Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm”

Shko poshtë

Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” Empty Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm”

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 14, 2014 1:49 pm

 1.Fjala e redaktorit

Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 429711_10150642905027822_726434766_n


Prof. dr.sc.Akil Mark Koci

Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm”

(duke marrë shkas nga shkrimi me të njëjtin titull të muzikologut, prof. Robert Prennushi)

Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 283767_243802499069859_619073199_n

Në rubrikën Fjalën e Redaktorit kemi trajtuar tema të ndryshme, duke kërkuar të vëmë në dukje shembujt e mirë por edhe duke kritikuar gjendjen në muzikën tonë shqiptare e duke treguar përgjegjësinë që shpesh bie mbi institucionet që e lënë “në bisht” artin dhe kulturën. Kemi shkruar edhe për kërkesat dhe për mundësitë reale që janë, por që presin të vihen në jetë, për një zhvillim më të harmonishëm të jetës muzikore pan shqiptare. Pra edhe kur kemi kritikuar, edhe kur kemi lavdëruar, kishim vetëm një synim: zhvillimin më dinamik dhe të suksesshëm të artit tonë muzikor.

Këtë herë, duke marrë shkas nga botimi i artikullit që cituam më sipër, do të shtrojmë atë që, si komb, na mungon më shumë: njohja, koordinimi dhe ndihma që i duhet dhënë artistëve shqiptarë kudo që ndodhën në botë. Eksodi biblik që ndodhi mbas rënies së diktaturës, bëri që një e treta e shqiptarëve të Shqipërisë të marrin udhën e mërgimit. Ky fakt epokal si dhe krijimi shtetit të Kosovës e problemet e komunitetit shqiptar në Maqedoni, bëjnë të domosdoshme hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e promovimin e artit dhe kulturës shqiptare kudo ku ajo gjallon. Nëse për bashkëpunimin në fushën e muzikës Kosovë-Shqipëri janë më evidente si risitë po ashtu dhe mundësitë e mëdha të pashfrytëzuara, për pjesën tjetër të diasporës jemi vetëm në një fillim të vakët, madje edhe pa strategji të përcaktuar nga shteti mëmë. Nëse për letërsinë dhe pikturën ky koordinim, kjo njohje, është më e lehtë të realizohet. Për muzikën qëndron puna ndryshe. Një lapsë dhe një letër i duhet shkrimtarit, një tela-jo, penel e bojëra - piktorit. Letra (me pentagrame) e lapsi i duhet edhe kompozitorit, por partitura e kompozuar mbetet letër e heshtur nëse nuk fillon “faza e dytë”- ajo e interpretimit, që angazhon herë herë edhe dhjetëra e ndoshta dhe qindra artistë. Për të lexua një roman, duhen ditë. Për të dëgjuar një simfoni – rreth një orë... Por është intensiteti i madh i ndikimit emocional tek njeriu ajo që e bën muzikën të veçantë, sepse ajo të ngre në një dimension të tjetër, jashtë tokësor... Muzika e një kombi është ndoshta ambasadorja më e efektshmja e tij kudo në botë. Dikush mund të thotë se muzika ka shpenzime, por ata harrojnë të venë në dukje rolin e saj të jashtëzakonshëm në të gjitha kthesat e mëdha të shoqërisë, që marrin edhe ma shumë rëndësi në periudhat “më të qeta”, ku një shoqëri ka nevojë të fisnikërohet edhe më shumë, të njihet edhe në botë me fizionominë e saj. Çdo qeveritar do të donte ta “qeraste” një mik të lartë të huaj me një koncert dinjitoz. Por miqtë vijnë jo shpesh, ndaj dhe vëmendja ndaj muzikës është ajo që është.

Është kënaqësi kur njeriu lexon apo dëgjon për sukseset e artistëve tanë në vend apo në diasporë. Një kënaqësi të tillë na jep artikulli atraktiv i Prennushit, i cili, duke pas në curriculumin e tij një eksperiencë të suksesshme si pedagog, (kam dëgjuar personalisht violinistin e shquar, prof, Lorenc Radovani, tek fliste për rolin që ka pas në formimet e tij si violinist,kursivi i pedagogut R.Prennushi), këtë herë është edhe në rolin e studiuesit promovuës të vlerave tona, të vlerave muzikore shqiptare të diasporës. Kështu me këtë shkrim me vlerë përgjithësuese, pianistja e re Gaia Sokoli që, e lindur në Itali, bën pjesë në brezin e dytë të emigrantëve, bëhet për ne dhe metafora e artit shqiptar që lëshon rrënjë jashtë atdheut, ashtu si pesëqind-vjet më parë emigracioni shqiptar i dha Rilindjes italiane përfaqësues të denjë.Kohët janë të tjera, po ashtu dhe mjetet. Nuk ka kuptim që sot atdheu, toka mëmë, të mos njohë bijtë e vet. Përkundrazi ajo duhet edhe t’i ndihmojnë ata më shumë në udhën e vështirë të artit, në një botë ku vlerat materiale janë mbizotëruese.

Ky shkrim i bukur, me vlerë njohëse e edukative, profesional, por shkruar me një stil divulgativ, na bën edhe të reflektojmë më thellë. Përveç instrumentistëve, a i njeh Shqipëria, kompozitorët e vet më në zë? Natyrisht këtu nuk flasim për njohje emrash, por veprash. Veprat e tyre a njihen e a kanë mundësi reale të ekzekutohen në Shqipëri? Duke qenë në kontakt me muzikën kontemporane, atje ku ndodhën, shpesh krijuesit shqiptarë jashtë, sjellin dhe rrugë të reja, stile e kërkime që mund të ndihmojnë më shumë për krijimin e një muzike shqiptare bashkëkohore.

Dhe në fund, duke fol konkretisht për pianisten e re Gaia Sokoli, na vjen në mend të themi: Vërtetë Gaia tani, si studente e koncertiste ka në repertor nga Bach, Hayden, Mozart, Beethoven, List, Schopen, Brahms, Bartok, Cimarosa, Clementi, Debussy, Kessler, Scarlati, Pozzoli, Schubert,  Çajkovski,Weber dhe të tjerë. Por sa vlerë do të kishte që ajo të luante në koncertet e saj nëpër botë  edhe pjesë pianist-ike të autorëve shqiptarë! Kjo do të ndodhë nëse Gaia do të njihet me vendin e muzikën e prindërve të vet.
Është kjo arsyeja që e ndjejmë të nevojshëm të bëjmë një apel:

Nëse ndonjë institucion artistik shqiptar dëshiron të realizojë një koncert me pianisten  Gaia Sokoli, e do puna që t'i sugjerojë asaj edhe ndonjë pjesë të autorëve shqiptarë (koncerte, rapsodi, ose pjesë tjetër). Për këtë, mund të kontaktoni  me e-mail:
robert.prendushiibero.it



Si redaktor përgjegjës i Kontrapunktit  falënderoj autorin për shkrimin dhe për gatishmërinë për t’u bërë ndërlidhës, ndërsa pianistes së re i uroj e i dëshiroj suksese të reja si një nga ambasadoret e denja të muzikës shqiptare në botë. 

Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” Robert-Pernnushi

2.



Pianistja e re Gaia Sokoli mahnitë publikun italian e jo vetëm

  (Një histori e bukur muzikore nga Diaspora shqiptare)

 

Këte histori të bukur e ka shkruar për Kontrapunktin 
Prof.Robert Prennushi, muzikolog
Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 314930_262872590496183_1339238403_n

Shpesh nuk kujtohemi, por e verteta është se rreth një e treta e shqiptarëve jeton tashmë jashtë territorit të Shqipërisë. Diaspora shqiptare bën jetën e vet me problemet e përditshme që i dalin. Por jeta e saj është e gjallë edhe në fushën e artit. Sidomos tek brezi i dytë, që ka pasë fatin e nderin të kenë prind që kanë çarë me mund të madh për t’i parë fëmijët e tyre “njëlloj” me bashkëmoshatarët e tyre vendas, po shohim të ndrisin yje, që na bëjnë krenarë që jemi shqiptarë; ata edhe na gëzojnë e na heqin komplekset që na ngerthejnë nganjëherë edhe pa dashje. Genet e popullit tonë, ndër më të vjetrit në Europë, si origjinë, e më të riut, si moshë, janë të veçanta, edhe në fushen e artit. Është mirë që këto yje të njihen edhe në Shqipëri.
Në 17 vitet e punës këtu në Itali, nuk kam pasë fatin të kem nxënës shqiptarë, përveç nipit tim. Kur përpiqesha të nxitnja për studim ndonjë nxënës këtu, gjithnjë merrja si shembull nxënësit tanë në Shqipëri. Nuk them se prindt italianë nuk më besonin, por edhe ndonjë dyshim e kam parë tek ata. Fati ma solli që, tre vite më parë, një ish nxënëse ime italiane, Silvia Donati erdhi për vizitë tek unë me të shoqin shqiptar, Kreshnik Golemi e, mes të tjerave më tha: “Hai avuto ragione, maestro. Voi, albanesi, siete veramente bravi”. E më folën me entuziazëm për një fëmijë të talentuar shqiptar, pianisten Gaia Sokoli, atëherë 12 vjeçare.


Koncerti i parë: Gaia Sokoli 10 vjeçe

Pas atij tregimi entuziast të çiftit të ri italo-shqiptar dhe dëgjimit të CD që më kishin sjellë, me shumë dëshirë u përpoqa, duke shfrytëzuar edhe njohjen që kisha me miq e të njohur në Shqipëri, t’i siguroj Gaia-s një njohje, edhe me vendin e prindve të saj, përmes një koncerti. U përpoqa sepse Curiculum-i i saj, që atëherë, ishte i shkelqyeshëm: plot çmime kombëtare e ndërkombëtare për moshën e saj! Ishim para një talenti të jashtzakonshëm. Por nga Shqipëria doli “një pengesë”: Njëqind vjetori i Pavarsisë. Pengesë? A nuk duhet të ishte një shkas, një rast edhe më shumë që ajo ta njihte Shqipërinë dhe vendi ta njihte bijen e vet? Por nuk do të ishte e drejtë as të fajsohet njeri për këte, sepse vertetë programi i institucioneve të atij viti ishte i ngjeshur. Me thanë të drejten, si mësues, pata një deluzion jo të vogël sepse premtimet që kisha marrë më kishin bindë për të kunderten. Ndjehesha në borxh ndaj Gaias edhe pse personalisht nuk e kisha njohur, as ate, as prinderit e saj të mrekullueshem që kishin lindë e rritë një talent të rallë.
Pas nji përjudhe zhgenjimi, (gati si një nështrim pa shpresë), ishte miku im, kompozitori Akil Koci që, pas një bisede telefonike, i entuziasmuar më nxiti ta shkruaj këte “histori”.
Rifillova kështu kontaktet me familjen e pianistes Gaia Sokoli, që tashma 15 vjeçare, vazhdonte udhën e saj të suksesit, vazhdonte të shkruante historinë e bukur të jetës së vet muzikore, por këte herë “me dorën” e gazetarëve të huaj, që mbushnin gazetat e shkruanin me entuziazëm për koncertet e saja.
Këte histori të bukur, kam dëshirë ta ndajë me lexuesit shqiptarë permes faqeve të Kontrapunktit (Gazeta 55), ku, në saje të konceptimit mbarëkombëtar të redaktorit të apasionuar, kompozitorit, Prof.dr.sc. Akil M.Kocit, shkrimet aty ndjekin njëlloj, si zhvillimet muzikore shqiptare, ashtu edhe ato të diasporës e të kombit, (që ka kaq nevojë të gjejë përkrahje nga vendi mëmë).
x x x
“Më mirë mos të flasim për vështirësitë tona në vitet e para të inserimit tonë këtu, në Itali. Më mirë ta fillojmë nga gëzimi më i madh i jetës sonë, nga lindja e Gaia-s, me 16 maj te vitit 1998”, nisin të më tregojnë prindt e Gaia-s, Evis Alimerko e Dashamir Sokoli. Ata kanë të drejtë që kërkojnë të fshijnë nga kujtesa atë fillim. Kush i ka përjetuar ato situata e kupton mirë këte...
“Gaia, e squetë, e vemendshme dhe e vullnetshme, ishte gëzimi e çlodhja jonë”, më thonë. Por kurrë nuk mendonim këta prind të mirë se shpejt do të merrnin për Gaia-n një lajm kaq të papritun që, vertetë do t’i nxirte “telashe”, por kësaj herë të bukura… Ishte mësuesja e klasës së tretë, Floriana Liberatore, - familja Sokoli nuk e harron ate, - që u tha se Gaia kishte prirje të veçanta për muzikë dhe u këshilloi ta dergonin tek një specialist që konfirmoi talentin e Gaias, pra edhe përshtypjen e mësueses së mirë. Kur voglushja zgjodhi pianoforten, prindt u panë në sy dhe vendosen, në fillim, t’i blejnë nji pianolë digjitale, sepse nuk ishin të sigurtë nëse ajo do të vazhdonte. Kështu pra, bashkë me gëzimin, për familjen Sokoli nisi edhe një preokupim i ri, edhe pse i bukur. Nuk e njihnin fare atë ambjent, aq ma shumë sepse “tek ne asnjë nuk ka qenë muzikant”, më thonë. Por Gaia ishte dashunuar pas muzikës e rrinte me orë të tëra duke luajtur e duke përparuar kështu, në mënyrë të dukshme. Pas dy muajsh Gaia u ndie shumë e lumtur, sepse prindërit i kishin blerë një pianofortë vertikale. Vertetë ajo ishte e vogël, por e kuptoi se çfarë sakrifice kishin bërë prindt e saj. E kjo e nxiti edhe më shumë.

Gaia i filloi mësimet për pianofortë në Erba (afër Como-s), me profesoreshen Claudia Boz.

(Për lexuesin, mendoj se është e nevojshme një parantezë: Kur edha në Itali, bashkë me përshtypjet e mira për një vend të zhvilluar e me kulturë, si Italia, pata edhe një zhgenjim jo të vogël, për mënyrën më të dobët të mundëshme se si trajtohej lënda e muzikës në shkollat e kulturës së përgjithëshme, nga fillorja deri tek e mesmja (në ndryshim me nivelin e lartë të konservatorëve dhe akademive). E ku, në vendin, “per eccellenza”, të muzikës! Jo vetëm kaq. Në Itali, nuk ka shkollë muzike, ashtu si është e konceptuar në Shqipëri, ku kultura e përgjithshme dhe artistike zhvillohen në të njëjten strukturë dhe që fillon, për violinë e piano, duke filluar nga klasa e parë fillore. Këtu sakrificat janë gati të gjitha të familjes, ku njeri prej prindërve duhet të bëjë pa tjetër edhe “taksistin”…).
Por sodisfaksionet e para, për Gaian e familjen e saj, erdhen shpejt dhe i kalonin sakrificat. Mbas pak muajsh studimi, me 1 nandor 2007, 9 vjeçe, G. Sokoli mori pjesë në konkursin e parë të jetës së vet në Tortona (Torino), ku u paraqit me pjesë nga Bachu, Pozzoli dhe Çajkovskij. Zuri vendin e dytë; po Gaia nuk dukej e kënaqur. Prindt, duke dashtë ta drejtonin nga një qendrim më realist, i thanë se ky çmim ishte një rezultat shumë i mirë, por voglushja mbeti me mendimin e vet. Ajo kërkonte perfeksionin në çdo pjesë që luante dhe këte e realizonte me studim e falë talentit të saj të rallë. Mbas dy viteve, u trasferua në “Accademia Giovani Talenti”, në Alzate Brianza, sëbashku me profesoreshen e vet e cila zbuloi se tashma Gaia kishte edhe “vesh absolut”. Nandë vjeçe me vesh absolut! Përparimet e saj ishin impresionuese. Çdo ditë që kalonte prindt kuptonin gjithnjë e më shumë se muzika ishte bërë qellimi i jetës së Gaia-s.“Studionte me shumë pasion dhe ne menduam se kishte ardhë koha t’i blinim një pianofortë coda, por dëshëronim t’ja banim këte dhuratë, si surprizë”, - tregojnë prindt e saj. Gaia nuk e kishte pretenduar kurrë e as i shkonte në mendje se prindt mund të bënin një sakrificë të tillë. Kjo ndodhi në Krishtlindjen e vitit 2008, kur Gaia-s, me komplicitetin e fqinjëve, ju desh të dilte nga shtëpia për disa orë dhe të gjente, në mesnatën e asaj feste, jo një pako nën pemë, por një pianofortëCoda. Gaia ndjehesh më e lumtura e botës! Prindt e saj po ashtu. Edhe pse fëmijë, Gaia-s nuk ju rrit mendja, përkundrazi. Kjo dhuratë e bëri më të përgjegjëshme në punën e saj të dyfishtë: mësimet e përditshme dhe pianoforta; por në nivele të larta. Koha që do të vinte, muajt e vitet e ardhëshëm, do të “mbusheshin” gjithnjë me çmime e koncerte, me duartrokitje e sodisfaksione.

Është vetëm 10 vjeçe e po bën të veten panoramen muzikore, shkruan gazeta

Në moshën dhjetë vjecare, pedagogia e saj mendoi se Gaia ishte tashmë në gjendje të përballonte edhe një koncert të vetin. Duke parë programin, nuk është e vështirë të dallohet se sa ambicioz ishte ai repertor për moshën dhe kohën e paktë që kishte kaluar nga dita që voglushja kishte venë duart për herë të parë në pianofortë… Gaia egzekutoi nga J.Haydn: “Sonata Hob XVI, G1”; nga F.Chopin: “Valzer op.69 n.2”, “Valzer op. 64 n.2”, Impromptu op.29”; nga Çajkovskij “February, April op. 37”, nga B.Bartok: Romanian Folk Dances. Suksesi ishte i mrekullueshëm.
Por edhe konkurset do të bëheshin pjesë e jetës së saj artistike; pjesë e jetës së saj dhe e prindve që duhet ta shoqëronin, me gjithë problemet që rrjedhin ... Në konkurset e tjerë kombëtare e ndërkombetare Gaia meritoi gjithmonë vendin e parë.

Nizza , nandor 2009, në sallen e konservatorit Gaia 11 vjeçare me flamurin shqiptar

Në nandor të vitit 2009, në Nizza të Francës, Gaia 11 vjeçare fitoi vendin e parë në konkursin ndërkombëtar Simone Delbert-Fevrier për pianofortë. Ky çmim ju dha Gaia Sokolit nga një juri shumë e zgjedhur, ku bënin pjesë koncertistë e dirigjentë të njohur sidhe emra shumë të njohur në botën e muzikës. (Kur mori çmimin e parë, Gaia mori një flamur shqiptar dhe e ngriti lart, “si sokoleshë”, do të shtoja, - se e ndjente sikur po përfaqsonte Shqipërinë edhe pse nuk e kishte parë ende…). Gazetat italiane natyrisht shkruan për suksesin e pianistes së re “italiane”…


Pianistja e re, 13 vjeçe, fiton çmimin ndërkombëtar Simone Delbert-Fevrier

Në 2010 Gaia u ftua edhe në veprimtarinë më të vjetër e më të famshme të botës për këngën e fëmijëve, në të 53-tin festival “Zecchino d’Oro” që zhvillohet në Teatrin Antoniano të Bologna-s e që u trasmetua edhe në Eurovision. Gaia ndjehej e lumtur dhe pyetjes së gazetares se si ndjehej pas atij suksesi, Gaia ju pergjegj me sinqeritetin e fëmijës: “Jam e kënaqur, më pelqen shumë kontakti me publikun…”. Gazetarja do të shkruante se Gaia kishte edhe një filing me telekamerat…
Jeta e Gaia-s është në lëvizje dhe e mbushur me punë; është një kërkim i vazhdueshëm për prefeksion. Sa orë e orë studimi! Por edhe sa sodisfaksione! Është vetëm 13 vjeçe kur Gaia Sokoli luan në një koncert në sallën prestigiose Carnegie Hall të New York-utNë USA ajo u ftua si “premio”, që përmbante vendi i parë që ajo fitoi në Bradshaw and Buono International Piano Competition.
Në 2012, Gaia-s ju dha e drejta të luajë me orkestër sinfonikes kohën e parë të një koncerti. Kjo ditë e shumë pritur erdhi! Me 20 janar, e shoqëruar nga orkestra sinfonike e Cannes, Provenza e Costa d’Azzurra, ajo arriti të luajë me sukses të madh dhe juria e vlerësoi me çmimin e parë. Për ata nxënës, por edhe për prindt që lexojnë këta rrjeshta e që ëndërrojnë që edhe fëmijët e tyre të bëhen artistë, jeta e sakrificat e Gaias dhe të familjes së saj, janë një shembull i shkelqyer për t’u ndjekur. Konkurset kombëtare e ndërkombëtare, ku ajo ka fituar vendin e parë dhe të gjitha koncertet, që janë zhvilluar të gjitha jashta shtetit ose në Itali, por shumë pak në vendbanimin e saj, kërkojnë ditë tëra shkëputje nga shkolla. Por Gaia po e përballon këte. “Fatmirësisht kam kujtesë të mirë, - i përgjigjet një gazetarje, - megjithë që janë problem mungesat”, duke nënkuptuar se, shumë herë, nuk ka mundësi të ndigjojë spjegimin e profesorëve.
Vitin 2012 Gaia e vazhdoi me një sukses të madh mediatik, sepse Revista e njohur muzikore “Suonare News” i dedikoi Gaias rubriken “Meglio Gioventù”, ndërsa, nga ana koncertale ajo e mbylli me suksesin e madh, kur ezekutoi Koncertin K414 të Mozartit në Milano në Palazzina Liberty, ku u shoqërua nga Orkestra Shtetërore M. Jora e Rumanisë.
Deri më sot Gaia ka fituar mbi 40 konkurse kombëtare e ndërkombetare; ka bërë mbi 30 koncerte në Itali e në vende të ndryshme si Zvicer, Francë e USA. “Është gëzimi e krenaria jonë”, thonë prindërit Sokoli. “Në ato momente kur gjithë teatri çohet në këmbë për ta duartrokitë, harrojmë gjithë sakrificat tona sepse prindi do më të miren për fëmijën e vet dhe Gaia po ja arrinë kësaj”.
Gaia Sokoli është vetëm 15 vjeçe. Vitin e kaluar ka hyrë në Shkollën e Mesme. Krahas mësimeve në kulturen e përgjithëshme (si të gjithë nxënësit e tjerë), ajo përballon konservatorin dhe të gjithë impenjimet muzikore që ka marrë.
Për të dhënë idenë e aktiviteteve të ngjeshura, që pianistja e re Gaia Sokoli përballon, po tregojmë vetëm disa nga ata të realizuara gjatë këti viti dhe disa të tjera, që janë tashmë të programuara.
Viti 2013 filloi për Gaian pianiste, nga dita e parë, me Koncertin e Vitit të Ri, ku luajti, e shoqëruar nga Orkestra Filarmonike Ettore Pozzoli, në Seregno (Mi), me drigjentin Mauro Bernasconi. Mjafton të përmendim se në këte koncert mori pjesë edhe soprano Eva Corbetta e trombisti i parë i Arenës së Veronës, Massimo Longhi, për të kuptuar se cilët janë partnerët e pianistes sonë ndër koncerte. Vetëm katër ditë më vonë, me 5 janar, Gaia bëri një recital New Year Music Festival në Gstaad (Zvicer), organizuar nga Princesha dhe pianistja e famshme franceze Karolin Murat Haffner (që e kishte pelqyer aq shumë pianisten e re në Nizza, pasi kishte qenë në Juri e i kishte dhënë Gaia-s çmimin e parë). Pianistja do të shkruante me entuziazëm për Gaia-n, duke deklaruar se ndigjimi i pianistës së re kishte qenë për te një eksperjencë e madhe sepse tek ajo shihte talentin natyror, intuiten e rallë e spontanitetin. Ishte një rast i mirë, - vazhdonte pianistja e famshme, - për të asistuar në ate më të mirën që mund të ofrojë muzika: entuziasmin, dhuntitë natyrore, freskinë e spontanitetin e egzekutimit.
Tre ditë më vonë, me 8 janar, G.Sokoli do të jepte një recital në teatrin Manzoni, në Pistoia, kurse me 12 shkurt dha një tjetër koncert në sallonin Musa, në Como.
Në radhën e impenjimeve të pianistës, po përjashtojmë këtu, me dashje, disa nga performancat e saja, për të ardhë në majin e këti viti, ku Gaia mori pjesë në konkursin e famshem për pianoforte e orkestër “Citta di Cantù”, ku fitoi çmimin especial, si më e reja konkuruese italiane. Theksojmë se në këte konkurs marrin pjesë edhe pianistë të njohur nga të gjitha vendet. Gaia Sokoli fitoi edhe një bursë studimi dhe të drejten për një koncert në Rumani, në vitin që vjen. Në këte rast do të shoqërohet në egzekuzimin e saj nga orkestra sinfonike shtetërore e atij vendi. Për këte eveniment G. Sokoli po përgatitë Koncertin K271 të Mozartit.
Në mes gjithë këtyne takimeve e angazhimeve shkollore, ajo po përgaditet edhe për konkursin e rëndësishëm TIM Torneo Internazionale della Musica që do zhvillohet në Paris, ku Gaia ka kaluar eleminatoret.
Por pianistja e re mendon se ka ende shumë punë për të bërë. Ndaj edhe kërkon më të mirën. Në mes konkurentëve nga e gjithë bota, që kërkojnë të hyjnë në Akademinë “Incontri col Maestro” e Imola-s, Gaia ishte në mes tyre. Nga tetori i këtij viti, pra, ajo është nxënëse e profesorit me famë ukrainas Leonid Margarius. (Mjafton të shihet në yotube emri i profesorit, për të njohur famen e tij: pjesëmarrës në juritë e konkurseve më me famë botërore e i kërkuar të japë mësim Master Classes në shumë vende të botës). Gaia e prindërit ndjehen shumë mirë me profesorin, sepse, më konfidojnë: “na ngjan se ka mentalitetin tonë, na duket si shqiptar”. (Janë ndoshta ata 50 vite, të kaluara “njëlloj”, që na kanë bërë të ngjashëm?).

Pianistja Gaia Sokoli e shoqëruar nga orkestra sinfonike. Nizza 2012

Gaia flet pak. Edhe nga kjo kuptohet se ajo ka zgjedhë “një gjuhë tjetër”, ate të muzikës, për të shprehë më mirë ndjenjat e saj. Arrij të marr nga ajo esencën e asaj që dëshëroja. Më konfidohet në këte mënyrë: “Kur luaj në pianofortë ndjehem se “kaloj” në një dimension tjetër e kerkoj t’ia trasmetoj edhe publikut ata emocione që ndjej… Ndjehem mirë kur luaj, por jam edhe më e lumtur kur kuptoj se loja ime ka lënë gjurmë tek ndigjuesit.” Nuk mund të mos i bëja edhe pyetjen më të zakonshme për të cilën njeriu kërkon të ketë përgjigje: “Në cilin koncert je ndjerë më e lumtur?”. Më thotë:Eksperjenca më e bukur, ndoshta, ka qenë kur kam luajtur në New York. Carnegie Hall është “tempulli” i muzikës klasike. Shumë artistë të famshëm kanë luajtë në atë sallë prestigiose…e unë jam e lumtur që kam pasë po atë nder.
Nëse lexuesi do të dijë më shumë për Gaian Sokoli-n, dëshëron edhe ta dëgjojë e shohë ate, mjafton të klikohet në internet dhe do të shfaqen dhjetra egzekutime e të dhëna për artisten e re. Siti i saj në internet është www.gaiasokoli.com (me të cilin Gaia nuk ka kohë të mjaftueshme të merret, pse ka punë të tjera më të rëndësishme. E bën mirë.).
Në mbyllje të këtij shkrimi, duke i uruar Gaias një rrugëtim të suksesshëm në botën e bukur të muzikës, dëshiroj e uroj që edhe instuicionet artistike e televize në Shqipëri ta kenë Gaian, si të ftuar, në programet e tyre; shpresoj e uroj gjithashtu që edhe Gaia Sokoli, të bëjë të pamundurën e të gjejë kohë për një koncert në Shqipëri, me gjithë impenjimet si studente e koncertiste, në veprimtaritë që ajo i ka të programuara me kohë.

Ancona, nandor 2013

Shenim i Redaktorit: Nëse ndonjë institucion artistik shqiptar, dëshëron të realizojë ndonjë koncert me pianisten G. Sokoli e do që t’i sugjerojë ndonjë pjesë të autorëve shqiptarë (koncerte, rapsodi, ose pjesë), mund të kontaktojë me e-mail me autorin e këtij shkrimi 
robert.prendushiibero.it


Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 5531_1224300366130_267435_nProf. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 600330_1393259724254127_1116440385_n
Prof. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 1483440_1391838034396296_227600905_nProf. dr.sc.Akil Mark Koci:“Vogëlushja pianiste, Gaia Sokoli, mahnit publikun italian e jo vetëm” 1003907_593976403971788_678248973_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi