Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Jeton Kelmendi: Ka etje Nëna e Dritës

Shko poshtë

Jeton Kelmendi: Ka etje Nëna e Dritës Empty Jeton Kelmendi: Ka etje Nëna e Dritës

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 20, 2009 12:32 am




Jeton Kelmendi: Ka etje Nëna e Dritës U2_JetonKelmendi2
Jeton Kelmendi
Ka etje Nëna e Dritës
Nga Jeton Kelmendi, Bruksel
Sa herë që flitet për Nënën Tereze, më thotë mendja, ke kujdes me fjalën. Kujdes, për arsye se sado që të mundohem të them diçka për figurën e ndritur, që njerëzimi i shekullit e thirri Nëna Tereza, fuqia e fjalës është e vogël për të përshkruar madhështinë e saj.
Për humanizmin e saj u mahnitën njerëzit, u shkruan qindra libra nga autorë të ndryshëm. Mirëpo, nëse lexojmë me vëmendje letrat që Gonxhja i kishte shkruar, na del jo vetëm një njeri në shërbim të Zotit dhe njeriut, por edhe një mendje aq e kthjellët sa që me etikë dhe filozofi përshkruan rrugën e Zotit, siç dëshmohet në librin e Anton Nikë Berishës: “Jeta është vetë jeta e Zotit në ne” (Sanctae Crucis, Prishtinë 2007).
Duke pasur parasysh figurën e Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Tereze dhe njohuritë jo të mjaftueshme që kemi ne, populli i saj, për shenjtoren, me një punë përkushtuese dhe argumente shkencore autori, Anton Nikë Berisha, e bën edhe një hap përpara për njohjen e Nënës sonë, që me të drejtë është quajtur Nënë e dritës.
Vëllimi “Jeta është vetë jeta e Zotit në ne”, është një vepër që kërkon koncentrim të madh dhe njohuri përkatëse për ta kuptuar, për ta marrë vesh filozofinë mbi njeriun dhe humanizmin si virtyt më i lartë njerëzor.
Profesor Berisha, duke qene njohës i italishtes (populli italian bëri shumë për njohjen e figurës së Nënë Terezës) i përktheu në shqip një varg letrash dhe tekstesh të nënës Tereze dhe të mendimeve të autorëve të tjerë të shquar, që e njohën Nënën Tereze në veprime dhe në flijime konkrete në Kalkutë dhe në vende të tjera të botës. Pra, Berisha sjell para lexuesit tonë në mënyrë ta argumentuar dy cilësitë me përmasa brilante të Nënës Tereze: veprimin dhe flijimin e saj për njeriun dhe dashurinë ndaj Hyjit dhe besimin në të.
Kështu na del konkretja ose ajo që shihet. Që kur Gonxhja vendosi të vihet në shërbim të shtresave më të ulëta dhe më të harruara, varfanjakëve dhe të sëmurëve, ajo kapërcen mundësinë dhe bëhet vetë veprimi. Në esencë kjo paraqet njërën nga anët e saj me përmasa madhështore që rrallë herë ngjet midis njerëzve.
Ndonëse kemi parë disa shkrime e libra për Nënën Tereze, shumica merren me anën tjetër. Pra me Gonxhen shenjtore, me Nënën Tereze kur ajo veç ishte bërë e njohur si personalitet.
Për mua libri “Nëna Tereze: Jeta është vetë jeta e Zotit në ne” është një hap i rëndësishëm për njohjen më përafër të Gonxhes dardane, me dy shpirtra: njërin për Zotin e tjetrin për njerëzimin. Mendoj se neve na duhet, si buka që e hamë, njohja më e madhe me figurën prej më të ndriturave të mbarë botës në shekullin që lamë pas.
Berisha me kujdes dhe me zgjuarsi ka sjellë dhe ka shfletuar mendimet e Nënës Tereze të shfaqura në letra dhe në raste të tjera, të dashurisë së saj për Zotin e të dëshmisë së kësaj dashurie me të varfit e më të varfërve. Është Zoti që ndërhyn në jetën e Gonxhes dhe ajo të bëhet vegël e Tij, duke shërbyer atje ku njerëzimi kishte më së shumti nevojë, sidomos në Indi.
“Kam etje”
“Për të dalë i suksesshëm në rrugën që ke marrë, gjithmonë duhet pasur një koncept të sigurt dhe atëherë do ta arrish”, kishte thënë filozofi anglez, Xhejms Eduards, në vitet e tridhjeta në një studim filozofik për të arriturat e njerëzve dhe sukseset e mëdha.
Nëna Tereze ishte tepër e sigurt për rrugën që kishte marrë, madje vendosmëria e saj ishte aq e madhe sa që me po aq fuqi e përmbushi përkushtimin në shërbim të njerëzve të varfër. Sipas këtij parimi Nënë Tereze mbante në mend dhe në shpirt atë thënien e Krishtit “Kam etje”. Në ketë kuadër Ajo më shumë vepron sesa flet. Sado që të thuhet e thuhet, veprimi është shumë herë më i fuqishëm, sidomos sipas konceptit të saj që ishte koncepti i Krishtit, gjithçka për Zotin dhe të varfrin.
Duke iu referuar shkrimeve të shumta për Shenjtoren, Anton Nikë Berisha stis të vërtetën për një të vërtetë të madhe - Nënën Tereze. Ai veçon disa mendime të shenjtores, që janë dhe në Ungjijtë: Hyji është dashuri dhe banon brenda nesh, Hyji është dashuri dhe kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të(1 Gjo, 4, 11-16); fuqia më e madhe mbi tokë është muzika e shpirtit, vuajtja e përtërin dashurinë në shpirt, e të tjera, që njëherit janë dëshmi e mirë për ta njohur shpirtin human të Nënës.
Sa i përket botës hyjnore, pra Hyjit, vetë shenjtërimi dhe dëshmitë nga njerëzit në procesin e shenjtërimit të saj, por që është më esenciale cilësimi i saj si shenjtore për së gjalli, flet për veçanti dhe pasurinë e saj shpirtërore. Është e rëndësishme, po ashtu, mënyra se si Berisha i qasjet Nënës së Dritës. Ai është i vetëdijshëm se ka të bëjë me një personalitet të madh, prandaj del nga vetja dhe subjektivizmi dhe shtron me fakte, pa ngarkesë, gjithë atë që e sheh të nevojshme për njohjen e Nënës Tereze nga lexuesi dhe studiuesit e rinj.
Duke u bazuar në parimin “e vërteta është më e madhja”, Anton Nikë Berisha i sjell disa analiza që spikasin Shenjtoren si personalitet i të gjithëve. Për ketë edhe është Nëna e Dritës. Ajo lutej sepse besonte fuqishëm, por edhe pse lutja i shërbente për tejkalimin e sëmundjeve e të dhembjeve të veta dhe të tjerëve. Ç’është e vërteta, gjënë më të fuqishëm Nëna e kishte lutjen, vë në dukje autori i librit. Po ashtu janë me rëndësi edhe një varg vlerësimesh të njerëzve që e njohën dhe bashkëpunuan me Nënën Tereze. Po përmend këtu vetëm një: “më shkonte mendja nganjëherë se ajo nuk është vetëm njerëzore por diç më shumë”. Këto gjëra bënë, që njeriu që e njohu nga afër Nënën, të ndihej më afër me Zotit.

Letrat e Nënës
Janë të një rëndësie të veçantë edhe letrat e saj dërguar kryeipeshkvit të Kalkutës, Ferdinand Périer-it dhe priftit, udhëheqësit të saj shpirtëror, Celeste Van Exm-it.
Në libër autori sjell për lexuesin shqiptar edhe tekstin e plotë të Testamentit shpirtëror të Nënës Tereze, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për njohjen e shpirtit e saj, të besimit të saj në Hyjit dhe të dashurisë për njeriun.
Nëse i bëjmë një vështrim pak më të thuket letrave që ajo u shkroi kryeipeshkvit të Kalkutës, Périer-it, dhe priftit, Van Exem-it, të botuara në këtë libër, përveç se ka nivel të lartë të komunikimit njerëzor, vërejmë një përkushtim, vendosmëri dhe vullnet të madh.
Tekstet e Nënës Tereze janë marrë nga libra të ndryshëm, nga letra dhe shkrimet e saj, edhe pse, siç e vlerëson dhe veta autori, gjithë kjo nuk është tjetër pos një ndihmë e vogël për njohjen e Nënën Tereze. Mendoj se kjo është për ne një ndihmë e madhe, deri me sot nga më të mëdhatë për arsye se libri sjell fjalët dhe mendimet e vetë Nënës.
Sado që të shkruajmë për Gonxhen tonë e të botës, prapë nuk do të mund të themi gjithë atë që meriton të thuhet, ndërsa për librin e Berishës do të them shkurt: Një qiri për Nënën e Dritës.
Po e mbyll këtë shkrim me thënien e Nënës Tereze: “Unë jam vetëm një vegël në dorën e Zotit”, mendim që ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Dërgoi: Kadri Mani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi