Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Miranda HAXHIA:Kush do t'i vrasë gënjeshtrat e Nexhmije Hoxhës?

Shko poshtë

Miranda HAXHIA:Kush do t'i vrasë gënjeshtrat e Nexhmije Hoxhës? Empty Miranda HAXHIA:Kush do t'i vrasë gënjeshtrat e Nexhmije Hoxhës?

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 27, 2012 11:24 pm

Kush do t'i vrasë gënjeshtrat e Nexhmije Hoxhës?


Miranda HAXHIA:Kush do t'i vrasë gënjeshtrat e Nexhmije Hoxhës? U3_miranda_haxhia
Miranda HAXHIA


Ndoshta kjo është pyetja që mundon më shumë se çdokënd tjetër, vetë Nexhmije Hoxhën.
Kur një pushtet i tërë u ndërtua mbi krimin ndaj njerëzimit, kjo pyetje shkon drejt e në thelb, aty ku gatuhej krimi, në kupolën e Partisë së Punës të Shqipërisë. Krimi dhe jetët e vrara janë masa e vërtetë e dështimit të një shteti. Dhe çdo krim i asaj diktature ishte krim kundër njeriut.
Diktatura është shembur prej njëzet vjetësh, por e hidhura e asaj që gëlon ende sot është riciklimi sipas dëshirës dhe sipas një formati po aq të dëmshëm, i kujtimeve mbi atë diktaturë. Krimi, është po ai, veçse nuk kryhet në jetë njerëzish, por në mendjen dhe kujtesën njerëzore.
Këtë shije më lënë kujtimet e Nexhmije Hoxhës. Si duket ajo e ka të qartë se nëse një njeri vret një tjetër quhet vrasës dhe futet në burg. Po ashtu ka kuptuar se ai apo ata që vranë në masë hynë përgjithmonë në histori.
***
Nga mënyra si botohen kujtimet e saj, kuptohet që ka gjithë mekanizmat ndihmëse për të shkruar dhe botuar një libër, aq sa do ta kishte zili çdo shkrimtar që ëndërron të botojë pa mundime, apo një studiues i moshuar që nuk ka fuqi e mundësi të shkruajë, të redaktojë, të publikojë studimet e veta.
Ka shumë njerëz të letrave që janë të privuar nga kënaqësia e botimit. Por janë më të besueshëm me fjalën dhe të ndershëm me atë që shkruajnë. Pasi edhe jeta e njerëzve të letrave vjen e fisnikërohet pak e nga pak e krijon atë përfundim të pakundërshtueshëm për integritetin e tyre ndër lexues.
Nexhmije Hoxha është kujdesur shumë për rikrijimin e mitit të diktatorit Hoxha.
E kisha krijuar prej kohe idenë se hidhësira e kujtimeve të zonjës së parë të bllokut shkonte shumë larg, ajo ishte një gënjeshtër e ligë, nga fillimi në fund, por jo pa qëllim. Deformimin e kujtimeve ajo e bën për çdo rast dhe për çdo personalitet, sidomos kur janë personalitete të padiskutueshme. Si me magji, ajo fut në krah të ndonjë çasti jete të njerëzve të shquar edhe Enverin e saj "të mirë", "të zgjuar", "njerëzor".
Shembulli më i qartë është deformimi që i ka bërë kujtimeve në lidhje me Lasgush Poradecin.
Lasgushi i kishte rrëfyer mikut të tij, autorit Tomi Mato më 1983, dy vjet para se Enver Hoxha të vdiste: "U njohëm në gjimnazin e Tiranës, në vitin 1937. Unë isha 12 vjet më i madh, isha më i shkolluari, kurse Verua erdhi nga Parisi, ashtu 'tabula rasa'. Kolegët e tallnin: 'Tutkun', i thoshin. 'Të kanë vajtur këmbët e jo koka në Paris. T'i shtrydhën trutë putanat...'. Mua më vinte keq. E shoqëroja, më kupton, më vinte keq ndaj e shoqëroja se të tjerët i ishin larguar. Një ditë se ku i kishte gjetur dy librat e mi 'Vallja e yjeve' dhe 'Ylli i zemrës'. Më tha disa vjersha përmendësh prej tyre dhe m'u lut t'i shkruaja diçka me dorën time në libër dhe ai ta kishte si kujtim nga njeriu që iu gjind, kur të tjerët iu larguan. Ia shkrojta. Ai më përqafoi dhe më ftoi për darkë në shtëpi. Tri herë më ftoi, por nuk i vajta".
Është bashkëshortja e Enver Hoxhës, besnike pas vdekjes, ajo që rishikon e kujdeset për kultin e të shoqit. Kur Pallati i Kulturës së Pogradecit do të merrte emrin "Lasgush Poradeci", pas vdekjes më 1987, në muzeun e qytetit vjen një letër nga Nexhmije Hoxha me titull: "Nga kujtimet e shokut Enver për Lasgush Poradecin". Aty shkruhej: "U interesova për Lasgushin pranë shokëve të Partisë dhe më thanë se është mirë me shëndet... E kam njohur para lufte, kur isha profesor në gjimnazin e Tiranës... Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të jetonte i vetmuar. Dikur dilte dhe bashkohej me ne".
***
Të më falë lexuesi për gjykimin tim, por poetin e madh Lasgush Poradeci nuk e njoh as për gënjeshtar, as për gërrnjar; ndërsa E.Hoxha ka patur me mijëra shembuj ku ka shfaqur sëmundjen e tij të gënjeshtrës, hipokrizisë. Fati i keq është se këto shenja janë transmetuar edhe te bashkëshortja e tij.
Kujtimet e Nexhmije Hoxhës më bënë përshtypje edhe për një fakt tjetër. Ajo përmend në librin e saj me kujtime miqësinë që ka patur me Margarita Tutulanin e Margarita Tutulani nuk jeton që ta besojmë në kanë qenë vërtet shoqe e mike, apo jo; përmend miqësinë me Shejnaze Jukën, edhe kjo nuk jeton më, që të na bindë për miqësinë me Nexhmije Hoxhën; Pastaj kujton miqësinë që e lidhte me Ramize Gjebrenë, të cilën e vrau Enveri i Nexhmijes me shokët e tij me gjakftohtësi, pa iu dridhur syri, si "djalle" që i kishte tepruar gjatë luftës; Kujton Naxhije Dumen që ishte e para ministre femër në Shqipëri, e që për 54 vjet ajo përjetoi gjithë përbuzjen e pushtetit komunist. Liri Belishovën, që po ashtu pati një kalvar gjysmëshekullor vuajtjesh në internim duke marrë pas vetes dhe fatin e gjithë familjes Belishova. Fiqrete Sanxhaktari-Shehun që ndoshta iu bë shoqe dhe pati miqësi të gjatë me Nexhmije Hoxhën, por nuk mund të mos e provonte fatin e të tjerave. Përfundoi në një armike, spiune, tradhtare e çifti Hoxha nuk mund të jetonte pa parë edhe shkatërrimin e saj dhe familjes Shehu. Vetëm Vito Kapo i ka shpëtuar konceptit të "miqësisë" së zonjës Hoxha.
Çfarë miqësie është kjo, kur të gjitha, përjashto emrin e fundit u vranë, u shkatërruan, u dënuan nga diktatori, ish-bashkëshorti i shkrueses së kujtimeve? E dëgjonte zonja Hoxha ndonjë këmbanë që binte e i shkëpuste lidhjet me shoqet e saj?
Kush do ta vrasë sindromën e Nexhmije Hoxhës për të shkruar kujtimet sipas qejfit, të mbushura me lloj-lloj operacionesh dhe modifikime ngjarjesh në funksion të rikrijimit të një miti, atij të Enver Hoxhës?
Atë mund ta vrasë vetëm historia dhe dëshmia e vërtetë. Efekti kohë që kalon dhe gjurmët që mbeten gjithmonë e më pak, nuk mund ta shpëtojnë vrasjen e një diktature. Sado të rreket ajo apo njerëz që ndihmojnë në gjallimin e këtij lloj helmi- kujtimesh- është një Shqipëri që nuk i ngjan asaj që krijoi bashkëshorti i saj.
Shqipëria që sot prek 100-vjetorin e Pavarësisë, nuk do të humbasë asnjë detaj të historisë, me gjithë zhdukjet, vrasjet, mohimet, modifikimet që i bënë njerëzve të shquar e me emër, njerëz, për të cilët diktatura u përpoq me zell për t'i zhdukur nga kujtesa kombëtare.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi