Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blerta Dervishi:Përsëritja e gabimeve historike

Shko poshtë

Blerta Dervishi:Përsëritja e gabimeve historike Empty Blerta Dervishi:Përsëritja e gabimeve historike

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 10:35 am

Përsëritja e gabimeve historike
Nga Blerta Dërvishi
Shprehia e lojalitetit
Kur lexon libra të shkruar prej të huajve për historinë e Ballkanit ose të Shqipërisë, pothuajse gjithmonë potencohet se shqiptarët, për dallim nga ”popujt liridashës” të Ballkanit, nuk donin pavarësi, por autonomi brenda Perandorisë Osmane. Rrallë herë përmendet fakti se ishin pikërisht shqiptarët ata që së fundi e shembën këtë perandori. Historianët jotendenciozë bëjnë dallime mes ”fjalëve” dhe veprave, të cilat jo gjithmonë përputhen. Historianët e mirëfilltë, ata që marrin vesh nga politika, bëjnë analiza dhe japin shpjegime lidhur me kontekstet dhe qëllimet politike reale të ”formulimeve” diplomatike. Por historianët ballkanikë, turq e evropianë bëjnë qëllimisht të paditurin dhe theksojnë ”dëshirën” e shqiptarëve për të mos qenë të pavarur, që do të thotë për të mbetur nën Perandorinë Osmane. Historianëve turq u shkon për shtat një interpretim i tillë, sepse në këtë mënyrë përforcojnë mitin se Evropa shkatërroi Perandorinë Osmane, një perandori kjo e pëlqyer prej banorëve të saj lojalë. Për historianët ballkanikë një interpretim i tillë është i preferuar, sepse mbështet politikat ekspansive të vendeve të tyre. ”Logjika” është si në vijim: shqiptarët nuk donin (dhe nuk mundnin) të bënin shtet, prandaj popujt e ”qëndrueshëm” të Ballkanit mund t’u ofronin kushte të njëjta si në Perandorinë Osmane. Kjo ”logjikë” niset nga fakti se për robin nuk ka rëndësi se kush e mban nën thundër. Shqiptarëve që kishin lidhje ”shpirtërore” me turqit iu dha mundësia për t’u shpërngulur ”vullnetarisht” për në Turqi. Historianët evropianë ndahen zakonisht mes interpretimeve turke dhe serbo-greke, varësisht se në cilën anë janë.
Në pamundësi për të shtruar këtu tërësisht çështjen e politikës shqiptare në kohën e rrëzimit të Perandorisë Osmane, do të mjaftohemi duke përmendur dy arsyet kryesore që fshiheshin pas deklaratave publike të palës shqiptare. Arsyeja e parë ishte se shqiptarët më shumë i trembeshin Rusisë (Serbisë e Greqisë) sesa Perandorisë Osmane. Realisht, zgjedhja nuk bëhej mes pavarësisë dhe Perandorisë Osmane, por mes kësaj të fundit dhe zhdukjes ose shkapërderdhjes në duart e Serbisë dhe të aleateve të saj të fuqishme. Arsyeja e dytë ishte kjo: Austria, si fuqia e vetme që asokohe rreshtohej përkrah shqiptarëve nuk ishte e interesuar për shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Me fjalë të tjera, shqiptarët as kishin mundësi dhe as përkrahje për pavarësi reale. Në shumë aspekte shqiptarët kalojnë një situatë të ngjashme edhe sot, veçse me aktorë të tjerë. Rolin e dikurshëm të Perandorisë Osmane e bën sot BE-ja, domethënë okupatori të cilin e ”durojmë” nën trysninë e shantazheve dhe kërcënimeve që vazhdimisht na përkujtojnë se alternativat e refuzimit janë shumë më mizore, derisa okupatorët e tjerë mund të jenë më të ashpër. Rolin e Austrisë e ka marrë sot Amerika, gjithmonë e kam fjalën në relacion me shqiptarët.
Njohësit e historisë e dinë se si përfunduan lojërat osmane me shqiptarët. Osmanët refuzuan kërkesën e shqiptarëve për një autonomi brenda perandorisë. Shqiptarët u ngopën dikur dhe bënë edhe një kryengritje (më 1912) që përfundoi me disfatën e osmanëve. Aleanca ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e Greqia) i shpallën luftë Perandorisë Osmane, luftë që në fakt ishte e drejtuar kundër shqiptarëve, e më vonë edhe kundër Bullgarisë. Por ngjashmëria më trishtuese mes situatës së atëhershme dhe të tashme është retorika e politikës shqiptare. Deklaratat “diplomatike” dhe ”strategjike” më shumë se të ndryshojnë situatën reale, ato vetëm e shtyjnë ”zgjidhjen” e problemeve. Më e keqja e të gjithave është se kjo retorikë ”strategjike” mund të përdoret kundër shqiptarëve edhe pas një shekulli. Mund të thonë, për shembull, se “shqiptarët e Kosovës nuk donin pavarësi, por vetëm kërkonin dikush t’i mbrojë nga Serbia”. Pas një shekulli historianët do të harrojnë të lexojnë planin e Ahtisaarit ku në fakt flitet kryesisht për mbrojtjen e serbëve nga shqiptarët. Kjo do të ndodhë natyrisht nëse edhe kësaj radhe pësojmë disfatë dhe shkrimi i historisë mbetet në duart e të tjerëve.
Politika shqiptare duhet të punojë për legjitimimin e interesave shqiptare dhe realizimin e këtyre interesave, sado që një gjë e tillë duket e pamundur. Herët a vonë status quo-ja do të zhbëhet dhe nuk duhet harruar disa dallime shumë thelbësore mes situatës së para një shekulli dhe të asaj sot. Austria nuk ishte fuqia më e madhe e botës, Perandoria Osmane nuk ishte bashkim shtetesh demokratike, Serbia dhe Greqia nuk e kanë Britaninë në anën e tyre, dhe madje sikur ta kishin, as ajo, as Franca dhe as Rusia nuk janë çfarë kanë qenë para një shekulli. Balanca mes fuqive ka ndryshuar.
Gazeta Bota Sot
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi