Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rajmonda Maleçka:Përsëri për dëshmorin Skerdilajd Llagami…

Shko poshtë

Rajmonda Maleçka:Përsëri për dëshmorin Skerdilajd Llagami…  Empty Rajmonda Maleçka:Përsëri për dëshmorin Skerdilajd Llagami…

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 04, 2012 12:51 pm

Historia e re ka filluar të shkruhet rrejshëm

Përsëri për dëshmorin Skerdilajd Llagami…
Rajmonda Maleçka:Përsëri për dëshmorin Skerdilajd Llagami…  157416_100003320079550_1839541178_n
Nga Rajmonda Maleçka


Rajmonda Maleçka:Përsëri për dëshmorin Skerdilajd Llagami…  62044_153794697974349_5054557_n
Që në momentet e para të pluralizmit në Shqipëri, në vitet “90-të, ka patur një qëndrim verifikues lidhur me historinë e Shqipërisë, e cila nuk lidhej vetëm më kohën e fundit, e cila “replikon” me Luftën Nacional-Çlirimtare, por dhe me atë më të hershme. Ka patur dhe ka angazhim intelektual, historianësh, por dhe njërëzish të cilët nuk janë specialistët e fushës, të cilët janë përfshirë në “betejen” e të vërtetës dhe të pavërtetës historike të Shqipërisë, me çfarë kuptohet se për historianët dhe institucionet shqiptare, që kërkojnë dhe kanë “verdiktin” për t’iu thënë të vërtetën, thënë pak më “pleqërisht”, t’i qetësojnë shqiptarët për këtë të vërtetë, ka punë dhe është e domosdoshme të përfshihen në këtë punë dhe debat njëherësh.

Gjykoj se është një debat i vlefshëm dhe që na çon me pak punë, në atë për t’iu thënë të vërtetën shqiptarëve, sepse sado e hidhur që ajo të jetë për një grup të caktuar njerëzish apo për një palë në politikën shqiptare (sepse e angazhuar pro dhe kundër në këtë debat më së pari është politika), do të jetë çliruese dhe vlerë për të gjithë të tjerët, qoftë dhe të ardhmen e vendit.

Unë mendoj se ne shqiptarët kemi kohën e duhur të themi të vërtetën dhe ajo të mos na trembë,mos të na bëjë kundërshtarë të njëri-tjetrit, sepse kur ajo është e tillë, e vërtetë dhe e drejtë, na siguron se asnjëherë nuk do të na zëjë në kurthin që të zë gjithmonë historia e rreme dhe e gënjeshtërt.. Në këtë gjykim, ku vlerësoj se do të jetë i mirëkuptuar dhe mendimi im, i cili niset dhe merr shkas nga një ngjarje dhe një rast i kohëve të fundit, me të cilin nuk ka asnjë arsye dhe as mundësi të shkruhet shtrembër, unë ju sjell dhe një përvojë të arsyeshme për të kuptuar se ç’mëkate i krijon njerëzimit dhe popullit tënd, kur e ke shkruar historinë me anësi dhe me qëllimin e mbrapshtë për të përfituar vetëm përkohësisht.

Sot kur realiteti ndërkombëtar ka arritur ta vlerësojë dhe të njohë në thelbin e vet çështjen e drejtë të të vërtetës etnike dhe asaj historike të shqiptarëve në Kosovë dhe thuajse në të gjithë trojet e tjera etnike shqiptare, mendoni se ç’taksë të vështirë dhe të rëndë historiografia serbe dhe ajo sllave në përgjithësi, iu ka krijuar popujve të tyre, kur e ka konsideruar Kosovën si mitin e vet, çfarë ka bërë që ata, serbët, të kenë krijuar një të vërtetë mbi një gënjeshtër, që e kanë fabrikuar historianët e vet.

1.

A është keq-shkruar historia shqiptare në harkun e totalitarizmit në Shqipëri?
A ka prodhuar keq-kuptime e për më tepër deviacione të kushtueshme kjo e keq-shkruar?
Po. Në këto raste gabimi shumëzohet gjithmonë me shumfishet e veta, kur ai ka në thelbin e vet qëllimin manipulues. Kohët e sotme, kanë filluar ta dekompozojnë gënjeshtrën, e cila në një kohë të caktuar i nxjerr këmbët e veta. Ajo është e tillë, e pa-rezistueshme përballë të vërtetës. Unë besoj se nuk ka patur shqiptar që nuk është ndjerë keq dhe i fyer rëndë, për atë që i kanë servirur për më shumë se 50 vjet, lidhur me dokumentin themeltar të Aktit të Pavarësisë më 1912. Në atë dokument historik, i cili është konsideruar i shenjtë, që na është shenjtëruar për aq kohë, është mohuar dhe humbur kontributi i disa nga njerëzit e shquar, që kanë marrë pjesë në Aktin e Pavërësisë. Askush nuk mund të tolerojë të pavërtetën e kësaj ngjarje, që në thelbin e vet ka jo manipulimin, por mohimin e të vërtetës. Si mund të thuash, për rastin në fjalë, se Lef Nosi nuk ka qenë një firmëtar në Aktin e Pavarësisë, kur ai ka qenë. Nuk mund t’i thuash atij se nuk ke qenë (për më tepër Akti Origjinal ka nëshkrimin e personalitetit në fjalë), kur ai ka qenë. Si mund ta fshish nënshkrimin e tij dhe pa atë t’i thuash popullit tënd, dhe historisë së vendit tënd se kjo është e vërteta?! Në këto kushte jo vetëm historiografia, por të gjithë shqiptarët, kjo e pavërtetë, i ka vendosur në marrdhënie të gabuara dhe të gënjeshtërta. Rasti krijon psikologjinë e rëndë të dyshimit për të gjitha rastet e kontestuara dhe të ri-marra në konsiderat në vitet e fundit nga mediat e shkruara shqiptare, të cilat në të shumtën e herës (autorët) janë përballur me një aksion të shumfishtë nga autorë diletantë dhe militantë, që mbajnë anën e asaj që është keq-shkruar për 50 vjet. Historia është themeli i kombit. Kombet ekzistojnë dhe kanë mbetur solid për shkak të historisë së tyre dhe të vërtetës së këtyre historive, të cilat e marrin vlerën dhe rëndësinë me kalimin e kohrave dhe situatave historike.

2.

Sot në të gjithë trevat shqiptare ku ndodhën luftërat e fund-shekullit, që lamë pas, dhe fillim-shekullin tonë, ka vazhduar të memorizohet ajo që ndodhi në mjete, forma, zhanre dhe gjini të ndryshme, që nga ato artistike, ato monumentale e deri tek historia e shkruar. Jo pak është bërë dhe në Shqipëri, qoftë për shkakun e lidhjeve shpirtërore, që ekzistojnë me zhvillimet atje, por dhe për arsye të tjera që nisin nga kontributet intelektuale e deri tek llojet e tjera të marrdhënies, që histori-shkruesit kanë vendosur me atë që kanë shkruar dhe që po shkruajnë.

Në të gjithë luftërat e fundit të shqiptarëve në Ballkan, ka patur shumë të rënë, aq sa dhe në luftërat e përmasave më të gjëra dhe në fronte më të gjëra nuk ka patur kaq shumë. Dhe në këto situata lidhja e shqiptarëve ka qenë e fortë mes njëri-tjetrit, të cilët kanë mbetur njerëz të devotshëm për t’ju gjetur tjetrit në ditët e vështira. Në një kuptim të gjërë, të gjithë luftërat e fundit të shqiptarëve në Ballkan ishin një situatë në të gjithë hapsirën shqiptare, ku u angazhuan të gjithë shqiptarët.

Shqipëria në këtë luftë pati të rënët e vet. Jo pak, por afro 70-të rënë, shumë prej të cilëve kanë qenë nga zona e Hasit dhe e Tropojës, për të cilët është shkruar pak apo aspak. Ka një dëshirë të çuditshme, për ta lënë në harresë këtë kontribut dhe gjak njerëzor, të derdhur në të gjitha luftërat, jo vetëm nga histori-shkruesit e Shqipërisë por dhe nga eksponentët e luftës në Kosovë, të cilët edhe pse nuk e kanë keq-shkruar historinë e fundit të luftës kanë lejuar apo nuk kanë marrë mundimin e korrigjimit për ato gënjeshtra që po vazhdojnë të fabrikohen në Tiranë.
Të dy trevat mbajtën mbi shpinë dramën, tragjedin, vuajtjen a lodhjen e madhe që prodhoi lufta. Historia dhe e vërteta është atje ku u bë lufta. Ajo është e vërtetë kur merret nga goja, kujtesa dhe gjuha e atyre që ishin pjesë të luftës, ato që e përgatitën atë, i shërbyen asaj dhe qenë aty të patundur dhe kur vdekja të përgjonte nga toka dhe nga ajri. Herojtë e kësaj lufte akoma janë pikërisht atje ku plaga historike e një shekulli e më shumë është e lëngueshme.

Qëllimi i këtij shkrimi ka po kolonën e parë të kuptimit dhe shqetësimit, që lidhet me keq-shkrimin e historis, vetëm se ka një rast krejt të freskët që në pamnje të parë duket krejt i thjeshtë. Në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë me angazhimin e dhunës dhe ushtarakisht të këtij shteti kundër shqiptarëve dhe supendimit total të lirisë njerëzore dhe të Drejtave të Njeriut, në këtë vend është vrarë dhe një djalë nga Tirana, për të cilin ka patur dhe ka kontribute shkrimore, qoftë nga unë dhe të tjerët, në median e shkruar. Skerdilajd Llagamin e kam njohur në gjallje gjatë luftës dhe jam përpjekur ta bëj prezent si njeriun e lirisë me ç’kam mundur, duke sjellë vetëm të vërtetën dhe dimensionin real të një njeriu të lirisë. Për të ka kontribute intelektuale, ku përzihet letërsia artistike me atë dokumentare. Edhe nëse është letërsi artistike, për një të vërtetë historike është i patolerueshëm shtrembërimi i të vërtetës.

Një kapitull dhe moment entuziast, si i thonë, me dhimbje dhe prelud është ajo që lidhet me përjetimin që patën familja e tij, kur i jati përjetoi atë që ka një prind për fëmijën e rënë në luftë, duke ecur në gjurmët e tij dhe takimi i dhimbshëm me reliket e të birit, njëkohësisht dhe të dëshmorit të lirisë. E gjithë situata, intinerari i lëvizjes dhe subjekti i mbushur me një ngjarje të tillë (sepse të marrësh rrugën nga Shqipëria e të shkosh në Kosovë dhe Maqedoni me të jatin e dëshmorit është një ngjarje dhe ka një destinacion të caktuar lëvizjesh), nuk është i vërtetë. Është e dhimbshme dhe e rrejshme, për më tepër të mos e thuash të vërtetën, dhe të pavërtetën ta bësh të tillë, kur nuk është e vërtetë. Atribute të tilla kanë kërkuar dhe kanë marrë shumë njerëz (ushtarakë më së shumti) nga lufta në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, aq sa është hedhur teza se luftën atje dhe se çlirimin e Kosovës e kanë kryer ato.

Historigrafia jonë e re, kur ka mësuar se shumë gjëra na janë servirur të vërteta, kur kanë qenë të gënjeshtërta, nuk duhet të lejojë të gabohet dhe as të manipulohet. Lufta e Kosovës dhe të gjithë luftërat e tjera të shqiptarëve nuk mund të keq-shkruhet. Në rrugë e forma, me mjete dhe situate të shumta po luftohet të shkruhet historia e luftërave të shqiptarëve në kohët që sapo lamë pas, sipas orekseve të dëmshme për historinë. Psikologjia e asaj që ç’shkruhet mbetet më gjatë se ajo që thuhet, do të krijojë një të vërtetë të rrejshme pas disa kohësh. Po luftohet të na krijohen heronj (!?) të çuditshëm, gjeni (!?) të luftërave të shqiptarëve, për të cilët të vërtetën duhet ta thonë patjetër eksponentë të njohur të luftës së shqiptarëve.

Që nga data 02 maj 2003, ditën kur bashkë me të atin e dëshmorit të lirisë Skerdilajd Llagami (Bardhyl Llagami), jemi nisur nga Tirana për të shkuar në vendet ku luftoi e dha jetën i biri i tij, kemi qenë një grup i caktuar njerëzish, të cilët kishim vendosur ta shoqërojmë atë në “pelegrinazhin” e dhimbshëm por të shenjtë, atje ku kishte qenë, kishte luftuar, kishte rënë dhe kishte lënë reliket e tij Skerdilajd Llagami. Në udhëtimin e tij, kemi qenë prezent unë dhe im atë, Bujar Maleçka, nga data 02 maj deri në datën 10 maj 2003, datë kur kemi kthyer në Tiranë, përsëri bashkë. Gjatë gjithë lëvizjes, strehimit, takimeve, ecejakëve, suprizave, rutinës e çdo gjë tjetër të këtyre ditëve, i ati i dëshmorit ka qenë në grupin tonë. Për të gjithë këto lëvizje unë kam një ditar, në të cilin gjenden kohët e lëvizjes, vendet dhe njerëzit me të cilët jemi takuar, kemi qëndruar, biseduar apo dhe përshëndetur. Për më tepër në të shumtën e rasteve, në kufirin e një jave, të gjithë kontaktet me njerëzit unë i kam fotografuar.

Në librin “Feniksët e Lirisë” në jetëshkrimin për këtë dëshmor shkruhet: ”Pas marrjes së atij lajmi (rënies së dëshmorit R..M), Bardhyli u nis për në Kosovë, ku u prit me nderime të mëdha nga Shpëtim Golemi dhe Adem Shehu, ish–vullnetarë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe zyrtarë të Bashkisë së Gjakovës. E shoqëruan Bardhylin deri në kufirin me Maqedoninë, ku atje e pritën përfaqësuesit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilin e çuan atë në selinë e Shtabit të tyre, në Malet e Sharrit…”

Është e çuditëshme dhe dhimbshme njëherësh, por kjo nuk është e vërtetë. Këtë të vërtetë babai i dëshmorit Skerdilajd Llagami nuk duhej ta kishte lejuar të shpërdorohej në mënyrë të tillë. Kjo gënjeshtër nuk duhej të fiksohej në librin e shenjtë “Feniksët e Lirisë”, sepse është një gënjeshtër që mbetet gjatë në atë dokument të shkruar, ashtu siç kanë mbetur dhe shumë ngjarje dhe histori kombëtare të Shqipërisë…

Këtë rast unë Rajmonda Maleçka e kam fiksuar imtësisht me orët, personat dhe itinerarin e lëvizjeve në një ditar në të cilin gjendet gjithëçka. Për këtë ngjarje të cilën e kam konsideruar të shenjtë dhe të rrallë, kam shënuar gjithçka ka qenë informuese, e rëndësishme dhe absolutisht e vërtetë. Aq më tepër kur për këtë ngjarje unë disponoj mbi 100 fotografi ekskluzive.

Ditari im dhe në fotot gjithashtu, me të gjithë të vërtetën që ato kanë brenda, janë të para 5 viteve. Kuptohet mirë dhe është bindës fakti se unë atëherë nuk e dija (s’kisha si ta dija!?. R.M), se në kushtet e të vërtetave të mëdha do të shkruhej kështu për Skerdilajd Llagamin. Në këto kushte unë s’kisha asnjë arsye që të mos i përfshija në shënimet e mija këto persona që paskan pritur babain e dëshmorit, po të kishte qenë e vërteta ashtu siç thuhet tek “Feniksët e Lirisë”, ashtu siç publikohet kjo ngjarje, duke sjellë njerëz aspak prezent në atë rast si aktorët kryesorë të saj. Por realisht e vërteta është se autori, i cili e bën veten pjestar të këtij rasti nuk ka qenë në këtë udhëtim prekës.

Gjithashtu në në librin “Gjaku i Lirisë”, Vëllimi 11-12, me autor Bajram Kurti, në faqet shkruar posaçërisht për Skerdilajd Llagamin (vlerësoj se është bërë mirë botimi i kësaj serie, që ka vlerë jo vetëm për njohjen e të rënëve të luftërave të shqiptarëve, por dhe historinë e tyre), vazhdon të mbetet e njëjta e pavërtetë, e njëjta ligjëratë e drejtë, lidhur me “pelegrinazhin e dhimbshëm të të atit të dëshmorit. Është po ai pasazh i shkëputur nga libri përkujtimorë “Feniksët e Lirisë”.

Është përsëritur e njëjta e pavërtetë, e cila po të mos bëhet e qartë do të vazhdojë të shumfishohet në të gjithë ato gjëra që do të shkruhen në të ardhmen. Reliket e Skerdilajd Llagamit dhe gjithë udhëtimin e dhimbshëm të të atit të tij, ku dihet se ka qenë kontakti i parë i Bardhyl Llagamit me tokën e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare, jashtë kufinjve të Shqipërisë, në këtë moment kur ai ka marrë vesht rënien e të birit (s’arrij të kuptoja se si mund ta harrojë, aq më tepër të lejojë të “shkruhet” ashtu dhe rrejshëm për historinë e tij), ku kishte shkelë dhe kishte luftuar i biri, kemi qenë unë dhe babi im Bujar Maleçka. Në bashkë-udhëtimin tonë ka qenë vazhdimisht i ati i dëshmorit, i cili s’di pse nuk ka arritur ta thotë këtë të vërtetë të madhe.

Për cilësinë e tij dhe angazhimin historiko-njerëzor, për të vërtetën e madhe të çështjes shqiptare, unë jam e sigurtë se këtë llojë gënjeshtre Skerdilajd Llagami nuk do ta lejonte kurrë. Nuk është koha për ta keq-shkruar historinë. Nga keq-shkrimi i saj na ka ardhë keq gjithmonë. Sot s’kemi nevojë për këto. Skerdilajd Llagamin e nderon, e lartëson dhe e vlerëson vetëm e vërteta, se ajo është shumë më e mirë se sa ajo gënjeshtër e llustruar. E vërteta për të është shprehje e kuptimësuar si lavdi në të gjitha anët e saj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi