Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:37 am

 

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

 

 


 

Bejta me sakicë

Njëfarë Bejtës i kishte vdekur gruaja. Mërzitej pa masë dhe vendi vend nuk i zihej.
E kishte gjetur një sopatë të vogël, të cilën e kishte mbrehur si zhiletë.
Dilte me të arave, mezhdave të fshatit.
Një ditë e takon një komshi dhe i thotë:
-O Bejtë jarani, gjuaje atë sopatë se na i tranove gratë. Posa po të shohin me të po frikësohen
e po ikin prej teje. Ti nëse don me “gjuajt” diçka, mbushi xhepat keksa, karamele, napolitanka.
Ashtu mund t`i marrësh me të mirë, se me sopatë kot e ke, o lum Bejta.

Mjeshtrit dembela

Njëri shkon mysafir te një mik. Po e pyet të zotin e shtëpisë,
që ishte një plak bukur i vjetër:
-Qysh je o mixha Hasan?
-O kurqysh vallahi, o mik. Ia kanë nisë mjeshtrit po çartin.
Një nuse e djalit si në mahi ndërhyri:
-Valla boll dembela i ka baba këta mjeshtrit e vet.

Roli kryesor

Para një ofenzive serbe, (në luftën e fundit) djali e lutë babain:
-Hajde, o babë të ikim nga shtëpia se po vijnë policia serbe.
-Jo bir, unë këmbën nuk e luaj nga shtëpia.
-Po hajde o babë se të vrasin.
-Jo, jo, bir, nuk e lëshoj shtëpinë për të gjallë.
-Ani, pra o babë, Zoti të ndihmoftë e ishalla e ke rolin kryesor,
si partizanët në filma, se unë ika në mal.

Më cofi miu

kmani@hotmail.com
si je koleg?
halilxani1@hotmail.com
mirë faleminderit.
kmani@hotmail.com
e din çka ka të re te unë?
halilxani1@hotmail.com
jo, pse çka ka ndodhur?
kmani@hotmail.com
më ngordhi miu.
halilxani1@hotmail.com
T`i past marrë të ligat!
kmani@hotmail.com
edhe tuat. Po e gjeta një tjetër.
ma huazoi një mik, i kishte pasur dy mausa.
halilxani1@hotmail.com
hahahahahahahaha

Tensioni dhe guri

demirkrasniqi@hotmail.com
si jeni mik i nderuar?
halilxani1@hotmail.com
mirë faleminderit, po Ju?
demirkrasniqi@hotmail.com
unë mirë, po gruaja ka tensionin e lartë
halilxani1@hotmail.com
ruaju pra, se qenka rrezik
demirkrasniqi@hotmail.com
po ti si e ke gruan?
halilxani1@hotmail.com
e imja ka një gur, po për fat timin
nuk mund të më godet
demirkrasniqi@hotmail.com
nuk po të kuptoj, si ashtu?
halilxani1@hotail.com
ashtu, thjeshtë, se gurin e ka në idhës

 

 

 

Kanaqet
Shitësi të birit:
-Përse more bir, i ke pirë gjithë këto cola-cola?
-Kanaqet po shiten shtrenjtë babi. I ke parë ti njerëzit po
i mbledhin nëpër mbeturina, kurse unë i kam këtu,
në shitoren tonë-iu përgjigj çuni.
Këngëtarja në trend
Të jesh këngëtare në trend e të mos hiqesh fare nga ekranet
e televizioneve tona, nuk është e thënë:
-të kesh zë të mirë,
-të kesh tekst të mirë të këngës,
-të kesh orkestrim të mirë,
-të kesh veshje të mirë...
por
-të kesh ndonjë lidhje (nyje) me stafin e televizionit,
-të jesh e bukur,
-të jesh sharmante,
-të jesh e (zh)veshur sa më seksi.
Klau-kliu
Pas mbarimit të këngës, me efektet e zërit me
kompjuter kliu, klau, kliu klau, njëri tha:
Më pëlqeu disi kjo këngë, por po më vjen keq
që zërin e vërtet të këngëtares nuk e dëgjova.
Edukimi i nxënësve
Shkolla private e Shkozës shpall konkurs për pranimin
e nxënësve, të cilët do të edukohen se si:
-të mos pijnë duhan në klasë sikur mësuesit e tyre,
-të mos qëndrojnë në çajtoret plot tym në lojën me gurë si mësuesit e tyre,
-të mos shkojnë të dehur në punë si disa doktorë në disa spitale të Kosovës,
-të mos e vjedhin buxhetin sikur disa ministra e zyrtarë të lartë të Kosovës,
-të mos vjedhin komplet libra të të tjerëve e të thonë se janë të tyre,
-të mos vjedhin ujin, rrymën, pyllin, vagonët, shkollën, kishën...
-të mos vjedhin votat gjatë zgjedhjeve kur të rritën,
-nxënëset të mos vishen sikur disa mësuese të tyre...
Për këto dhe tema të tjera Ju garantojmë suksesin.
Ndihma sociale
Punëtori social-një fshatari:
-A po e njihni Shabanin, çka i ka hallet, a i plotëson
kushtet për ndihmë sociale?
-Po, more e njoh Shabanin, burrë i mirë është.
Punët i ka ligsht, bile e ka ble edhe një makinë,
ka hy borxh e kishit ba mirë me ia dhanë edhe
socialin, se bash në hall ka ra. Me i shitë lopët
po i dhimbsen.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:42 am

 


 


Ditari javor ( i imagjinuar) i një drejtori


 


E hënë


Dola në qytet. Sot është ditë tregu. Paradite u takova me disa mësimdhënës të pasditës, kurse pasdite me ata të paraditës. Më dhanë drekë, faleminderit prej tyre. Besa edhe çaj kemi pirë shumë me ta.


Në mbrëmje mora vesh se gjysma e mësimdhënësve nuk i kishin mbajtur orët.


E martë


Sot shkova në Drejtorinë Komunale të Arsimit. Në kohë të mëngjesit me disa shokë të kësaj Drejtorie shkuam në restorant. Pagova unë se vërtet i kam shokë të mirë. Më përkrahin dhe më mbështesin gjithmonë.


Në mbrëmje më thanë se në shkollë nxënësit paskan luajtur futboll, kurse mësimdhënësit shah dhe lojë me gurë në sallën e tyre.


Kësaj i thonë kur s`është maca, jo, por kur nuk është maçorri minjtë hedhin valle.


Ua tregoj unë qejfin atyre sa të shkoj në punë.


E mërkurë


Sa deshta të nisem për në punë, një fqi më thirri të shkojmë tek një mik i tij për kryeshëndoshë. Kur hymë në odë thashë me vete, ende nuk jemi mbushur mend.


Në krye të vendit qëndronte hoxha, afër tij nja dy haxhinj, disa pleq të tjerë e pastaj ne.


Ma dhanë fjalën të flas, por u nxora  mirë. Thashë le të flasin ata që janë në krye të vendit. Thënë të drejtën unë as nuk di të flas në oda burrash e në anën tjetër edhe më vjen marre kur është kallaballëk.


Nga burime të besueshme mora vesh se sot  në shkollë puna paska shkuar hallakamë, pa mua.


E enjte


Kisha planifikuar sot të shkoj më herët në punë e të marr masa ndaj atyre punëtorëve të padisiplinuar, por gruaja ma përkujtoi se sot ishim të thirrur në një dasmë te një ilaka e saj. Shkuam dhe u kënaqëm. Gjatë ditës dasmë allaturka, me muzikë tallava e me krisma kallashi, kurse në mbrëmje, allafranga,  në restorant, me  mish, me muzikë të gjallë deri në kupë të qiellit e me valle deri në orët e vona të natës.


Sonte u ktheva tepër vonë nga dasma, në shtëpi. Haber nuk kam se si kanë vajur punët në shkollën time.


E premte


U bëra gati për punë. E bëra gati edhe makinën. Kur doli gruaja të më përcjellë, plani ndërroi tërësisht. -Jemi vonuar, - më tha,- ende nuk i kemi blerë lakrat për turshi.


Heu, thashë s`qenka shkruar as sot të shkoj në punë. Urdhëri i komandantit duhet zbatuar.


Shkova në qytetin fqinj, por tregu si tregu, m`i mori mendët e nuk më lëshoi deri në mbrëmje.


Nga burimet e mia mora vesh se në shkollë asgjë nuk po shkon si duhet, por ua tregoj unë qejfin atyre kur të shkoj të hënën.


O Zot, shyqyr që nuk punohet edhe në fundjavë. Nesër e pasnesër do të pushoj se vërtet pata një javë të mundimshme. As ditarin nuk do ta mbaj.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:46 am

Halil Xani
Ditari javor II‏
E hënë, 10 nëntor 2008

Sot është ditë tregu në fshatin tim dhe në Skenderaj. Rrugës, nëpër lagjen tonë vijnë shumë traktorë me dru e me bagëti nga fshatrat e anës së Qyqavicës. Pas mbarimit të tregut që për çudi mbaron bukur herët, dikush kthehet pa kryer punë e dikush me traktorët e zbrazët, apo me ndonjë material ndërtimor.

Në orën 17.00, në Radio Kosovë dëgjova emisionin studioja e hapur, ku temë bisede ishte, siç po i thonë, rikonfigurimi i EULEX-it dhe 6 pikat e Ban Ki Munit.

Sipas analistëve të emisionit, situata nuk është aq e mirë. Kosovës sikur po i sillet një ogur i zi mbi kokë. Kjo krejt bëhet nga ndërkombëtarët e për hir të Serbisë. Janë vet ndërkombëtarët të cilët e mbajtën Mitrovicën të ndarë tash nëntë vite. Tash sikur po përtojnë, apo po iu vie zor ta bashkojnë. Radio Kosova ndërpreu lajmet e orës 18.00 për t`u lidhur me televizionin, ku bëhej transmetimi i mbledhjes me gazetarë, të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Ata i njoftuan gazetarët se në mbledhjen maratonike me përfaqësuesit e Quintit, nu kjanë pajtuar me pikat e Ban Ki Munit.

Unë ( dhe jo vetëm unë) kam frikë se mos po i ndodh ndonjë e ligë Kosovës sime të pavarur, sovrane e demokratike. Pse?

Sepse edhe shteti i ri don kujdes sikur foshnja e porsalindur, apo si fidani i mbëltuar. Ne në vend se ta ujitim e ta ushqejmë (shtetin) me pagesën e taksave, të rrymës, të ujit, të bërllokut, të tatimit mbi pronën, të tatimit nga bizneset, ne bëjmë yrysh ta shkundim menjëherë e t`ia marrim frutat duke ia thyer pipthat e sythat e atij fidani. Ta rjepim, ende pa zënë mirë rrënjë. Njerëzit pasurohen brenda natës, ngritin pallate e mbindërtime (më shumë pa leje) në zemër të Prishtinës dhe as pesë para nuk i japin.

Sa për ilustrim këtij shkrimi ia bashkangjes poezinë që e shkrova më herët:

DIKUSH, DIKUR

Dikush në palestra organizon dasma mbretrore

Dikush për fëmijën nuk ka të blejë një fletore


Dikush nuk skuqet e aspak s`ka marre

Pse dëshmorët s`kanë as gurë në varre


Dikush, dikur rrahte gjoks se ishte trim

Tash nga lart nuk i vëren fëmijtë jetimë


Dikush, dikur kënaqej me një shtëpi

Tash i duken pak që i ka njëzet e tri


Dikush, dikur kulloste lopën me kërpesh

Tash i rrethuar nga truprojet-kalavesh


Dikush,dikur punonte me zanatin murator

Tash sa çil e mbyll sytë na u bë profesor


Dikush, dikur jo, por tash e shtramon plisin

Sepse nëpër ministri ka punësuar farefisin


Dikush, dikur punonte me zell në bujqësi

Kurse tash me tender, ku-ku, po bën kërdi


Dikush, dikur premtonte pavarësinë

Tash ai status-quon e do si fëminë


Dikush, dikur kërkonte rregull

E tash si ujku, don vetëm mjegull...


Është e vërtetë se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk punojnë e nuk kanë të ardhura, ama edhe ata që kanë, hezitojnë ta ndajnë një pjesë ( të lekëve) për shtetin. Qe besa, kështu as nuk duhet, as nuk ndërtohet, as nuk mbahet shteti. Prandaj edhe nuk është çudi që të na i ndodh (larg qoftë) ndonjë e keqe. Tash (po qe nevoja) nuk di kush do t`i dilte në mbrojtje. Ata që kanë bërë pasuri milionëshe, e këqyrin çka ka pas horizontit të gllabërojnë edhe më shumë, apo ata që nuk kanë bukë as strehë për fëmijët.

Zoti e ruajt Kosovën!

Sonte reduktimet e rrymës i patëm vetëm 2 orë, nga 19,00-21,00.

E martë, 11 nëntor 2008


Në mëngjes një mjeshtër u ndal në dyqanin tim dhe bleu gjëra ushqimore. Më tha se punon këtu afër në një fshat, por i zoti i shtëpisë nuk i jep bukë. I ka thënë (ai) se i ka të gjitha, por gratë tash po pritojnë të bëjnë bukë. Eh, si kanë ndërruar gjërat. Mua më kujtohet, jo fort moti, për mjeshtrit ( për shtëpinë e re) prehej qengji, gjeli, bëhej muhabeti si për më të mirin mik. Ç`është e vërteta, skamja ishte më e madhe, por edhe zemra e njerëzve ishte më e madhe e besa fjala e burrit ishte amin. Unë kam bërë një parodi bukur të gjatë në lidhje me këtë temë. Po ua sjell një pjesë (të shkurtër) të saj:


Ka mjeshtër mixha Ukë

Por atyre s`iu jep bukë

Plaku thotë u bëra horë

Por s`kam gjë në dorë

Mirë e ka plak lumi

Grave vonë u del gjumi

Natën këqyrin seriale

Ditën sikur n`spitale

Bëjnë pallën e sefasë

Ato horat e dynjasë...


Sonte në Radio Kosovë temë e emisionit të orës 17.00 ishte arsimi në Kosovë.

Kishte lloj-lloj pyetjesh e përgjigjesh për gjendjen e arsimit në Kosovë, sot.

Në këtë temë sot e kishim bisedën edhe me një mësues të fshatit. Ai për një shokun e tij më tha se i falë të gjitha kohët e namazit, por në klasë gjatë të gjitha orëve të mësimit, nuk ngritet nga karriga për të përcjellur punën e nxënësve, apo për t`ua kontrolluar detyrat. Punë haram. Ndërkaq një gjimnazist ( në Skenderaj) më thotë se ky gjimnaz nuk është as hija e atij të para disa viteve. Ka profesorë që kërkojnë cigare nga nxënësit: Hajde, kush po ma qet një, se m`u kanë qorruar sytë.

Nga lajmet tjera: U vu gurthemeli i kullës së Tahir Mehajt në Prekaz.

Pensionet janë rritur për 5 euro. Aq sa është një mëngjes i një deputeti-tha një pensionist.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:47 am

E mërkurë, 12 nëntor 2008

Mëngjesi paralajmëron një ditë të mirë për këtë kohë. Kujt t`i besohet, një TV thotë se temperaturat do të sillen prej 0-4 gradë celzius, tjetri thotë 1-7 gradë, e një tjetër krejt ndryshe. Si do që të jetë, sot ishte një ditë e ngrohtë.

Kah mesdita dola në Skenderaj. Me mua erdhi edhe nipi Drini,( pesë vjeçar) i cili u ndal te dajët ku e ka mamin e motrën më të vogël, Elsën. Në afro 200 metra katrore (në dy shtëpitë), kemi ngelur vetëm me bashkëshorten time, të luajmë symbylltazi.

Plak e plakë në shtëpi fikall

Djemtë në perëndim, toka batall…

Kështu kam thënë më herët duke i parë shtëpitë e fshatit që jo vetëm po ngelin në pleq, por po mbyllen fare, të lodrojnë minjtë të papenguar nëpër to.

Tjetër: Fëmijët e lagjes sime vijnë nga shkolla, marrin frymë pak dhe disa prej tyre kthehen sërish, jo në shkollë, por në shtëpinë shkollë, të arsimtarit të gjuhës angleze, i cili ka hapur kursin e kësaj gjuhe për nxënësit e vet. Nxënësit dy herë në ditë i kalojnë rreth 15-16 kilometra rrugë për të ndjekur mësimet e rregullta dhe kursin e anglishtes, për të cilin paguajnë vetëm 5 euro në muaj. Uroj që këta nxënës ta mësojnë këtë gjuhë botrore e ishalla kurrë nuk iu bie të punojnë përkthyes të UNMIK-ut as të EULEX-it.

Nga Lajmet: Thuhet se Bashkësia Ndërkombëtare ka biseduar me Beogradin për vendosjen e EULEX-it. Unë që nuk marr vesh fort në politikë, mendova një herë se mos EULEX-i po u vendoska edhe diku në Serbi. E vërteta është ndryshe. Deri edhe Kajdanova na “siguron” se kjo është në të mirën tonë. D.m.th. serbët ta kontrollojnë kufirin verior të Kosovës nëpër të cilin kalojnë afro 1 milion euro mallra në ditë. Kështu na “siguronin” edhe udhëheqësit e lartë të Serbisë, kur vinin viteve të tetëdhjeta e na thoshin se me ndyshimet kushtetuese ju nuk humbni asgjë. Kjo i bie sikur unë ty ta marr këmishën, e ti nuk humb gjë!

Unë them kësi EUILEX-i nuk na duhet fare. Kurrë as me sy mos e pafsha.


S`dëgjojmë miq

S`dëgjojmë Evropë

Kur pas shpine

Na e bëjnë gropë.


Unë që nuk kam “haber” në politikë e di se z. Ahtisaari sivjet është fitues i çmimit NOBEL për paqe. Mendja ime më thotë, se nëse bëhen “pishman” gjithë këto alamet shtete të fuqishme që e njohën pavarësinë e Kosovës, atëherë as çmimi NOBEL i Ahtisaarit nuk do të ketë fare kuptim.

E enjte, 13 nëntor 2008

Edhe dita e sotme për mua ishte e zakonshme. Ende mbretëron thatësi e madhe. Në lagje shoh njerëz që bartin ujë ( me karroca dore) nga bunaret që ndodhen më poshtë, ( në Lug të Vushtrrisë). Deri vonë njerëzit preokupoheshin me korrupsionin në institucionet tona, me terrin, me papunësinë, me varfërinë, tash të gjithëve koka u është mbushur me EULEX dhe druajnë se liderët tanë do të detyrohen nga presioni të lëshojnë pe ndaj kërkesave të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Nga mediat sot mësova se Bashkësia Ndërkombëtare kaherë e paska pasur hallin si ta bind Beogradin për vendosjen e EULEX-it në Kosovë se për Prishtinën, kush po i pyet ata. Jo-ja e fundit e presidentit Fatmir Sejdiu dhe e kryeministrit Hashim Thaçi na bëri të kuptojmë se edhe ne mund ta shtyjmë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, bile për ndonjë ditë.

Ne mjaft kemi lëshuar pe me pranimin e dukjes së flamurit, me himnin pa asnjë përmbajtje ( pa tekst), me pranimin e decenralizimit etj. Tash kërkohet prej nesh të lejojmë që një pakicë kryeneqe të na e kontrollojë një pjesë bukur të madhe të territorit të pranuar ndërkombëtarisht. Të gjitha arsyetimet, lutjet dhe presionet ndaj nesh që t`i pranojmë 6 pikat e Ban Ki Munit janë të pa kuptimta.

E premte,14 nëntor 2008

Në ditën e sotme nuk do t`u lodh me EULEX. E di se edhe ashtu nga mediat e keni përplot kokën politikë.

Nga shkrimet e javës së kaluar, lexuesi e din se unë nuk punoj që nga 5 korriku i vitit 1990, kur policia serbe me dhunë na dëboi nga radio Mitrovica, jo vetëm nevve, por edhe punonjësit e radiotelevizionit të Prishtinës si dhe të të gjitha radiove regjionale ( Gjilan, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren). Shkrimin e kam hobi. Nuk më zë gjumi, po nuk shkrova ndonjë faqe në kompjuterin tim. Këto vitet e fundit jam i lumtur që shkrimet mund t`ua ofroj edhe lexuesve anekënd botës përmes internetit.

Ku desha të dal. Unë vërtet nuk punoj, por edhe nuk e kaloj kohën kot. Në oborrin tim, afër rrugës së fshatit kam hapur një dyqan. As kjo punë nuk është aq e lehtë, ama njeriu i shëndoshë duhet të punojë diçka e të mos e kalojë kohën kot.

Mbi “tezga” e në rafte kam përplot libra, fletore, gazeta e dorëshkrime.

Si duket një ditë e tregtarit?

Pas një nate pa gjumë, duke shkruar, lexuar e biseduar me miqtë në internet, në orën 7 të mëngjesit më cingëron zilja e dyqanit. Shkoj të shikoj kush çfarë kërkon kaq herët. Një voglushe m`i ofron 50 centë t`ia bëj të ima se i duhen për të blerë diçka në kioskun afër shkollës. Nuk bëhem nervoz. Jo, se fëmijët janë qenia më fisnike, më e padjallëzuar, më e bukur, më e dashur. Në ta e shohim ardhmërinë. Nis punën pastaj deri në kohën e mëngjesit ( kaftjellit). Kur marr kafshatën e parë, cingëron zilja. Shkoj të shoh kush është ai që nuk din të lexojë në xham shkrimin “Koha e mëngjesit”. Është një plak i cili më pyet ku e ka shtëpinë filan komshiu. As me këtë nuk bëhem nervoz se është i vjetër. Të vjetrin duhet nderuar e respektuar. Rastet e tilla përsëriten (pothuaj) çdo ditë.

Do t`ju tregoj se gjatë ditës së sotme kam pasur 26 blerës ( myshteri). Si thoni? Janë shumë, apo pak? Kjo varet se çka kanë blerë ata. Mos mendoni se kisha një ditë me fitim. Pjesa dërrmuese e tyre blenë gjësende në vlerë më të vogël se një euro që kap shumën 29.60 euro. T`ua them më qartë, 29 euro e 60 centë. Lagjja jonë është bukur e madhe, ama tash ka hyrë në modë: Kam pirë një kafe në Ben af, bleva në Ben af ( në qytet). Ta merr mendja se aty është shtëpi e madhe

( e mallrave), gjen gjithçka. Bile nën dritën e llambave të neonit gjësendet aty duken disi më të mira, më të mëdha edhe kur çmimet janë të përafërta me ato të dyqaneve të vogla. Mirë e tha një tregtar më me përvojë se dyqanet e fshatrave kanë ngelur si goma rezervë e makinës.

Fëmijët si thashë më lart janë të pasherr. Vjen njëri e më thotë: ma jep një pako cigare se më tha babi kam harruar të marr në qytet. Ose: m`i jep dy birra shpejt e shpejt se është fryrë lopa nga tërrfoja. Shkruaj në bllok se jam për ngut. E pastaj shishet nuk kthehen kurrë, kurse borxhi paguhet pas një apo dy muajsh.

Më herët, jo për vete, por për profesorët e papunë, pata thënë:


Profesori me fakultet

Në treg cigare shet

Sepse në vend të tij

Laiku rrënjë ka shti


Rroftë Kosova e lirë

Zoti e bëftë mirë.

E shtunë, 15 nëntor 2008

Po të kishte titull ky shkrim, do ta titulloja “Dje ishim dy, sot jemi nëntë”.

Gjatë tërë javës në shtëpi ishim vetëm unë e bashkëshortja. Në këtë fundjavë erdhi nusja e djalit nga të vetët me Drinin e me Elsën, erdhi vajza e martuar me fëmijët Samirin, Shkëlqimin e Çlirimin dhe nga Prishtina erdhi sugari, i cili studjon në vitin e tretë në Kolegjin Fama. Sa hijeshi e gjallëri ka oborri nga loja e fëmijëve. Njëri nget biçikletën, tjetri e shtyn Elsën në makinën e plastikës, një tjetër nget pas topit. Samiri është nxënës i klasës së katërt të fillores. Thonë se do t`i ngjet gjyshit. Në shkollë është shembullor, kurse në fletoren e tij ka radhitur njërën pas tjetrës jo më pak se 40 vjersha, të cilat një ditë mbase edhe do t`i botojë. Në mbrëmje Samiri pati temperaturë. Nusja e djalit që punon në Shtëpinë e Shëndetit, ia dha “terapinë” dhe ai bëri më mirë. Shkëlqimi e Çlirimi janë në klasën e tretë. Këta janë binjakë, por për çudi nuk ngjanë fare në mes veti. Ata të kënaqin me muhabete. Janë sigur shirit i magnetofonit. Nuk iu shpëton asgjë pa e vërejtur. O mësues, kujdes si shkoni në klasë si silleni, si flisni, si visheni, si punoni... Jeni para fëmijëve të cilëve asgjë nuk iu shpëton pa e vërejtur.

Që nga mëngjesi moti ka qenë i vranët, i freskët, por i thatë. Reduktimet e rrymës sot kanë qenë më të shpeshta se zakonisht edhe ditën edhe në mbrëmje. Mbase ka plasur prapë ndonjë kazan. Nuk është çudi. Stabilimentet e vjetruara të termoelektranave, pagesa e rrymës bëhet me shumë përtesë e sidomos nga ata që harxhojnë më së shumti e që kanë edhe biznese bukur të fuqishme.

E diel, 16 nëntor 2008

Luan Krasniqi, mirë e nisi “luftën” mbrëmë, por fatkeqësisht e humbi. Nga frika (para meçit) këtë edhe e parandjeja se do të ndodhë. M`u dhimbs Luani, por duhet të pajtohemi se edhe humbja është pjesë e “luftës”. Unë e kam pasur një simpati edhe më të madhe ndaj Luanit, ngase meçin me Monsenë në qytetin e Magdeburgut e pata përcjellë kur isha mysafir te djali në Gjermani.

Ka kaluar gjysma e nëntorit, dasmat janë rralluar. Aty- këtu në ndonjë fshat ende bëhet ndonjë dasmë. Sot, në rrugën pranë shtëpisë sime kaloi një kolonë (bukur e gjatë) dasmorësh. Pse po e përmendi këtë? Mbase edhe nuk do të ishte pjesë e ditarit tim, po të mos ma tërhiqte vërejtjen flamuri (apo flamujt) në shtizë në veturën e parë. Shqiptarët (pak ftohtë) e pranuan sivjet flamurin e Ahtisaarit, por edhe më me vështirësi heqin dorë prej atij të kuqit me shqiponjën dykrenare. Dilema të përdoret ky ose ai flamur është hequr me një modifikim-qepje flamujsh. Në një shtizë, dy flamuj ngjita-ngjitë. Të qepur. Të dytë nga një material bukur i tejdukshëm. Në njërën anë shihej pak shqiponjë, pak hartë Kosove dhe 6 yje, kurse në anën tjetër dukej pak hartë Kosove pak shqiponjë dhe 6 yje. Fusha e njërës anë dukej pak si e kuqrremtë, ana tjetër pak si e kaltër (rremtë).
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:49 am

Halil Xani

 


Ditari Javor


 


E hënë, 3 nëntor 2008


 


Në mëngjes kam shkuar në Skenderaj. Pak para orës tetë isha te ordinanca e stomatologut. Në derë shkruante se punon nga ora tetë, por nuk erdhi deri pas orës 9,00. Dr. Njaziu (Gruda) më kërkoi falje që u vonua pak. Unë ia ktheva: Jo, jo, ju  nuk jeni vonuar, por unë që vërtet kam ardhur në ora tetë, ama jam vonuar një vit me këtë dhëmbin e prishur. Ma ndreqi dhëmbin saora. Nuk ndjeva dhembje.


 


Titullit të një gazete “410 pacientë do të shërohen me radhë” ,  ia shtova: nëse kanë ymer deri t`u vije radha.


 


Në gazetën “Shekulli” , në internet, ishte edhe një shkrim për një luftë me sëpata në mes të axhës me djalë dhe nipit të tij, për një rrip kullose afër shtëpive ( diku në Shqipëri). Sa keq. Kjo ndodh ( në shek XXI) kur shteti nuk i zgjedh me kohë kontestet për pronat.


 


 


E martë, 4 nëntor 2008


 


Në ditën e sotme, më 1967, ka ndërruar jetë  babai im, ndjesë pastë, të cilin shumë e kam dashtë, por edhe më ka dashtë. Jo vetëm unë e kam dashur atë. Se vërtet ka qenë njeri i mirë dëshmon fakti se gjysma e fëmijëve të mëhallës i kanë thënë “babë” sikur edhe unë. Ai pa fije përtese u bënte fëmijëve ski, saja e lodra të tjera, ama tek ai: fëmijët e jepnin betimin se nuk do ta harronin mësimin”. Baba Ferat e donte shumë shkollën. Vet nuk kishte arritur të shkollohej, por këtë e donte për neve. Suksesi im në shkollë e gëzonte pa masë. Nuk kalonte ditë ( kur ishte në shtëpi) e të mos më pyeste a kam marrë ndonjë notë të mirë. Në ditën e sotme, para 41 vitesh, më kujtohet , ishte një mot i bukur sikur sot. I gjithë xhemati ( ishin shumë) hëngrën drekë, morën abdes dhe qëndruan në kopshtin tonë me pemë. Edhe një pjesë e madhe e të pames  qe kryer në ambient të hapur. Deri para luftës të tre djemtë ( ne vëllezërit) e kemi pasur nga një foto të babës, të cilën e patëm rritur e futur në kornizë, por  lufta na i mori edhe ato fotografi. Kështu, tash pamjen e babës e ruaj vetëm në kujtesën time.


 


Librin e dytë me poezi për fëmijë e kam titulluar:“Unë e babi mjeshtër”, në shenjë kujtimi për të. Jam krenar që e kisha një baba të tillë,   dhe gëzohem shumë kur dëgjoj të flasin mirë për të, njerëz që e kanë njohur.


 


Ai për aq sa kishte mundësi nuk kthente kë prapa pa  e ndihmuar kur kërkonte para a ndonjë gjë prej tij.


 


Nga lajmet (ngjarjet e ditës) veçova: Në RTK pashë pamje nga rrënimi i një objekti bukur të madh në një fshat të Prishtinës, ku nuk është zonë e urbanizuar. Zyrtari i Prishtinës tha se do të urbanizohet ( ndoshta) më vonë edhe kjo pjesë. TV jepte pamje të ndërtesave shumëkatëshe në Prishtinë të ndërtuara  me leje të Bajram Begut, por të cilat nuk guxojnë t`i rrënojnë. Kësaj i thonë “Kur s`ke çka i bën kalit,i sjell samarit”.


 


Lajmi më i ri: U arrit pajtimi që qytetarit Ali Kadriu, në anën tjetër të lumit Ibër t`i lejohet vetëm ta pastrojë shtëpinë e vet, se ta riparojë po u hidhëruakan serbët. Deri kur edhe ndërkombëtarët me dy kute? Bëjnë çmos që serbët të mos i trazojë askush, kudo që jetojnë në Kosovë, ndërsa shqiptari matanë urës nuk guxon ta riparojë shtëpinë, por vetëm mund ta pastrojë. Hajde drejtësi hajde!


 


Sapo mendova se e përfundova këtë fletë ditari, më duhet të shtoj edhe këtë se po të komentohen lajmet nga Kosova, duhet të shkruhen edhe shumë faqe të tjera. Ja edhe disa tituj: U arrestuan disa mjekë për transplantime ilegale të organeve në Prishtinë.


 


Kërkohet kryetari i Komunës së Kaçanikut i dyshuar për rrëmbim dhe detyrim. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij policia kishte gjetur shumë armë dhe municion.


 


Ai është arratisur, (thuhet)  jashtë vendit.


 


Mbahen zgjedhjet në SHBA. Ka gjasa të mëdha  Obama të zgjidhet kryetar.


 


 


E mërkurë, 5 nëntor 2008


 


Gjumi më doli më herët se zakonisht. Me kufje dëgjova radion në aparatin telefonik. Radio Kosova kishte pasur program special lidhur me zgjedhjet në SHBA. Përcillej atmosfera e fitores se Obamas,  kryetar  i SHBA-ve. Atmosfera paszgjedhore duhet t`ju shërbejë shembull gjithë botës demokratike, e sidomos neve shqiptarëve. Mc Kein tha se Obaman deri dje e kisha kundërshtar, sot ai është edhe kryetari im.


 


Edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar punimet në rrugën e re, mu para shtëpive tona. Çudi me njerëzit tanë. Gjatë tërë ditës afroheshin afër makinave dhe më tepër pengonin sesa ofronin ndonjë ndihmë. Kisha frikë se mos ndonjërin po e shtypë ndonjë makinë. Sa shumë jemi të prirur për biseda, polemika nevojë e pa nevojë. Një palë kërkojnë të zhvendoset një urë, pala tjetër ngul këmbë vetëm aty ku është, se aty e kanë “rahatu” kanalizimin e shtëpive të veta.


 


Edhe më tej mbretëron mot i thatë. Fermerët drojnë se fara e hedhur e grurit në ara mund të prishet. Shumë bashkëfshatarë po ankohen se uji në bunaret e tyre është pakësuar në minimum. Një fqi ankohej se gratë nuk po ia kursejnë ujin. Ka të drejtë.


 


Eh, si kanë ndërruar kohërat. Një djalë vjen ( në dyqanin tim) e më thotë: Mos i jep cigare veresi babës. E unë e njoh babën e tij. Ai punon më tepër se i biri. Prej nga kjo frikë nga i biri? Pak më vonë erdhi ai baba e më tha, më jep veresi, por mos i trego djalit, këtë borxh ta paguaj vet.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:50 am

E enjte, 6 nëntor 2008


Paradite isha në Skenderaj. Brenda një ore mbarova punë e u ktheva në shtëpi.


Dita e sotme e njëjtë me ditët e kaluara. Thatësi. Punohet në rrugën e re. Pluhur sa të duash. Njerëzit kureshtarë shikojnë makinat, sikundër edhe fëmijët. Në mbrëmje kam shfletuar disa gazeta në internet.


Në orët e vona përcolla një pjesë të punës së Parlamentit të Kosovës, në RTK. Është thënë sa e sa herë se në këtë Parlament ka deputetë heshtakë, gjumashë e të pandërgjegjshëm, të cilët kurrë nuk flasin, vetëm mëditjet i marrin. Nga fjala e një deputeti gjëmoi salla nga gazi, (qeshja e deputetëve). Ky qe e mori fjalën pastaj tha: -Nuk është mirë të buzëqeshni, ( të buzëqeshni, tha deputeti) se tema në shqyrtim është serioze.


Mbledhjen e kryesonte z. Sabri Hamiti, i cili femrave që nxitonin të diskutonin lidhur me ligjin për abortin, iu tha:


-Gra, priteni nenin!



E premte,7 nëntor 2008


Sot ishte mot i thatë, i freskët dhe me erë të lehtë.


Në mbrëmje kam qenë në ditëlindjen e katërt të Norit (Arbnorit djalit të hasretit të mikut tim). Kishte shumë njerëz të ftuar. Gjatë kohës sa ndejtëm, Kemajl Shaqiri me të birin kënduan disa këngë folklorike. Nori ulur këmbëkryq, përpiqej t`i imitonte këngëtarët me çiftelinë e vogël të cilën ia kishte sjellë daja për ditëlindje. Mendova me vete, sa mirë që daja i ka sjellë çifteli e jo ndonjë armë plastike. Ka kaluar koha e armëve.


Nga lajmet: Edhe sot bëhet e ditur se janë arrestuar gjykatës e njerëz të tjerë për korrupsion. Më habiti edhe arrestimi i z. Ilir Rreci i dyshuar se ka dhënë liqencën për transplantime, qendrës private medicinale”Medikus” Ky djalosh që rrjedh nga një familje e edukuar më është dukur djalë i pjekur. Është ndonjë gabim, apo Iliri ka rënë pre e kajtës, kjo do të verifikohet më vonë. Është për t`u çuditur se si njerëzit posa shkojnë me ndonjë punë në Prishtinë, duan që brenda natës të pasurohen . Shumë prej tyre edhe ia kanë arritur, por se a do t`ju shkojë kungulli mbi ujë, (ishalla jo) kjo varet prej EULEX-it.



E shtunë, 8 nëntor 2008


Një ditë e zakonshme e fundjavës. Mot i freskët, i vranët, pa të reshura.


Rruga e re po ndërtohet me ritëm të shpejtuar, por a do ta ndërtojmë ne vetëdijen tonë, kjo është çështje tjetër. Edhe derisa punohet, njerëzit pa fije turpi hedhin bërllokun skaj rrugës së re. Një plak, i cili shkon në xhuma, heq thasët e thatë të letrës nga oborri i vet e i hedh afër shtëpisë së fqiut, në stom të rrugës së re. Keq. Kjo më brengos. Kjo pjesë e Drenicës nuk mban mend ndonjë vizitë të përfaqësuesve të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.


Për kontejner askush nuk çan kokën.


Një plak i lagjes sime ( mund të jetë njeriu më i vjetër i fshatit), ka djalë, ka nipër e stërnipër. Ai edhe gjatë këtyre ditëve me temperaturë 5-6 gradë celzius , ruan bagëtinë në fushë. Ky ishte frymëzim për vargjet që shkrova:



Dikur fëmijët me ëndje ruanin bagëtinë fushës


Tash pleqve ua lanë në dorë këmbët e arushës


Mos thoni pleq vaj halli ku- ku çka na gjeti


Tash është tjetër kohë, është epokë interneti.



Se të bijtë ua kanë marrë kuletën ( edhe ashtu të hollë) baballarëve po bindem çdo ditë e më shumë. Sot një “baba” më luti t`i jap diçka veresi, ngase siç tha ai, nuk e kishte të birin në shtëpi. Seç mu kujtua një anekdotë që thotë:


Një plaku ia kishin pas marrë djemtë kuletën për së gjalli. Ai e kishte marrë një letër e kishte shkruar, e kishte futur në një bri kau dhe e kishte futur në dhe afër një peme. Para se të vdiste i thërret djemtë dhe u thotë. Unë po vdes. Afër dardhës në filan arën ua kam lënë një thesar.


Pas vdekjes së plakut, djemtë groposën afër dardhës, e gjetën bririn e në të një letër në të cilën plaku kishte shkruar:


Kush ua lë zotshpillakun djemve, ky bri i hiftë prapa.



E diel, 9 nëntor 2008


Në vendet e përparuara sot (dhe në çdo fundjavë) pushohet. Njerëzit dalin shëtisin, argëtohen dhe nisin pastaj prapë punën në javën e re. Për ne të gjitha ditët ( pothuaj) janë njësoj. Në gjithë lagjen time, me nja 20 familje, me nja 30 burra, vetëm një mashkull është në punë. Të tjerët, shumica merren me ndonjë punë rreth shtëpisë, bujqësisë, ndërtimtarisë…


Mbase përjashtim bën dita e hënë, dita e tregut në Skenderaj, kur nëpër shtëpi ngelin pothuaj vetëm gratë dhe fëmijët që nuk janë në shkollë.


-Edhe sot pnunoni,- e pyeta një punëtor të kompanisë “Bejta Comerce”.


-Po,- tha, dhe si me shaka shtoi se për punëtorët e punësuar tek padronët kosovarë dhe për frigoriferët nuk ka pushim as të dielave.


Flitet se nëpër mediat tona ( publike e private) janë punësuar edhe njerëz të padijshëm, të pashkollë, por që kanë shpinë të fortë. Kjo mund të vërtetohet çdo ditë kur i dëgjon apo i lexon këto media.


Sonte në emisionin e Radio Kosovës “Me rapsodët tanë” , në orën 18.30 minuta, kënga e parë ishte për hakmarrjen.


Syzheu i shkurtër i këngës:


Hasimes ia vrasin vëllezërit. Ajo vendos të martohet me atë që ia merr hakun. Pas tri vjet martese, burri nuk ia mori hakun, por kish ftuar pleçnarë për pajtim me hasmin. Hasimja, merr “alltinë” shkon të shtëpinë e hasmit. E pyet një plakë ku janë burrat. Ajo i thotë se janë në lamë. “Trimëresha” kërcen gardhin dhe i vret dy burra.


Këngët e tilla duhet të hidhen në “Dhoma pa kthim” (një emision) në RTK-së, apo të palosen në ndonjë qoshe të Institutit të Albanologjisë, a të Historisë.


Ç`koinçidencë. Në lajmet e orës 19.00, sonte KTV solli momente shumë prekëse nga pajtimi i dy familjeve në komunën e Kaçanikut.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 17, 2008 2:52 am

(Jo vetëm) lapsuse në mediat tona

Nga Halil Xani


... Liderët aktualë serbë duhet të dëgjojnë
mesazhin se nëse vazhdon të mbështesë mesazhin...Express, 17.08.2006, f.4;


...ndihmë mjekësore në komunën e Pejës kanë kërkuar ndihmë...Po aty, f. 10;


...për herë të tretë, pasi që ka qenë edhe dy herë të tjera...Po aty, f.21;


...ka tentuar të kryej vetëvrasje në tentativë…Epoka e Re, 02.08.2006, f.8;


...lopët kullotnin lirshëm dhe mund të ishin rrezik për
fëmijtë me brirët e tyre të mprehtë...Po aty, f.10;


I pyetur nëse nga mediat serbe nëse serbët...Express, 05.08.2006, f.6;


...djersitja, urinim,kollitje, vjedhje etj., Infopress, 10.08.2006 f.19;


…që lidershipi Kosovar të bëhet unik dhe koheziv në qëndrimin e saj…
Express, 04.08. 2006, f.4;


…për ta ndal Malin e Zi të pavarësohet, që në fakt ajo tani është e pavarur…
Express, 17.07.2006, f.4;


…në pjesën e prapme të shpinës… po aty;


…përkundër roli të saj të ndërmjet dhe transitor, TMK… Exspress, 19.07.2006, f.4;


Pas kompletimit të zyrës…do të bëhet pasuria e çdo bartësi…Po aty, f.8;


Raporti i Organizatës për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet “Çohu” në raportin e saj… Epoka e Re, 19.07. 2006, f.3;


… nëse bie në sy ndonjë lojtar që ka nevojë klubi…po aty;


…rrufeja ka goditur fëmijët, këta të fundit… Express, 12.07.2006, f.12;


…I lënduari është dërguar në QKU në Prishtinë, thuhet në njoftimin e qeverisë…po aty ;


…u keqtrajtuan më se 2000 mijë ushtarë… Epoka e Re, 07.2006, f.6;


Gjermania nëse kalon sidën e quajtur Itali…Po aty, f.23;


Shitet shtëpia dykatërshe...Po aty, f.29;


Ne kemi resurse edhe nëntokësore edhe mbitokësore të mëdha… Express, 14.05.2006, f.9 ;


…çdo vendim pa pëlqimin e Kuvendit do të ishte e pavlefshme, Kosova Sot, 05.05.2006, f.3;


…monotonia e territ do të na përcjellë gjatë, sepse KEK-u ka arritë tashmë të bëjë jetën e njerëzve të pakuptimtë. Exspress, 17.02.2006 f.11;


…rreth 200 metra në jugperëndim të Berlinit, Koha Ditore , 24.07.2006, f.18;


Gjithsej në botë sot jetojnë 6.6 milionë banorë... Express 10.08.2006, f.18;


...protesta e banorëve të KEK-ut ka qenë e paralajmëruar…Express, 16.02.2006;


Shoferi dhunues i autobusit, Iliria Post, 06.03.2006, f.13;


…nga skuadra keq zi shkau i mjeteve financiare është rikthyer sërish…Express, 14.05.2006;


...gjë që edhe kjo u mirprit shumë mirë… Kosova Sot, 25.02.2006, f.17;


Nëse gjërat shkojnë siç i ka parashikuar menaxhmenti i KEK-ut ky dimër që vjen do të jetë më i mirë se dimri i kaluar. Po aty;


Rada Trajkoviç nuk ka dashur të deklarohet se nga KSN nuk ka dashur të tregojë,
Express, 10.05.2006, f.5.


Shpenzimet vjetore të stafit të UNMIK-ut për një vit në Kosovë… Epoka e Re, 14 qershor 2006, në ballinë;


NN vozit makinën e dehur-Kosova sot, 27.7.2008


Bashkimi Evropian të fillojë misionin e saj…Radio Kosova, 11.7.2007, Pr. i mëngjesit


Këshilli i Sigurimit dhe anëtarët e saj…TV 21, 12.06.2007 (Pr. i mëngjesit)

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Halil Xani: (Blic) Mahi II‏ Empty Re: Halil Xani: (Blic) Mahi II‏

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi