Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Demir Krasniqi:MOTIVI I SHANTAZHIMIT MORAL NË KËNGËT TONA POPULLORE

Shko poshtë

Demir Krasniqi:MOTIVI I SHANTAZHIMIT MORAL NË KËNGËT TONA POPULLORE Empty Demir Krasniqi:MOTIVI I SHANTAZHIMIT MORAL NË KËNGËT TONA POPULLORE

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 15, 2009 2:36 am

Demir Krasniqi:MOTIVI I SHANTAZHIMIT MORAL NË KËNGËT TONA POPULLORE U1_DemirKrasniqi
Demir Krasniqi


Nga folklori ynë:

MOTIVI I SHANTAZHIMIT MORAL NË KËNGËT TONA POPULLORE

Kënga popullore është vet fryma e shpirtit krijues të një populli . Ajo , në mënyrën më besnike dhe në mënyrë kronologjike e përshkruan jetën e njeriut , që nga lindja e tij e deri tek vdekja . Kënga popullore me një virgjëri të natyrshme i ruan gjithmonë në gjirin e saj të gjitha virtytet e jetës, të gjitha të bardhat dhe të zezat që e shoqërojnë njeriun dhe shoqërinë nëpër etapa të ndryshme kohore, duke i kaluar kështu edhe shekujt e historisë së njerëzimit .

Folklori muzikor shqiptar është aq i lashtë dhe aq i pasur, sa mendojmë se studiuesit e kësaj shkence oqeanike ende nuk e kanë thënë fjalën e vet sublime.

Nuk ka pore të jetës së njeriut që nuk është përfshirë përmes këngës , duke u nisur nga gëzimet, hidhërimet, dështimet, sukseset, vuajtjet, nëpërkëmbjet, varfëritë, sëmundjet, kurbeti, ushtria, luftërat, okupimet, burgjet ,dashuria, martesat, lindjet, vdekjet , motivet e punës, jeta në fshat, jeta në qytet e çka nuk është përfshirë në thesarin e këngëve tona popullore që janë krijuar, kënduar, kultivuar e ruajtur me xhelozi brez pas brezi.

Brenda thesarit kaq të pasur të folklorit tonë muzikor , nuk kanë shpëtuar pa zënë vend edhe këngët me motive të shantazhimit moral ndaj femrës shqiptare .

Element kryesor për t’ u shantazhuar një femër shqiptare , ka qenë motivi i varfërisë së pa skajshme dhe mungesa e mbrojtjes ligjore nga ana e regjimeve të egra barbare dhe okupatore .

Shembulli më i mirë i shanatazhimit moral ndaj femrës shqiptare nga ana e njerëzve të kategorisë më të pasur shoqërore, pa dyshim se është kënga popullore me titull:”Ore mullinxhi”.

Kjo këngë i takon një periudhe më të lashtë kohore, kohë kur i vetmi mjet për t’ a siguruar miellin dhe kafshatën e gojës ishte mulliri që bluante drithëra me anë të shtypjes së ujit. Ndonëse , kushtet ekonomike dhe ato gjeografike nuk u jepnin mundësi që të gjithë njerëzit të posedojnë mullinjtë e tyre, atëherë patronët të cilët posedonin mullinj personal , konsideroheshin si pasanikët më të mëdhenj të një rrethi, apo krahine .

Pronarët e mullinjve , të cilët populli i quante “mullinxhinj” , jo të gjithë ishin të ndershëm dhe të moralshëm. Ata i shfrytëzonin dhe kushtëzonin në mënyra të ndryshme njerëzit e varfër nevojtar , të cilët mezi e siguronin nga një strajcë me drithë për t’ a bluar dhe për t’ ua siguruar fëmijëve të tyre nga një kafshatë buke, siç thuhej:”sot për nesër”!

Njëri nga llojet e këtyre shantazhimeve që i bëhet një femre fshatare e cila në shtëpi kishte vetëm nënën dhe babanë të pa fuqishëm dhe të shtyrë në moshë, të cilët nuk kishin mundësi që të shkonin vet në mulli për t’ a bluar drithin, është shembulli që do të trajtohet në vazhdim përmes vargjeve të kësaj kënge.

Një shantazhim i këtillë ndaj një femre të re fshatare, e cila nga varfëria e madhe dhe nga mungesa e vëllezërve në familje, detyrohet që të shkojë vet në mulli për ta bluar një strajcë drithi, është tepër rrëqethëse dhe e dhembshme për fatin e saj.

Ky tregim bëhet edhe më i rrëqethshëm , kur kihet para sysh se vajza fshatare, apo malësore , krahas vuajtjeve familjare, varfërisë së madhe, mezi ia del që t’ a sigurojë një strajcë gruri për t’ a bluar dhe për t’ a siguruar një grusht miell gruri për “Natën e Madhe”, që nënkupton festën e “Qirave” dhe për ta shijuar një kafshatë buke të grurit!

Por , patroni i quajtur “Mullinxhi”, duke e parë këtë vajzë malësore se është e varfër, e pa krahë, e pa mbrojtur dhe mbi të gjitha: e bukur, e kushtëzon atë me shfrytëzimin moral, si shpërblim për bluarjen e drithit të saj ?!

Mullinxhiu i pa turp, i pa moral dhe i pa shpirt , nuk ngopet me kërkesat e tij, ndaj vajzës malësore, duke ia kërkuar çdo pjesë të trupit të saj deri në aktin final të shfrytëzimit total dhe përvetësimit të trupit të saj, si parakusht për bluarjen e drithit të saj!

Për më tutje, le të lexojmë me kujdes dhe të analizojmë se çfarë na tregojnë vargjet e kësaj kënge, të cilën para disa dekadash e kemi dëgjuar shumë shpesh edhe përmes valëve të Radio Prishtinës:



ORE MULLINXHI



Vajza:



Ore, mullinxhi,

Ore, mullinxhi,

Synin po ta fali,

Sonte Nata e Madhe,

Blujma grunin mu .



Mullinxhiu:



Mejhane , bre,

Mejhane, bre,

Synin nuk ta due,

Gurit s’po i vjen uj-e,

Grunin s’ un ta bluj-e .



Vajza:



Ore, mullinxhi,

Ore , mullinxhi,

Faqet po t’i fali,

Sonte Nata e Madhe,

Blujma grunin mu .



Mullinxhiu:



Mejhane, bre,

Mejhane, bre,

Faqet nuk t’i due ,

Gurit s’po i vjen uj-e,

Grunin s’un ta bluj-e .







Vajza:



Ore, mullinxhi,

Ore, mullinxhi,

Belin po ta fali,

Sonte Nata e Madhe,

Blujma grunin mu.



Mullinxhiu:



Mejhane, bre,

Mejhane, bre,

Belin nuk ta due ,

Gurit s’po i vjen uj-e,

Grunin s’un ta bluj-e .



Vajza:



Ore, mullinxhi,

Ore, mullinxhi,

Krejt e jotja jam-e,

Sonte Nata e Madhe,

Blujma grunin mu.



Mullinxhiu:



Mejhane, bre,

Mejhane , bre,

Krejt e jemja je,

Gurit po i vjen uj-e,

Grunin po ta bluj-e.



Një variant tjetër i po kësaj kënge , na e përshkruan shantazhimin moral të një vajze të varfër e cila shkon për të bluar drithë në mulli, për të blerë rroba në shitore, për të blerë bukë në furrë, por që të gjithë patronët – shitësit nuk e shërbejnë , duke e kushtëzuar me kërkesa për shfrytëzime morale :



Vajza:



O, mullinxhi, aman, aman,

Ti, o djalë i ri-e,

M’ ka çu’ nana, m’ ka çu’ baba

Për me blu’ te ti-e !







Mullinxhiu:



Oj, vash’ e re, aman, aman,

Shka po du’ me t’ than-e,

Guri nuk ka uj’, aman, aman,

Grunin s’ un ta bluj !



Vajza:



O, dugajxhi, aman, aman,

Ti, o djalë i ri-e,

M’ ka çu’ nana, m’ ka çu’ baba

Për me ble te ti!



Dugajxhiu:



Oj, vash’ e re, aman, aman,

Shka po du me t’ than-e,

Tesha t’ bukra, hej, aman, aman,

Un’ për ty nuk kam-e !



Vajza:



O, furraxhi , aman, aman,

Ti, o djalë i ri-e,

M’ ka çu’ nana, m’ ka çu’ baba

Buk’ me ble te ti-e !



Furraxhiu:



Oj, vash’ e re, aman, aman,

Shka po du me t’ than-e,

Buk’ të bardh’ , të mirë, aman, aman,

Un’ për ty nuk kam-e !



MOTIVI I INTERSIT PËRMES LIDHJEVE TË KUMBARIVE NË KËNGËT TONA POPULLORE



Varfëria e madhe dhe lakmia për të pa pasurën , shpeshherë i ka shty njerëzit që me dashje të shantazhohen në mënyra të ndryshme , nga ana e shtresave më të pasura shoqërore .

Njëra ndër mënyrat më perfide të këtyre shantazhimeve , me qëllime të pasurimit, apo të krijimit të pozicioneve më të avancuara në shoqëri , kanë qenë format e lidhjeve të kumbarive të ndryshme ndër-familjare, të cilat fund e krye e kanë pasur qëllimin e interesave të ngushta dhe përfitimeve të ndryshme .

Në shënjestër të lidhjes së këtyre kumbarive kanë qenë kryesisht njerëzit e pasur, njerëzit në pozita të ndryshme zyrtare dhe njerëzit që i kanë pasur gratë e mira.

Besimi ndërmjet kumbarive ka qenë aq i madh , sa në shumë raste më tepër i është besuar kumbarës se sa vëllait të lindur prej një barku !

Besimet e këtilla ndërmjet kumbarive janë krijuar me qëllime që të manipulohet më lehtë deri tek kontaktet dhe marrëdhëniet mes dy gjinive të kundërta .

Me këto besime mashtruese , është shkuar aq larg, sa kumbara ka pasur të drejtë që të shkojë e ta merr kumbarisën nga dy herë në vit në të parnë nga dy javë ditë, barazi me bijat e shtëpisë !

Një gjë është më se e sigurt , se ata që nuk i kanë pasur gratë e mira për nga bukuria, nuk kanë pasur as shansin më të vogël që të kumbarohen me njerëzit e shtresave më të larta!

Kumbaria me njerëzit që kanë pasur pozita të larta në pushtet, është bërë ekskluzivisht për të arritur privilegje në punësim, në pajisje me leje për armë-mbajtje dhe për mbrojtje nga sulmuesit e ndryshëm.

Kumbaria me njerëzit e pasur është bërë ekskluzivisht për qëllime të përfitimeve materiale , veshë-mbathjeve dhe pasurive tjera .

Edhe kjo dukuri e shantazhimeve të njerëzve të varfër, me qëllime interesash dhe përfitimesh, nuk ka ngelur pa u regjistrua në analet e folklorit tonë muzikor.

Njëra prej këngëve më karakteristike të këtij zhanri , është kënga popullore me titull:”Fryni era - pluhun çoj”, e cila për lajtmotiv ka temën e kumbarive me njerëzit e pasur , nga të cilët do të përfitohet në kompletimin e veshmbathjeve për nuset e reja :



FRYNI ERA – PLUHUN ÇOJ



Fryni era - pluhun çoj ,

Oj syzeza e lalës-o,

Na i pluhnoj tasfesat –o,

Moj merakja e lalës-o.



Tasfesxhinë e kam kumarë,

Oj syzeza e lalës-o,

Aj na jep tasfesat falë,

Oj merakja e lalës-o.



Fryni era - pluhun çoj,

Oj syzeza e lalës-e,

Na i pluhnoj dikollkat –o,

Moj merakja e lalës-e.



Dikollkxhinë e kam kumarë,

Oj syzeza e lalës-o,

Aj na jep dikollkat falë,

Oj merakja e lalës-o.





Fryni era - pluhun çoj,

Moj syzeza e lalës-o,

Na i pluhnoj mintanat – o,

Moj merakja e lalës-o.



Mintanxhinë e kam kumarë,

Oj syzeza e lalës-o,

Aj na i jep mintanat falë,

Oj merakja e lalës-o.



Fryni era - pluhun çoj,

Oj syzeza e lalës-o,

Na i pluhnoj dimijat-o,

Oj merakja e lalës-o.



Dimixhinë e kam kumarë,

Oj syzeza e lalës-o,

Aj na i jep dimijat falë,

Oj merakja e lalës-o.



Fryni era - pluhun çoj,

Oj syzeza e lalës-o,

Na i pluhnoj sandallet – o

Moj merakja e lalës-o .



Sandallxhinë e kam kumarë,

Oj syzeza e lalës-o,

Aj na i jep sandallet falë,

Moj merakja e lalës-o.



Gjilan, më 15 Dhjetor 2009. Demir KRASNIQI
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi