Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Flamur Maloku: Vija e heshtjes

Shko poshtë

Flamur Maloku: Vija e heshtjes Empty Flamur Maloku: Vija e heshtjes

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 31, 2009 1:41 am


Flamur Maloku: Vija e heshtjes U1_FlamurMalokuVija e heshtjes

Jeta me thyerjet e saj absurde deri në ekstrem është bërë skenë e mërzisë në të përhershmen jetësore, e cila tani në shumë poezi del në variante të shumta të deklamimit e të argumentimit, variante jetësore nëpër të cilat autorja është sprovuar e lënduar vazhdimisht.

Nga Flamur Maloku
flamurmaloku@hotmail.com

Në shtrirjen e mendimeve të shumta imagjinatave, karshi filozofisë së heshtur subjektive, shkruhet teksti poetik “Vija e ftohtë” e poetes së re Shkurtë Kadriu. Vija e ftohtë bëhet vepër e mërzisë subjektive, figurë personale/pozicionim personal/sinonim i dhembjes, e cila del nga bota e filozofisë subjektive përmes një sistemi të menduar figurativ, e që do të ndërtohet e rindërtohet në tërësinë e tekstit nëpërmjet heshtjes shpirtërore në kohë. Heshtja në diskursin metaforik bëhet ftohtësi e njeriut të dëshpëruar e të thyer shpirtërisht. Thyerja shpirtërore bëhet dhembshuri emocionale në kohën e shkrimit. Poetja nëpër rrugët e tanishme jetësore thur ngadalë vijën e ftohtë, pra vijën e heshtjes, vijë në të cilën personalizohet së bashku me dhembjen që ka në jetë. Jeta me thyerjet e saj absurde deri në ekstrem është bërë skenë e mërzisë në të përhershmen jetësore, e cila tani në shumë poezi del në variante të shumta të deklamimit e të argumentimit, variante jetësore nëpër të cilat autorja është sprovuar e lënduar vazhdimisht. Lëndimet janë të mëdha në jetë. S’ka harrim të asaj që ka bërë varrë në shpirt. Pra, shkrimi i figurshëm shënjon idenë se autorja nuk ka më forcë, ndihet e ligështuar dhe kërkon një kapërcim të kësaj gjendje, por me pamundësi veprimi. Shkurt, mungon forca, për të dalë përtej kësaj ligështie të mërzitshme, sepse jeta është bërë skenë e mërzisë, skenë e monotonisë shpirtërore. Shenjat e mërzisë/vetmisë/pikëllimit/dëshpërimit, vendosen në trupin e tekstit në diskursin e mundshëm shpirtëror. Diskursi i mundshëm përcillet me përsëritje të vazhdueshme të dhembjes të të qenit njeri, me shkeljet, me turpërimet e vazhdueshme që i bëhen në jetën reale. Andaj autorja mundohet të ikë nga realja e lodhshme dhe dëshiron të futet në botën e vetvetes, botë kjo që bëhet përherë e pranishme. Edhe në këtë hyrje të vetvetes nuk ka qetësi, sepse reflektohet kudo një zhgënjim, një mospajtim subjektiv. Mospajtimi del në gjuhën e figurës, ashtu lehtësisht me përplot emocione, duke e theksuar shenjën subjektive ndaj asaj që të shkakton dhembje, mërzitja jetësore:

Diku brenda meje

Ngjyrat plastike

Lozin me errësirën

Nga pëlhurë e mugët

Mbi xhamin e thyer

Nuk shoh rrezet e ftohta

Ku nxin jeta

Ngjyrat plastike, që kanë hyrë brenda së bashku më errësirën, shënjojnë monotoninë e mërzitshme të jetës subjektive. Jeta është bërë lodhje-vrarje shpirtërore në kohën e tanishme. Xhami i thyer në tërësinë tekstore shënjon konotacionin e thyerjes shpirtërore, pse jo edhe atë të fatit jetësor. Të menduarit subjektiv shkon dhe zgjatet. Rrugët degëzohen emocionalisht, që mbesin përherë në dhembje. Rrugët e dhembjes kanë lënë gjurmë të vrarjes-ligështisë. Këto gjurmë autorja i sheh kur i rikthehet pasqyrës. Pasqyra bëhet reflektim i kësaj vrarje brendore-emocionale në kohë:

Hapi sytë koka seç mu mpi

Në rrugët që zgjateshin

Si gjethet e librit

Degëzuar me dhembjen

E pashë të vrarë

Veten në pasqyrë

Njeriu në pasqyrë sheh vetveten. Duke e parë vetveten ai futet në botën e mendimit. Duke rikujtuar para pasqyrës, ngadalë, thur kohën e përjetimit-gëzimit-hidhërimit. Duke qëndruar pranë pasqyrës sheh gjurmët e kohës reale. Nganjëherë njeriu nuk ka forcë të përballojë pasqyrën, ndihet i ligështuar dhe ikën nga ajo që ia paraqet pasqyra. Mirëpo, autorja në këtë rast nuk largohet, rri pranë dhembjes, sheh veten të vrarë në kohë, me përplot degëzime të lodhjes-molisjes shpirtërore.

Anonimiteti

Gjithnjë duke i parë figurat tekstore, të cilat konotojnë përhumbjen e subjektit në kohë, koha bëhet e papërballueshme dhe nganjëherë e shndërrojnë subjektin në një gjendje oniriste shpirtërore. Kjo gjendje subjektive pranohet. Duke u pranuar ajo edhe figurohet, çdoherë nëpërmjet semantikës diskurseve, pra thuret ajo që autorja e quan kafshim ngushëllimesh mes veti, që nis e soset mbi ndjenjën e mundimshme:

Kafshohen ngushëllimet mes vete

Ditët gjelbëroshe hutohen

Në shikimet syhapura

Turpshëm shtrydhen ndjenjat

Këtu turpshëm shtrydhen ndjenjat e njeriut. Ngushëllimet në trupin-shpirtin kafshohen e thellohen në fundosjen e hutuar të jetës. Dhembja shtrihet përmes një horizonti të flakëruar, e cila çdoherë niset nga individualja duke shkuar të metafizika shpirtërore. Njohjet e dikurshme subjektive humbasin në të trishtën kohë, qyteti bëhet i panjohur X, anonimitet i ekzistenciales. Vetëm fjalët, pse jo edhe të pakuptimta, bëhen rrugë të vetmisë. Autorja jeton me këtë vetmi të rëndë, në anonimitetin ekzistencial e shpirtëror. Mosnjohja merr gradacion të theksuar, ndërsa fati i brishtë luan lojën e tij të vazhdueshëm, ashtu symbyllas që kthehet në natën e zezë subjektive:

E qyteti më bëhet x

Rrugët më janë fjalë

Përdredhur me vetminë

...................................

Symbylltas luani fati

Në natën e zezë

Ëndrrat mjegullohen


Ëndrrat mjegullohen bëhen të paqarta, duke vënë në pah ligësinë personale. E gjithë kjo realizohet kryesisht mbi zhgënjimin që figurshëm elaborohet në tekst. Nata e zezë i shkon për shtat trupit të molisur. Ndërsa dhembja subjektive vazhdon në kohë. Lotët, ashtu vjedhurazi, dalin në heshtjen plot vetmi:

Vjedhurazi lotova

Heshtja u shkallëzua

Murkinez i vetmisë

Kurorëzoi vuajtjen

Vetmia këtu shkon dhe bëhet figurë, zgjatet e shkallëzohet në heshtjen, për të marrë epitetin e figurshëm Murkinez, duke depërtuar gjithnjë mbi vuajtjen shpirtërore, tanimë e kurorëzuar, që ka prekur po thuajse edhe qiellin. Monotonia shihet, preket, shmangie nuk ka, thuajse jeta e subjektit ka marrë tatëpjetën. Sfida jetësore, me baticat dhe zbaticat e saj, deklamohet gjithnjë mbi fajësinë. Autorja e ka të qartë se jeta është pafajësi në esencë, mirëpo për tjetrin kjo nuk kuptohet, andaj edhe vepron në mënyrë të pakontrolluar, të pavetëdijshme, duke ia mbyllur të gjitha shtigjet e mundshme të pafajshmit deri në ekstremin e mundshëm. Nëpër këto sprova të përditshme subjektive, mërzia, dhembja, bëhen të mëdha dhe pa dëshirë kacafyten ndërmjet vete në trupin-shpirtin e njeriut, duke shkaktuar traumë-çmendi. Duke e parë këtë çmenduri të kohës bashkëkohore, ku i pafajshmi nuk vërehet fare nga turma poshtëruese, nga turma që jeton në kohën e injorancës. Autorja mundohet të këmbëngulë, duke i vënë në pah këto gjëra që e kanë kapluar jetën e njeriut të sotëm. Mbi këto gjëra, lodhja është bërë e mundimshme, mundësia për t’i shmangur është e vogël dhe forcë nuk ka. Andaj, heshtja lidhet e preket deri në atë masë, sa që poetja jetën e quan skenë e mërzisë, ku i pafajshmi bie viktimë i të fajshmit në të përhershmen jetësore.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi