Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shaban Cakoli sjell: NUK MË TREGOI SE ISHTE POET

Shko poshtë

Shaban Cakoli sjell: NUK MË TREGOI SE ISHTE POET Empty Shaban Cakoli sjell: NUK MË TREGOI SE ISHTE POET

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 01, 2010 12:17 am

Nuk më tregoi se ishte poet

Bashkim Kuçuku

Në 85-vjetorin e lindjes së Martin Camajt (2)

Interesimi i jashtëzakonshëm për veprën dhe vetë Martin Camajn, sa qe gjallë në Perëndim, në fillimet e pluralizmit, nga institucionet qendrore kulturore, akademike dhe universitare, si dhe nga politikanë, shkrimtarë, studiues e profesorë, madje edhe pjesëmarrja e Kryetarit të Republikës së Shqipërisë më 1997, në një përvjetor përkujtimor të zakonshëm, dhe, më vonë, pas vdekjes, braktisja e veprës dhe e veprimtarisë së tij, fatkeqësisht, sikur e pohon edhe në këtë rast, që kjo sëmundje e vjetër e mendësisë dhe e praktikës shqiptare vazhdon të zotërojë në to dhe në drejtuesit e tyre. Publicistë, shkrimtarë e studiues me vlerësimet e tyre, sado të rralla, dhe, zakonisht, pa shkencë të mirëfilltë, kanë krijuar, mendimin e përgjithshëm të drejtë, se vepra e tij zë një nga vendet më të rëndësishme në letërsinë shqipe bashkëkohore. Gjithsesi, edhe ky mendim i meritueshëm njihet në disa rrethe tepër të kufizuara, në ato universitare e akademike, pa arritur gjerësisht te mësuesit dhe nxënësit e shkollave parauniversitare, te mediat dhe, thuajse fare te lexuesit e brezave të mëparshëm. Me këtë njohje, që mund të quhet edhe rastësore dhe voluntariste, me këtë interesimin anësor, si për një shkrimtar të zakonshëm e të kuriozitetit, edhe pse tekstet e shkruara prej tij, tashmë, janë në atdhe e studiohen prej një pakice specialistësh, prapë se prapë, Martin Camaj, me veprat dhe bëmat e tij ende mbetet i mërguar nga të vetët dhe për të vetët. Ai do të shkulet prej mërgimit dhe do të bëhet i tyre kur të njihet e studiohet gjerësisht dhe, të propagandohet si të gjithë shkrimtarët e shkallareve më të larta të letërsisë shqipe.

SHTËPIA, BIBLIOTEKA, ARKIVI VETJAK

0Shtëpia e Martin Camajt është në Lengris (Lenggries), me qetësi dhe rregullsi idilike të shekujve të kaluar, 50 km larg Mynihut, rrëzë Alpeve, në kufi me Austrinë, sikur shkrimtari ta kishte zgjedhur këtë vend për t’u çmallur me Alpet e vendlindjes. Fshati i vogël, por me një kishë të madhe në krahasim me banorët, është përhapur në mënyrë simetrike në një lëndinë, të ndarë me gjerdhe druri në pjesë të mëdha me gjelbërim të përhershëm prej barit, jonxhës, tërfilit, si dhe drurëve pyjorë, e, mes tyre, shtëpitë-vila dy-trekatëshe, qarkuar nga lehe lulesh të shumëllojta, e, diku, anash tyre hangari i orendive të blegtorit. Disa km larg Lengrisit është varreza, ku prehen edhe eshtrat e Martin Camajt, vetëm me një pllakë te koka, dhe pa asnjë salltanet tjetër, siç është e zakonshme në Gjermani, ku është shkruar emri, mbiemri dhe vitet e jetës, e, mbi to e qark tyre lule dhe bar. Tej mureve të saj të përzishëm fillon pylli i pafund që ngjitet malit përpjetë e shpërndahet gjithandej sa të ha syri në tokë e lart në qiell. Ata që marrin rrugën e pyllit për shëtitje, hyjnë apo nuk hyjnë në varrezë, pas trishtimit që u krijon ajo, sapo shkelin në pyllin madhështor, pa anë e pa fund, çlirohen menjëherë, dhe, kur janë në brendi të tij ngazëllehen sikur të kenë kaluar në kufijtë e një bote tjetër, absolute e të përjetshme.Edhe shtëpia Camaj dykatëshe dhe me papafingo është mes një bahçeje me gjelbërim bari, drurësh dhe shumëngjyrësie lulesh, me një pellg uji, përbri të cilit është skulptura e një lope ulur. Nga dhoma e madhe e ndenjes nëpërmjet dyerve-dritare dilet në verandën e shtruar me gur, ku është edhe oxhaku që ndizte Martin Camaj për të kujtuar ritin e fëmijërisë në fshatin e tij, në Temal, e, prej andej kalohet drejt e në bahçe. Dritarja e kabinetit të punës së Martinit është nga kjo anë prej nga duket fshati, lëndina dhe fillimi i pyjeve, një fushëpamje tepër çlodhëse. Tryeza e punës, ndenjësja e rëndë, kompjuteri, stilolapsat dhe letrat janë gati si të presin shkrimtarin të kthehet nga universiteti ose nga pylli ku mblidhte drutë për zjarrin.

VITRINA KATËRKËNDËSHE E BRESHKAVE

Faqet e të tre mureve janë krejt me rafte librash: enciklopedi, fjalorë të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, libra të madhësive, me lidhje dhe mbulesa nga më të ndryshmet, nga më cilësoret, cilësore dhe të zakonshme, në shqip, gjermanisht, italisht, anglisht, më shumë albanologjikë. Seria e librave studimorë për gjuhën e letërsinë shqipe, numra të revistës Nëntori, Studime Filologjike, romane të Ismail Kadaresë dhe Jakov Xoxës, dhe të autorëve të tjerë shqiptarë, duke përfshirë edhe disa të realizmit socialist, si edhe romane të këtij lloji nga më të dobëtit të shkruar prej amatorëve (nga prania e tyre na shpëton padashje një buzëqeshje ironike), tregojnë vëmendjen e rigorozitetin shkencor me të cilat e ndiqte ai zhvillimin e tyre në atdhe. Në mjedisin e ngucur me libra dhe revista është gjetur vend edhe për vitrinën katërkëndëshe të breshkave, e ngritur ndonjë metër dhe e mbyllur me qelq nga të katër anët, për të krijuar, me sa duket, jo vetëm idenë e ekspozitës, por edhe për t’u mbrojtur nga shpërdorimet. Guaska natyrore dhe artificiale të breshkave të llojeve, madhësive e ngjyrave nga më të ndryshmet, sa nuk mund të të ketë zënë syri ndonjëherë. Breshka ka qenë gjallesa më e adhuruar prej tij, madje, në mendje dhe në krijimtari, e ngritur në mit. Titulli i veprës së tij të famshme Dranja, vjen nga emri heroinës së saj alegorike, që është një breshkë. “Ja, edhe breshkat e famshme”, thashë me zë, duke parë koleksionin e tyre. Dhe, me që jam në kërkim të zanafillës bio-psikologjike të këtij pasioni a obsesioni të shkrimtarit për breshkën, i u drejtova Zonjës Erika: - Përse e adhuronte breshkën Martini?- Do ta sqarojmë edhe këtë, - më premtoi ajo.Por, pyetjet e mia, në bisedat e pandërprera, në mëngjes, gjatë ngrënies, në shëtitje dhe pasmesnate, ishin aq të shumëllojta, dhe dy ditët e ndenjes aq të pamjaftueshme, sa nuk na ra më ndërmend për breshkën.

24 VJETËT E ERIKËS ME MARTININ

Për herë të parë, bashkëshortja e Martin Camajt, tregon për jetën me shkrimtarin dhe studiuesin e shquar shqiptar. Si u njoh me të, çfarë e tërhoqi tek i riu, që ende nuk e fliste mirë gjuhën gjermane. Si punonte Martini, cilat ishin anët e tij më të mira, por edhe të metat.Si ndjeheni mes këtyre librave të shumtë, por pa Martinin?

Jo aq mirë. Megjithëse, ai është i pranishëm në tërë shtëpinë. Në studion e punës, te portreti i tij ka gjithmonë lule të freskëta. Po ashtu, edhe te portreti i tij në shtëpinë e nënës sime, e cila e donte si birin e vet. E kemi bërë traditë, dhe nuk shmangemi dot prej saj. Zakonisht, ka 24 trëndafila, pasi kemi qenë të martuar 24 vjet. Kemi qenë një çift kurdoherë i dashuruar. Them se deri diku e kam ndihmuar. I kam ndenjur pranë si bashkëpunëtore për t’i lehtësuar jetën praktike dhe punët e tij krijuese.

Si jeni njohur?

- Në universitet, me rastin e festës të mikes sime, studente, e cila mbronte doktoraturën (ndofta, diplomën universitare, sqarimi ynë) për albanologji te historiani, profesor Shtadmyler. Ajo ishte, gjithashtu, studente e Martinit. Në dije, në mësime ishte e dobët, por shumë e bukur. Në provim nuk u përgjigj mirë, prandaj qau shumë. Martini nuk e duronte të qarët. Një nga profesorët, Shmaus, albanolog, mendonte që mos e kalonte, ndërsa Martini tha le të kalojë, se i kishte ardhur keq, kur kishte qarë. Prandaj, ajo bëri festën, ku kishte ftuar edhe Martinin, sepse e mori vesh që ai e kishte ndihmuar për të marrë doktoraturën. Në këtë festë u njoha me Martinin, në një dhomë studentësh.

Ju tërhoqi që në fillim ?

- Jo, nuk ka qenë dashuri që me shikimin e parë. Unë nuk e dija se kush ishte dhe as nuk e pyeta. Ishim ulur pranë e pranë. Në fillim dhe për disa kohë kujtoja se ishte student, edhe pse flokët e zinj kishin filluar pak t’i zbardheshin. Nga gjuha që nuk fliste mirë e kuptova që nuk ishte gjerman. Më foli për Shkodrën dhe për peshkun e Shkodrës, krapin. Në fund të festës, pas mesnate mezi begenisi të më shpinte në shtëpinë time, megjithëse kishte automjet. Nuk kishte dëshirë apo nuk ishte i vendosur për këtë, ndërsa mua nuk më pëlqeu, sepse isha mësuar prerë, këtë e bëj, këtë nuk e bëj. Kur u ndamë më mori adresën jo se ishte i interesuar për mua, por nga që unë sapo isha kthyer nga një universitet në SHBA, dhe ai, po ashtu, kishte një ftesë për studime atje. Më pyeti se si është Amerika dhe u befasua nga përgjigja ime, kur i thashë «Si margaritari në vesh të derrit!», pasi isha krejt e zhgënjyer. Unë e kisha harruar. Në prill, për Pashkët (festa e mikes sime ishte në shkurt) më dërgoi një kartolinë nga Roma me shumë gabime. (Qesh se i kujtohet ngatërrimi prej tij i një fjale në gjermanisht me një tjetër me kuptime të kundërta dhe negative). Pas ca kohe më mori në telefon dhe në maj u takuam. Nuk kishim asnjë interesim për njëri-tjetrin. Biseduam gjatë për letërsinë. Më shumë fola unë për Holderlinin, për poetin tim më të dashur, por tepër të vështirë dhe Rilken. Unë ende nuk e dija se kush ishte. Ai ishte profesor dhe nuk më kishte treguar. Diskutuam për poezinë dhe nuk më tregoi se ishte poet. Nuk fliste shumë, por me ato që thoshte dhe ashtu si i thoshte, të magjepste.

Magjepsja është fillimi i dashurisë ose dashuria ende e pakuptuar nga vetja. Ndoshta, kështu filloi? /Vijon


Shaip Beqiri

GJYSMËBISEDA

Martin Camajt

Ja ku na prunë përsëri

Flatrat e shogura të fjalës

Po të mbeteshim barinj

Ëndrrat do t`i kullotnim

Pllajave të pambarim të kohës

Nëpër vrimën e mbramë të fyellit

Vendlindjen do ta futnim në këngë

Sharrëxhinj po të ishim

Ditës do t`ia prenim gjunjtë

Diku thellë në pyllin e hijeve

Me mushkëritë tona të pagrira

Ndryshe do të ushtonte bjeshka

Po mullisë kur do të bëheshim

Prapa maskave tona të bardha

Të padukshme do t`i bënim thinjat

Egër do të bluanim pikëllimin

Për vercajtë e grave lehona

Tash fikim fundçet e shpresave

Në pëllëmbat prej kristali

Bëhemi vrimë e mbramë fyelli

Bjeshkën shikojmë nga ballkoni

Po thinjat nuk i fshehim dot

Më mirë që jemi poetë

E në fytyrën e madhe të vetmisë

Lëmë gjurmat e dhëmbëve të rënë

Nga libri “Flatrat e gjymta”, “Rilindja”, Prishtinë, 1983

Shaban Cakoli sjell: NUK MË TREGOI SE ISHTE POET 23591_1223807205398_1535548066_30492687_1864794_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi