Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Demir Krasniqi: Motivi i zisë në këngët tona popullore

Shko poshtë

Demir Krasniqi: Motivi i zisë në këngët tona popullore Empty Demir Krasniqi: Motivi i zisë në këngët tona popullore

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 21, 2009 2:09 am







Demir Krasniqi: Motivi i zisë në këngët tona popullore U1_DemirKrasniqiNga folklori ynë:



MOTIVI I ZISË NË KËNGËT TONA POPULLORE



Në thesarin e këngëve tona popullore, kanë zënë vend një numër i madh i këngëve tragjike, elegji dhe vajtime popullore . Në mesin e cikleve të këngëve të këtilla, shumë herë e hasim edhe motivin e zisë ( të mbajturit zi) nga ana e të gjallëve, të cilët me anë të rrobave të zeza, apo ndonjë shenje të zezë mbi trupin e tyre, tregojnë se malli për anëtarin e humbur të familjes nuk do të shuhet kurrë .

Njëra prej këngëve më karakteristike të këtij cikli, madje edhe ndër më të popullarizuarat , është kënga me titull:”Zo’ , ku krisi pushka pramë?!”

Në këtë këngë, përveç që është i shprehur në çdo strofë motivi i zisë familjare duke i testuar të gjithë anëtarët më të ngushtë të familjes: babën, nënën, motrën, vëllain dhe gruan, për të mësuar për secilin me rend se sa do të mbajnë zi për djalin, vëllain dhe burrin e vrarë tragjikisht në moshën më të mirë, do të nxjerrim edhe shumë mesazhe nga realiteti i jetës dhe traditat tona familjare.

Është karakteristikë e veçantë se vargjet e kësaj kënge janë thurur duke e imagjinuar të vdekurin se si ai bisedon me të gjallët?!

Viktima tragjike e kësaj kënge, na paraqitet me emrin Isuf, i cili po ushtronte profesionin e shitësit në një shitore (dugajë, dyqan ), ku edhe e gjen vdekja tragjike.

Amaneti i parë për të gjallët, nga ana e viktimës së quajtur Isuf, është që të tjerët mos ta ushtrojnë profesionin e shitësit dhe të mos matin peshën me terezi !

Ky mesazh ka të bëjë me besëtytnitë popullore që njeriu i cili shet mallra në treg, duke i matur ato me anë të terezive , mund të bëjë mëkate me blerësit, nga se ndonjëherë mund të mos jetë i saktë dhe do t’iu hyjë në hak blerësve të tij!

Në bazë të vargjeve të këngës, të cilat i atribuohen viktimës (Isufit), mund të konkludojmë se shkaku i vrasjes tragjike të Isufit , është pikërisht matja me terezi, ku ndoshta ndonjëherë mund të ketë gabuar ndaj blerësit të pamëshirshëm, i cili do t’ i hakmerret me vrasje fatale !

Në pyetjen e Isufit, se sa do të mbajë zi vëllai për vëllain , pos mallit të madh për humbjen e vëllait, zjarrit që do ta djeg në zemër për sa të jetë jeta , do të kuptojmë mungesën e vëllait në festa, gëzime, por mbi të gjitha: - humbja e vëllait përjetohet si humbje e një gjymtyre të trupit, si që është krahu i djathtë !

Humbja e vëllait , që krahasohet me tharjen e krahut të djathtë, nënkupton vetminë e vëllait në punë, vetminë në rastet kur ai është i sulmuar nga ndokush tjetër dhe nuk e ka fuqinë vëllazërore për t’iu rezistuar sulmeve të ndryshme.

Në përgjigjen e motrës , se sa do të mbajë zi për vëllain, pos të tjerash, do të mësojmë se motra për vëllain do të digjet nga malli për sa të jetë jeta, por që ajo sipas traditës dhe zakoneve , duhet të martohet në fis të huaj, ku atje nuk do ta ketë të drejtën për të mbajtur zinë për vëllain e humbur!

Në përgjigjen e gruas, se sa do të mbajë zi për humbjen e burrit (Isufit), do të mësojmë qartë se gruaja nuk do të mbajë shumë zi për burrin e humbur, nga se ajo shpeshherë ka ambicie për t’u rimartuar diku tjetër dhe kujtimi për burrin e parë do të zgjas për aq kohë, sa nusja t’i merr kënatat për të shkuar te kroi dhe atje do ta shfrytëzojë vendin për të gjetur zgjidhje për rimartesën e saj !

Në përgjigjen e babait, se sa do të mbajë zi për humbjen e djalit, pos të tjerash, do të kuptojmë se babai nuk do ta harrojë për asnjë moment deri në frymën e fundit të jetës, djalin e tij! Por, dhembjen më të madhe babai e shprehë në mungesën e krahut të punës, ku do të ndihet i vetmuar gjithmonë në punët e fushës: lavrës , kositjes, korrjes... ku mungesa e ndihmës dhe mungesa e vet djalit , do ta pikëlloj edhe më tepër në jetë!

Por, mbi të gjitha, përgjigja e nënës , se sa do të mbajë zi për djalin e humbur, është shumëfish më e prekshme dhe tragjike.

Nëna do të mbajë zi për djalin për derisa të kalbet guri në përrua ! Pra, dihet se guri në përrua nuk kalbet kurrë, ndërsa malli i nënës nuk do të shuhet kurrë!

Malli i nënës për djalin e humbur, do të bëhet edhe më i madh gjatë kohës së pranverës, kur çdo gjë në jetë hijeshon, natyra lulëzon, bilbilat këndojnë, dushku mugullon, ndërsa nëna gjithnjë vajton për djalin e vet.

Bukuritë natyrore, gjelbërimi, lulëzimi dhe kënga e zogjve shtegtarë , janë motive të cilat e nxisin nënën që për asnjë moment të mos e harrojë djalin e vet.

Asaj, në çdo moment i parafytyrohet hija e djalit të saj, ku nuk mund të qetësohet dot nga malli dhe vaji! Andaj për t’ a shuar mallin, ajo do t’i merr rrobat e djalit të saj dhe do të shkojë larg në një mal, ku nuk do ta shohë askush duke vajtuar dhe atje do t’ a gjejë një trung të ri, të cilit do t’ ia veshi rrobat e djalit (Isufit), do t’ ia vë edhe plisin përmbi, për ta vëzhguar për karshi dhe duke e imagjinuar trupin e djalit të saj !

Në momentin kur nëna ia veshë rrobat e djalit të saj, trungut të ri dhe e imagjinon se po e sheh Isufin, në pyll pos shpendëve tjerë, dëgjohet duke kënduar edhe qyqja .

Nga kënga e qyqes , nëna mallëngjehet aq shumë, sa i duket se edhe ajo po vajton për djalin e saj – Isufin ! Atëherë, edhe nëna i bashkëngjitet këngës së qyqes me vajtimet e saj dhe për këtë, legjenda popullore thotë:

“Kur këndon qyqja, ajo vajton për Isufin dhe thotë:

Kuku Isuf!

Kuku Isuf!

Kuku,ku!

Kuku, ku!

Nana ty, tu ka vërbu’!”

Të dëgjojmë se çfarë na thonë vargjet e kësaj kënge në vazhdim:



ZO’ KU KRISI PUSHKA PRAMË



Hej, Zo’ , ku krisi pushka pramë ?

-Qatje poshtë n’ në dugajë ,

Thanë se e vranë Isufin tan-e,

Kajë, nane, kajë !



-Amanet, o , po jav la:

Mos me çelë tjetër dugajë ,

Mos me matë me terezi,

Se nuk kish, more, gja ma zi – e ,

Kajë, nane , kajë !





-Amanet, o, more vlla ,

Zi për mue sa do t’ majsh?

-Dogri, vlla, me t’ kallxu’

Sa t’ jetë jeta me jetu’,

Krahin e djathtë ma ke tha mu’,

Kur t’ vjen dita n’ Bajram me shku’

S’ ka kush banë Bajram me mu’,

I shoh shokët Bajram tue ba,

Krah për krah tuj shkue me vlla,

Loçka e zemrës mu ka tha !

Kajë, nane, kajë !



Amanet, o mori motër –

Sa do t’ majshë ti zi për mu’?

-Dogri vlla, ty, me t’ kallxu’

Zemrën teme e ke shkrumu’,

Sa t’ kam ymër me jetu’

Motra, ty, s’ ka me t’ harru’!

Por , ni femën jam qillu’,

N’ fis të huej m’ duhet me shku’

N’ fis të huej, vlla, n’ fis të ri ,

Atje, vlla, s’po u majke zi-e,

Kajë , nane, kajë!



Amanet, o mori grue –

Sa do t’ majsh ti, zi për mue?

-Dogri njeri me t’ kallxue ,

Sa t’ marr kënatat me shku’ n’ krue,

Nalna n’ udhe me pushue ,

Vet me veti ty u kujtue ,

N’ çfarë katuni du me shkue,

Me i djalë t’ ri, unë, me u martue ,

Kthehna n’ shpi, ty , t’ kam harrue,

Kajë , nane, kajë!





Amanet, o, more babë ,

Zi, për mue sa do t’ majshë ?

-Dogri , bir, o, me t’ kallxu’

Sa t’ kam ymër për me rrnu ‘,

Zijen tane s’ kam me harru’ !

I ngjes kijet n’ arë me shku’

I shoh shokët tuj livru’

Me djem t’ vet tu ju ndihmu’

S’ mundet baba, me t’ harru-e,

Kajë nane, kajë !



Amanet, o mori nanë –

Zi, o , për mue sa do t’ mbanë?

-Dogri bir-o, me t’ kallxue ,

Deri t’ kalbet guri n’ përrue ,

Tybe nana me t’ harrue!

Vjen pranvera ty u afrue,

Nisin lulat me lulue ,

Ja nisë mali me mugullue,

Do t’ marr udhën n’ mal me shkue,

Do të shkoj ne i mal të zi,

Do ta gjaj ni cung të ri ,

Do t’ ja veshi tirq e xhurdi,

Do t’ ja qes kapuqin mi kry’,

Dal n’ ni stom e këqyri karshi,

Dal karshi e këqyri n’ stom,

Nashta ma hjek mallin tan !

Ja nisë qyqja me këndue ,

Ja nisë nana me i ndihmue !

Po knon qyqja rrem me rrem –

Mjera nana , për Isufin tem-e,

Kajë , nane, kajë !



Gjilan, më 20 Dhjetor 2009. Demir KRASNIQI
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi