Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lobimi im është pjesë e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë

Shko poshtë

Lobimi im është pjesë e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë Empty Lobimi im është pjesë e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 03, 2012 9:12 pm

Lobimi im është pjesë e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë

Intervistoi: Idriz Morina
Lobimi im është pjesë e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë 78635_640

S’jam supermen?

Afrika mbetet suksesi im më i madh për 2011. Dhe do të jetë akoma me shumë gjasë, sepse janë shumë njohje të tjera në prag, por unë mjerisht nuk jam supernjeri. S’mund të jem njëherësh në gjithë globin. Punoj me ekipe, por duhet prania ime që të përmbyllë procesin.

Dyer të mbyllura?

Ndaj gjatë turit tim të parë (në Afrikë) unë gjeta dhe dyer të mbyllura siç ishte rasti i Gabonit apo dhe i Ganës. Gaboni ka dhjetëra kompani serbe, dhe mbi 30 mijë të punësuar serbë, por sot falë lobimit tim ai vend na ka njohur dhe do të na ndihmojë për njohje të reja.

Me arbëreshët

Përveç ndjenjës së ligjshme të krenarisë për mirënjohjet që më vijnë nga kaq larg Kosovës, nga shteti më aleat i Kosovës, u befasova nga realiteti arbëresh në atë shtet. Në Luiziana jeton komuniteti më i madh i arbëreshëve në botë, prej rreth 10 mijë vetëve, të cilët janë mjaft krenarë për origjinën e tyre.

Flamuri

Flamuri i Kosovës u ngrit në sheshet e Manilës. Ai flamur më ndoqi mua në mes të sallës ku gjendeshin mijëra persona dhe në skenë. A nuk është kjo diçka për të cilën kush e do Kosovën, duhet të ndihet krenar? Ndaj do i kërkoja dashakeqëve të heshtin, nëse s’dinë të jenë mirënjohës.

Intervistë eskluzive për “Bota sot” me zv.kryeministrin Behgjet Pacolli

Po synohet që Presidentit t’i vendosen kushte diskriminues që shkelin parimin kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit. Ky ndryshim do ta çonte kushtetutën e Kosovës kah modeli i Azerbaixhanit dhe Afganistanit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli në rrëfimin ekskluziv për numrin festiv të Vitit të Ri, beson thellësisht se Kosova nuk ka më nevojë për kompromise për ta zgjidhur çështjen e Veriut. Sa i përket veprimtarisë së tij më të ngushtë dhe më personale në postin që e ka lotimit, z. Pacolli beson se Kosova po e fiton luftën e fundit me Serbinë, atë në terrenin ndërkombëtar, për të fituar sa më shumë njohje nga të gjitha vendet. Vetë ai personalisht thotë se ia ka arritur ta thyejë mitin serbojugosllav në Afrikë, ku veç ndikimit diplomatik ata kishin dhe kanë një prezencë dhe ndikim të fuqishëm ekonomik. Por, në këtë intervistë ai rrëfen edhe njëherë se si ndodhi dhe si e përjetoi largimin nga Presidenca, dhe po ashtu në çfarë e mbështet kthimin e tij në Presidencë, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, për të cilat është i bindur se do të mbahen, tanimë këtë vit, më 2012.

Z. Pacolli Kosova po kalon çaste dramatike sërish, megjithëse paksa është krijuar një situatë më e qartë politike. Ndarja e Veriut si opsion ka rënë edhe për Serbinë, por presionet politike tashmë po pretendojnë të krijojnë një gjendje të gatishmërisë politike në Kosovë për kompromise të reja. Ky ishte edhe mesazhi i zonjës Merkel. A ka gatishmëri Qeveria apo shumica aktuale që të bëjë ende kompromise, pas atyre të dhembshme të Ahtisarit, aq më tepër që 2012 është viti, kur duhet të rishikohet edhe vetë Pakoja apo funksionaliteti i saj?

Cili ishte mesazhi i zonjës Merkel? A i kërkoi Kosovës gatishmëri për “kompromise të reja”? Unë s’jam dakord me të. Më ngjan se është një mitologji që ekziston në Kosovë sipas të cilës evropianët na kërkojnë vazhdimisht kompromise të reja; se ata favorizojnë Serbinë, etj, etj. Kjo mitologji ka në themel një bindje të vjetër sipas të cilës Evropa gjithmonë ia ka me hile shqiptarëve. Unë mendoj se e kanë gabim ata që mendojnë kështu. Perëndimi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka qenë dhe mbetet i bashkuar që prej 1999 deri më sot, për fatin tonë të mirë. Mund të ketë një konkurrencë natyrale BE- SHBA, për menaxhimin e punëve në Kosovë, për aq sa i takon rolit të ndërkombëtarëve, por jo dallime të thella për statusin e Kosovës. Ndaj është mirë të mos ushqejmë mitologji të tilla dhe në vend të saj të shtojmë mirënjohjen për evropianët dhe perëndimorët në përgjithësi. Nëse Gjermania, gjegjësisht BE do të kërkonte kompromise të tjera “të dhimbshme”, pse vallë do të sakrifikonte ushtarët e vet në mbrojtjen e kufijve të Kosovës? Pse zonja Merkel do t’ i kërkonte me forcë Beogradit të heqë strukturat paralele për të cilat po jepen disa shenja? Ju besoj e keni vënë re se pas vizitës së saj, Beogradi po arreston financuesit apo mbështetësit e barrikadave, po bën thirrje për heqjen e tyre, apo po kërkon me zë të dobët “legalizimin e strukturave paralele”. Për këtë ndryshim të Beogradit, ashtu si dhe për bujarinë e ndihmave evropiane ne duhet t’i jemi mirënjohës zonjës Merkel.

Z. Pacolli, si e vlerësoni lobimin tuaj gjatë këtij viti, përkatësisht nga kur u ngarkuat me detyrën e lobimit pas marrjes së detyrës së zëvendëskryeministrit?

Më lejoni të them diçka për strategjinë time të lobimit në fillim. Strategjia ime e lobimit është një e vetme. Ajo mbështetet më së pari në personalitetin tim, në emrin tim, në të kaluarën time të suksesshme si ndërmarrës global. Ky personalitet më hap shumë dyer të nivelit të lartë, për të cilët Serbia duhet të lodhet shumë dhe s’ka mundësi t’i hapë. Nëse kjo e kaluar sipas eksperiencës sime është kyç i suksesit tim, si munden disa njerëz që të konsiderojnë si problem pikërisht këtë? Duhet kuptuar se ndikimi i shteteve aleate me ne, që është mjaft i rëndësishëm e dha efektin kryesor menjëherë pas njohjeve, apo në miratimin e mendimit këshillimor të Gjykatës së Hagës. Më pas miqtë nuk kanë bërë kushtëzime të forta, edhe pse në fund të fundit siç tregoi rasti i Palestinës, pa vullnet pozitiv të fuqive të mëdha Kosova s’mund të bëhet anëtare e OKB-së. Ndërsa, lobimi im i mbështetur në këtë element që thashë, është shprehje e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë, të cilës ne po i fitojmë shumë beteja. Pa modesti, por më duhet të them se dikush tjetër në vendin tim do ta kishte shumë të vështirë të hapte ato dyer. Ndërkohë s’duhet nënvleftësuar fakti se lobimi im edhe për shkak të së kaluarës sime është një lobim ekonomik.
Le të kthehem tek lobimi i 2011. Unë e konsideroj si shumë të suksesshëm, për më shumë që u hapëm ndaj një kontinenti të tillë si Afrika ku ishte punuar shumë pak. Prej atij kontinenti kemi marrë shumë njohje dhe shumë të tjera janë në prag. Kam qenë 4 herë në atë kontinent dhe më besoni për dikë në moshën time të udhëtojë aq shpesh dhe aq gjatë në distanca kaq të largëta nuk është diçka e lehtë si mendon dikush në Prishtinë.
Çfarë kam kuptuar prej Afrikës? Së pari, Afrika është kontinenti më interesant në zhvillimet botërore të sotme. Ajo është e ardhmja e botës për vitet e ardhshme. Aty po shikohen mundësitë për daljen e ekonomive të fuqishme nga kriza. Aty po përplasen aktorët tradicionalë me ata të rinj për kontrollin e globit. Aty Kina, India apo fuqi të tjera si Brazili po bëhen gjithnjë e më të pranishëm. Aty kompanitë kroate, sllovene apo serbe po ruajnë dhe po ndajnë primatin e kompanive të dikurshme jugosllave. Shikoni Jugosllavia e dikurshme nuk bënte vetëm politikë boshe megalomane me teorinë e të painkuadruarve, por dhe gjente tregje për kompanitë e veta. Për shkak të ekzistencës së këtyre kompanive, në veçanti atyre serbe, për shkak të traditës së marrëdhënieve të mira të vendeve afrikane ne Jugosllavinë e dikurshme dhe me Serbinë e sotme, Afrika ishte dhe mbetet një kontinent i vështirë për të lobuar. Ndaj gjatë turit tim të parë unë gjeta dhe dyer të mbyllura siç ishte rasti i Gabonit apo dhe i Ganës. Gaboni ka dhjetëra kompani serbe, dhe mbi 30 mijë të punësuar serbë, por sot falë lobimit tim ai vend na ka njohur dhe do të na ndihmojë për njohje të reja.
Siç e kam thënë dhe diku, njohjet e reja e lehtësojnë procesin e anëtarësimit në OKB, por nuk janë vetë anëtarësimi në OKB. Shikoni rastin e Palestinës e cila kishte 125 njohje, por nuk u pranua. Por njohjet kanë rëndësi imediate: ato janë beteja diplomatike të Kosovës me Serbinë, pjesë të një lufte diplomatike mes nesh që bëhet në terren ndërkombëtar. Dhe më duket se ne po fitojmë këtë luftë. Kjo është arsyeja pse unë jam krenar, që i kam ndihmuar vendit tim ta mundë Serbinë në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndaj pres pak më shumë mirënjohje prej gjoja kritikëve kompetentë..


Cilin e veçoni si suksesin tuaj më të madh gjatë tërë kohës së lobimit në Afrikë, në Azi, në Amerikë?

Më duket se pak më sipër i dhashë njëlloj përgjigje kësaj pyetjeje. Afrika mbetet suksesi im më i madh për 2011. Dhe do jetë akoma me shumë gjasë, sepse janë shumë njohje të tjera në prag, por unë mjerisht nuk jam supernjeri. S’mund të jem njëherësh në gjithë globin. Punoj me ekipe lobuesish, por duhet prania ime shpesh që të përmbyllë procesin dhe që të marr shpesh në dorë dhe të famshmen “notë verbale”, për të cilën në tryezat e Prishtinës thuren lloj-lloj “teorish” ose “doktrinash” të panjohura në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Cili ishte momenti më prekës, që do të mbetet më gjatë në kujtesën tuaj, pritja nderit që ju bënë në Filipine apo nderimet që morët në shtetin e Luzianës në SHBA?

Më besoni që të dyja momentet ishin vërtet shumë prekëse. Unë nuk punoj për mirënjohje, e cila po më vjen nga gjithë anët e botës, ndërsa në vendin tim mbeten gjithherë të zëshëm dashakeqët. Në fillim të dhjetorit, unë isha në SHBA, në shtetin e Luizianës, ku u takova me autoritetet kryesore të shtetit, u nderova me disa tituj të «qytetarit të nderit», «të kryebashkiakut të nderit», mora disa nderime akademike, etj. Ndërkohë doja të përmendja një moment të veçantë që kam përjetuar në Nju-Orleans, të shtetit të Luizianës në SHBA. Siç e keni marrë vesh, unë u nderova me titujt “kryebashkiak Nderi”, i Baton Rouge, kryeqyteti i Luizianës, “qytetar nderi i Nju- Orleans”, nga Guvernatori i shtetit, mora disa nderime akademike nga Baton Rouge Community College, etj, etj. Me udhëheqësit lokalë atje u morëm vesh për vendosjen e marrëdhënieve të binjakëzimit me komuna të Kosovës. Përveç ndjenjës së ligjshme të krenarisë për mirënjohjet që më vijnë nga kaq larg Kosovës, nga shteti më aleat i Kosovës, u befasova nga realiteti arbëresh në atë shtet. Në Luiziana jeton komuniteti më i madh i arbëreshëve në botë, prej rreth 10 mijë vetëve, të cilët janë mjaft krenarë për origjinën e tyre. Janë kryesisht nga komuniteti arbëresh i Sicilisë, të cilët kanë ardhur në SHBA në fund të shekullit të 19 dhe që ruajnë kudo simbolet e shqiptarisë. Pashë varrezat e tyre monumentale, ku kishin të shkruara në shqip, pjesë nga Bibla. Pashë një shqipe të vjetër që i ngjante shumë gjuhës që flasim ne të Kosovës. U ndjeva vërtet krenar për forcën e kombit që përcillet brez pas brezi dhe nuk vdes kurrë. I jam mirënjohës për këtë vizitë atje, konsullit të nderit të Shqipërisë, Bret Alden Clesi, arbëresh gjithashtu, i cili i kishte gjetur rrënjët e origjinës së vet tek Kryezinjtë e Gjakovës.
Ishte kënaqësi e madhe të gjendesha dhe në Filipine kur në prani të mijëra njerëzve, në një transmetim live për shumë vende të Azisë ku jetojnë disa miliarda njerëz, unë u nderova me çmimin «Gusi Peace Prize International» për rolin tim si shtetar dhe kontributin tim filantropik në Kosovë dhe jashtë saj. Flamuri i Kosovës u ngrit në sheshet e Manilës. Ai flamur më ndoqi mua në mes të sallës ku gjendeshin mijëra persona dhe në skenë. A nuk është kjo diçka për të cilën kush e do Kosovën, duhet të ndihet krenar? Unë për veten time i ruaj si kujtimet më të mira këto nderime, jo thjesht për aktivitetin tim, por për Kosovën. Ndaj do i kërkoja dashakeqëve të heshtin, nëse s’dinë të jenë mirënjohës.


Në pritjen për fundvit ju premtuat që reformat e thella partiake nuk do të ndalen dhe ato do të bëhen me sukses. Më konkretisht çfarë pretendohet me këto reforma, pasi opinioni tashmë thuaja është i mbytur nga kjo fjalë, por realisht ato nuk po i sheh as në Qeveri dhe as në ndryshimin e jetës së përditshme?

Besoj se e keni fjalën për reforma qeverisëse, sepse çështja e reformave partiake është një çështje e një rëndësie jo aq të madhe për zhvillimin e Kosovës. Ju e dini që unë ju bashkova qeverisjes në Kosovë me një platformë e cila synonte dinamizimin e qeverisjes në dy aspekte: në tërheqjen e investimeve të huaja nëpërmjet krijimit të një mjedisi sa më funksional, sa më liberal dhe në përqendrimin e energjive diplomatike të Kosovës për njohjet, gjegjësisht integrimin ndërkombëtar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Brenda kësaj platforme parashikoheshin krijimi i dy zonave të lira ekonomike në Gjakovë dhe në pellgun e Mitrovicës si dhe ofrohej një qasje e re për privatizimin strategjik. Reformat që unë propozoj kanë si synim zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha krijimin e vendeve të reja të punës për rininë tonë. Pra ndryshimin konkret të jetës së qytetarëve. Unë po punoj për këtë platformë, dhe më është dhënë njëlloj hapësire për realizimin e saj. Por duhet të kuptoni se qeveria është një institucion kolegjial, i drejtuar nga kryeministri.


Ju apo zgjedhja juaj President dhe mënyra se si u vendos që ju të largoheshit u pasua me ndryshime kushtetuese, pavarësisht që pati një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç e kishim vlerësuar në analizat tona, se shpallja e pavlershme e procesit të zgjedhjes President ose kthimit në pikën zero, do ta detyronte vendin të shkonte në ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, pasi vendimi i Gjykatës do t’i jepte rrugë kaosit konstitucional. Si e vlerësoni sot këtë proces dhe a mund të kishte një rrjedhë tjetër?

Duhet kujtuar se unë u bëra President sipas një marrëveshjeje politike, tërësisht të ligjshme për çdo vend normal. Unë u bëra president me një procedurë të rregullt si në çdo shtet me kushtetutë të ngjashme me Kosovën. Pra unë u zgjodha president në raundin e tretë të një votimi parlamentar, i cili i përmbushte kërkesat e Kushtetutës. Ky ishte dhe mendimi i grupit të pakicës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, i cili jo rastësisht ose rastësisht përbëhej nga pjesa perëndimore e anëtarësisë së kësaj Gjykate. Ja nisa një pune të madhe për të realizuar idetë e mia, unë në Presidencë dhe miqtë e Koalicionit për Kosovë të Re dhe kolegët e PDK-së dhe forcave të tjera qeverisëse në krye të punëve të ekzekutivit. Besoj se në 35 ditë lashë gjurmë të një presidence të re që u prin proceseve dhe nuk i shkon atyre nga pas. Kjo mbase nuk i ka pëlqyer dikujt, apo disave të cilët kanë dashur ta fusin Kosovën në krizë nëpërmjet meje, por unë nuk hyra në këtë lojë. I hapa rrugë zhvillimeve pozitive me marrëveshjen e re trepalëshe, zhvillime që do të ndryshojnë për mirë kushtetutën e Kosovës dhe jetën shtetërore të saj. Po ju sjell këtu fjalët e zotëri ambasadorit të SHBA-së Dell me atë rast: “Besoj se Behgjet Pacolli është personi i parë për të cilin duhet të tregojmë respektin tonë. Ai ka kaluar nëpër një proces të vështirë. Siç ka sqaruar edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese i javës së shkuar, ai nuk ka bërë kurrgjë gabim. E megjithatë, ai pagoi çmimin. E vërteta është se gjatë tërë këtij procesi z. Pacolli ka vendosur interesat e Kosovës mbi interesat e pozitës së tij dhe para ambicieve të tij. Ai është mbajtur me dinjitet dhe ka treguar se është njeri i fjalës dhe një patriot i vërtetë. Behgjeti për shumë kohë ka mbështetur nevojën për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit dhe ai e ktheu gjendjen e tij të vështirë në një fitore për vendin. Për këtë arsye unë mendoj se kombi i detyrohet atij me respektin e përhershëm”.

I dhamë dinjitet Kosovës me masat e reciprocitetit

Po punoj tash për njohje të reja dhe për tërheqjen e investimeve të huaja për Kosovën. Diçka kemi bërë në fushën e njohjeve dhe mendoj se 13 njohje nuk janë pak. Mendoj se kjo qeveri është qeveria më e mirë e historisë politike të Kosovës pas çlirimit. Brenda 9 muajsh kemi arritur shumë. Mbi të gjitha i dhamë dinjitet Kosovës përballë Serbisë nëpërmjet masave të reciprocitetit. Nëpërmjet tyre u vu në lëvizje një proces që jo thjesht rriti ndërgjegjësimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar për problemin e veriut, por dhe pati rritje të ndërgjegjësimit për pavarësimin tonë ekonomik nga Serbia. Shteti i Kosovës vendosi simbolet e veta në kufijtë me Serbinë dhe ky është vetëm fillimi një procesi të pandalshëm të vendosjes përfundimtare të sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin.

A besoni se do të mbahen zgjedhjet presidenciale këtë vit, më 2012?

Unë besoj se partitë politike që e mbështesin atë marrëveshjeje, do ta respektojnë atë. Ajo ishte vërtet një marrëveshje historike. Mosrespektimi i saj do të hidhte dyshim mbi Parlamentin si mbi një institucion që nuk i respekton vendimet e veta, mbi partitë politike dhe mbi aleatët ndërkombëtarë.
Ka dhe shumë arsye praktike pse ato zgjedhje duhen mbajtur në 2012 dhe jo në 2013. Të mbash njëherësh tre palë zgjedhje në 2013, domethënë që të nxisësh vullnetarisht pjesëmarrje të ulët qytetare në zgjedhjet e institucioneve kryesore të Republikës. Edhe vetëm votimi për parlamentin është shumë i komplikuar dhe merr deri në 8 minuta kohë për një votues, jo më të votohet dhe për komunat dhe presidentin njëherësh. Nga pjesëmarrja e ulët në votim dihet se kush përfiton. Një mospjesëmarrje do të dobësonte legjitimitetin e institucioneve kryesore, parlamentit, presidencës, qeverisë dhe komunave. Ndërkohë futja e zgjedhjes së presidentit bashkë me Parlamentin do ta politizonte fushatën, do ta fuste edhe më shumë në gjendje konflikti dhe do t’i jepte kreut të shtetit ngjyrë partiake. Ndërkohë duke pasur parasysh eksperiencën e zgjedhjeve të tjera parlamentare dhe komunale, dyshimet për manipulim të tyre, do të reflektoheshin dhe tek zgjedhja e Presidentit, duke i bërë të gjitha institucionet të dyshimta. Këto mendoj unë janë arsye të mjafta, pse zgjedhjet presidenciale nuk duhen shtyrë.


A keni ndonjë gjë si peng në zemër, e cila mund të ju bëjë të hezitoni për të kandiduar për tu zgjedhur President nga vota e drejtpërdrejt e popullit, edhe pse një zgjedhje e tillë e Presidentit është një peng i juaji që dihet, thuajse ju ishit nuni i saj, një kërkesë kjo e bërë edhe shumë vite më parë, dhe po ashtu marrëveshja për të zgjedhur më pas një president me pajtimin edhe të opozitës?

Po keni të drejtë. Ikja nga Presidenca në atë mënyrë të paprecedent, të paktën solli një pasojë pozitive, realizimin e një ideje timen të kahershme për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Ishte kjo një ide të cilën e qortonin të gjithë, por sot po e mbështesin të gjithë. Dhe ky është një burim i ligjshëm krenarie për mua.
Ndërkohë po ndjek me njëlloj shqetësimi atë që po ndodh me Komisionin Kushtetues. Po kërkohet që të përjashtohen nga gara shqiptarët e diasporës në perëndim, kontribuuesit kryesorë të mirëqenies ekonomike të vendit, qytetarët e Kosovës që kanë pasaportë të shteteve fqinjë, diçka që diskriminon realisht. Presidentit i vendosen kushte diskriminues që shkelin parimin kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit. Ky ndryshim e çon kushtetutën e Kosovës kah modeli i Azerbaixhanit dhe Afganistanit, të vetmet vende që kanë ndalim të dyshtetësisë.
E vlerësoj si nder për mua, frikën që ka dikush nga kandidimi im, nga popullariteti im, por mendoj se kjo frikë nuk justifikon ndryshime kushtetuese prapakthyese.
/ Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi