Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vllasova Musta:U promovua ne Tirane libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë"‏

Shko poshtë

Vllasova Musta:U promovua ne Tirane libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë"‏ Empty Vllasova Musta:U promovua ne Tirane libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë"‏

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 26, 2009 2:32 pm

Vllasova Musta:U promovua ne Tirane libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë"‏ U1_AlbertZholi-top
Dergoi:Albert Zholi


Libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë”,

Mesazh ideal i dashurisë dhe përjetësimit të vlerave të vendlindjes dhe njerëzve të saj


Nga Vllasova Musta
Vllasova Musta:U promovua ne Tirane libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë"‏ 8815-100x70

Para se të përcjell disa prej mendimeve të mia për librin që promovohet sot, ndjej së brendshmi se duhet të them së pari dy të vërteta:

1. Kam ardhur me një kënaqësi të veçantë në këtë aktivitet dhe kjo për faktin se libri “Ylberi i fëminisë”, teksa e lexoja e deri në faqen e fundit, më dha një kënaqësi të jashtëzakonshme, më mrekulloi dhe ma bëri të këndshme ardhjen këtu si dhe më nxiti dëshirën për të folur për të.

2. Unë nuk kam asnjë lidhje as me Progonatin e as me Golemin, por kam një lidhje të hershme respekti dhe mirënjohjeje të pafundme për poetin Agim Shehu, jam ishnxënëse e tij dhe ky fakt, më ka bërë të ndihem krenare gjatë gjithë jetës sime dhe e tillë ndihem edhe sot, ndaj erdha këtu, të jem pjesë në gëzimin e botimit të librit të profesorit tim dhe të shpalos para jush, disa prej vlerave, që unë gjej në këtë libër.

Mënyra se si Agim Shehu përcjell ngjarje dhe fakte nga kujtimet e fëminisë së tij është sa mbresëlënëse aq dhe e pakrahasueshme në llojin e vet. Mjeshtërisht ai di të rrëfejë dhe të të marrë përdore e të të tregojë për të njohur e për të parë vende, ngjarje dhe njerëz që nuk i ke ndeshur kurrë, por që pena magjike e tij t`i bën të ngrohtë, të dashur e tepër miqësorë.

Ajo që e bën të duket thuajse magjike gjithçka trajtohet në të, është një ndjenjë e pafundme dashurie që ka autori për vendlindjen e tij, një frymë gati mistike që ai mban në shpirt për Progonatin dhe që e bën ta shohë krahinën e tij si oazin e mrekullive, të burrërisë, të urtësisë, të patriotizmit dhe të bukurisë njerëzore.

Kjo krahinë është dhënë prej tij me të gjitha ngjyrat, me të gjithë tingujt, aty çel ndryshe gjethi i pemëve, aty edhe zogjtë këndojnë ndryshe, edhe honet apo humbëtirat përcjellin gjithfarësoj zërash, aq sa të duket se kurrë s`do të mund të gjesh të ngjashëm me to. Vetëm një penë poetike se ajo e Agim Shehut dhe një shpirt i mbrujtur në ato anë, pranë atyre mrekullive mund ta shihte të tillë krahinën e tij dhe njerëzit e saj, prandaj, teksa e lexoja, më lindi mendimi:

Për të shkruar këtë libër, Agim Shehut nuk i ka trokitur kujtesa e viteve fëminore, nuk e ka trazuar frymëzimi i krijimit, por, duke qënë prej vitesh larg atdheut, i kapluar tërësisht nën pushtetin e mallit, çdo fjalë e rresht i ka dalë drejt e nga zemra. E them këtë, sepse nga një faqe në tjetrën të duket se ndjen tik takun e zemrës, është ajo që tregon, është ajo që përzgjedh, është ajo që na mban dhe na fut nëpër të gjitha shtigjet e fëminisë së tij duke na e sjellë në përfytyrimin tonë, përherë të bukur dhe krejtësisht të veçantë.

Në këtë libër, nga njëri episod në tjetrin njihesh me një galeri të tërë personazhesh që gjallojnë herë me fjalën e tyre e herë edhe pa folur fare. Ata, janë kaq të ndryshëm, kaq të larmishëm, plot jetë dhe vitalitet e secili ka ngjyrën e tij, ka portretin dhe peshën që e bën të papërsëritshëm. Të tillë janë strukturuar babai, gjyshja, dajot, tezja, xhaxhallarët, shokët e fëminisë, mësuesi fjalëpakë, por aq fisnik apo figura të tjera të paharruara si Memo Meto, Asim Zeneli etj. për të lënë në një pikë të veçantë, kulmore nënën e tij, e cila është skalitur me një ndjeshmëri të mahnitshme, ku pikon një dashuri e pakrahasueshme mirësie, urtësie dhe paqeje, aq sa të duket sikur në ngjarjet e jetës, nëpër vite, nuk ecën një krijesë njerëzore, por është vetëm një ëngjëll që përcjell veç butësi me dhëmshurinë e saj mahnitëse. Të gjitha nënat janë të mrekullueshme, por të
portretizuar me kaq finesë e me kaq ndjenjë, rrallë se e gjen në letërsinë e shkruar.

Krahas galerisë së pafund të personazheve, autori ka gdhendur mjeshtërisht edhe vende, sende apo frymorë që bëjnë pjesë në jetën e njerëzve edhe pse vetë nuk janë të tillë. Me penën e tij, ai arrin t`u japë frymë dhe këtë e bën krejt natyrshëm, flet për malin dhe të duket sikur ai lëviz, zgjohet apo fle, flet për shpellat dhe ato të shfaqen tek hapin me një bujari të prekshme gjoksin e tyr, që të marrin brenda vetes gjithë hallemëdhenjtë e luftës, aq sa të bëhet se janë supernjerëz, e pa asnjë dallim i mbrojnë të gjithë e i ruajnë nga rreziku. Në vijim të këtij mendimi, ai ka mbrujtur duke i dhënë një tjetër dimension, gati gati sa të duket si një i gjallë i frikshëm, predhës së ngulur në trupin e pemës, aq, sa ajo bëhet pjesë e pandarë e jetës në fshat dhe ti ndjen se ajo merr frymë, dremit apo kërcënon... Po kaq interesante bëhet prania e aeroplanit të rrëzuar në mes të fshatit,
dhe se si krejt rastësisht ai bëhet pjesë e jetës së tyre, fle dhe zgjohet bashkë me ta.

Agim Shehu nëpërmjet kujtimeve të tij, ka krijuar një univers të tërë, që vërtitet e vërtitet dhe në çdo lëvizje prezanton diçka të re, por gjithnjë me tjetër ngjyrë e tjetër tingull.

Me një bukuri marramendëse ai tregon për udhëtimin nga Progonati në Golem, tek shtëpia e dajove, ku fryn një tjetër melodi dhe një tjetër erë, atje ku ai fiksoi në kujtesën e tij, se si “Dajua po lëmonte trupin e verdhë të culës ngjyrë hëne dhe shihte nga qielli si të kërkonte aty melodinë tjetër”.

I krijuar me një penelatë mrekullie është episodi i djalit të vogël, që kërkon e rri me kokën pas humnerës për të parë a po vjen nëna apo ia ka rrëmbyer vërtet kuçedra. Një abstraksion i mahnitshëm, aq sa të duket se je në një përrallë përtej kohërave dhe shpejton të mësosh fatin e saj.

Ngjyrat, peisazhet dhe vështirësitë e udhëtimit të dështuar për të shkuar në shkollën e “Balilave” në Itali, jepen me tone kaq sfilitëse, ku peripecitë vijnë njëra pas tjetrës, sa të kujtojnë dhimbshëm udhëtimet biblike.

Po ashtu, udhëtimi i parë me makinë, bashkë me motrat, kur u nisën për në Fier është një tjetër episod i ndërtuar aq organikisht dhe me aq humor e gjetje të spikatura, ku krahas kontaktit të parë me të panjohurën, shpaloset humori elegant i krahinës së tij. Kaq me finesë e ka futur humorin e hollë, kaq bukur dhe mirë të kursyer, sa mbetet i paharruar dhe të ngulitet ndër mend për gjithë jetën. Emocionet e një fëmije, që për herë të parë ka zbritur nga fshati, ka lënë pas humnerat, malet, zogjtë dhe erërat dhe sheh habitshëm qytetin që i shfaqet, janë dhënë me një lirizëm dhe ngrohtësi të mrekullueshme dhe gati gati të papërsëritshme.

Më lejoni të kujtoj një moment nga ky episod, kur Zeqiri, shok fëminie në Fier, i thotë labit të vogël, të këndojë një këngë nga ato të vendit të tij, dhe ky, me zërin e hollë, ia merr këngës: “Përmbi Tepelenë ç`ma kishe shtëpinë...” Është kaq e bukur, kaq domethënëse, kaq e vërtetë sa çdo lloj komenti është i tepërt. Në këtë varg të këngës, që përsërit fëmija sa herë i thonë: këndo një këngë, dhe këtij i shkon goja drejt e tek “Përmbi Tepelenë” përmblidhet krejt bota, me qiell, tokë, ujëra e gjithçka tjetër...Në këngën që zgjedh ai për të kënduar, sheh se brenda tij është jo vetëm fëmija, që po rritet, por dhe djali, dhe burri dhe plaku i krahinës së paepur me emrin, Progonat.

Agim Shehu, duke qënë poet në shpirt e në jetë, në këtë libër, ka krijuar një lirishtë të tërë, fund e krye, me figura dhe metafora brilante.
Ja se ç`thotë për mësuesin e tij: Mësuesi ma mbante dorën, e dora ime tek e tij, më ngjante me zogun brenda folesë.
Kur flet për nënën, sikur qëndis një vizion të shenjtë, thotë: Çitjanet prej mëndafshi kuqërem i fëshfërinin në ecje si krahë thëllëzash sipër barit.
Në episodin e aeroplanit të rrëzuar, jep këtë imazh: Ai vazhdonte rrinte përmbys. Ca prerje metali të tij i kish ngulur në dhè e ngjante me një njeri që qe turpëruar e nuk donte më të ngrihej më këmbë!

Sigurisht, që të tilla gjetje vetëm një talent si Agim Shehu di t`i sjellë e t`i shpalosë me një rrjedhshmëri të natyrshme, që ta bën të këndshëm leximin e librit dhe në fund, të marrësh prej tij një kënaqësi të madhe e vetiu të të dalin nga shpirti fjalët: Faleminderit për gjithçka përcolle me penën tënde!

E thashë në fillim të mbresave të mija, se kam qënë nxënëse e Agim Shehut, në gjimnazin e Gjirokastrës, dhe si gjithë bashkëmoshatarët e mij, jam mrekulluar prej fjalës së tij, prej hapësirave plot ngjyra që ai na shpaloste, por vetëm pasi lexova librin“Ylberi i fëminisë”, kuptova se nga ç`ujëra, nga ç`fëshfërimë gjethesh e aromë lulesh e degësh është ngjizur poezia e shpirtit të tij. Progonati dhe progonatasit, ky “popull mbimalor me psikologji mbretërore e me imazhe floriri në shpirt” të cilëve ai u ka ngritur këtë aureolë drite, ku ndrisin qartë dhe thekshëm burrëria, mirësia, dituria dhe humori i hollë, kanë ujërat magjike ku është mëkuar e ka marrë jetë frymëzimi dhe origjinaliteti i talentit të Agim Shehut. Asgjë më të bukur e më të plotë nuk mund të jepte një bir i krahinës së tij, se sa ky përjetësim ideal i vlerave të vendlindjes dhe njërëzve të saj.

Edhe njëherë, Faleminderit Agim Shehu për këtë vlerë që përcolle në duart tona!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi