Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Shko poshtë

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash Empty Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 2:45 am

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash U1_ballina
NUHI POTOKU
NË BALLË FURTUNASH
(Poemë kushtuar Avdi Ramocës)

Besianë, 2009

Redaktor: Muhamet Reçica
Recensent: Milazim F. Kadriu
Botuesi: Autori
Ballina: Burhan Blakqori
Shtypi: "TREND" Prishtinë
KUSHTESë FAMILJES Së AJET MEHANëS,LLAPJANIT I CILI ISHTE I SHPëRNGULUR NGA KOSOVA Në TURQI DHE JETONTE Në ÇENEKALA I CILI PëR KATëR VITE E MBAJTI AVDIUN DHE KUSHERININ HAMITIN Që E VRAN MILLAN UROSHEVIQIN-KAPETANIN DHE GJITHë ATYRE Që I STREHUAN,USHQYEN DHE I NDIHMUAN ATDHETARëT TANë Në KOHëT Më Të VëSHTIRA.
AUTORI
[size=12]Kjo poemë botohet me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Avdi Ramocës ,10 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe një vjetorit të Pavarësisë së Kosovës NXJERRJA Në DRITë E PERSONALITETEVE KOMBëTARE Pas prezantimit të suksesshëm para lexuesve me poemat për atdhetarët Shaban Shala, Zahir Pajaziti, Hasan Ramadani, Isë Mërnica dhe disa përmbledhje me poezi, krijuesi llapjan, Nuhi Potoku, vjen me poemën e re për një trim të Grykës së Mavriqit, Avdi Latifi, i njohur si Avdi Ramoca. Gjithë poemën autori e mbështet në të dhënat nga njerëz të vjetër që e kanë njohur Avdiun dhe e kanë ditur veprimtarinë e tij si dhe nga familja e tij. Poema "Në ballë furtunash" e Nuhi Potokut flet për një personalitet që i ka kontribuar mjaft me vepra të mira një territori të rëndësishëm të Shqipërisë etnike. Nëpërmjet kryepersonazhit dhe aktivitetit të tij autori e qet në shesh veprimtarinë atdhetare të Avdi Ramocës dhe të shumë bashkëveprimtarëve të tjerë në ruajtjen e kufirit dhe luftërat e zhvilluara në mbrojtje të atdheut. Autori ka arritur të nxjerrë në dritë personalitetin e Avdi Ramocës që gjeneratat e reja pak ose fare pak kanë ditur për veprimtarinë e tij atdhetare, i cili ka shërbyer me vite e dekada si një luftëtar i dalluar për ruajtjen e kufirit dhe çlirimin e territorit nga okupatori. Për të prezantuar sa më saktësisht veprimtarinë e Avdi Ramocës autori poemën e ka ndarë në njëmbëdhjetë pjesë, ku në secilën nga to bëhet fjalë për aktivitetet e tij të shumta dhe bashkëpunimin me luftëtarë dhe patriotë të tjerë të kohës, si Isë Boletini, Hys Popova, Azem Bejta e trima të tjerë të Llapit e më gjerë. Që në pjesën e parë të poemës përshkruhet personaliteti i Avdi Ramocës që nga lindja, për të cilin ishin gëzuar shumë farefisi, sepse lindja e një djali konsiderohej një pushkë më shumë në mbrojtje të atdheut. Pastaj flet edhe për trimat e tjerë të mëhershëm nga kjo familje. Në vazhdim bëhet fjalë për luftërat e zhvilluara në mbrojtje të kufirit te Guri i Uglarit, e ku vazhdimisht aty ishte Avdi Ramoca. Njëra ndër këto luftëra të zhvilluara është edhe ajo kur heroikisht bie në mbrojtje të kufirit një luftëtar i njohur i kësaj ane, Halit Tashefci. Edhe thirrjes së Isë Boletinit për luftë në Kulinë për ta shporrë turkun nga aty, Avdi Ramoca mbledh trima të Malësisë së Llapit dhe i shkon në ndihmë. Avdi Ramocën e gjejmë edhe në Popovë, kur Hys Popova në kullën e tij ngriti flamurin kombëtar. Kjo ngjarje ka ndodhur para ngritjes së flamurit në Vlorë. Më pas ai merr pjesë edhe në tubimin e mbajtur te Lisat e Kurullovës apo në Kodrën e Flamurit, ku u mbajt Kuvendi i lidhjes së besës në mes të Llapit dhe Shalës për ta luftuar okupatorin. Në këtë kuvend morën pjesë1000 trima nga Llapi dhe 500 nga Shala, e ku prezenca e Avdi Ramocës dhe fjala e tij u ndoqën me interesim të madh nga të pranishmit. Avdi Ramocën e gjejmë si pjesëmarrës aktiv i Kuvendit të Murgullës, kuvend i njohur ky për bashkimin e çetave kaçake dhe mobilizimin e tyre për luftëra të reja kundër okupatorit. Në këtë kuvend ka marrë pjesë edhe prijësi i çetave kaçake, Azem Bejta. Në vazhdim të poemës autori na e përshkruan edhe rastin kur xhandarët e Millan Urosheviqit (i njohur si Millan Kapedani) me urdhrin e tij e rrahin Beçir Kiçmarin në Pollatë vetëm pse ishte mik i Avdi Ramocës. Ky rast e kishte pezmatuar edhe më shumë Avdiun në Millan Kapedanin. Millan Kapedani nga ana e Kralit ishte caktuar kryetar komune në Pollatë, i cili çdo ditë e më shumë rriste presionin dhe keqtrajtimin ndaj popullatës së kësaj ane. Mirëpo, këto presione Avdiu nuk i duroi dhe një ditë ia pagoi hakun atij. Kështu një ditë pasi ishte fjalosur me të, Avdiu merr pushkën dhe i del në pritë kur ai kthehej nga Pollata. Me të kishte shkuar edhe kushëriri i tij, Hamiti. Avdiu kreu detyrën që i kishte parashtruar vetes. Kreu detyrën patriotike për të cilën e përgëzuan gjithë Malësia e Llapit e më gjerë. Pas këtij rasti Avdiu dhe Hamiti largohen përkohësisht nga vendi duke shkuar në Turqi tek Ajet Mehana. Atje qëndrojnë një kohë, por Avdiu nuk mund të qëndronte atje, e sidomos pasi e mori vesh se në shtëpinë e tij e kishin vendosur një serb nga Banja e Kushumlisë, të cilit edhe ia kishin bërë tapi tokën dhe shtëpinë e Avdiut. Të kota ishin lutjet e Ajet Mehanës që të mos kthehej, sepse rreziku për të dhe familjen e tij ishte e madhe, por Avdiu kishte vendosur që të kthehet në Sllatinën e Mavriqit dhe ta largojë nga shtëpia e tij serbin e vendosur aty. Ai u vendos sërish aty, sepse ai nuk dinte çka është frika, ku shpesh thoshte: "Nëse vritem unë, luftojnë rinia, derisa në Kosovë të vjen liria". Ai nuk e përfilli asnjë dokumentet që pushteti i okupatorit i kishte dhënë serbit të vendosur në tokën e tij. Kështu Avdiu u kthye në shtëpinë e tij, duke jetuar aty dhe duke qëndruar edhe pasardhësit e tij, duke i qëndruar besnik çdo herë ruajtjes së vendit dhe rojë kufirit të shqiptarisë. Nëpërmjet vargjeve të poemës lexuesit i bëhen të njohura shumë të dhëna, të cilat nuk kanë qenë të njohura më parë. Kjo bëhet edhe më interesante, sepse nëpërmjet detajeve historike arrihet për t’ u inkorporuar edhe pjesa e Llapit në tërësinë e historisë kombëtare shqiptare, ku edhe Avdi Ramoca zë vend si njëri që dha kontributin e vet për lirinë e Kosovës. Nuhi Potoku në poemën e tij "Në ballë furtunash" Avdi Ramocën na e paraqet si një personalitet të guximshëm, të urtë dhe të pathyeshëm, që ishte i gatshëm të jetë çdo herë aty ku e kërkonte vendi. Në këtë poemë Avdi Ramocën e gjejmë si një luftëtar e si familjar të denjë, që luftoi gjithnjë për të ruajtur nderin kombëtar, dinjitetin dhe prestigjin familjar, fenomen ky që e ka shpëtuar popullin shqiptar nga zhdukja e përgjithshme në historinë e tij të gjatë, ngase ka qenë i okupuar me shekuj nga okupatorë të ndryshëm që janë ndërruar njëri pas tjetrit. Avdi Ramoca jetoi në atë anë të atdheut ku tentimi i okupatorit serb ishte çdo herë të gllabërojë tokat shqiptare, siç kishte vepruar në më se 700 fshatra të Sanxhakut të Nishit dhe Leskovcit, duke dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore, por këtu ashtu nuk u doli, sepse kishte djem që mbronin interesat kombëtare shqiptare për të mbijetuar dhe mbrojtur trojet stërgjyshore. Në luftërat e zhvilluara në kufirin shqiptaro-serb, sidomos në ato të zhvilluara te Guri i Uglarit, Avdi Ramocën autori e nxjerr si një luftëtar trim që ishte në istikame çdo herë me bashkëluftëtarët e tij. Okupatori në Llap asnjëherë nuk është konsideruar si pushtet, e këtë e shohim edhe nga poema, ku Avdi Ramoca nuk e konsideron si pushtet Millan Kapedanin, të cilin e vret pa hezitim, me gjithë rrezikun që mund t’ i kanosej atij dhe familjes së tij. Treva e Llapit gjithherë ka qenë më e rrezikuara në çdo kohë dhe situate, e sidomos krahina e Mavriqit që ndodhet në kufi me Serbinë. Avdi Ramocën në poemën e Nuhi Potokut e gjejmë edhe si kundërshtar të denjë të tendencave invaduese të Serbisë për të zbrazur Kosovën me anën e kolonizimit, ku xhandarët përzinin shqiptarët nga trojet e veta, duke u dhënë dokumente për të shkuar në Turqi. Edhe pse vetë Avdiu jetoi një kohë në Turqi, atëherë kur vrau Millan Kapedanin, ai i qortonte shqiptarët atje që i kanë lëshuar tokat e tyre dhe apelonte te ta që të kthehen sërish në Kosovë. Ai pavarësisht rrezikut, u kthye dhe e përzuri serbin, të cilin e kishin vendosur në shtëpinë e tij, e u vendos sërish aty.
Revuçë, 24 janar 2009 Milazim F. Kadriu

PAMJA E VEPRA TRIMËRISHT I FOLI
1.
Kur Avdiun Zoti e fali
Plot atë kullë e mbushi djalë
Krisën pushkët, u lëshuan oshtimat
Për adet kur lindin trimat.

2.
Nga gjithë fisi merr uratën
Gjatë tërë jetës të ndjekë të bardhën
Kundër okupatorit çdo herë
Ta përdorë pushkën e shpatën.

3.
I pari i fisit urdhër jep
Një lis i drejtë të prehet për djep
Tregon trimëri në kral e mbret
Për liri të vendit të vet.
4.
Përkundej nga nëna në djep
Si fëmijë me pamje të rëndë
Pa kaluar shumë muaj a vjet
Filloi të ecë me hapa të rrallë
Si i vogël me rrudha në ballë.

5.
I dëgjonte burrat pranë oxhakut
Kur për trimëri mbanin fjalë
Për atdhe të veprohet mbarë
Peshë i kishte ajo fjalë.

6.
Kombin e fisin i dinte për t’ vetin
Plisin e bardhë e kishte për qejf
Gjithë katundet e ati Mavriqi
Prej të parëve, burra të mëdhenj
Mbante besën e burrërinë
Kudo gëzonte simpatinë.

7.
Edhe më i hershëm lis i këtij fisi
Që me gjak e ngjyrosi plisin
I këndohej në kulla deri n’orë të vona
Herë me lahutë, herë më sharki
Halil Ramocës për trimëri.
8.
E ka njohur Llapi anembanë
Avdi Ramoca, dai i kanë thënë
Burrë i zoti shpatullgjerë,
Në tirq të zi me gajtanë
Pushkën gati, përherë në këmbë.

9.
Bartte rreth brezit shokën e larme
Me ferment atë xhamadan
Në kokë krenar plisin e bardhë
I Sllatinës së Llapit pika e trimit
Njerëz si ky iu deshën kufirit.

10.
Sy skifteri kishte nën vetulla
Fytyrën e ashpër të një malësori
Kush për të keq emrin s’ ia mori
Pamja e vepra trimërisht i foli.
TE GURI I UGLARIT

TRIMAT DALIN SHPEJT SI ERA
1.
Ç’ janë këto krisma n’ Uglar te guri
Janë mbështetur shqiptarët për muri
Shkiet n’ karakoll ia kanë mësy
Lehtë do t’ia arrijnë e kanë marrë në sy.
Sikur trima të mos ketë
Që tokës shqiptare t’i dalin zot.
2.
Shkojnë e s’kthehen gjallë do burra
Që me shkie t’ mos kemi ura
Që të mos fiken unët në konaqe
I kurdisin pushkët në faqe.
3.
Shumë e madhe u çua potera
Po i vijnë kufirit llapjanët si era
Halit Tashefci me pushkë në sy
Nuk lëshon shka me hy n’kufi.

4.
Me zë të lartë e lëshuan kushtrimin
- Nëse i afroheni këndej kufirit
Shki e shkina kanë me ju vajtu
Me dy mendje s’ kemi ardhur këtu
me iu kthye të gjallë shtëpisë
Po do të mbesim gurë të shqiptarisë.

5.
Pyetnin trimat shoku-shokun
A është këtu afër Avdi Ramoca?
- O krah të djathtë këtu më keni
Bashkë me trimat anembanë
Sikur të jemi në Shqipërinë nënë.

6.
Qysh po të rrinë ata shkie para teje
Paskan pi e llavë po vijnë
Çka të bëjmë që e humbëm Toplicën
Se këtu sot do t’ua poshtërojmë kapicën.
7.
Po shkon këngë, po shkon bërtimë
Thirrja "përpara vëllazni" tmerron shkininë
O sot vetë flet istikami
Sa një bjeshkë sot Avdi azgani.
Me zë të madh heroi i këtij guri
Vriten shkiet prej Halit burrit.

8.
Sa herë rrezikohet vatani
Trimat ngriten në këtë rrethinë
Kur luftojnë llapjanët trima
e bëjnë namin e kërdinë.
Në Kushumli zëri shkoi për beter
Pushka e trimave jetën po ua merr.

9.
Një shka Halitit i ka shpëtuar
Sa rëndë i erdhi këtij burri:
- O mos me të rrokë plumbi i pushkës
Me dorë të zë të kafshoj me dhëmbë!
E paska rrok qenin pak në këmbë
I dha zor hipi n’ karakoll
Një shka i plagosur në gjoks e qëlloi.
10.
Heroikisht te guri i kufirit
Bjen dëshmor i lirisë
Shembull për gjeneratat që vijnë
Si duhet mbrojtur kufijtë
dhe nderin e shqiptarisë.

11.
Kush është ky njeri
Që me pamje e me zë i prishë
- Ky është zëri i Avdiut
Iu afrua Halitit trimërisht i foli:
- Trimëria, vëlla, këtu të solli.
E shtrëngoi e puthi në ballë
Në gjoks plumba paske marrë!

12.
Këtë tokë ne e kemi tonën
Të parët na e kanë lënë
As s’ e shesim, as s’mund ta falim
Me gjak shpesh gurët e kufirit i lamë
Dhe këtu mbetën emri e nami
Trim pas trimi jetën e dhanë.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash Empty Re: Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 2:51 am

13.
Avdia trimërinë trashëgim e ka
Që nga fisi e familja
Një zë të lartë ai e lëshoi:
- O, duhet të hakmerremi sot, o burra
Për Halit Tashefcin!
14.
Le ta dinë mal e fushë
Për Halitin po qesim pushkë:
- Kthehuni shkie, ne s’ bëjmë hoka
U ka dalë në ballë Avdi Ramoca.
15.
Për këtë trimëri n’ guri të Uglarit
Nga Guri i Bardhë në këtë anë
kanë ardhur tre të bijtë e Talit
I larguan shkiet mbatanë.
Guri i kufirit rëndë po flet:
Halit Tashefci me gjak më ujiti
me gjakun e shqiptarisë
Lavdia t’ u përcillet brezave
Në vitet e historisë.
GRYKËS PLOT LAKINA
AVDIU SHKON NË LUFTË TE KULINA
1.
Sa herë vendi thirri trimërinë
Avdi Ramoca ishte në ballë
merrte manxeren e alltinë.
Ka thirrë Isa Boletini te Kulina:
- Ta ndjekim turkun kah Prishtina
Se n’ robëri më s’ mund të rrimë.

2.
Thirren trimat që luftojnë për këto troje
Që për të mirë zihen në gojë
Që askush të mos na bëhet
sundimtar nëpër oborre
Të na shkelin e të na bëjnë horë.
3.
Mbledh djemtë Avdiu
Që në luftë të shkojnë
Shumë trima në Grykë të Mavriqit
Janë tubue pa pritesë.
N’ kali vranq Avdia u gjue
- Thrret vatani, s’ka me u kujtue.

4.
Veshja kombëtare i kishte hije
Me një qëndrim dhe një të folur
Që rrallë ta shohësh e rrallë ta ndiesh.
Lëshohet Grykës plot lakina
Pas i shkonin shqiptarët trima.
5.
Erdh Mavriqi po hyn në Kulinë
Përpara e çojnë gjithherë trimërinë
Betim në Zotin për shqiptarinë
Ia shtojnë Llapit krenarinë.
AVDI RAMOCA NË POPOVË ROJË FLAMURI
1.
Çka ka thirrë ai Hys Popova
Na erdh te kulla miku Avdi Ramoca
Pikë e pikë burra thirren në kuvend
Me njerëz të dijes, të pushkës e të mallit
T’i dalin zot këtij vatani.

2.
Po e bëjmë tonën, flamurin ta ngrisim
Kush s’ e do i plasin dy sytë
Mbi kullë të Hysit të valëvitet mbarë
Ta përcjellë faqja e bardhë.

3.
Janë tubuar të njohur do burra
Që dalin në skenë kur ka furtunë
Nga Mavriqi burrat kanë ardhur
Në çdo tubim janë faqja e bardhë
E kanë dijen e trimërinë
Ua shtojnë kullave krenarinë.
4.
E merr ngryk Hysi Avdi Ramocën
E kemi fjalën, e kemi kohën
Shumë përmallshëm shtrëngojnë duart
Me lot në sy puthin flamurin
Djalë pas djali ta kemi mbi kulla
Ta trashëgojmë të gjithë, o burra.

5.
Në kullë shqiptare në Popovë, në Llap
Flamurin kombëtar sot po e ngrisim
Një luftë të madhe po e nisim
Po kjo fushë me gjak njomet
Sa herë shqipes i rrezikohen trojet.

6.
Gjithherë njerëzia të mos harrojnë
Ndoshta kullën ma rrafshojnë
Por zemrat mal të këtij populli
Nuk munden dhe nuk guxojnë.

7.
Për jetë të jetëve flamurin ta gëzojmë
Thith cigaren rrallë, por thell
O Zot, besëprerë kush të mos na dalë
S’ka qysh bëhet
veç qysh është mbjellë.
LLAP E SHALË LIDHIN BESË NË KODRËN E FLAMURIT
1.
Isë Boletini lëshon kushtrimin
Për liri thërret çdo trim
Mjaft jetuam vetëm me shpresë
Duam të dalim të lidhim besë
Llap e Shalë për besë të burrit
Vendtakim n’ Kodër t’ Flamurit.

2.
Kanë ardhur të lidhin besën Llap e Shalë
Në luftë për çlirim të na prijë e mbara
1000 veta janë tubuar nga Llapi
500 të tjerë kanë ardhur nga Shala.

3.
Është mbushur bardhësi ajo kodër
Nga të katër anët shumë burra
Pyesin trimat kush është ai burrë
Që të gjithë i përshëndet me dorë në zemër
Është trimi nga Sllatina e Llapit
Avdi Ramoca i thonë me emër
Për liri ka të madhe zemër.
4.
I shkëlqen plisi plot bardhësi
Të mos na dhimbëset jeta jonë
Në liri të rriten djemtë tanë.
5.
Mos ta harrojmë Toplicën
Se nuk është fort moti
Na mallkon dheu, gjaku, varret
Na mallkon edhe Zoti.

6.
Llap e Shalë erdhën në kuvend
Që askush kështu s’ e mban mend
Ta bëjmë shtetin tonë një herë
Të gjitha të tjerat vijnë me rend.
7.
Mori fjalën Avdiu e po thotë
Po një vërejtje unë e kam
Ato pushkët e lira
Që po vijnë nga Serbia
Në ditë gjë ky Avdi Ramoca
Aty e ka kërthizën tradhtia.
8.
T’ i hapim sytë, o burra
Të mos nxehemi shpejt
Po çfarë ndihme po pritni prej Serbisë
Pak më shumë se 30 vjet
Ajo na mori Toplicën
E si t’ i besojmë kapicës.
9.
O vëllezërit e mi, mendoni një herë
E humbëm Toplicën
Të mos humbim edhe këtë herë
S’ lejojmë troje të tjera
Serbia të marrë.

10.
Të gatshëm për të qëndruar
Për vendin tonë jemi të gjithë
Në dimër e në verë
O zot, tradhtia të mos ketë vend
Ndër ne asnjëherë.
TRIMAT E LLAPIT RRETH E PËRQARK,
KUVENDI I MURGULLËS KAÇAKËT I BËNË BASHKË
1.
Shkinia në Llap diçka janë çuditur
Pse këto lëvizje sikur retë në qiell
Në grykë të Llapit krerët janë mbledhur
Lëvizjen Kaçake populli e sheh si diell.

2.
Janë tubuar shumë kaçakë
Maleve të Llapit rreth e përqark
Ia kanë mësyrë odës së Ramë Sabedinit
Sy skifterit, besa e trimit.
3.
Kanë bërë mendjen të bëjnë kuvend:
-Regjim shkau këtu s’ka vend
Nuk do mbesin trojet e shkreta
Përshëndet kuvendin Azem Bejta.

4.
Fjalë pas fjale vazhdojnë kuvendin
Avdi Ramocës i vjen rendi
Ta marrë fjalën para burrave
Është prej atyre që s’iu ik furtunave.

5.
Ia ngul sytë aty çdo burrë
Fjala e tij e bime gurë
Llapi ynë në luftë me shka
Nuk kursen njerëz dhe asgjë
Flijohemi për liri deri në një.

6.
Avdi Ramoca qofsh me nder
Për grykëngushta të kemi përherë
- T’ u lumtë goja Avdi Ramoca
Kësi trimash duhet të ketë Kosova.
-Ka pasur trima dhe do të ketë
Nëse e ndalim qëndresën, o burra
Kosovë s’ka më,
S’ dinë të ndalen këta kaurra.
S’ MË QËLLOI, MOTËR, AS SHTAGË NË DORË
SE KJO KURRË S’ MË KISHTE NDODHUR
1.
Gjithherë të etshëm për farë e fis
Ashtu të lidhur për miqësi
Beqir Kiçmari nga Lladovci
U nis ta vizitojë motrën e tij
Dhe mikun Avdi Ramocën
Që e kishte në Sllatinë të Llapit.
2.
Lëshoi Pollatën u drejtua për Sllatinë
Kishte lëshuar Krali pushtetin e vet
Rrihte burra, gra e pleq
Për shqiptarët mendonte keq e më keq
Tjetërkund, thoshte, të bëjnë jetë.
3.
U takua me Millan Kapetanin
I shoqëruar nga pesë xhandarë
S’di dreqërit vesh nga e kishin marrë
Se Beqiri mysafir kishte ardhur.

4.
I përshëndet Beqiri sipas traditës
Shpejt një e dhënë doli në fushë
Në Avdinë kapedani ishte mbushur
Po pret rastin kur ta gjejë ngushtë.

5.
Pyet Beqirin kapedani
A ti je miku i Avdisë
Xhandarëve shenjë u dha
Me ia rrah mikun e shtëpisë
Ta afrojë më afër belanë
Se vetëm të shikohen keq
S’ ia vlen barra qiranë.

6.
E rrahin xhandarmëria Beqirin
Po edhe kapedani vetë
Hajt tash përshëndete Avdinë
I përgjakur kështu në hundë e gojë
Të të shtie nën dru kapedani
Kjo nuk ishte lojë.
7.
E lanë të shtrirë kështu Beqirin
Dhe thyen qafen teposhtë rrugës.
- O zot, në çfarë gjendje më prunë
Po mendon Beqiri vetmëvete
Të kthehem në shtëpi këmbët s’më bëjnë
Të shkoj te motra rëndë po më vjen.

8.
U ul në mal, pushoi pak kohë
E lau gjakun në kroin me ujë
Këtë gjendje s’e kishte menduar
Kapedani këtë do ta paguajë.

9.
U nis rrugës Beqa përpjetë
Për të mbërritur te motra e tij
I duel motra ngryk e mori
- Po ku t’ kam, Beqir Sokoli
-Fort mirë, motër, fliste prej zori
Po pas pak po i tregon
Nuk jam mirë, motër, po i thotë
Nga xhandarët e kapetanit
Rëndë jam rrahur unë sot.

10.
Atëherë motra e përben në dinë
Ia lëshon sytë mirë ta shikojë
Ish ai Beqa në sy e fytyrë
Si të ndodhi, vëlla, kjo bela.
-Shuaj, moj motër, nuk ka çka.
11.
Rrugës, motër, pak pa ardhur
U ndesha në kapedanin me xhandarë
Dhe më pyeti kah ia ke mësyrë
Unë i thash te Avdia i Ramocëve
Ai me sy ua bëri shokëve
- S’ më qëlloi motër as shtagë në dorë
Se kurrë kjo s’ më kishte ndodhë.

12.
Më tha, qeni, pasi po shkon
Te Avdia mysafir
Bëni të fala e ti bëfsh më mirë
- Të lutem, vëlla, Avdiut mos me i tregu,
Ka do kohë me ta punët s’ i ka mirë
Me atë thi kapedan Millanin
Ky s’po do t’ i bjerë n’ aman
T’ i kërkojë të falur,
të kaluarën ta lënë.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash Empty Re: Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 2:52 am

13.
- Po e mori vesha Avdia
Këtë të keqe që t’ndodhi sot
Ta jap motra besën e Zotit
Ka me dalë me u hakmarrë
E ti nesër te motra s’ke ku me ardhë,
Na presin shkiet me çka kemi të gjallë
Duhet me prit naj ditë ma të bardhë.

14.
Po s’ më the, motër, Avdia ku është
- Ka shkuar, vëlla, larg në një pleqëri
Edhe dy ditë s’kthehet në shtëpi.
15.
E pret një delme të majme
Dhe e fut Beqirin në lëkurë
Ta mjekojë prej drurit të kralit
Që shpesh ia jepnin shqiptarit.

16.
U mjekua Beqa dy ditë e dy net
Bëri më mirë e shkoi në shtëpi
- As ti, as unë Avdisë të mos i tregojmë
Për këtë rrahje hakmerrem vetë.

17.
Kur u kthye Avdia në shtëpi
-A ka qenë kush gruan po e pyet
- Ka qenë Beqa nja dy net.
- Po qysh ishin ajo anë
-Mirë, thoshte, s’ka qysh me kanë
Veç krali po na sunon.

18.
Ia preva një delme, i bana muhabet.
- Hallall të qoftë, mori grua
Shumë mirë paske vepruar
Mik për qejfi Beqa më ka qëlluar.
19.
Nuk është dashur, grua
pa ardhur unë ta lëshosh
- Tha s’kam më shumë ren.
Kishte punë që e prisnin
E të fala ty të ka bërë.

20.
Pas pak ditësh erdhi xhumaja
Niset Avdia të shkojë me u falë
E pyet dikush: Avdi, qysh je
Po mysafirin si ma ke
A i kaloi ajo farë flame.

21.
S’dinte për çka po e pyesnin,
por diçka të dyshimtë ka
- E kanë rrahur xhandarët Beqir Kiçmarin
Sipas urdhrit të Millan kapedanit.
Sa rëndë Avdisë i erdhi kjo
Si me i ra bjeshka mbi krye.
Uli kokën në shtëpi u kthye.

22.
I mërzitur u kthye në shtëpi
I duel gruaja te dyert përpara
Donte kalin t’ia marrë
- A mund erdhe, njeri, po i thotë.
Hiq Avdia nuk po i fol.
Fort mirë gruaja e kuptoi
Se Avdia vesh e paska marrë.
23.
Mori fisnike, diçka të më tregosh
A e ke ditur që kapedani
Ta ka rrahur vëllain ty,
mikun që konakut tim ia ka mësy.
- E kam ditur se kjo më gjanë
Me të tregue mendova s’ bën.
Ti me ta punët s’i ke mirë
E me ta mund të bësh fjalë
E mua me fëmijë
s’ më mbetet më të mbes gjallë.
24.
I bien me shkurtas gruas dy-tri herë
Pasi punën vesh e merr.
-Eh, more Millan shkau
Po m’i rreh edhe mysafirët
Që ia kanë mësyrë tek unë
Besa e Zotit, ka me të dalë punë
Në këtë grykë ja ti, ja unë.

25.
Është e ngushtë Gryka e Mavriqit
Nuk zë më shumë.
Le të punojë kapedani me ligjet e kralit
E unë me Kanun
Plumbat trupit kanë me i ba punë.

26.
E di mirë që e ke kralevinën
Po kurrën e kurrës s’ta kthej shpinën
Kemi me u ndesh ballë për ballë
Ardhtë kjo ditë dhe qoftë e bardhë.
NDALU PAK KAPEDAN,
AVDI RAMOCA KËSHTU S’ DURON
1.
Kur është vendi në robëri
E përcjellin popullin shumë ndodhi
Na erdhën shtete e pushtete
Çdo gjë kurdisën vetëm për vete.

2.
Mbushen vrerë atje në Serbi
Vijnë ta zbrazin n’ shqiptari
Marrin detyra të bëjnë zi
Kështu veproi edhe Millan kapetani.

3.
Shka i zoti, ta shohësh me sy
Azgan, qeni, deri aty
Me mustaqe e grada në krah
S’ dinte për frikë as për gjynah.
4.
Shumë e kishte hijen e rëndë
Sikur të donte të hajë me dhëmbë
Askush kile pa ia lënë
Dita e largët s’ka me kanë
Kur do dalë te shqiptarët n’ këtë anë.

5.
Fjalë të këqija era po i sjell
Millan Urosheviqi "presednik"
në Mavriq po vjen.
I kishte dalë zëri për të zi
Prijës i parë nëpër errfi.
6.
Kam do kushte shqiptarëve t’ua parashtroj
Kush s’ i kryen do të ketë punë me mue
Janë shqiptarë ata do t’ i bëjnë
Kanë kusure ato do t’i lajnë.

7.
Do të kërkoj te ta desh, lopë e cjep
Nëse thonë jo lëkurën ua rjep
Do t’ i prek në besë e nder
Do t‘u hyj pa thirr në derë.
8.
Pasi një ditë kapedani
ishte prishur me shkinë
Mendoi që me shqiptarë
Ta provojë trimërinë
T’ ua shkelë plisin, krenarinë.
I hypi atit në shpinë
Pas Shëngjergjit ra në Sllatinë.

9.
Kishte qitur në krah pushkën e tij
Në brez ngjiti thikë e allti
Iu duk vetja kuçedër më
Ia lëshonin rrugën njerëz e gjë.

10.
Mirë e njihnin kapedanin e zi
Mbillte frikë e tmerr nëpër njerëzi
Në punë të thella nisi me hy
Për të kurrgjë nuk kishte kufi.

11.
Si për inat ngrente shajkaqe
Kishte dalë në Llap të nxjerrë telashe
Kur e shihnin njerëzit kah vjen
Iknin prej tij binin në llagëm.
12.
"Presednik opshtine" në Mavriq
Krali këtë e kishte emëruar
Të vendosë të kralit pushtet
Të marrë grada sa të dojë vetë.

13.
Frikë e madhe dukej kudo
Kapedani ishte kërcënuar
Gjithkush frikësohej për fatin e vet
Haj, Serbi, pa kapedan mbetsh.

14.
Një ditë kapedani
Me Avdi Ramocën u takua
I cili për trimëri e burrëri
Nuk e kishte shoqin në atë anë
- Po a ty të thonë Avdi daija
- Po, kapedan, në tokën time jam.

15.
Eh, more Avdi, s’ po e dini fuqinë e Kralit
Dielli ynë po ua ngroh ballin
Dhe hëna që natën u shndrit
Duane Serbinë si dy sytë!
16.
Hiq Avdia nuk i jepte çehre
- Të ma bësh, Avdi, një bletë në koshere
Deri në Pollatë kam pak punë
Ndoshta për këtë herë nuk është shumë.

17.
Nënçmim të madh Avdia paska ndier
Të më shkojë bleta pa kurrfarë nderi
Këtë nuk mund ta lejoj
Dhe te arma mendja i shkoi.

18.
Në dorë e sillte qeni atë shajkaqe
Kësaj vere këtu kam konaqe
Deshën apo s’deshën kjo i ka gjet
-Për fillim, Avdi, qitma një bletë.
Që ta dish se krali këtu ka pushtet.

19.
Keq Avdia sytë ia ka lëshuar
Kapedani kështu nuk ishte mësuar
-Kah të kthehem kam me të kallëzue
Te ti, dai, kam me drekue.
20.
Vetmeveti foli kapedani
Shikim të keq Avdia më bëri
Sot e merr vesh ai kapadai
Se Millan kapedani është këtu zotni.

21.
Ndalu pak, more kapedan
Sikur për shqiptarë
Nuk po dishe shumë
Jemi njerëz të varfër
Pa shkollë e pa pushtet.
Por nderin e trimërinë
Këtej e kemi adet.

22.
Ani, kapedan, ti more dai
Asgjë të keqe s’kam pasur me ty
Kah të kthehesh këtej
Unë të bëj gosti.

23.
Shkoi në "opshtinë" kapedani
Sa shumë ishte trimëruar
Edhe rakia pak
E kishte qejfuar.
25.
U ndal pak Avdia
të mendohet si di
Me Hamit kushëririn të konsultohet.
Ardhja e kapedanit, or vëlla,
Mund të na shpeshtohet.
Një herë në rrugë
e nesër në shtëpi
Kjo s’mund të durohet.
26.
Po të na vijë puna ta ulim kokën
S’ ka çka na vyen
të na e japin krejt botën
Të na prekë shkau në nder e shtëpi
Është turp për ne
Turp për shqiptari.
27.
Avdia mori pushkën rrethatore
Shumë trimërisht doli prej ode.
Në Llap nuk jetohet defatore
- Kam me e zanë një pritë të mirë
Ta pres mysafirin që vjen pa thirrë.


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash Empty Re: Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 2:53 am

NUK KA MBETUR KJO SLLATINA E LLAPIT
TË BËJNË ÇKA DUAN XHANDARËT E KRALIT
1.
Me një krenari kapedani
Për të fundit herë e la Pollatën
U mësy, qeni, për Sllatinë
Mysafir ta takoj Avdinë.

2.
Zbrazte pushkë, zbrazte allti
I trenonte gra e fëmijë
Namë të shumta mori ai:
Do Zoti, more faqezi
U takofsh në ndonjë trim ti.
3.
Nisi me pushkë Avdia të bisedojë
Erdhi momenti me ty të përballohem
Hovin këtij t’ia ndaloj
Fjala e besa në vend të shkojë.

4.
Nuk ka mbetur kjo Sllatina e Llapit
Të bëjnë çka të donë xhandarët e kralit
Jemi të lidhur në besë e Zot
Të dalë si të dojë ne po e kryejmë sot.

5.
Mori pushkë, Avdia po i flet
Unë e ti sot jemi në gazep.
Ti sot duhet ta ma zbardhësh fytyrën
Të shkrepësh sakt si përherë
Burrave të Llapit t’ua ruash nderin.

6.
Të mos lejojmë që këtij kapetani
Në Serbi t’ i rritet zani
Që te krali ai të shkojë si zotni
Të kërkoj grada për trimëri.
7.
Nisi pushkën Avdia ta lusë
Dy-tri herë në kondak e puth
Sikur mamxerja atij i tha:
- Kënaqna shumë kur zbrazna në shka.
Nder kam sot kapedanin me e vra
Kam me krisë si kurrë më parë
Në lule të ballit
kam me i ra.

8.
Po vjen qartas ai kapedani
Mezi e çonte kali prej s’ rëndi
Vikat malësorçe Avdi Ramoca:
-O ku je, more Millan kapedani
A e do mjaltin që ma ke kërkue
Prej së ëmbli ka me t’ munue.
9.
Dorën në armë qeni deshi me e çue
Shpejt Avdia ia ka kthye:
- Kapedan ndal, mos u korit
Se kem do punë sot me i kallzue,
Kam me të dhanë plumba me dritë
S’ ke nevojë sot me u harqit.

10.
Po më vjen pak rëndë, kapedan
Që në katund timim kam qëlluar
Të kërkoj armët n’ tokë t’ i gjuash
Tash komanda më takon mue
Në gradë më të lartë s’mundesh me shkue.
11.
Deri sot grada ti pate
Në Sllatinë t’ Llapit ato i humbe
Ndoshta pija të ka dalë
E kthjellt je duke menduar
Në shtëpi tona ti ke ardhë
Po vret njerëz, shtëpia po kallë.

12.
Edhe errfinë e ke ndihmue
Të rrahin njerëz e të vrasin fëmijë
E në anën tjetër,more qen
po jep letra për Turqi
Jetën tonë po do me na e nxi.

13.
-S’di, harruam i kemi pasur do llafe
Të hyjmë brenda të pimë kafe
Mish pule e pije deri në gjysmë të natës.
-I pisket Avdia kapedanit të zi
Sot nuk kemi ren kafe me pi.

14.
I kemi do tjera muhabete
Ti, kapedan, hiq nuk je në vete
U prije yrrfive e çetave çetnike
Preje fëmijë në pragje të shtëpive
Vraje prindërit para fëmijëve
Digjje të gjallë mëhallë - mëhallë
Në dashtë Zoti pushka ka me të marrë.
15.
I fliste Avdia kapedan ziut
I cili kurrë më rëndë nuk ishte ndjerë
Atij i thoshin harambash Serbie
- Ku ma ke tash atë të mjerë trimërie.

16.
Më duket Zoti e shkroi në ezel
Avdi Ramoca i Llapit me të dhënë exhel
Nuk kemi kohë të presin gjatë
Pushka ime vetë do të flasë.

17.
Por, s’mund të ndahem, kapedan
Pa t’ i thënë edhe do fjalë
Kërkoje ato të mira
Për të cilat nuk kishim rene.

18.
Ish kanë kapedani shumë hilexhi
A bën, Avdi, falje të kërkoj
Të flasim hapur unë e ti.
Është Ramoca e fortë kabile
Po më vratë u la shumë hile.
19.
Po më falët sot s’ më sheh këtu ma.
Jo, kapedan, fjalët e mia nuk i ha
Këtu kam dalë të marr hak
Se azgan je shitur në Llap.

20.
Kapedan, mos luaj qerpikun
Shih shqiptari kah ta merr shpirtin
A po bindesh more dai
Se plumbi ta ngulë edhe ty.

21.
Pse ta dhanë gradën kapedan
Ke ardhur tash të më bish n’ aman
S’ më ka falë Zoti grada me fitue
Plumbat trupit ia ka drejtue.

22.
Ra në tokë qeni, kish hap gojë
E lëshoi shpirti duke thënë joj, joj
Qysh t’u duk, more i pasoj
Kur fëmijëve në djep
U qitshe prush n’ gojë.
23.
Kështu mbaroi kapedani i zi
Krime shumë kishte bërë ai
Tani mbeti i vdekur si mi
Shkoi si qeni të varroset n’Serbi.

24.
Po të kishte qenë ai më njeri
Të mos urrente gra e fëmijë
Nder do t’ i bëhej edhe atij
Siç di të bëjë kjo shqiptari.

25.
Kërkonte çka s’duhej t’ kërkonte
Sikur s’dinte ky dai
Askënd shqiptari s’e mban mbi kry
Përveç plisit të bardhë mbi sy.

26.
Para vdekjes s’donte të dijë
Se këtu në Llap vjen aromë Shqipëri
Këtu trimëria e vret ligshtinë
Pastron tokën, pastron shtëpinë.
27.
Kur e shohin shkinat kapedanin
Të shtrirë në tokë të mbuluar me gjak
Fillojnë ato të vajtojnë me zë
Kapedan nuk paska më.
28.
Me faqe të bardhë e me trimëri
E kreu Avdia detyrën e tij
Hoqi qafe këtë kriminel
Me kushëri Hamitin i doli n’pritë
Me kapedanin u hesapit.

29.
Këtë shqiptari e ka traditë.
Të vrasë armikun
Duke i dalë në pritë.
Mbarë Llapi dëgjoi për trimërinë
Kjo nderoi gjithë shqiptarinë.
KAPEDANIN E THIRRI TAKSIRATI,
ZOTI AVDIUT I ÇOI TAKATIN
1.
U hap lajmi nga çdo anë
Sllatina e Llapit vrau kapedan
Avdi Ramoca trim në sy
Shkrepi pushkën pa thënë dy.

2.
Lavdi të qoftë, more Avdi Llapi
Thotë me zemër çdo shqiptar
Kulla bëfshi, dasma e djepa
Nder e burrëri paçi ndër breza.

3.
Një Ajet Mehana i Llapit
Në Qanakkala të Turqisë
Kishte dëgjuar për këtë krismë
Për trimërinë e Avdisë.
4.
Po u çon fjalë llapjanëve të tij
Shumë për nder një punë ua di
Po ma sollët Avdinë n’ Turki
Te unë do të rrijë sa të dojë ai.

5.
Deshi Zoti Avdia e Hamiti
Shkuan në Turki te daja Ajet
Ua hapi derën e shtëpi
I nderuan për trimëri.

6.
Po qysh je, more Avdi azgani
E merr ngryk Ajeti, e iu mor zani
Po qysh, dajo, e vrave kapedanin e zi
Krejt Serbia është pas tij.

7.
E marrka ngryk Ajeti me lot në sy
- Të ndihmoi Zoti atë detyrë me kry
-More dajë, kapedani ish mbush kusure
I rashë mauzerë, i rashë kobure
Për trimëri s’i kish pas hie
Hala pa i ra kukama ju nie.
8.
Kam pas thënë s’del kush me vra
Jo, dajë, jo, asi shkau nuk ka.
- I lëmë shkiet, dajo, po qysh je
- Mirë, Avdi, po dy herë vdekur kam
Një herë kur e lëshova Kosovën
E s’ dyti që ende këtu jam.

9.
Besa- besë hupëm e u tretëm
Po prej dëshirës nuk kena dalë
Gjithmonë ju n’mendje u kemi
Presim ditën kur të kthehemi.
10.
Ajeti po e pyet Avdi Ramocën
Qysh, bre nip, e kemi Kosovën
- Po bën luftë nuk e pranon robërinë
N’ kam e ka krejt djalërinë.

11.
Qysh e kemi atë Llapin tonë
- Lis me shtrëngatë qysh ka me kanë
Po shumë rëndë, dajë, po më vjen
Ua lashë sherrin njerëzve në derë
Dy palë lot i shkuan përnjëherë.
12.
- Serbia, nemci e bugar
Në trojet tona na kanë ardhë
Me marr tokë e shtëpi falë
Sikur baba me ua pas lanë
Na kanë prekë ku ne s’durojmë
Edhe varret po na i kryqojnë.

13.
Po u vjen rëndë bardhësia e plisave
Po i vret madhështia e lisave
Nënat tona po lindin fëmijë
Dasmat bëhen në male e n’ shkrepa
Bëjmë mbijetesë nga robëri-zeza.
14.
Po çka të bëni ty Millan kapetani
Po, dajë, ai erdhi në Mavriq
"presednik opshtine" u bë n’ofiq
Jepte këmbën ku duhej dora
Donte të hynte pa thirr në oborr
Donte diellin ta kapte me dorë
Ia merrte mendja se ai është qielli
Që sa herë të dojë
Të vrajë e të kthjellojë.
15.
Po një ditë e thirri taksiratin
Ne Zoti, dajë, na e çoi takatin
Po të betohem, dajë, pasha dy sytë
Kujtua jam derisa pushkës ia kam ngjit.



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash Empty Re: Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 2:55 am

16.
Po qysh e kemi Mavriqin e Llapit
Copë çeliku në gojë të gjarprit
Po, a thua, cili shka oxhakun tim
Për të vetin e ka bërë
Në u kthefsha i gjallë edhe një herë
Plumba n’ballë kam me i dhanë.
17.
Në Qanakkala Avdi Ramoca
me kushën kaluan muaj e vjet
Po çfarë jete kjo në vend të huaj
Sa rëndë kjo ishte për ta
Ku as lindjet nuk janë lindje
E as vdekjet vdekje
As dasmat dasma…
Njëmend njeriu këtu
po vdiska shumë herë
E unë po nuk u ktheva
në Sllatinë të Llapit prapë
Do të vdes edhe shumë herë
e do të ngjallem përsëri.

18.
As nuk po i hahej buka
E uji nuk po i pihej
As gjumi nuk po e merrte
Për shtëpinë e vendin e tij
Malli shumë e kishte marrë
Llapin n’ ëndërr e kishte parë.

19.
Sikur n’ gjunjë ra të pijë ujë
I pa arat të mbjella me grurë
U zgjua herët t’i shohë oxhaqet
Hyri brenda i pa konaqet.
20.
E ndjeu thirrjen "A doni mysafir"
I pa njerëzit të ishin mirë
I pa burrat kah i ndërrojnë kutitë
Merreshin ngryk para dyerve të oborrit
Ah medet ky vakt i zorit.

21.
Sytë iu skuqën, cigare mbështolli
Sa rëndë ndihej krejt prej zori
S’ paska ku të shkohet prej tokës
Përtej oborrit, përtej shokës.

22.
Kohë e rëndë këtu shqiptarët i solli
Flaka i daltë këtij Stambolli
Pazar është bërë me qenien tonë
Rrënjët të na i shkulin sikur donin
Gjuhë e komb të na i shkatërronin.
23.
Kam mbetur këtu si në tehun e shpatës
Trupin e lirë e zemrën e robëruar
Më duhet të shkoj, dajë, deri n’ Pollatë
T’ i shoh burrat e këtij Llapit
Kah shkojnë e vijnë n’troje t’veta.
24.
T’ i shoh pleqtë, fëmijë e të rinj
T’ i shoh lindjet e t’i shoh dasmat
Atje edhe vdekjet e kanë hijeshinë
T’ua ndjej zërin burrave të Llapit
Kah përshëndeten n’ rrugë e gëzime
Për festa e për hidhërime.
25.
Këtu nuk paska për ne kurrgjë
Nuk i njoh e nuk më njohin
Njerëzit as toka nuk më pëlqejnë
Krejt i huej medet unë jam.
26.
Të lutem, o Zot, më kthe nga kam ardhur
Mall po kam të shoh plis të bardhë
Të shoh shqiptarë duke punuar
Edhe familjet duke i vizituar.
27.
As në xhamia nuk po luten shqip
More as puna e mbarë s’ po i thonë
Njëri-tjetrit
Në ara kur punojnë.

28.
Edhe për një përshëndetje shqipe
"A jeni, burra, si jeni" malli më ka marrë
Këtu lindin djem e pushka s’ kërset
Nuk prehet lis për t’ i punuar djep.
29.
Nuk po vijnë gratë e fisit
Me bakshishe e tepsi në krye
Mbulojën e fytyrës djalit t’ia hjekun
Shqip fat e shëndet me i dëshirue.

30.
Shumë shqiptarë kanë ardhur këtu
Në shkretëtirat e Anadollit
E një fjalë shqip nuk dëgjohet
Veç kërrakatjes së të ziu korbit.

31.

Ia përzunë Avdisë familjen,
E ia lanë në rrugë të Malësisë
Që t’i bëjnë nënçmim atij.
Një familje serbe i vendosën n’ shtëpi.

32.
Eh, more daja Ajet
Shkau për s’ gjalli tokën time
Dhe shtëpinë ma paska marrë
Po a e di, ai lumi i nënës
Se Avdi Ramoca ende është gjallë.
E një ditë do të kthehem atje
Me atë shka për t’u përballë.
33.
E si të lejoj, daja Avdi
Oxhaku im shkinishqe të tymojë
More, as vetë nuk po besoj
Në shtëpinë time shkau të jetojë
Të bëjë dasma e të këndojë
E unë këtu si i huaj të qëndroj.
34.
Menjëherë u ngrit në këmbë
Vetes pyetje ai po i bën
Po a je Avid Ramoca
që atje ty të kanë thënë.
35.
Krejt pa peshë e pa njerëzi
Sa rëndë veten po e ndien
Lisa jemi e gurë të rëndë
Me rrënjë e peshë në vendin tonë.

36.
Dua të kthehem në Sllatinë të Llapit
Shkaut tokën t’ia bëj tapi
Buzët i dridheshin e sytë i lotonin
Hajt shka i shkinës se shihemi unë e ti.
37.
Ngadalë, Avdi, e mos u ngut
Se ndërrojnë kohët e vjen dita
Unë e ti të kthehemi bashkë.
Por Avdia nuk dëgjon
Me trup e shpirt është në vatan
Veç prêt motin kur të niset
E në Llap të dalë përsëri
T’i shoh tokë e shtëpi.
38.
Po u vonova, daja Ajet
Shkau zgjeron truallin aty
E unë gjallë nuk mund të rri
Shkau në shtëpi time
e unë në Turqi.
NËSE VRITEM UNË LUFTON RINIA,
DERI TË MBËRRIJË NË KOSOVË LIRIA
1.
Veç një lutje daja Ajet
Para se të nisem e kam për ty
Ti po e sheh se s’jetojmë gjithmonë
Kthehu e jeto në Kosovë
Ndoshta vjen një ditë e bardhë
Që të bëjmë një bashkim të madh.

2.
Loti rrodhi nëpër fytyrë
Sa shumë dajën po e përqafon
U ndan në mes veti në fund
Asnjë fjalë pa e thënë.

3.
Fjalët përhapeshin nga kushdo
Si Avdia e la shtëpinë
E la truallin ku ka lindur
Iku shkoi në Anadoll
Shkaut këtu tokë e shtëpi
Ua la hazër si në Serbi.
4.
Por s’harron Avdi Ramoca
Tokë, shtëpi e atdhe
Është ky vendi ku ka lindur
S’ndien për kral as për shkini
U mbështet fort në t’veten trimëri.
5.
Kërcet pushka, ushton rrethina
Hajde prapë në tokat e mia
Nëse vritem unë lufton rinia
Deri të mbërrijë në Kosovë liria.
6.
Zot në tokën tonë jemi ne
Kështu ka qenë e do të jetë
Pushka kërset nga burrëria
Forcë e dije na jep Shqipëria.

7.
Llapjanë jemi e shqiptarë
Në kufi me shka jemi qëlluar
Tokën e të parëve dimë ta mbrojmë
Nderin kurrë të mos e lëshojmë.
8.
Të më mallkojë djepi nuk lejoj
Nëna në të që më ka rritur
Me ninulla duke më përkundur
Pushkën afër ma ka qitur.

9.
Prandaj jam gati për çdo gjë
Që të jetoj me faqe të bardhë
Por edhe nëse duhet të vdes
Edhe për këtë ndihem krenar.
10.
Bijve të fisit amanet
Kush njeh zot, besë e nderë
Për Turqi mos me mësy
Atë derë.
11.
Kjo të vlej për çdo shqiptarë
Këtu kemi djep
Dhe të kemi edhe varr
Është Shqipnija i joni dhe
Që e fali zoti për ne.
12.
Amanet gjithë popullit e më shumë parisë
Ti kem në shpirt e zemër
Skajet e etnisë
Se ato janë zemra e Nënë Shqipnisë.
BIOGRAFI E SHKURTËR PËR AVDI RAMOCËN

Kryepersonazhi i poemës Avdi Ramoca është lindur më 1859 në fshatin Sllatinë të Llapit. Avdiu qysh në rini u shqua për guximin, fjalën e besën. Pasi që ishte afër kufirit me Serbinë, shpesh ndodhnin luftëra e konflikte, kështu që aty ishte edhe vend i provimit të trimërisë. Kështu më 1909 te Guri i Uglarit kishin hyrë serbët gati në karakoll dhe ishte lëshuar alarmi për trimat për mbrojtjen e kufirit. Në ballë ishte Halit Tashefci, një burrë i vendosur i kësaj ane. Me të në këtë rast u gjend trimi Avdi Ramoca. Në këtë luftë Halit Tashefci u vra për të mbetur dëshmor i Shqipërisë në mbrojtje të kufirit, që është kujtuar me respekt në shekullin e kaluar, por edhe sot. Avdi Ramoca bëri luftë heroike bashkë me trimat e tjerë derisa i zmbrapsën serbët nga kufiri. Këtu trimi Avdi Ramoca mori nam për trimërinë dhe çmohej dita-ditës si njeri me shumë autoritet. Në ngjarjet që do të rrjedhin më vonë, si te Kulina, në luftë me ushtrinë turke për ta larguar nga Kosova mori pjesë edhe Avdi Ramoca me shumë trima që erdhën nga Mavriqi. Avdi Ramoca mori pjesë edhe në takimin me rastin e ngritjes së flamurit kombëtar në Popovë nga Hys Popova në korrik të vitit 1909, tre vjet para ngritjes së flamurit në Vlorë. Avdi Ramocën e gjejmë edhe në Besëlidhjen e madhe Llap-Shalë të vitit 1912 që u mbajt te Kodra e Flamurit (ish-lisat e Kurullovës), ku udhëheqës ishte tribuni popullor Isa Boletini. Verën e vitit 1920 Avdi Ramoca përkrah burrave të tjerë mori pjesë në Kuvendin e Murgullës. Këtu morën pjesë shumë prijës të çetave kaçake nga shumë vise të Kosovës. Ky kuvend është organizuar nga Ramë Sabedini nga Murgulla, ku mori pjesë edhe Azem Bejtë Galica. Këtu mori fjalën dhe diskutoi edhe Avdi Ramoca, duke thënë se nëse ndalet qëndresa, Kosovë nuk do të ketë. Kulmi i trimërisë së tij u arrit në vitin 1920, kur pushteti i Kralit rëndonte gjithnjë e më shumë nga dita në ditë. Serbia vendosi që Millan Urosheviqi, e njohur si Millan kapedani, të emërohej kryetar komune në Mavriq. Millan Kapedani ishte prijës i errfisë për të bërë krime nëpër shumë vise shqiptare. Ai shtroi dhunë të paparë në Mavriq e rrethinë. Millan kapedani mori vesh për trimin Avdi Ramoca dhe filloi ta provokonte në mënyra të ndryshme, derisa një ditë Avdiu edhe e humb durimin. Milani i rrahu shumë njerëz të rrethinës së Mavriqit dhe i plaçkiti disa herë, ia rrahu mikun e shtëpisë që ishte mësyrë mysafir te Avdiu dhe në fund i tha përshëndete Avdiun. Më pas një ditë Millani i tha Avdiut se jam duke shkua deri në Pollatë, ndërsa kah të kthehem në Sllatinë t’ia sjellë një bletë në koshere. Po i tha Avdiu, ta qes bletën, por kam frikë se të mbytë së ëmbli. Avdiu mori në shoqërim kushëririn e tij, Hamitin dhe i zuri pritën dhe e vrau Millan kapedanin dhe ia plagosi rëndë rojat e tij. Avdiu doli në mal dhe me të dëgjuar këtë lajm Ajet Mehana, i cili ishte shpërngulur nga dhuna dhe ishte vendosur në Çanakkala të Turqisë, i çoi fjalë në Mavriq që Avdia dhe Hamiti të dalin në Turqi dhe atje do t’ i mbajë me vite. Kështu Avdiu me Hamitin qëndruan në Turqi katër vjet dhe u kthyen kur Avdiu mori vesh që pushteti i Kralit ia kishte dëbuar nga shtëpia dhe aty kishte sjellë një serb kolon nga Dubrava e Kushumlisë. Posa u kthye Avdiu, kolonin e dëboi nga shtëpia dhe vetë u përball maleve të Llapit derisa në këto anë hynë ushtarët gjermanë, me fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

LIBRIN E NDIHMOI: Këtë libër e sponsorizoi nipi i Avdi Ramocës, Ilmi Salih Latifi-Ramoca, të cilin autori e falenderon përzemërsisht.
Për ZSH: Milazim Kadriu
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Nuhi Potoku:Në ballë furtunash Empty Re: Nuhi Potoku:Në ballë furtunash

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi