është edhe libri ‘Rosso come una sposa’ i Anilda Ibrahimit.
Prezantimi i librit u pasurua edhe nga leximi i pjesëve të zgjedhura të romanit, të shoqëruara me muzikë klasike nga Haydn, Mozart dhe Jakova të ekzekutuara nga kuarteti Eklips, i përbërë nga muzikantë të rinj profesionistë Shqiptarë dhe Italjanë (Leonard Simaku dhe Elton Tola, violinë; Eriola Gripshi, violë; Matilda Colliard, violinçel). Emocione të veçanta krijoi tek publiku ekzekutimi i një fragmenti të shkëputur nga akti i katërt i operas së parë Shqiptare, Mrika, të kompozitorit Prenk Jakova.
Ky event, i propozuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra u realizuar me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Romë, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.
Projekti “Via Egnatia – Passaggio a Est”
Prezantimi i librit u bë në kuadër të projektit “Via Egnatia – Passaggio a Est”. I ideuar dhe realizuar nga Shoqata Vatra, projekti parashikon krijimin e seksioneve me libra në gjuhën Shqipe në të katërmbëdhjetë bibliotekat e qytetit të Torinos. Rreth 110 tituj të autorëve më të mirë të letërsisë dhe publicistikës klasike Shqipe si: Naim Frasheri, Fan Noli, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj, por edhe të autorëve bashkëkohorë si Kadare, Agolli, Kongoli, Zhiti, Spanjolli, Dones, Hatibi e Ahmeti do të jenë të pranishëm në raftet dhe sallat e leximit të bibliotekave të Torinos. Ky fond, i përbërë nga mbi 1200 libra, është edhe një vetrinat më të mëdha të librit në gjuhën Shqipe jashte territoreve të banuara nga Shqiptarët.
Anilda Ibrahimi
Anilda Ibrahimi ka lindur në Vlorë në vitin 1972. Ajo ka frekuentuar Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas, në vitin 1993 është larguar nga Shqipëria për tu vendosur fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Itali, ku jeton edhe sot bashkë me familjen.
Romani i saj i parë, “Rosso come una sposa” është një nga librat më të suksesshëm të botuar në Itali në 2008-ën. E pritur jashtëzakonisht mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika, sprova e shkrimtares Shqiptare, e hedhur në treg nga shtëpia botuese prestigjioze Einaudi është bërë shumë shpejt një best-seller.
Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra
Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh Shqiptarë dhe Italjanë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë Italjane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë.
Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qëndrat më mikpritëse ndaj artit dhe kulturës Shqiptare në Europë.

Për më shumë të dhëna:
Benko Gjata
Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra
Via Piazzi 12, 10123, Torino
Cel. +39 339 3376951
Fax +39 011 6060412
Torino, 04.04.2009


Njoftim për shtyp Anila_ibrahimi1

Njoftim për shtyp Anila_ibrahimi2

Njoftim për shtyp Anila_ibrahimi3
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi