Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?''

Shko poshtë

Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?'' Empty Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?''

Mesazh nga Agim Gashi Fri Nov 27, 2009 2:35 am


Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?'' U1_SamiIslami“NE I FITUAM ZGJEDHJET!?”

Nga Sami ISLAMI

Zgjedhjet “lokale” në Kosovë përfunduan. Fushata parazgjedhore, që u parapriu këtyre zgjedhjeve ishte njëra ndër më “spektakularet”që më ka rënë të shoh deri sot. Të përsëritet një spot politik disa herë brenda disa minutave mund të ndodhi vetëm në zgjedhjet në Kosovë. Fraza:”…premtoi, nuk e bëri, dështoi” , “N. N. zgjedhje më e mirë për kryetar” etj. etj., i kaluan caqet propagandave politike! Për një muaj rresht televizionet e Kosovës qenë përplot me debate, reklama, mitingje politike…
Me rëndësi është se ato përfunduan! Sipas KQZ-së më së shumti komuna i fitoi PDK-ja, pasuar nga LDK-ja, AAk-ja , e kështu me radhë. Si populli më i “politizuar”, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, ia filluam të festonim madje edhe pa u dhënë rezultatet preliminare. Po t’i shikonte ndonjë i huaj këto “festime” do të mendonte se shqiptarët e Kosovës e “paskan” zbuluar ndoshta ndonjë planet tjeter! Veturat e stolisura me flamuj partiakë parakalonin gjithandej nëpër qytetet tona duke festuar, festa këto edhe më të “nxehta” se ato për pavarësinë e Kosovës!

Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve qe fakti se kandidatët për kryetarë të komunave nuk ishin ata aktorët kryesorë në fushatë. Në fushatë po konkurronin liderët e partive politike, që kishin edhe funksione të ndryshme në parlament ose në qeveri të Kosovës. Pothuaj në të gjitha tubimet zgjedhore, shumë më përpara se të dilte kandidati i “zgjedhur” nga partia për kryetar, dilnin liderët e partive dhe pasi flisnin për “vlerat “ e kandidatëve (sikur ata nuk ishin në gjendje të flasin për veten e tyre !), u jepej fjala atyre që duhej të ishin të parët.
Po pse atëherë liderët u bënë „katëqind copa“ që të ishin në ballë në çdo tubim zgjedhor?
E këtu del tani ai „marifeti “ partiak i politikanëve tanë. Ata, duke „fituar „ kandidatët e tyre nëpër komuna, do t’i „forconin“ pozitat e veta duke e rregulluar kështu “terrenin” për zgjedhet e përgjithshme! Ku ishte kandidati i AAK-së për kryetar komune ishte edhe z. Ramush Haradinaj, kryetari i partisë; ku ishte kandidati i LDK-së për kryetar, ishte edhe z. Lutfi Haziri kryetari i grupit parlamentar të LDK-së (kësaj radhe kryetari i LDK-së z. Fatmir Sejdiu nuk doli, sigurisht mori mësim nga zgjedhjet e kaluara parlamentare!) ... Ku ishte përfaqësuesi i AKR-së dhe LDD-së aty ishte z. Behxhet Pacolli ose z. Nexhat Daci (nganjëherë edhe të dytë)!
Është me interes të theksohet se zgjedhjet u vlerësuan shumë „demokratike“. U provua në vepër „pjekuria“ politike e shqiptarëve të Kosovës. Pak rendësi “pati” a fitoi ky apo ai kandidat i partisë. „Nuk“ pat parregullsi, ose më mirë të themi ato parregullsi që ndodhën ishin „të vogla“ ani pse në TV pamë njerëz që i bartnin ilegalisht kutiat me votat e shqiptarëve! Pamë poashtu njerëz që ishin të kërcënuar për t’ua dhënë votën kandidatëve të kësaj apo të asaj partie.

Siç thamë në fillim, kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave fituan shumicën. Në rregull. Po a thua kush u gëzua më shumë për fitoren e kandidatëve për kryetarë të komunave të Partisë Demokrtatike? A u gëzuan ata vetë që e morën votën e popullit, pra kryetarët e ardhshëm të komunave, apo u gëzua më shumë kryeministri Hashim Thaçi?
Nuk është aspak vështirë për ta dalluar këtë situatë. Kushdo që e ka parë kryeministrin në njërën nga seancat e kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve, do të bindej se atë ditë kryeministri ishte „shend e verë“. Kryeministri dukej se po „fluturonte“ nga gëzimi që partia e tij fitoi në zgjedhjet lokale. Mezi iu përgjigjej pyetjeve të ndryshme të deputetëve të tjerë. Bile një pjesë të përgjegjeve i bënte prej vendit ku ishte ulur dhe nuk e shihte “të arsyeshme“ të dilte madje as në foltore. Kryeministri Thaçi the ministri Fatmir Limaj u „shkrinë“ duke qeshur gjatë seancës së kuvendit. Kjo u pa qartë. Sado që e qeshura të bën mirë, thonë, bile , sipas disa mjekëve, e qeshura të zgjat jetën, nuk e kuptova se a ishte kjo e qeshur se me këto zgjedhje kishte „fituar“ Kosova, siç patën deklaruar ata me përfundimin e tyre, apo ishin të qeshura për „suksesin“ e tyre politik ndaj partive të tjera rivale?
Nejse.
Pas „insistimit“ të një deputeti, që të mos përgjigjej nga karriga ku ishte ulur, më në fund z. Thaçi doli në foltore dhe fjalinë e parë e tha kështu: “Ne i fituam zgjedhjet!“
Të them të drejtën kjo deklaratë e kryeministrit më habiti, por për çudi asnjë deputet nuk reagoi në deklaratën e tij dhe kryeministri vazhdoi fjalimin, apo përgjegjen, s’ka rëndësi. Me rëndësi është të dihet se çfarë deshi të thoshte me fjalinë: “Ne i fituam zgjedhjet”? Kujt i tha qe ai i kishte „fituar“ zgjedhjet? Mos vallë kryeministri paska menduar se është në mbledhjen e partisë ( në këtë rast edhe do të „shkonte“ disi kjo deklaratë)?. A thua tha kështu nga gëzimi i madh që kishte se kishte fituar partia e tij dhe kishte “harruar” se ishte ne parlament? A e di kryeministri se posti i kryeministrit nuk është post partie por shteti. Me këtë deklaratë ai edhe krejt parlamentin e Kosovës e „beri“ seancë të PDK-së! Po pyetja është se deri kur do të emancipohen ministrat dhe në vençanti kryeministri i Kosovës z. Thaçi? A e di ai se në parlament është edhe opozita dhe deputetë të partive të tjera, që „nuk fituan“ në zgjedhejt lokale? A mos priti kryeministri që të duartrokitej edhe nga deputetët e partive të tjera duke dalë me kësi deklarate?

Atij, si kryeministër nuk i ka takuar, madje, as të dalë nëpër mitingje zgjedhore. Për këtë punë më mirë do ishte të kishte caktuar dikë tjetër, por jo ai vetë. Zgjedhje lokale bëhen edhe kudo nëpër Evropë. Ai ka qene në Evropë dhe e di mirë se si zhvillohen zgjedhjet atje. A dalin në fushata zgjedhore lokale kryeministrat, ose kryetarët e shteteve? Sigurisht që jo. Fundja kjo mua nuk më ka rënë të shoh asnjëherë. Te shqiptarët po.

Kjo deklaratë e kryeminstrit Thaçi ma kujtoi, kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha (para disa vitesh) kur ishte kryetar i Shqipërisë. Ai, si kryetar i partisë, por edhe si kryetar shteti sa herë që fliste në parlament ose gjetiu nuk lente pa e përdorur edhe slloganin „të kuqët“ që u referohej deputetëve të Partisë Socialiste! Merre me mend kryetari i shtetit bënte kësi segregacionesh (ndasishë)! Dhe ky ishte kryetar edhe i “të kuqve” edhe i “të kaltërve” , me një fjalë i të gjithëve.
E njejta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit parlametare në Kosovë, kur kryetari i tashëm i Kosovës z. Fatmir Sejdiu, edhe pse ishte në funksionin e kryetarit nuk pat lënë asnjë miting zgjedhor pa dalë dhe pa i pri fushatës së LDK-së. Pra edhe kryetar i vendit, edhe i pari në zgjedhje partiake! Rast unikat shqiptar, apo jo?
.
Fundja pse ndodh kjo në Kosovë dhe në Shqipëri edhe nuk është për t’u çuditur. Ne kujtojmë se jemi vend demokratik dhe në “demokraci” mund të bësh edhe kësi gjërash! E vërteta është se tek ne emancipimi politik është shumë larg kritereve të disa shteteve ballkanike e të mos flasim për ato evropiane. Kjo thjesht mund të quhet mangësi, si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri. Ne jemi një komb me këtë kulturë politike, sigurisht edhe “udhëheqësit” i kemi të tillë.
Duke u nisur nga kjo pikë mund të pyesim: a thua kur do të emancipohen politikanët tanë?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi