Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shpresa për kthim

Shko poshtë

Shpresa për kthim Empty Shpresa për kthim

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 26, 2009 11:48 pm

Shpresa për kthim


Shpresa për kthim Jetmir_idrizi_shtepite_e_ali_kadrise2-490x320
Situata në lagjen Kroi i Vitakut është e qetë. Punimet për shtëpitë pritet të rinisin sot. KFOR përkujdeset për rend. Zyrtarët e Komunës shprehen optimistë se punimet do të kryhen, pas ndihmës së ofruar edhe nga EULEX. Banorët e shpërngulur presin me padurim kthimin në shtëpitë e tyre.

Nga Selvije Bajrami më 26.04.2009 në ora 20:54

Rruga që të shpie për në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës, mbaron në mes të këtij vendbanimi, në një kodër nga e cila mund të shihet qyteti i ndarë. Përveç që shihet pjesa jugore e këtij qyteti, në pamjen nga pjesa veriore mund të shohësh shtëpi të djegura, por edhe disa që janë të banueshme.

Nga shtëpitë, mund të kuptohet se cilat prona janë të serbëve, e cilat të shqiptarëve.

Ka rreth dhjetë vjet që banorët shqiptarë të lagjes Kroi i Vitakut nuk jetojnë në shtëpitë e tyre. Por më në fund, me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, para tri ditëve ka filluar ndërtimi i pesë shtëpive në këtë vendbanim. Por kjo punë ka sjellë telashet e para. Të shtunën, në ditën e tretë të punimeve, disa serbë të ardhur nga lagja e afërme e quajtur “Berxhani”, kanë tentuar të ndalin punën.

“Më shumë se njëqind serbë kanë ardhur duke brohoritur “Serbia”. Ata kanë kaluar kordonin e policisë që janë nga stacioni verior, ndërsa janë ndalur pas 100 metrave nga Policia e EULEX-it”, thotë Rasim Veseli, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës.
Ai shpjegon se ditën e shtunë kishte qenë në atë pjesë ku po punohej, kur protestuesit kanë tentuar të futen më në brendi. Në këtë zonë ishin duke u bërë punime dhe se Policia e EULEX-it i ka kthyer ata prapa.

“Policia ka përdorur lotsjellës, ndërsa puna jonë ka vazhduar. Nëse vazhdojnë kështu punimet, shtëpitë do të jenë gati më herët se që ishte menduar”, thotë më tej ai.
Lagja Kroi i Vitakut, të dielën ishte e qetë. Nuk dëgjohej asnjë zhurmë, e nuk shihej thuajse asnjë njëri. Dy vetura të KFOR-it estonez përkujdeseshin për rendin dhe qetësinë.

“A e dini që nuk jeni në zonë të sigurt”, thotë njëri nga ushtarët.

Tjetri tregonte se si nuk është e sigurt të shkohej më tej në rrugën pa krye. Deri në majë të asaj kodre, rruga është përgatitur për t’u shtruar në asfalt. Në maje të saj përfundon gjithçka. Nuk ka më rrugë që vazhdon andej, përveç njërës me gropa që të drejton te shtëpia e Ali Kadriut. Edhe kjo rrugë gjithashtu është paraparë të rindërtohet në këtë pjesë, e për të cilën ishte bërë zhurmë edhe muaj më parë.

Punime nuk kishte të dielën dhe situata ishte e qetë. Kishte patrulla policore në atë pjesë, ndërsa vetura të KFOR-it francez vëreheshin në pjesën ku janë shtëpitë serbe. 200 metra nga kodra ku ka shtëpi të shkatërruara të shqiptarëve, serbët pengojnë rindërtimin e tyre.

Ata besojnë se kjo zonë është shumë strategjike.

Ndonëse serbët vazhdimisht kanë tentuar të ndalojnë punimet, komunarët janë të bindur që ato të vazhdojnë me gjithë telashet që mund të kenë.
Rasim Veseli lavdëron punën e EULEX-it të bërë një ditë më parë si dhe punën e qeverisë aktuale për vendosmërinë në rindërtimin e shtëpive në Veri.

“Qeveria aktuale nuk është vonuar, ndërsa të kaluarat janë stërvonuar”, thotë ai, duke bërë të ditur se puna e tashme është vetëm në fazën e projektit.
Faza e dytë për të cilën është dhënë premtim se do të ketë përkrahje financiare nga Qeveria, sipas Veselit, parasheh që numri i shtëpive të rindërtuara të arrijë deri në 25.
Në këtë numër pritet të rindërtohet edhe shtëpia e Musa Halilit. Ky i fundit bashkë me gruan e gjashtë fëmijët si dhe me 27 familje të tjera, shumica nga pjesa veriore, jetojnë në një strehimore në jug të qytetit.

Tani e dhjetë vjet, Halili e banorët e tjerë të kësaj ish-jetimoreje, shpresojnë të kthehen në vendin e tyre të lindjes.

“Për dhjetë vjet jemi munduar ta quajmë jetë, një jetë të pajetë”, thotë ai, teksa qëndron në korridorin e ndërtesës së vjetruar.

“Kjo ndërtesë ka tri kate, ndërsa vetëm tri banja”, shpjegon ai. “Duhet me pritë në rend për t’u pastruar”, thotë ai duke përshkruar jetën që bëjnë në këtë objekt kolektiv.
Musai shpreson se më në fund ka ardhur momenti që të kthehet në shtëpinë e tij, edhe pse tendenca për të shkuar atje ka pasur dhe më herët.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, ai me familje ishte kthyer, ndërsa ishte tërhequr mbrapa vetëm pas shtatë orë qëndrimi. Serbët kishin provokuar situatën, kurse në vitin 2000 ata kishin bërë prapë përpjekje që të kthehen.

“I morëm tendat e i vendosëm. Brenda ditës na sulmuan e na i dogjën tendat”, tregon Musai për Express.
Për të dhe shumë të shpërngulur të tjerë, dita e 23 prillit, kur ka filluar rindërtimi dhe meremetimi i shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, ka qenë më e lumtura.
“Atë ditë lindi edhe një shpresë për banorët e asaj pjese”, pohon ai.

“Mundohem me punu privatisht, por s’po ka punë. Nga afro 30 familje që jemi në këtë strehimore, vetëm në tri prej tyre ka njerëz që punojnë, të tjerët jetojnë në kushte mjaft të vështira”, shpjegon ai.
Pavarësisht pakënaqësisë së serbëve të pjesës veriore të qytetit, punimet pritet që të vazhdojnë. Puna do të nisë sot (e hënë), në orën 8 të mëngjesit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi