Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shazim Mehmeti: NJË COPË STOF PËR PANTALLONA (për Prishtinën, në vend të një balade)- tregim

Shko poshtë

Shazim Mehmeti: NJË COPË STOF PËR PANTALLONA (për Prishtinën, në vend të një balade)- tregim Empty Shazim Mehmeti: NJË COPË STOF PËR PANTALLONA (për Prishtinën, në vend të një balade)- tregim

Mesazh nga Agim Gashi Wed Feb 03, 2010 2:59 pm







Shazim Mehmeti: NJË COPË STOF PËR PANTALLONA (për Prishtinën, në vend të një balade)- tregim 17244_107830389232266_100000159158063_218810_8212588_n


Shazim Mehmeti: NJË COPË STOF PËR PANTALLONA (për Prishtinën, në vend të një balade)- tregim


Kërkoja të blej një copë stof për pantallona, ndaj u futa në një dyqan basmash, në rrugën «Asim Vokshi» në Prishtinë. Shiu që përjashta binte pamëshirshëm më kishte lagur deri në palcë, aq sa ma merr mendja të dukesha si një mi i lagur, nga se shitësi plak që rrinte i strukur pas banakut, sapo më pa u ngrit. Së pari e drejtoi si me zor trupin e gjatë e të kërrusur, pastaj i hoqi syzet e errëta që kishin një formë çuditërisht të thjeshtë dhe katërkëndshe.
– Qenke lagur pak, or çun.– më tha me një zë që reflektonte gjithandej shenjat e një bujarie të spikatur.
– Jo pak, – i thashë – siç e shihni edhe vet, përjashta bën kijameti. Një mot i ligë pa hesap.
Plaku buzëqeshi paksa, pastaj foli: – Eja, eja, këndej. Këtu prapa banakut e kam stufën ndezur.
Më foli me një gjuhë të afërt si të njiheshim kaherë, ndaj më bëri të ndjehem i lirë, aq sa u futa me të parën fjalë prapa banakut, aty ku një stufë e vjetër bubullonte si e përdalë. Por, dreqi ta marrë, kam një natyrë qeni që shpejt më afron me njerëzit, andaj edhe si shpesh gaboj kur nis e bisedoj me ta. Ja ç'i thashë:
– Ju këtej nga Prishtina, herët e ndjeni të ftohtit. Me gjasë, jeni si ato plakat gjakovare që kanë reumatizma në këmbët, dhe që janë në gjendje gjithçka të bëjnë vetëm e vetëm të mos u laget këpuca.
Plaku u drejtua edhe më dhe qeshi gjithë qejf: – Pa le, pa le, – tha – na qenke edhe shakaxhi. Po ti, or mysafir, se si mu duke si këta hipikët tanë që s'bëjnë tjetër, përveç se i lëshojnë flokët si femrat, lagen në shi dhe shkojnë ashtu të lagur si minjtë nëpër kinematë.
Si i tha këto, më shikoi ëmbëlsisht ndër sytë dhe vazhdoi : – Bëra pak shaka. Po ty, nga të paskemi, or mik?
– Nga Gostivari – i thashë.
– E de, nga Gostivari! – tha, dhe e fërkoi ballin.
Atë çast vërejta se si iu shtrua mbi faqet një si tis meraku. Vetullat e trasha iu mblodhën mendueshëm mbi sytë që i dukeshin fare të zbrazur. Hunda sikur iu bë gati t'i pikojë, dhe rreth goje iu dyfishuan rrudhat e drejta e të thella, ndërsa lëshonte prej goje një ofshamë.
Përballë asaj ofshame të thellë u gjeta disi i papërgatitur, ndaj i hodha sytë anëkend dyqanit ku raftet ishin përplot me stofe e basma nga të gjitha llojet dhe me ngjyra nga më të ndryshmet.
Ofshama e plakut qe e rëndë. Qe si një klithje e përmbytur, e thellë dhe e pa zë, ndaj në mendje sikur m'u shemb shumëçka. Nuk e kisha idenë as si ta rinisja bisedën, dhe më duket se u tregova tepër i pandjenjë, kur i kërkova po atë çast njërin nga stofet atje në raft. Mbase edhe jo, sepse, ç'qe e vërteta, unë isha futur në dyqan, jo nga shiu sa nga mendimi për të blerë një stof për pantalone.
– Qenkeni njeri me shije. – tha ai, dhe buzëqeshi me zor. Kjo që shitësi tha, bashkë me buzëqeshjen që bëri, më erdhën si një sinjal i dhënë prej tij për të vazhduar bisedën.
– S'ma ka thënë njeri këtë. Ju jeni i pari që ma thoni.– i thashë.
Por, sa ia thashë këtë, instiktivisht me dorën e majtë i kapa gërshërët që ishin aty pranë mbi banak. Pas pak, si i shtytur nga prapa vazhdova:
– Dhe të ju them të drejtën, më vjen mirë, o mjeshtër, sepse nuk do të më ishte njësoj sikur për shijen time për stofrat të më jepte kompliment një furunxhi.
Dhe shih ti, shitësi më shikoi gojëhapur, ndërsa unë vijova të llomotis më tej:
– Madje madje, ky komplimet është edhe më i rëndësishëm për mua, nga se më jepet nga një zanatli përkatës nga Prishtina. Madje madje, nga një zanatli me moshë.
Llomotisja ashtu, duke dashur ta bëja plakun të qeshte, por nuk qe e mundur. Përkundrazi, ai tashmë kishte marrë një pamje akoma më të rënduar, aq sa unë, për t'u liruar nga kjo gjendje i thashë:
– Vendosa, mjeshtër, preje!
Pikërisht atë çast plakut i kërcëlluan nofullat, si të bluante me dhëmbët një copë ashti.
– S'e prej dot. – tha – Mate dhe preje vetë. Ka kohë që as kam matur, dhe as kam prerë.
– Bëni shakara, – i thashë – po ju basma e stofa shitni !
– Po, po, – tha – por , se si s'më jepet t'i pres, ç'prejse këta stofe e basma, kanë filluar të më ngjajnë si jetët e njerëzve që kanë atë fillimin, zvetnimin dhe fundin e vet. Por, sidoqoftë, o biri im, preje ti, mjafton të matësh një metër e njëzet dhe gati.
Kështu foli, ndërkohë që ia mbuloi fytyrën një ngjyrë e verdhë e kafedisur .
Akoma i pavetëdijshëm për gjithë ç'ndodhte, unë i mora gërshërët dhe e preva stofin.
– Ja, kështu ma prenë..., si me gërshërë!...– tha plaku i bërë dyll. Atij tashmë i kishte mbetur vetën një copë e vogël fytyre, që i jepte pamjen e një meiti.
Mbeta i shtangur, dhe s'arrija të nxjerr asnjë fjalë prej goje, edhe pse brenda krahërorit gati më ngulfaste ajo pyetje e mallkuar: «Kend, kend ta prenë si me gërshërë?!...»
Me gjasë, atë shitës plak dhembja e kishte bërë të aftë për të lexuar dhembjen edhe në sytë e të tjerëve. Kjo u pa qartë nga përgjigjja që ma dha aty për aty në pyetjen që s'arrijta as t'ia bëj.
– Time bijë, tha, time bijë! E prenë me plumba në demonstratat e tetëdhjetëenjëshit, në moshë fare të re, pa i mbushur as të tetëmbëdhjetat!
Plaku qante. Tashmë, përmbi faqet e verdhemta i binin lotët pandarë, dhe e përmbysnin ngashërimat, ndërsa mua më dukej se qanin ato çaste bashkë me të edhe stofat e basmat në raftet e dyqanit anëkend. Tashmë e kisha të qartë përse ai shitës plak s'i përdorte gërshërët, dhe pse ishte bërë aq i ndjeshëm ndaj stofeve e basmave, dhe përse ato i merrte si jetë njerëzish që kishin atë fillimin, zvetnimin dhe fundin e vet.
Ia mora duart ndër duar, e nuk fola më.
«S'ke ç'i bën, mendova, Kosovë është kjo!.. Eh, Kosovë, Kosovë!!!...»
Dhe ndërsa zemra ma sajonte këtë ofshamë, shitësi plak i ngriti sytë drejt meje, dhe si qe gjithë lotë, më tha: «Njësoj, o bir! Kosovë këtu, Kosovë atje tek ju!...» Me sa dukej, ma kishte lexuar edhe ofshamën e fundit, e në të vërtetë isha aq i sigurt se nuk kisha nxjerrë asnjë fjalë prej goje.
Si iu thanë lotët pastaj, ne biseduam gjatë për Kosovën, Gostivarin, Vlorën,... e Tetovën, e për gjithkah nga i kemi të derdhur e nga na i këpusin e presin jetët e njerëzve tanë nëpër botë.
Zot, gjithë jetën e jetës s'do të më shlyhet nga kujtesa ai plak, as shiu i ftohtë që derdhej si me kofa gjithë atë pasdite mbi Prishtinë.
1998


Shazim Mehmeti: NJË COPË STOF PËR PANTALLONA (për Prishtinën, në vend të një balade)- tregim 17244_107887849226520_100000159158063_220175_7789389_n
Beteja për Kosovën, 70x90cm, vaj mbi pëlhurë - pikturë e Shazim Mehmetit
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi