Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shazim Mehmeti: VJESHTA BUZËQESH DHE E KALL CIGAREN (tregim)

Shko poshtë

Shazim Mehmeti: VJESHTA BUZËQESH DHE E KALL CIGAREN (tregim) Empty Shazim Mehmeti: VJESHTA BUZËQESH DHE E KALL CIGAREN (tregim)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Feb 02, 2010 12:18 am




Shazim Mehmeti: VJESHTA BUZËQESH DHE E KALL CIGAREN (tregim) 17244_107830389232266_100000159158063_218810_8212588_n


Shazim Mehmeti: VJESHTA BUZËQESH DHE E KALL CIGAREN (tregim)



Vjeshta buzëqesh dhe e kall cigaren. E gjatë pritja, e gjatë sa përmasat e një udhëtimi të pashpresë, të pafund.
Vjeshtë është, e Sokol berberi ditë përditë i bën të njëjtat lëvizje, të njëjtat punë: shkumët pastron, pastron brushat, pastron brisqet, gërshërët, dhe hedh sytë e pritjes tej xhamit në rrugë. Ka muaj të tërë që sytë e tij ëndërrojnë. Ëndërrojnë t’i futet nga dera e rojtores një uniformë. Një uniformë polici a rezervisti, një nga ato uniformat që bënë luftë andej nga fshatrat tona në Malsharr. Një uniformë nga ata që dogjën shtëpi, kasolle, fëmijë e bagëti…

& & &

Vjeshta buzëqesh dhe e kall cigaren, e pritja është e gjatë. Dhe, berberi pret. Dhe dhembja i shtohet përditë. Dhembja e tij është vetëm e tij. S’ka me kend ta ndajë. S’ka grua, s’ka vajzë. Ka vetëm një djalë hasreti në kujtime, një djalë që ia mori lufta në Malsharr. Është torturuese dhembja, është zjarr që s’shuhet. E futur thellë brenda krahërorit, atje ku vetëm evladi dhemb.


& & &

Vjeshta buzëqesh dhe e kall cigaren, e Sokol berberi ka hedhur shikimin përtej xhamit të rojtores në rrugë, atje ku mjegulla e dendur dhe e rëndë përmbush boshllëkun si një dhembje e posadalë. Vjeshta e ftohtë dhe e lagur është futur ngado: në oborre, në porta e kapixhikë, nëpër dritare e nëpër shtëpitë, në njerëz. Edhe në njerëz! Fryma e pasluftës dhe mjegullat janë bashkuar si një tuhamë!

& & &

Vjeshta buzëqesh dhe e kall cigaren, e pritja është e gjatë. Përjashta mjegulla dendësohet edhe më, aq sa përtej rruge nuk duket as dyqani i Mejzin Këmishaxhiut. E prapëseprapë, syve të Sokol berberit iu bëhet se zënë një uniformë në trotuar. Zemra i brofullon. Ca djersë të ftohta ia mbulojnë trupin me përplotësi. Dhe me vete lutet: “Dërgoma këtej, o Zot! Ta kalojë këtë prag! Te kjo karrike të ulet! Dhe ta ruaj brisk! Dhe ngadalë ta ruaj! Qimet e fytyrës t’ia numëroj një për një! Ta prek me këto gishta në qafë e në fytyrë! Ta shkumoj! T’ia ndjej duhmën gjaksit! Ta shoh para meje atë gjah! T’i buzëqesh si mordja e t’i flas ngadalë me shpotinë e xhelatit mjeshtër! Ta lëmoj me duart e vdekjes! Ta mbaj gjatë nën pushtetin tim hakmarrës! Dhe ta pres! Dhe ta pres në qafë! Ta ndjej gjakun e kuq të vrasësit në mantelin tim të bardhë! E t’i marr erë atij gjaku! E ta shoh të plandosur te këmbët e mia atë kafshë! E ta shkel, ta shkel!…

& & &

Vjeshta kall cigaren, pritja veshët zgjat, Sokol berberi përmendet. Fërkon sytë e mbuluar nga kapakët e rrudhosur, ngrit vetullat përpjetë, dhe në vend të figurës së një polici, dallon në trotuar Malok shkrimtarin me një çadër të zezë nën krah. Përmbledh veten, e thërret: “ Eheeej, Malok! Këtej, këtej!… Që ta bisedojmë atë palo tregimin tënd për Prishtinën. E kishe goxha tregim…”
Shkrimtari qeshet, dhe berberi vazhdon: ” Por ama, ai plaku yt prishtinas, fare s’më pëlqen. Më duket si një lesho mashkull, që as nuk provon të hakmerret për të bijen e vet, të prerë me plumba kallashi si me gërshërë. Madje, madje, me hiret e një psikopati, ai nuk mund as t’i përdorë gërshërët për t’i prerë basmat që shet!.. Duhej ta kishe bërë ndryshe atë plak prishtinas! Duhej ta kishe bërë hakmarrës, të fortë, ëndërrimtar, që të mund t’i prekte, bile, gërshërët! Bile, me gërshërët të merrte hak!…Duhej ta kishe bërë pakëz edhe prind. Duhej ta kishe bërë pakëz edhe hakmarrës!… Ju shkrimtarët s’dini gjë për dhembjen. Vërtet, si guxoni të shkruani për gjërat që s’i dini?! Ç’di Maloku për dhembjen? Ç’di Maloku për vetminë? Do duhej unë ta shkruaja atë tregim, dhe do shihje ti se ç’është dhembja për evlad! Do duhej unë ta shkruaja atë tregim, dhe do shihje ti se ç’është vërtet shtytja për hakmarrje! Do duhej unë ta shkruaja atë tregim, dhe do shihje ti se sa e rëndë është pritja e një çasti! Një çast, Malok, një çast! Le të ma falë perëndia atë çast dhe dhembja ime do shërohet! Me muaj e pres një çast, me muaj e pres një uniformë polici! Dhe nuk vjen, Malok, as çasti, as uniforma! Dhe dëgjomë, Malok! Nuk qan e pret veç zemra ime për atë çast, për atë uniformë! Qan e pret edhe brisku im për atë çast, për atë qafë polici! Ta them unë atë që brisku s’arrin të ta thotë! E di ti Malok, se edhe sendet, edhe veglat ndjejnë? Po, po, Malok, veçse sendet kanë një hendikep: Zoti s’u ka dhënë gojë, ndaj s’mund ta shprehin as dhembjen , as gëzimin, me fjalë. Por, unë e ndjej, Malok. Brisku im vuan, për aq sa vuaj unë për tim bir! Besomë, Malok, sa herë më ndodh të shoh në trotuar një uniformë, brisku dhe dora ime bëhen një! Nganjëherë, provoj ta lëshoj, dhe nuk e di nëse dora s’e lëshon briskun, a brisku dorën! Kijametin heq dorë e brisk t’i ndaj! Edhe kam frikë, Malok! Kam frikë se mos më futet në rojtore ajo mut uniformë! Edhe kam frikë, edhe ëndërroj të futet! Ëndërroj që në këtë ulëse të ulet një polic. Edhe pse kam frikë, unë ëndërroj. Dhe nuk arrij dot ta përcaktoj se cila ndjenjë është më e fortë në mua: arsyeja apo hakmarrja! Veçse, Malok, besoje: gjaku do të ndodhë! Uniforma një ditë do ta kalojë këtë prag rojtoreje! Uniforma, një ditë, do të ulet në këtë karrike! …Dhe dora edhe brisku do bëhen Një! Dhe e di që s’do jem unë ai që do t’i përball!…”

& & &

Vjeshta kall cigaren, e pritja është e gjatë! Por, jo edhe aq e gjatë!…
Shih o Zot, shkrimtari sapo ik, në prag të rojtores shfaqet një uniformë. Sytë e berberit vezullojnë nga gëzimi.
- Dobar den, gospodine.- thotë polici me gjuhën e vet prej qenushi.
- Dobar den – i përgjigjet berberi, - sednete, gospodine.
Aty për aty, fytyra e berberit shndërrohet në një ind gazmor. Polici ulet qesëndisshëm në karrike, dhe po aq qesëndisshëm e shikon veten matanë pasqyrës. Berberi i buzëqesh, i këndon zemra: “ Oh, Zot! Oh, Perëndi!” Ia vë përparësen e bardhë mbi gjoks dhe ndjen padurimin e duarve, padurimin e gishtërinjve. Gjaku nis e i lëviz nëpër damarë me një ritëm tjetër. Ndjen për një çast prezencën e arsyes që i thotë: ”mosss!”, por shtytja është më e fortë. Merr brushën dhe nis ta shkumojë atë qenush. Padurimi i duarve, padurimi i gishtave e torturon. “Briskun! Briskun!…”, i thotë një zë nga thellësia e zemrës në krahëror. E gjatë pritja, e gjatë, por jo dhe aq e gjatë…Dora e djathtë e shtrëngon briskun, por zëri i arsyes sërish e torturon: ”mos, mos, mos!…” Një çast i duket sikur i bindet dora, por brisku vazhdon të qëndrojë në dorë. Vallë, kush kend e shtrëngon? Dora briskun, a brisku dorën?… E gjatë pritja, e gjatë, por jo dhe aq e gjatë: “Oh, Zot! E kisha menduar ta vrisja ngadalë, ngadalë, por… se ç’më shtyn diç të ngutem , se ç’më torturon vetja me pabesi!!!…” Sokol berberi për nga pasqyra hedh sytë, por zëri i zemrës sërish e torturon: “ tani, tani, tani!…” Dhe ja çasti! Dhe ja dora që briskun shtrëngon! Dhe ja brisku që shtrëngon dorën! Dhe ja vijë e gjakut në qafë të qenushit! Dhe gjaku që rrjedh currril! Dhe përparësja e bardhë e berberit e larë në atë gjak! Dhe vezullimi… Dhe përgjakja, Zot! Dhe polici që sakaq bëhet kufomë e plandoset në dysheme… Dhe Sokol berberi që qanë si i xhindosur… Dhe Sokol berberi tjetër që nga prapa pasqyra qesh dhe e feston hakmarrjen… Dhe vjeshta që buzëqesh, dhe e kall cigaren…ha, ha, ha,…



Shazim Mehmeti: VJESHTA BUZËQESH DHE E KALL CIGAREN (tregim) 17244_107842852564353_100000159158063_219155_315323_n
aaaaaahhhhh!!!, vaj mbi pëlhurë, 50x70cm, - pikturë e Shazim Mehmetit
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi