Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

HAFIZ GAGICA:Iu thaftë po dora atij që shtiu

Shko poshtë

HAFIZ GAGICA:Iu thaftë po dora atij që shtiu Empty HAFIZ GAGICA:Iu thaftë po dora atij që shtiu

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 19, 2013 5:48 pm

HAFIZ GAGICA:Iu thaftë po dora atij që shtiu!

HAFIZ GAGICA:Iu thaftë po dora atij që shtiu Largea_hafiz-gagica1371572259
E mallkuar qoftë ajo mendje që organizoi vrasjen e Xhemajl Mustafës!
Në shenjë përkujtimi për eruditin e fjalës së lirë dhe heroin e çlirimit dhe demokracisë së Kosovës, Xhemajl Mustafën...!

Më 16 qershor të vitit 1999 përmes Shkupit bashkë me një kolonë ushtarësh amerikan dhe gjerman, në orët e mesditës, pas 18 viteve të ndaluara arrita në Prishtinë. Rrugës aty-këtu shihnim ndonjë njeri që kthehej apo që kishte fillue ta ndjente aromën e lirisë dhe kishin fillue të dilnin me i pritë dhe pa shkarkimin e trupave të NATO-s.
Prishtina, dukej sikur ishte boshatisë e tëra nga popullsia, kishte shumë pak lëvizje, vetëm në ditët në vijim do të dalin fëmijë, burra e gra për të shijue lirinë e Kosovës. Liri që e kishim ëndërrue me shekuj dhe për të cilën kishin sakrifikue gjenerata të tëra që një ditë të jemi komb dhe shoqëri e lirë.
Kujtimin për mikun, intelektualin dhe patriotin që i mbijetoi terrorit shtetëror serb më shumë se një dekadë, dhe i cili i përballoi muajt e tmerrit të deportimit të shqiptarëve, është vështirë ta shkruash me pak fjalë, sidomos kur ke parasysh faktin se Xhemajl Mustafa ka qenë figurë e rrallë në publicistikë, në politikë, por dhe në jetën e zakonshme si prind, shok, mik dhe shkrimtar.
Xhema ynë i dashur, siç e quanim, po bëhen 13 vite që nuk është më në mesin tonë, nuk është më njeriu, i cili i rezistoi dhe e mbijetoi katrahurën dhe golgotën shqiptare. Por, mjerisht, ai u vra në liri, një vit e gjysmë pasi që Kosova kishte fillue të frymonte sadopak lirshëm, u vra në prag të shtëpisë së tij në ora 15.00, në pikë të ditës... Një vrasje kjo që i përngjante shumë vrasjeve tjera që janë bërë ndaj intelektualëve dhe patriotëve tanë pas luftës.
Nuk ka dyshim se dita 23 Nëntorit të vitit 2000 do të mbahet mend si dita më zezë e pasluftës në Kosovë, do të jetë shënue në analet e politikës si dita kur filloi vrasja e demokracisë shqiptare, si dita kur Kosovës iu shua një dritë e dijes, si dita kur u vra mendimi ndryshe, si dita kur u bë atentat mbi urtësinë dhe patriotizmin shqiptar..!?
Çdo herë kur kaloj nëpër sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, më del parasysh Xhema, në krahun e djathtë të cilit ishte bashkëshortja e tij duke ecur prajshëm për t’i pa qytetarët, të cilët kishin fillue të dilnin nga banesat e tyre, ngase qyteti kishte fillue të shijonte pakëz liri pas një lufte shkatërrimtare. Me Xhemën, si zakonisht edhe në ato orë të gëzimit, po aq edhe të dhimbjeve të mëdha që po i ndrydhnim brenda në vetvete, u përshëndetem duke u përqafue gjatë dhe përmallshëm, që ishte një gëzim i pa përshkruar për mua, por edhe për të dhe bashkëshorten e tij, të cilën po e takoja për herë të parë.
Qershori ishte muaj gëzimi për të gjithë shqiptarët që kishin arritur t’i mbijetonin masakrat e ushtrisë dhe paramilitarëve kriminalë serb, siç ishte i veçantë ky gëzim edhe për Xhemajl Mustafën, njërin nga bashkëthemeluesit e LDK-së dhe të QIK-ut. Xhema ishte ai që e propozoi Dr. Ibrahim Rugovën për kryetar të LDK-së, ishte njëri nga aktivistët më të devotshëm të Lëvizjes tonë kombëtare dhe gjithherë pa përtesë merrte pjesë në aktivitetet tona në Perëndim, siç ishte nga intelektualët e paktë që vinin nga Prishtina në Shtutgart t’i vizitonin varrezat e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët ishin vra po ashtu në një atentat në prag të shtëpisë së tyre më 17 janar 1982 në Untengrupenbach të Gjermanisë.
Siç shkrova, me 16 Qershor 1999 me një kolonë të ushtarëve amerikan e gjerman bashkë me një grup bashkëveprimtarësh nga Gjermania, nëpërmjet Shkupit arritëm në Prishtinën e posa çliruar nga okupimi i gjatë serb, ndonëse situata ishte ende e pa sigurt, edhe pse KFOR-i shkarkohej për çdo ditë dhe stacionohej në Prishtinë dhe gjithë Kosovën. Policia serbe akoma zvarritej nëpër Prishtinë, dhe unë me disa miq u vendosëm në banesën e akademik Hivzi Islamit, përballë mensës së studentëve. Në mbrëmje, përveç lëvizjeve të makinave të rënda të KFOR-it dhe qenve endacak, nuk vërehej dhe as nuk dëgjohej zë njeriu.
Më 17 Qershor dola në qytet për të kërkue ndonjë bukëpjekës nëse i kishin hapur dyqanet, dhe pas pak në qendër të Prishtinës e takova Xhemajlin të cilit i qeshte fytyra, por asnjëri nga ne të dy nuk e dinte nëse popullata i kishte shpëtue masakrave apo ishte largue nga Prishtina. Xhema kishte mbijetue, ashtu siç e ka përshkrue situatën me mjeshtri në librin e tij.
Me Xhemën kam pasur kënaqësinë dhe nderin të bashkëpunojë ngushtë dhe çdo herë kur kemi pasur nevojë ai ka ardhur në Gjermani, madje kemi komunikue edhe përmes telefonit dhe letrave me njëri tjetrin. Gjithashtu e kemi vazhduar bashkëpunimin dhe i kemi bashkërendit disa veprimtari të LDK-së edhe pas çlirimit të Kosovës, deri sa një dorë e zezë ia mori jetën mizorisht..!
Ta kujtosh sot Xhemën pas gati 13 viteve, apo të shkruash për të është vështirë, sepse njeriu nuk dinë ç’të flas më përpara për të, për urtësinë e tij, apo për gjindshmërinë e tij, për mendjemprehtësinë e tij, apo për shkrimet e qarta dhe shumë me interes, jo veç për letërsinë shqiptare, por edhe për publicistikën në veçanti. Xhema kishte një dashuri tepër të madhe për një Kosovë të lirë dhe demokratike, të përparuar dhe të integruar në vendet e zhvilluara si dhe në Unionin Evropian.
Xhema ishte bashkë ideator dhe bashkëthemelues i LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërm i Presidentit Rugova, ai kishte propozue që në krye të LDK-së të zgjidhet Dr.Ibrahim Rugova, duke qëndrue gjithnjë pranë dhe afër Rugovës, por kurrë pa kërkue poste, siç nuk vërehej tek ai se ishte i prekur pse të tjerët pa ndonjë meritë të madhe avancoheshin në poste partiake ose shtetërore. Xhema gjithnjë i përkrahte iniciativat dhe mendimet me vlerë, ishte pragmatik dhe i vetëdijshëm se vetëm me unitet politik mund t’ia dalim që të jemi të lirë dhe të bashkuar.
Gjatë kohës së bombardimeve dhe largimit të Presidentit Rugova me familje nga Kosova Xhema më ka telefonue dy herë, përkundër gjendjes së rrezikshme për shpëtim nga barbaria serbe, ai më jepte shenja optimizmi dhe besimi se do të bahet më mirë!
Edhe sot më duket se po e dëgjoj kur më pyeti; a mbërrini shefi mirë, si i keni punët atje, çfarë janë gjasat për intervenim tokësor, mos u bëni merak, do të bëhet ashtu si e ka shkrue Zoti, nuk do të nisemi rrugëve klandestine se mund të jenë shumë më të rrezikshme, unë do të rri këtu në Prishtinë!
Me të drejtë shtrohet pyetja e përhershme; cila ishte ajo dorë e zezë që shtiu mbi Xhemën, kush ishte ajo mendje e prishur që dha urdhër me e vra Xhemën, dhe pse?
Një pyetje e përhershme shtrohet njësoj si për institucionet e drejtësisë ashtu dhe forcat politike, kur do të zbardhet rasti i krimit, apo akoma disave nuk iu konvenon zbardhja e vrasjes së intelektualit dhe bashkëthemeluesit të LDK-së, partisë që i vuri bazat e idealeve për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës..!?
Pa marrjen e përgjigjes në këto pyetje, vështirë e kemi me besue në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë!
Xhema nuk është më fizikisht në mesin tonë, por shëmbëlltyra e tij jeton në shpirtin dhe mendjen e popullit të Kosovës, shumica e popullit të Kosovës e donte Xhemën, dhe akoma beson se një ditë vrasësit e tij do të dalin para drejtësisë për ta marrë dënimin e merituar.
Drejtësia shpeshherë është vonue, por ajo kurrë nuk ka harrue me ardhur në vendin e vetë, ashtu do të jetë edhe në rastin e Xhemës..!!
Kujtimi për Xhemën do të jetë i përjetshëm, derisa të jetojnë edhe shqiptarët në këtë botë!


Stuttgart- Prishtinë 16. 06. 2013
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi