Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nga Akademik prof.Akil Koci:Rexhai Surroi – figurë poliedrike dhe shumë vlerëshe mbarëkombëtare

Shko poshtë

Nga Akademik prof.Akil Koci:Rexhai Surroi – figurë poliedrike dhe shumë vlerëshe mbarëkombëtare Empty Nga Akademik prof.Akil Koci:Rexhai Surroi – figurë poliedrike dhe shumë vlerëshe mbarëkombëtare

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 28, 2009 8:40 pm

Nga Akademik prof.Akil Koci:Rexhai Surroi – figurë poliedrike dhe shumë vlerëshe mbarëkombëtare

(Në vend të parathënies)


Kam pasur fatin të njoh një numur të madh njerëzish të shquar, me të cilët jeta më ka lidhur në një masë apo në një tjetër dhe sëbashku me ta kam mundur edhe unë të sjell një ndihmesë sado të vogël në mbarëvajtjen e kulturës e të shoqërisë shqiptare. Me disa syresh kam bashkëpunuar ngushtë, por kam pasur edhe ndonjë kundërthënie. Ama të gjithëve u kam rezervuar një „kthinë" të ngrohtë në kujtesën time për virtytet dhe veprat që kanë krijuar në dobi të kombit tonë. Sa herë që shkruaj për ta nuk pretendoj t'u bëj portretet, sepse pothuajse për secilin prej tyre janë shkruar një numur i madh artikujsh apo librash, me vlerësime ku më shumë e ku më pak objektive, ku më të besueshme e ku tejet subjektive.

Në materialin e mëposhtëm do të kufizohem vetëm në fakte të jetuara e të përjetuara. Si rrjedhojë, kujtimet e mia do të cekin kryesisht momentet që kam kaluar bashkë e pranë të ndjerit Rexhai Surroi. Nuk do të guxoja t'ua harxhoj kohën lexuesve me çikërrima anekdotike pa interes apo të parëndësishme. (Me këtë nuk kam parasysh atë kategori anekdotash, që kanë pasur jehonë në histori: bëma dhe njerëz të ndryshëm kanë mbetur të paharruar në kujtesën e brezave falë një fjale „të kripur" apo një ndodhie të papërsëritshme).

Edhe këtë herë kam synuar të vihem në kërkim të atyre referencave, që mund të shtojnë ose të plotësojnë ndonjë zbrazëti në ato çka janë thënë e shkruar për Rexhaiun deri tani. Meqënëse kujtimet e mia i bëjnë jehonë një veprimtarie të zhvilluar në një periudhë trandjesh e trazirash të mëdha, - fjalën e kam për katër a pesë dhjetëvjetshat e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, - nuk duhet të habitë askënd përmendja e ndonjë konteksti, në të cilin ky personalitet i shquar të përshfaqet në një dritë paksa më të zbehtë. Miti i njerëzve të mëdhenj si Rexhai Surroi është konsoliduar tashmë një herë e mirë mbi bazën e realiteteve të padiskutueshme. Por edhe njerëzit e famshëm, sado lart të qëndrojnë në krahasim me njerëzit e rëndomtë, gjithsesi janë njerëz dhe si të tillë kanë mangësitë dhe dobësitë e tyre në kuptimin e mirëfilltë të termit, por edhe në atë të figurshëm. Duke nxjerrë në pah edhe ndonjë fakt të kësaj natyre, - ku kam qënë dëshmitar i drejtpërdrejtë, apo edhe bashkëgabues, - nuk ndjek as për nga larg qëllimin për të cënuar, qoftë edhe një grimë, vlerat e njohura e të mbarëpranuara të Rexhaiut, por vetëm të sjell elemente të rinj veçorizues, saktësues të tipareve të caktuara dhe qartësues të disa momenteve apo veprimeve të tij, të cilat deri tani janë lënë me qëllim të lundrojnë në mjegull. Madje edhe janë mënjanuar apo shmangur, duke kujtuar se me këtë veprim prestigji i Rexhaiut mund të zbehej.

Që të mos shfaqen eventualisht dyshime lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e disa momenteve të panjohura deri më sot e sidomos që të mos i le shteg ndokujt të mendojë se, meqë e kam pasur mik të afërt Rexhaiun, po sajoj merita të paqëna, theksoj se u kam ndenjur larg pohimeve që bazohen vetëm e vetëm tek kujtesa. Konfuzionet që mund të krijonte kujtesa, sado e mirë që të jetë, i kam anashkaluar, - aq sa kam mundur, - duke u dhënë përparësi dokumenteve të kohës, të cilët i ruaj në arkivin vetjak: artikuj, letra, botime të ndryshme e në mënyrë të veçantë shënime dhe ditare, që i kam mbajtur gjatë viteve dhe ku, jo rrallë, mjaft ngjarje i kam përshkruar me hollësi.

Kërkoj ndjesë, nëse, në rreshtat e këtij artikulli, do të zemëroj ndokënd, drejtpërdrejt apo tërthorazi, sidhe do të përsëris ndonjë gjë, çka është e pashmangshme në rastet kur, në aksh ngjarje kanë qënë të pranishëm edhe persona të tjerë, për të cilët kam bërë fjalë në shkrime të mëparshme. E vërteta është se dëshiroj të mos mërzis kërkënd, por, në të njëjtën kohë, dëshiroj edhe të jem i ndershëm me ndërgjegjjen time, pra t'i paraqit gjërat në dritën e tyre të vërtetë.

Theksoj qysh në krye se nuk është aspak e lehtë të paraqes një pasqyrë të qartë për një figurë si Rexhai Surroi, i cili ka jetuar dhe vepruar në një periudhë, - në të cilën kam qënë dëshmitar e pjesëmarrës, - të mbushur me ngjarje të rëndësishme për një popull e një shoqëri si e jona, për një përcaktim jo vetëm në aspektin e strukturës e të integrimit në rrjedhat e natyrshme të progresit, çka e ka diktuar në radhë të parë interesi kombëtar. Për ta përqendruar vëmendjen në krijimtarinë e gjithëmbarshme të këtij personaliteti poliedrik, si objekt i këtij shkrimi, jam frymëzuar nga mendimet demokratike pluraliste që kemi përqafuar, sidhe nga sentenca e njohur e Kantit në veprën „La raison pratique": "Vepro gjithmonë në atë mënyrë që të mund të dëshirosh që maksima jote të bëhet ligj universal".

Maksima e kohës së intelektualit zullmëmadh Rexhai Surroi nuk u bë vetëm ligj universal, por edhe mishërim i shkrirjes së konkretes dhe abstraktes në botën reale, ngaqë, ndër të tjera u krijua Universiteti i Prishtinës, u realizua pra kjo ëndër shekullore madhore.
Veprimtaria e Rexhai Surroit, e zhvilluar në një periudhë, sa të vështirë, aq edhe të bukur, përkoi me përmbushjen edhe të kërkesave të tjera jetike të popullit tonë, pas përpjekjesh e therrorish titanike.

Emri i Rexhai Surroit është i lidhur ngushtë me një veprimtari shumëpërmasore e shumëvlerëshe prej gazetari, shkrimtari, diplomati, politikani të suksesshem dhe sportisti, me kontribut të madh në të gjitha këto fusha.

Duke e cekur në veçanti krijimtarinë letrare, s'kemi se si mos të vërëjmë se proza e tij si strukturë nuk hyn vetëm në vazhdën e investigimeve heterogjene të strukturave të reja grupore me një semantikë të qartë si filozofi e një botë gjithëpërfshirëse njerëzore të mjedisit tonë, por ajo, edhe në rrafshin e përceptimeve shtron probleme jetike të mirëfillta si arketipe që i analizon dhe i prezanton si komunikime komplementare.

I pajisur me një talent dhe aftësi të rrallë, Surroi i shpalos konceptet krijuese si realizime artistike që janë jo vetëm të qarta, por edhe tërheqëse, sepse në tregimet e romanet e tij parashtron zgjidhje origjinale për një morì problemesh përmes një ligjërimi modern bazuar në kode estetike dhe artistike, çka bie menjëherë në sy gjatë leximit të çdo vepre të tij.

Edhepse nuk jam gjuhëtar e as kritik letrar, nuk e kam pasur të vështirë të vërej pasurinë e pazakontë leksiko-semantike dhe zhdërvjelltësinë sintaksore-stilistike, fjalët e urta e frazeologjinë e shkruar në një gegërishte të kulluar, që përmban në vetvete, krahas muzikalitetit poetik krejt të veçantë, edhe begati morfologjike.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto elemente ose tipare të evoulimit shpirtëror të tij, nuk ka se si mos bëjmë një lidhje me të tanishmen, kur jetojmë në një kohë pa kohë, në largimin nga qytetërimi i vërtetë, kur superprodhimi i plehut dhe i kiçit në të gjitha sferat e artit e të shkencës i ka çmitizuar ka zhdukur çdo kriter e sens mase.

Nga ana tjetër, „terrorizmi institucional" ka marrë hov të pashëmbullt dhe askush nuk çan më kokën për krijime të mirëfillta.

Emrat e krijuesve të mëdhenj nuk vlerësohen, madje as që zihen në gojë, edhepse kanë lënë një krijimtari të bollshme dhe cilësore. Me sa duket, për nomenklaturën shtetërore veprat e vërteta nuk ngrenë ndonjë peshë. Ndoshta është rasti t'u kujtojmë sentencën shumë të njohur të Kantit: "Vepro në atë mënyrë që, në personin tënd sidhe te çdo person tjetër, ta trajtosh gjithmonë njeriun si qëllim e kurrë si mjet".

Përse ndodh që emri dhe vepra e krijuesve tanë janë lënë në harresë?

Kjo ndodh sepse niveli kulturor i pushtetarëve aktualë është nën nivelin e qytetarit të rëndomtë, duke filluar nga qeveria e deri te personeli I Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Retorika e zbrazët, diskutimet me fraza të pakuptimta të tyre zor të na bindin se gjoja janë duke bërë shumë për kulturën, artin dhe shkencën. Që të bindemi për këtë, nuk duhet të jemi shumë të mençur e as të humbim kohë.

Mjaftojn të themi se emrat e krijuesve të mëdhenj jo vetëm që nuk vlerësohen, por, në shumicën e rasteve, as që zihen në gojë.

Po të bëjmë një shëtitje nëpër qëndrat e qyteteve tona do të shohim se sa janë të pranishëm në kujtesën e njerëzve personalitetet të shquara që kanë ndrruar jetë. E kam fjalën për shtatoret, emrat e rrugëve e të institucioneve etj.

Këto ditë që ndodhem në Kosovë, kam vënë re se, përveç bustit të shkrimtarit Hivzi Sulejmani, para bibliotekës së Prishtinës, filozofit Fehmi Agani, para Fakultetit Filozofik, sidhe bustit të princit të letërsisë sonë kombëtare Faik Konicës në një shkollë që mban emrin e tij , sidhe emrit e bustit në ndonjë shkollë tjetër, nuk të ze syri më gjë.

Dhe kjo, në një kohë që në vendet e tjera evropiane mirënjohja ndaj artistëve, kompozitorëve, shkrimtarëve dhe shkencëtareve, pasqyrohet me tërë plotërinë, në forma nga më të larmishmet. Në rrethana të tilla zhgënjyese, në këtë anomali fatkeqësisht prin qyteti im i lindjes, Prizreni, i cili, sikurse dihet botërisht, gjithnjë, që nga kohërat më të lashta, ka qënë qëndër e kulturës, e artit e sidomos e muzikës.

E sot shërben si shembull i moskulturës për shkak të oligarkisë komunale dhe të rrjetit të institucioneve që ka në vartësi. Nuk e ditkan, vallë, këta pushtetarë provincialë se disa nga krijuesit që e kanë parë dritën e diellit bash në këtë qytet të bukur, janë emra të njohur e të çmuar lart nga kultura e metropoleve evropiane? Përse nuk u bie ndërmenbd t'u akordojnë të paktën një diplomë apo titullin „qytetar nderi", çka do të ishte nder, në radhë të parë, për vetë administratën lokale.

Çfarë përshypje le një qëndrim i tillë shpërfillës dhe i pakualifikueshëm?

Jo vetëm mua, por edhe vizituesit e huaj, i nxit të pyesin: „A nuk paska Kosova krijues edhe në shumë fusha të tjera, apo vetëm në fushën e luftës me armë në dorë? (Vetëkuptohet se kontributin e UÇK-së dhe luftëtarëve të rënë e çmoj dhe e vlerësoj shumë lart dhe botërisht shpreh falenderimin tim të madh për të gjitha ato që pjesëtarët e saj kanë bërë për ta çliruar Kosovën, bashkë me forcat e NATO-s e të miqve tanë).

Mos vallë roli i krijuesit në fushën e artit e të shkencës dhe figura e tij qënkan zhvlerësuar deri në atë masë, saqë nuk ka mbetur ndonjë gjurmë krijimtarie të mirëfilltë?

Ndoshta analistëve dhe kritikëve të kohës nuk u bien në sy këto mangësi, ama popullit nuk i shpëtojnë. Apo u dashkan thirrur në ndihmë kritikët klasikë, që nga Aristoteli e deri tek Horaci që „ta kuptonin përse një farsë e çorganizuar e gojëshprishur, e ngjashme me dramën-satirë, duhej të ishte burim i tragjedisë, ndonse e kishte të qartë se ajo ishte e tillë", sikurse shprehet Northrop Fraj në librin e tij „Anatomia e kritikës".

E përdora këtë thënie, sepse i përshtatet pikëpërpikë gjendjës së tanishme në tërë Kosovën e veçmas në Prizren.

Në këtë qytet u lind e u varros edhe gazetari, shkrimtari, sportisti, politikani dhe diplomati i ynë i shquar Rexhai Surroi, i cili, me veprimtarinë e tij të gjithanshme, ka lërë gjurmë të pashlyeshme.

Ky krijues, erudit e ka pasuruar kulturën tonë me një morì veprash letrare të atij niveli, që do ta bënin çdo vend të kulturuar të mburrej me të drejtë. Në vendin tonë, mjerisht, është lënë në harresë, bashkë me shumë sivëllezër po kaq të shquar e, çka është e dhëmbshmja, sidoqë eshtrat e tij prehen në qytetin e lindjes, asnjëherë, ama bash asnjëherë, nuk është përkujtuar në ndonjë përvjetor me ndonjë akademi solemne, orë letrare apo In Memoriam. Le më pastaj që asnjë ent kulturor nuk mban emrin e këtij dekani të kulturës kosovare e më gjerë. Së paku të botohej ndonjë monografi për tërë atë veprimtari të shumanshme e të nivelit të lartë që Rexhaiu ka zhvilluar si gazetari, shkrimtar, diplomat, politikan e sportist. Kur ne vetë nuk i evidentojmë e nuk i respektojmë vlerat tona, atëhere çka presim nga të tjerët?

Po u rikthehem me përvuejtni dhe respekt vigjilimeve të mia për të ndjerin e paharrueshëm Rexhai Surroi.

Si nxënës i shkollës muzikore e kam përcjellë aktivitetin krijues të Rexhai Surroit që nga formimi i revistës "Zëri i Rinisë" në Beograd, ku bashkë me Masar Murtezain, Gjon Shirokën e Ramiz Kelmendin, hodhi bazat e këtij organi shtypi, i pari i ilustruar në gjuhën shqipe, që i hapi sytë rinisë duke i sjellë lajme e materiale të shumta nga bota e artit dhe e kulturës.

Ardhja e fqinjit tim, Rexhaiut, nga studimet në Beograd, për pushime në qytetin tonë të lindjes, Prizren, për mua dhe për gjithë të rinjtë e rrugës sonë, ishte burim kënaqësie, sepse ai veçmas gjithnjë na tubonte dhe na fliste për jetën studentore dhe sidomos për të na bindur që të ndiqnim shembullin e tij, si e vetmja mundësi për të përgatitur kuadro shqiptare për Kosovën, aq më tepër kur dihej se pushtetarët sërbë bënin çmos që të rinjtë shqiptarë të mos shkolloheshin, të merreshin vetëm me zejtari, që të mbeteshin qytetarë të dorës së dytë.

Unë, bashkë me ca shokë të mi, fjalët e Rexhait i bëmë realitet. Pas shkollimit të mesëm, u regjistruam në fakultete anembanë ish-Jugosllavisë të cilat i kryem me sukses dhe u kthyem në Kosovë.

Rexhaiun më vonë e kam pasur edhe koleg, sepse, pas përfundimit të studimeve kemi punuar sëbashku në Radio Prishtina, ai në gazetari, unë në sektorin e muzikës.

Emisionet e tij shquhesin për problematikën që shtronte. Temat që trajtonte, ishin përherë aktuale dhe me brumë. Për më tepër, që shkruante me maturi e në një gjuhë të pasur në figura stilistike e artistike të qëlluara. Në të vërtetë, Rexhaiu nuk ishte vetëm gazetar, por edhe drejtues i shumë emisioneve javore në radio, të cilat dëgjoheshin me ëndje. E njëjta gjë duhet thënë edhe për shfaqjet publike që organizonte Radio Prishtina, në krye të të cilave ishte po Rexhaiu. Këtu përmendim "Milkrofonin e artë", garat e këngëtareve, muzikantëve dhe poetëve të rinj në krejt Kosovën. Bashkë me të ishim përzgjedhës të kandidatëve që konkurronin në veprimtaritë e sapopërmendura.

Rexhaiu më pat lënë përshtypje të veçantë edhe si sportist, si portier. Tok me Skënder Gjinalin, Reshat Isën, Ramadan Vraniqin e shumë të tjerë, Rexhaiu luante futboll në skuadrat kosovare dhe ishin ndër më të mirët. Ne të gjithë ishim dashamirë dhe tifozë të tyre.

Më vonë u bë drejtor mjaft i suksesshëm i Radio Prishtinës.

Më kanë mbetur si kujtime të çmuara dy prej shumë rasteve që kam pasur me të.
Ishte viti 1962. Në kolegjiumin e programit të radios kryeredaktor ishte Velo Tadiq. Në njërën prej mbledhjeve të rëndomta të kolegjiumit programor, ky propozoi që për festat e Vitit të Ri të përgatisnim edhe emisione me muzikë të kombeve dhe kombësive, si thuhej atëhere. Unë dhe Petrit Dushi, por jo edhe antarët të tjerë të kolegjiumit, reaguam, sepse nuk kishim lejë nga Pleqësia e Radios për emisione të atilla. Programi muzikor njoftohej vetëm në gjuhën shqipe dhe përmbante kryesisht muzikë popullore dhe argëtuese shqiptare. Fill paskëtaj, kryeredaktori i programit muzikor, me një vendim të veçantë, që vetëm ai e di, më shkarkoi duke më caktuar në shkallën më të ulët të hierarkisë muzikore në Radio Prishtina, pra bashkëpuntor të thjeshtë muzikor.

Por, me t'u emëruar, pas ca kohe, drejtor Rexhaiu, më ktheu në vendin e mëparshëm, pra kryeredaktor të programit muzikor.

Rasti i dytë: Rexhaiu ishte shumë komunikues dhe i dashur, bisedonte me çdo puntor për punët e përditshme në radio, por tregonte kujdes edhe për jetën e tyre private, për hallet që kishin. Kështu një ditë ditë e ndali puntorin, i cili çdo ditë merrte postën e radios. Kur e pyeti se si po ia kalonte me punë, ky iu ankua se mezi i mbante në krahë dy çanta plot e përplot me letra e kartolina. U interesua të dinte se nga vinin në numur aq të madh. Puntori-postier e bëri me dije se të gjitha ishin kërkesa për emisionin mëngjezor "Këngë e mahi për pleq e të rij", që e përgatisja dhe e drejtoja unë. Nuk kaluan veçse ca ditë dhe Rexhaiu më ftoi në bisedë dhe më pyeti hollësisht se çfarë përmbante ai emision, që transmetohej në orën pesë të mengjezit. E vura në dijeni se tekstet për muzikën folklorike të interpretuar nga Mixhë Rama alias Fitim Domi, i shkruante Rifat Kukaj. Pastaj shtova se ky ishte emisioni më i dëgjuar dhe çdo javë na vinin në redaksi mbi pesë mijë letra dhe kartolina nga dëgjuesit tanë me mahi.

Kur i pa me sytë e veta, u habit dhe u ngazëllye.

Kaq për Rexhaiun drejtor. E njoha Rexhaiun edhe si shkrimtar, sepse, përveç botimeve të shpeshta publicistike në gazetat dhe revistat e pakta shqipe, tregime dhe fragmente nga romanet e tij dilnin vazhdimisht edhe në revistën "Jeta e re", e cila ishte „Bibla shqiptare" e letërsisë dhe e artit. Im atë, Marku, ishte simpatizues i madh i shkrimeve letrare në përgjithësi dhe i Rexhai Surroit në veçanti. Shkruante edhe poezi në vargje tetë dhe dymbëdhjetërrokësh.[1][2] Njihte shtatë a tetë gjuhë. Pas lufte doli në pension dhe i lexonte rregullisht të gjitha gazetat e përditshme në gjuhën serbo-kroate e sidomos „Rilindjen", e cila pat filluar të dilte asokohe, së pari një herë e më pastaj dy herë në javë. Më vonë blinte edhe revistën „Jeta e re". Një gjë e tillë më kujtohet fare mirë edhepse nuk i kisha më shumë se trembëdhjetë vjeç.

Rexhai filloi të botonte tregimet e para që kur ishte nxënës e më pas student, por në vitin 1949 i botonte pikërisht në "Jeta e re". Më kujtohen krijimet që botoi duke nisur nga numuri 2 i vitit 1954. Kam parasysh tregimin "Friga", kurse në numurin 4 të korrikut dhe gushtit të po atij viti, i doli tregimi "Dy herë dhandër". Pasuan krijime të tjera të tij në prozë: në vitin 1955 botoi tregimin "Poezia", më 1956 tregimin "Gjak me grushta", më 1957 tregimet "Lindja e padëshirueshme", "Buka e re", "Rrethi ngushtohet" e shumë të tjera. Në vitin 1958 vazhdoi me botimin e tregimit "Kënga mbi varr", më 1959 - "Trimnesha", më 1960 - "Buzëqeshja" dhe "Rrëfimi" e plot të tjera e deri te romanet "Besniku" (1959/89), „Dashuria dhe urrejtja,,, përmbledhje tregimesh (1962/1989), "Prandvera e tretë", roman (1970/89), "Orteku I e II", romane të botuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në Tiranë.

Sido që jetonim nën një regjim, i cili doktrinën marksiste dhe materializmin dialektik e historik e kishte si bazë filozofike të krijimtarisë, Rexhaiu nuk i përfillte interpretimet dogmatike të Marksit. Tregimet e romanet e Rexhaiut mbanin parasysh porositë e njohura të dy klasikëve grekë: „paraqitjen e njeriut ashtu siç duhet të jetë" (Sofokliu) dhe „ashtu siç është" (Euripidi).

Nuk jam kritik letrar sepse vokacioni im është muzika, por pas leximit të të gjitha romaneve të Rexhaiut kam ardhur në përfundimin se parimet e tij krijuese janë mbështetur jo vetëm në vrojtime emocionale, por edhe morale, si kontrapunkt i groteskut, ironisë dhe moralit, në emër të përparimit e modernizimit të krijimtarisë, jetës ekonomike dhe shoqërore-politike.

Shpesh kam lexuar vështrime dhe kritika për veprat e tij nga studiuesit tanë, në të cilat thuhet se Rexhaiu "i vëren, i gjurmon dhe i pasqyron çështjet me syrin e gazetarit, të një përshkruesi". Por edhe sikur të jetë kështu, nuk ka asgjë të keqe, sepse e ka pasqyruar jetën ashtu si e ka parë dhe kuptuar.

Fabulën e romanit të dytë të tij, "Pranvera e tretë", - flas gjithmonë si lexues e jo si kritik i letërsisë, - e kam kuptuar si konflikt nëmes të rinjve dhe të moshuarve në familjet partriarkale shqiptare. Idetë në morinë e episodeve të qëlluar, Rexhaiu i potencon me doza estetike dhe filozofike të peshuara mirë. Fshatarësia jonë, e raskapituir nga pesha e një jete të rëndë, në rrëfimet e babait të Faikut, Dines, pasqyron në të vërtetë ruajtjen e një botëkuptimi të vjetër, siç është, pos të tjerash, edhe "krenaria" tipike për fshatarin e katundeve tona, i cili nuk do dhe nuk mund të lirohet aq lehtë nga patriarkalizmi klasik. Tipik në këtë drejtim është djaloshi Sadik, vëllai i Faikut, i cili nuk është përfaqësues i thjeshtë i kësaj mendësie, por një „prijës" i përbetuar i mbrojtjes të paprekshme të parimeve patriarkale. Për të ilustruar idetë e Faikut, si njeri që, më në fund, përqafon të renë dhe aktualen, do të riprodhojmë ca pjesë nga fillimi i romanit. Aty shihet qartazi edukata patriarkale. Fragmentet e shkëputura nga fundi i romanit, na e paraqitin si njeriun e progresit në një mjedis patriarkal:



Çka kam unë?

Përnjimend,çka kam?

Kurr nuk kam qenë kështu…Ka të drejtë baca:nuk jam ai i pari!

Çka dreqin po due ma?!

Tash i kam të gjitha ato që andërrojshe në ushtri"- qortonte ai vetën e,padashtë,iu kujtuen fjalët e shefit,të repartit:" Ti do të behesh mekanik i mirë.

Faik.
Ke mjaft "vjaska" për këto punë.

Mbas ushtrisë mund të hysh në ndonjë sipërmarrje të qytetit;madje,jam i sigurtë se kishe me përparue e me u aftësue ma tepër"….

Unë shok toger,jam katundar,katundar do të mbes.

Nuk kam kurfarë dëshire tjetër.

Të gjithë të parët e mi kanë qenë bujq.

Edhe unë do të mbetëm ashtu.

Do të përpiqem qe edhe fëmijët e mi të mbeten bujq!"

Çfarë përgjegje!…

Po tash,pse mendoj kaq shumë për këto gjana?

Çka po due ma?

Jo,nuk jam në rregull…."



Në fund të romanit, pra, po ky njeri, me botëkuptim e mendësi patriarkale, shndrrohet në një protagonist e zëdhënës i së resë si rrjedhojë e krijimit të një situate krejt të re.
Le ta përcjellimin dialogun nëmes Faikut, vëllait të Sadikut dhe babait, Dines:


"Sadiku nuk i ka hallet e mia.

Thuaje qartë:due në sheher.

Kështu kisha me të marrë vesh ma mirë.

Shehri,kinemaja,ahengjet,bukuroshet…
E jo kështu:

-Bacë,mos më keqkupto;unë due me qenë i dobishëm.

E kam në gjak mos me ndejtë kurrë pa punë.

Nuk e kam fjalën për qytetin e as për katundin.

Prej njerëzve ma të mençëm ndëgjojshe se ka me ardhë një kohë,kur puna s' ka me qenë barrë për njerinë,por nevojë,shprehi,kënaqësi,ashtu si asht buka,gjumi….

-Kush po të thotë mos me u ba i dobishëm,mos me punue?

A ashtë ndie deri tash kund në katund që njeriu ka ,mbetë pa punë?

Jo,s' asht ndie.Beli,nuk asht ndie!.

Biseda e të t jatit me të birin i pergjante nji procesi gjyqsor.

Tue mos pasë shteg,Dina ndërroi temën:

-Ajo ishte e fejuemja e jote,paska krye klasën e pestë fillore.

-A nuk mbaroi ende kjo punë?

-Kishte mundë me u përtri.

Shumë kollaj.

Nuk asht shtëpi e keqe,besa,ha?

-Unë s kisha dashtë,bacë….

-Në dreq të mallkuem"-u idhnue ky dhe heshti.



Rexhai Surroi, përveç që ia ka dalë mbanë të portretizojë me mjeshtëri të lartë artistike dhe me vërtetësi historike këto personazhe tipikë në mjedise tipikë, ka krijuar botën e vet jo vetëm letrare, por edhe filozofike, që hetohet qartë jo vetëm në imagjinatën e begatshme dhe të gjërë, por edhe në sublimimin e diskursit estetik dhe artistik nga shumë aspekte.
Përkundër këtyre proceseve të një zhvillimi paralel me prezantimin mjeshtëror të një galerie figurash e protagonistësh të jetës reale, duhet pohuar që, prapëseprapë, këto mesazhe domethënëse të Surroit kritikët, mjerisht, nuk i kanë kuptuar ose nuk kanë dashur t'i kuptojnë.

Theksojmë se autori e ka shkruar romanin „Pranvera e tretë", me temë për atë kohë mjaft aktuale, duke u bazuar në instinktin, përjetimet dhe emocionet e veta. Mbresat e pashlyeshme i ka vjelë nga ngjarje të vërteta, që i ka parë dhe i ka „prekur", i ka përndjerë përmes kontakteve me njerëz kur shkruante reportazhe për emisionet e veta radiofonike të përjavshme. Këto dukuri kanë dramacitet të lartë dhe kritiku, me një të lexuar, pa i përjetuar, e ka vështirë, madje të pamundur, t'i marrë vesh.

Lënda e romanit "Pranvera e tretë", e potencuar në mënyrën që e cekëm më lart, por edhe në rastin e Burbuqes që i ndrron dashnorët, jo si lavire, përbën atë fakt që edhe liria e tepërt në një rreth aq patriarakal, është dështim, siç kemi raste edhe sot. Pra, ky roman ka mbetur në vazhdimësi aktual.

"Besniku" padyshim ka qënë romani më i kërkuar në kohën time të rinisë. Duke pasur parasysh të ardhurat e pakta të shumë familjeve të atëhershme të Prizrenit, librin e blinte njëri dhe e lexonin grupe të tëra. Pastaj pyesnim: a e lexoi Flamuri, Gjoni, Beqiri romanin? Pra, kalonte dorë më dorë dhe linte mbresa tek secili, pavarësisht nga mosha, profesioni apo niveli kulturor i lexuesit përkatës. Arsyet për këtë duhen kërkuar, jo vetëm në faktin që ky roman ishte shkruar me stil e gjuhë të rrjedhshme, por, para së gjithash, ngaqë kumtonte një mesazh për një problem, sa aktual aq edhe shqetësues për kohën dhe i cili, dikur, në një farë mënyre ose në një tjetër, duhej shtruar për zgjidhje. Kështu shpjegohet, pra, edhe ribotimi i kësaj vepre me subjekt shumë të prekshëm, që ngërthen konflikte të brendshme shpirtërore njerëzore dhe paraqet një realitet të vërtetë, ku sintezat janë reale. Kështu, bie fjala, në lagjen tonë kemi pasur një "shok", Besniku, në të vërtetë Besa, që tërë jetën ka luajtur rolin e djalit, sidoqë ne e kemi ditur se është vajzë. Ajo nuk dallohej aspak nga ne djemtë.

Ka luajtur futboll bashkë me ne, ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e djemve dhe për asnjë çast nuk është ndarë prej nesh djelëve. E kemi trajtuar si mashkull e si shok tonin. Prandaj protagonisti i portretizuar me talent të rrallë nga Rexhai Surroi në romanin për të cilin po flasim, është i besueshëm sepse është marrë nga realiteti, duke i veshur petkun artistik me hijeshi dhe elegancë pa të dytë. Që të bindemi për këtë, mjafton të riprodhojmë një fragment të shkurtër nga romani:



"Ka me ba djalë-përseritte me vendosmëni tue dashtë me bindë ma tepër vetëvehten.
-Rendi asht ma…S'mund at bajë çikë".

A habitet njeriu kur sheh t'untin që dëshiron me u ngi.tepër vetëvehten.

Ose t' etshmit në shkreti që nuk din me çue kryet prej burimit të ftohtë,gjetun rastësisht në ndonjë oazë?


Ose Sahiti që po do dëshiron me u gëzue,me e çue kryet naltë,pse don me pas djal?

Sahiti s 'donte me u shtie edhe nji herë se s' po e ndiente talljen e gjithë njerëzve të katundit në hesap të tij.

Sidomos atë në dasmen e Agushit,kur mbas humbjes në lojën e kapuçave,u çuen te gjithë dhe filluen me ia këndue kangën tallse,si udhëheqsit të grupit që humbi lojën.

Përjetonte përsëri çdo hollsi të saj:

Çka ka more ky Sahiti,

Që veq vajza po na qit?



Në këto pak rreshta Surroi aq bukur e përshkruan tërë situatën dhe këtë lojë, e cila për Sahitin dhe gjendjen shpirtërore të tij ishte e rëndë. Me rëndësi për t'u nënvizuar këtu është njohja e realitetit tonë fshatarak përmes "Lojës kapuçash", që mund ta hasim në çdo fshat tonin. Nuk kemi të bëjmë thjesht me lojën si të tillë, që zakonisht praktikohet në netët e gjata të dimrit, por si simbol të një morali të etabuluar, si një parodi, si diçka apokaliptike, si art i analogjisë së pafajsësisë. Tek e fundit, çfarë faj ka Sahiti që bashkëshortja e tij i lind vetëm çika?

Përmes lojës në odat e burrave shfaqen mahitë, në një atmosferë sa të gëzuar, aq edhe problematike, sepse ka raste që cenohet dinjiteti i personit të pranishëm ose jo, me huqe të kultivuara dhe të kënduara si provincializma, që shpesh herë kanë përfunduar me përfolje dhe hidhërime. Një pjesë e familjes së madhe e ka ndjerë veten të fyer dhe e ka braktisur odat e burrave, ku zhvillohej loja.

Është interesante të shohim se si e pershkruan Surroi lindjen e fëmijës:



-Çka?
kush?
Pse
-Shpetoi ,pra,Zadja….

-A lindi djalë?

-A lindi… e pyeti tue iu afrue arkës ku kishte mshehë mavzerin e vet,që kushedi prej kur pritte me lajmue gëzimin e të zotit të shtëpisë.

Nxori pushkën,e mbushi,iu afrue dritarës së vogël,e për me u sigurue,pyeti edhe nji herë:

-Djalë?
-Zoti ta ka falë një fëmi si luan…

Fol ma shpejt! Fol menjiherë!…Djalë? A ç….-nuk mundi me mbarue fjalen,sepse prej fytyrës së Nuhës kuptoi atë që ajo i tha ma vonë:

-Asht si djal;,por….Çikë? Çikë?!….Çikë! Ah shtrigë,bre!Tash ta tregoj un ty qejfin hej nanën… Çiiiikë-bërtiti so mos t' ishte ai,Sahiti I vjetër.

Syt iu skuqen si qenit të terbum.I rrotullonte dhe shikonte, diku pacaktueshëm,kurse prej gojës i dilshin vetëm shamje,fshamje,dhe një fjalë e rëndë,më e rënda që mund të flitte n 'atë rasë: çikë.

Ky përshkrim është shumë real dhe autentic,po flas nga përvoja e ime.

Në spitalin e Prishtinës në repartin gjinekologjik para 23 viteve më pat lind djali im Arbëri dhe pritnim në derë,sepse nuk lejonin që të hym.

Njeri prej pacientëve përmes portierit kërkoi që të merrte vesh se çka i ka lind bashkëshortja,pas një kohe Ii erdhi përgjigja dhe portieri i tha vajzë.

Zgurdulloi syt dhe me një bërtimë,"Vallahi ajo grue e imja ska se çka vjen në shtëpi, pas të gjitha atyre çikave prap lindi çikë".

Pra,kjo ishte një skenë Shekspiriane në lokalet e spitalit të Prishtinës.

Në ngjarjet e mëvonshme .

Nuk lajmoj gëzimin.Për të pestën herë humbi shpresa.Për të pestën herë Sahiti duhej t' ulte kryet dhe të skuqej para burrave për diçka që nuk kishte faj.

…..A din tjerkush që ka le….?

Çka po don me ba ky njeri?

Mos po don me e mbytë fëminë mendoi Zadja dhe ,si të donte me e mbrojtë,e tërhoqi tue shtrëngue në parzëm.

-Jo,jo- u përgjegjegj gati njizani Zadja dhe plaka Nuhë.

-Grue,për hajr të qoftë djali!

….Ka le…

-Çika si djalë.Do të jetë për ne dhe per mbare botën.

-Po,po.Ndëgjoni çka po thom:kushdo që të trathtojë prej jush kam me e vra!

Tash mendoni!



Ky përshkrim hyn në radhën e krijimeve antologjike ngase Surroi, me një retorikë të qartë, në trajtë rrëfimi tragjik e mimetik të epërm, me pesë moduset përkatës, i shpjegon me mjeshtëri si katarsis, në përputhje me konceptin tradicional, ato që ndodhin në gji të popullin tonë. Qoftë edhe pot ë marrim parasysh këtë fakt, vepra e Surroit e ka peshën e vet, jo si sajesë letrare fantastike, por pikërisht si një sinonim i „gatimit" të kryetipave me „brumë" nga „drithi" vendës, jo i importuar.

Veç të tjerash, kemi të bëjmë me një reagim emocional që e ka zanafillën në një „ndjenjë, që nuk është domosdo tragjike, por që e bën të mundshme tragjedinë". Shëmbuj të tillë në letërsinë botërore të të gjitha kohërave janë të shumtë, që nga eposi i Iliadës dhe i Odisesë e deri te romanet e dramat bashkëkohore.

Personi tragik, në rastin konkret Sahiti, njeri si gjithë të tjerët, gjendet në një situatë, që, sipas një teze hegeliane, „nënkupton një reagim; çdo lindje e re provokon kthimin e një vdekjeje hakmarrëse". Surroi i largohet me mjeshtëri kësaj tragjedie teksa zbraz fishekët bam-bam-bam, si një lajmtar i gëzimit të madh me rastin e lindjes së "djalit" … Romani shënon pikën kulmore kur „djali" zbulohet te mjeku dhe i tregon se nuk është Besniku, por Besa:


Unë…nuk jam. S'jam mashkull….,

Unë jam mashkull fallso… unë jam fe….

-Ju, ju femen?

Edhe te mjeket.

Tri doktoresha përbajshin commissioning e posaçëm mjeksor.

-Besniku hynoi me njëdhomë të madhe dhe tëpastër.Ishte sjkuqë.

-Ju jeni Besniku?

-Po.
-Duhet të xhvisheni.

-Ju keni jetue,fjetë,bisedue si mashkull?

-Mashkull,por….
Pas një kohe dualme dokumenta në dorlësi Besa.

Lajmi u perhaps si rrufgeja në mbarë qytetin.

Pas mortises Agimin.

- Besë…Si do at quajmë….tue mos mbarue fallen tregon me sy ka fëmija që embante në dorë.
- Besa buzëqeshi tue shplue dhambet e veta të bukur që lshonte një shkelqim t'ambel.

-Mundohu me ja qillue vetë? tha tue u afrue me dorë burrin për me e përqafu.

-Besnik?
- Kësaj here….Besnik i vërtetë!



Pra, pas asaj drame, në jetën e Besnikut, alias Besës, fundi shënohet me happyend.
Vepra "Orteku I dhe II", me temë nga lufta dhe revolucioni, është pa dyshim romani më voluminoz në letërsinë tonë të kohës kur u shkrua dhe u botua. Edhe në këtë prozë të gjatë Surroi na paraqitet si shkrimtar që bën përpjekje të pasqyrojë qëndresën e popullit të këtij vendi ndaj pushtuesit fashist, me një retorikë të qartë plot konflikte, kurse protagonisti kryesor Fatos Gashi me Fluturën dhe bashkëluftëtarët e tjerë, i rezistojnë dhunës me përkushtim e organizim shëmbullor.

Si shumë krijues të tjerë, edhe Surroi i shtjellon me rrjedhshmëri e bindshëm ngjarjet, edhepse ndonjëherë të krijohet përshtypja se aksh aksion mund të mos ketë ndodhur.

Përkundër një lloj didaskalizmi, situatat shtjellohen në mënyrë realiste dhe mjaft bindëse, pa e lënë mënjanë imagjinatën krijuese, për ta përfshirë brenda caqeve të së besueshmes. Ky konstatim mund të ilustrohet me bëma protagonistësh, si Tefik Gashi, apo axha Tefik, i cili luftoi me vetmohim, pavarësisht se policët e Sërbisë së Vjetër ia vranë njeriun më të dashur, luftëtarin e paepur e të pakomprometueshëm. Si personazh qëndror, ky na paraqitet në situata të llojllojshme. Edhepse i dashuruar me Fluturën, ai gjithnjë ka ideale, të cilat, pa e nënçmuar dashurinë për të zgjedhurën e zemrës, qëndrojnë më lart, sepse janë zëdhënëse të idealeve të lirisë së një populli të tërë, të martirizuar.

Portretizime të suksesshme kemi jo vetëm në rastin e revolucionarit Tefik Gashi, në rolin e prindit dhe në rolin e liridashësit, si njeri që ka hequr të zitë e ullirit, i bindur se me luftë do të realizohet njëherë e përgjithmonë çlirimi nga dhuna, por edhe të Fatosit, sidhe të luftëtarëve të tjerë, siç janë Markoja me të birin, të pozicionuar në një tjetër vijë të frontit. Kemi edhe personazhe negative, siç është ajo e profesorit Metë Syla, i cili nxin më fort se kushdo tjetër në galerinë e zymtë të personazheve të liq: është më i egër se sa vetë pushtuesi. Për këtë shkak dënohet nga Partia dhe asgjësohet.

Sikurse dihet, Lufta Nacionalçlirimtare, jo vetëm nga Surroi, por edhe nga autorë të tjerë të trevës sonë, gjithnjë është paraqitur si luftë për çlirimin e popullit kosovar, nëse bazohemi në atë realitet kohor. Në rastin e romanit të Surroit, kemi të bëjmë me një shtjellim që i pasqyron ngjarjet si luftë liridashëse. Si e tillë, kjo vepër, e shkruar rrjedhshëm e me stil të zhdërvjelltë, nga brezi im i asaj kohe është lexuar me interesim, - shpesh edhe si lektyrë shkollore-, sidomos po të kemi parasysh se ka dalë qartë jo vetëm lufta e pabarabartë, por edhe pjesëmarrja aktive e popullit të kësaj treve. Në këtë kuptim, është fjala për pasurim të letërsisë shqipe me tematikë nga revolucioni, i cili nuk duhet injoruar, por rivlerësuar nën prizmin e realitetit historik.

Në fund po i shkoqisim edhe ca pikëpamje etike, estetike dhe filozofike në të menduarit e Rexhaiut si shkrimtar.

Në veprat e tij, të shkruara me talent të spikatur, me stil elegant e gjuhë të pasur në figura artistike e në frazeologji popullore, interesimi nuk bazohet thjesht e kryekëput në orientimin individual, por në qëndrime të përgjithshme dhe sendërton jo vetëm procedimin ligjërimor, por, përmes qëmtimit e zgjedhjes së fabulave, arrin ta „popullojë" romanin me personazhe tipikë, që përbëjnë strumbullarin e shumë ngjarjeve reale nga jeta e përditshme e nënqiellit tonë, duke portretizuar personalitete, siç janë, bie fjala, Besniku në romanin me të njëjtin emër, Dina në romanin "Pranvera e tretë" apo bashkëluftëtari i Bajram Currit, Tefik Gashi alias Axhë Tefiku në romanin "Orteku".

Surroi zgjedh një narracion që nuk e ngarkon perceptuesin me çështje joparimore. Duke njohur përsëthelli realitetin e kohës, botëkuptimet e paragjykimet, ai zbërthen me ndjeshmëri të lartë shumë çështje si vlera të çmuara letrare, estetike dhe filozofike. Nga ky këndvështrim, Surroi na paraqitet si zotërues i situatës, i konflikteve të brendshme dhe i përjetimeve shpirtërore me një narracion të qëlluar.

Procedimi ligjërues dramatik e njëherazi lirik i Rexhai Surroit përputhet me atë sentencë të njohur të filozofisë greke, që thotë: "Arti si tërësi jo vetëm që duket se është qëndror ndaj ngjarjeve dhe ideve, por edhe letërsia duket në njëfarë mënyre qëndrore ndaj arteve".
Në mbyllje të këtyre mbresave, dua të ve në dukje rëndësinë e posaçme që ka gjesti i Grupit „Koha", i cili me të drejtë ka themeluar Shpërblimin vjetor për gazetari dhe letërsi "Rexhai Surroi", që do të fillojë të ndahet tradicionalisht duke filluar nga data 22 dhjetor 2008. Ky akt përbën një homazh plotësisht të merituar për veprën madhore të gazetarit, shkrimtarit, diplomatit, politikanit e sportistit kosovar. Në këtë mënyrë nderohet një vlerë, një figurë e madhe e letërsisë sonë dhe e kulturës gjithëkombëtare.

Me citatin e Henrik Ibsenit: "Njoh vetëm një aristrokraci-aristokracinë intelektuale", po e mbyll këtë shkrim në shenjë respekti ndaj këti personaliteti poliedrik, për mikun, shokun, udhërrëfyesin, gazetarin, shkrimtarin, diplomatin, politikanin e sportistin Rexhai Surroi. Njëherazi me këtë,pledoaje dua t'i kujtoj qeverisë e ministrit të Kulturës se vlerat tona kombëtare nuk duhet t'i promovojnë vetëm në një rast të vetëm, por vazhdimisht e sistematikisht, pa anashkaluar asnjë lëvrues të arteve tona, pra të progresit njerëzor.

[1] Si një ndër të paktët intelektualë të Prizrenit, im atë pat shërbyer si përkthyes në Konsullatën e Austrisë që nga viti 1900 e deri në vitin 1938. Kur kjo u transferua në Shkup, u shpërngulëm familjarisht në Shkup. Atje im atë punoi deri më 1941, kur, pas bombardimit të Shkupit, u kthyem sërish në Prizren. Më pas punoi edhe në organizatën e puntorëve gjermanë Tot-i, gjithmonë si përkthyes i afirmuar.

(Akil Koci)

****

Nga Akademik prof.Akil Koci:Rexhai Surroi – figurë poliedrike dhe shumë vlerëshe mbarëkombëtare Rexhaisurroi
Gazetar dhe shkrimtar brilan-Diplomat dhe patriot i shquar...

Rexhai Surroi
ishte politikan dhe zyrtar i lartë i diplomacisë së ish-RSF Jugosllavisë, gjithashtu ishte ambasador i Jugosllavisë në Spanjë dhe një numër të vendeve Latino Amerikane.

Rexhai Surroi është autor i disa librave dhe i ati i publicistit të njohur kosovar, Veton Surroi, dhe aktivistes Flaka Surroi.

Rexhai Surroi vdiq në një incident që përshkruhej si aksident trafiku derisa ishte ambasador në Spanjë, por dyshohet se mund të ketë qenë vrasje me motive politike.

Shpërblimi vjetor Rexhai Surroi për gazetari dhe letërsi është themeluar nga Grupi Koha duke filluar nga viti 2008.

Floart
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi