Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gazmend Berlajolli:Njeriu i vogël i madh

Shko poshtë

Gazmend Berlajolli:Njeriu i vogël i madh Empty Gazmend Berlajolli:Njeriu i vogël i madh

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 03, 2010 12:21 am

Ky shkrim asht botue ne shtojcen per kulture te gazetes KOHA Ditore:

Njeriu i vogël i madh



Reflektime mbi biografinë e paautorizueme ‘Adem Demaçi’ të Shkëlzen Gashit

Gazmend Berlajolli

Little Big Man mbante titullin filmi i këtunjihershëm (1970) për nji jetim kaukazian që mbetet me u rritë në gji të nji fisi indigjen amerikan (e luente i famshmi, po edhe i shkurti, Dustin Hoffman). Me këtë frazë vendos me e quejtë pjesëtarin e ri pleqsia e fisit, mbasi çuni shtatvogël dëshmohet dai i madh. Njeriu i vogël madhështor, e pati pasë përshtatë TVP-ja e vogëlisë sime, duke e zdeshë frazën krejtsisht prej figurës oksimorone. Porse bash në këtë format figurativ ajo po m’imponohet për këtë shkurtim përshtypjesh mbi jetëshkrimin që Shkëlzen Gashi ia ban Adem Demaçit: njeriu i vogël i madh. Asht figura ajo që po më duhet, jo doemos me të njejtin funksion si ajo e filmit.

Jetëshkrimi në fjalë i ndërthur dy linja rrëfimtarie: protagonistin Demaçi në njanën, me realitetet prej jetës së tij, politike fillimisht, letrare mbasandej, e personale detyrimisht, dhe në tjetrën tanë ato zhvillime e luhatje që ia diktojnë fatin gjeopolitik Kosovës. Qëllimisht e çlirueme prej cilësimesh çfarëdo mbi Demaçin, e edhe për këdo e çkado tjetër, biografia vargon fakte, të njohuna e të pandieme, në nji renditje që prej 1912-ës e tëhu, duke na e pru kështu, funksionalisht të përmbledhun, vërtet nji shekull të Kosovës nëpër nji jetë. E meqë për autorin e biografisë realitetet politike të këtij harku kohor mbrenda e rrotull Kosovës, të kqyruna me tundimin me ua prishë rrethin vicioz të [neo]kolonializmit, janë vetë fusha e interesimit të tij jetësor, përcaktimi për protagonistin përmjet të cilit t’i shpalojë ato realitete nuk del aspak i rastsishëm. I vendosun me e rrëfye kronologjinë themelore që për dekada me radhë ia tipizoi fatin Kosovës dhe rrjedhimisht e gdhendi mendsinë kosovare, e me idenë që me e konkretizue atë nëpërmjet nji fati mjaft përfaqësues individual, po edhe nëpërmjet nji mendsie aspak arketipike për atë të Kosovës, autori gjen te Adem Demaçi tiparet e nji Harry Potteri thueja të vetofruem: guximtar, i mprehtë, i paepshëm, ngulmues, i paparashikueshëm, kureshtar, largpamës, megjithëqë ndryshe nga Harry Potteri britanik i J.K. Rowlingut, larg ma fjalaman. Porse, bash ky tipar i fundit mundëson me i depërtue në mënyrën e t’arsyetuemit, e prandaj edhe me ia interpretue lëvizjet politike këtij veprimtari të madh të lëvizjes shqiptare. E, besoj se figura e Demaçit asht aq e randësishme, madje përtej suazave veç të kësaj shoqnie, sa ia vlen t’u hyjmë analizave për filozofinë mbrapa politikës të tij, e jo thjesht të vazhdojmë të mjaftohemi veç me epitetet krejt dekorative të cilat s’kursehemi me ia thurë. Qe besa, as me prozhmimet që i vjellim për mossukseset e tij në rrafshe krejt intime.

Kërshëria prej fëmije e Demaçit, e cila e shoqnon besnike edhe në moshën e sotme, e ndërthurun kjo me tiparin që ia ndërmenda ma nalt, i hyn mirë në punë autorit të biografisë. Shohim se në pikat e kthesave kolektive, si ato më 1968, 1981 a 1988/9, ose ndryshimet kushtetuese më 1974, në të cilat Demaçi nuk përfshihet drejtpërdrejt meqë i burguem, ai të paktën nuk mungon si komentues i flaktë. Komentet jo veç përmblidhen, por edhe shndërrohen në ura kapërcimi mes dy linjave të rrëfimtarisë në biografi; lexuesi i interesuem mundet me i kthye ato ma tutje në portale për në mendsinë demaçiane.

Edhe pse i ndrymë, Demaçi mbahet në rrjedha prej shtypit zyrtar, e edhe nëpërmjet ndonji transistori të përvjedhun (f. 59 e biografisë), porse ndryshe prej ç’do të prisnim, vlerësimet mbi përpjekjet atdhetare të kohës i ka përplot rezerva e nota kritike madje. Kulmues këtu më duket komenti i nxjerrë prej intervistës dhanë më 1989 nga burgu për ditoren beogradase Borba: «Vitet e sundimit të Rankovic'-it ishin kohë të vështira për ne shqiptarët. Ishim të shtypur e të pabarabartë dhe çdonjëri prej nesh synonte që të paktën një pjesë të lirisë ta realizonte duke iu bashkangjitë nanës Shqipëri… Tani nuk jam më i bindur për domosdonë e bashkimit me nanën Shqipëri, po qe se zhvillohet me sukses procesi i barazisë kombtare të shqiptarëve në Kosovë me popujt e tjerë të Jugosllavisë» (f. 81). Demaçi e din mirëfilli se jashtë burgut po ndehen zhvillimet e 1989-ës; janë orët kur Serbia po ia shfuqizon Kosovës autonominë e vitit 1974, kunorën e arritjeve kushtetuese të faktorit kosovar, na e kujton linja tjetër e biografisë.

Deklarata asht menjimend tronditëse në përballjen e parë, mbasi na e sugjeron prozelitin e mposhtun prej burgut të gjatë, por të lexuemit e matejmë ma betonon përshtypjen se ky asht veçse stili i Demaçit i ‘të bamit politikë’. Projekti Ballkania, koncepti i tij kontravers me gjithë ato tri stadet e pandehuna të vetat, më vjen si nji shut prej po të njejtit kand; vetë Demaçi ma vonë e cilëson si nji ‘përpjekje për ta mashtruar Sërbinë’ (f. 125). Ndoshta dy momente krejt anësore në tekst, porse frengji domethanëse për me depërtue në mendsinë demaçiane, më vijnë edhe këto: «Demaçi në një rast madje pohon se më parë do të pranonte t’i vritej djali sesa një sërb» (f. 101) dhe «...në këtë periudhë luftërash e tensionesh të mëdha, shpeshherë kur nëpër paraqitjet publike flet për sërbët, përdor cilësimet ‘populli vëlla sërb’ ose ‘populli heroik sërb’» (f. 99). Janë të dyja prej viteve të trumhasuna të fundshekullit XX.

Shoh nji formulë përsëritëse mbrapa politikës së kundërvumjes që ndjek Demaçi: asht ky nji gjoja paqtim i animoziteteve të skajshme ndërmjet të shtypunit dhe agresorit, njifarë ‘vëllaznimi’ nominal i të hasmuemve. Vlerësimi im fillestar për këtë formulë i kap po ashtu ekstremet: krejt e mahnitshme dhe fare e pamundshme njiherësh. E mahnitshme, sepse të përqafohej si strategji politike, do të bante që përkundruell kambëzës së tërhequn në armën e dorës sërbe, të shfaqej botnisht, e zgjatun pezull, edhe dora shqiptare e pajtimit. E pamundshme, se lene që do të lypte mobilizim mbinjerëzor kapacitetesh që s’ishin e as s’janë kund. Përpjekje për ta mashtrue Sërbinë? Pra, shah politik? Mjerisht, në të peshuemit e [mos]sukseseve në shahun e politikës, veç rezultatet konkrete ofrohen si njisi matëse, e me gjithë kundërvumjet dhe qëndresat e veta spartane, Demaçi nuk ia doli kurrë me e kalitë as edhe nji grusht spartanësh të vërtetë, që qëndresën do ta shndërronin në vetëmbrojtje.

Nga biografia del se e provoi gjithë ato herë rolin e të parit, me organizimet ilegale të ditëve rinore, mandej me drejtim redaksie, subjekti politik, grupimesh qytetare, e madje edhe të krahut politik të UÇK-së, e prapseprap shumherë ‘abdikoi’ prej organizmash që jo veç i udhëhoqi, por edhe i themeloi vetë. Prandaj, këtë deficit ndjekësish a me ia detyrue pazotsisë së Demaçit si lider, apo i njejti i duhet mveshë natyrës burracake të shqiptarëve, të mësuem shekullorisht me mbijetue përposh trysnive, rrjedhimisht të pagatshëm për flijim? Tue qenë se bamat s’mungojnë kur liria bahet domosdo, e para më bahet ma e gjasshme: në luftat e veta kundër makinerive, Demaçi praktikisht ishte kudo e kurdo i vetëm. Largohej befas prej çdo organizmi që udhëhiqte, sa herë e shihte se ish ba mjet tejet i kufishëm e prandaj i dobët përballë sfidave në rritje, por nuk e pa t’udhës ndonjiherë me e denjue me ndonji sqarim grupimin e ndjekësve që lente mbrapa. Përgjegjja e vetme që autori i biografisë merrte për këto largime të befta të Demaçit, gjatë intervistimit të shum prej bashkëpunëtorëve nga këta organizma, ishte veç nji rrudhje supesh, çka tregon se ai, as gjatë kohës së bashkëpunimit me ta, nuk do t’i ketë përditësue me idetë e hamendësimet që ka sillë nëpër krye.

Ndoshta metafora e lodhun e qiriut që digjet me ndriçue, siç e jep karikatura e V. Blakqorit (f. 91), menjimend ma fort se kujtdo në botën shqiptare, i shkon bash figurës së Demaçit. Aq ma shum kështu kur vetëdijesohemi për përmasat shumfishe të vetëmohimit të tij, i cili nuk e mëshiroi as edhe lidhjen ma të ngushtë të gjakut (f. 67). Vërtet Demaçi s’interesohej me e ba babën, burrin, shumkund as udhëheqësin. Duket sikur synoi me u ba frymë dhe frymë u ba. Por mbeti frymë që frymoi veç mbrenda nji trupi, e që veç paksa i voku edhe do trupa përreth, edhe pse janë të shumtë që mëtojnë të jenë rrezatue fort prej tij.

Asht e qartë se Demaçi e shpresonte Njishin omnipotent të qëndresës antisërbe, sidomos në aktin e mbramë e vendimtar të saj, pozitë kjo që faqe vetes, bashkëkombasve edhe botës, e përligjte me atë curriculum vitae, që mes shum të dhanash tjera, numëronte përmbi 10 mijë ditë burg. Por ndërmjetkoha e gjatë e veçimit të tij pruni doemos prijës që ishin të disponueshëm për veprimtari. LDK-ja, subjekti i cili për ata qinda mija shqiptarët që rendnin me aderue në listat dhe strukturat e tij s’ish veçse emni i ri i përpjekjes së vjetër për çlirim, nxori në paraskenë figurën e Ibrahim Rugovës. Ky, në periudhën para dhe mbrapa tallaseve të furishme të epilogut të kësaj qëndrese, ia doli me e ruejtë baraspeshën prej njishit të patundun. Gjithashtu, me kurtuazinë e vet të heshtun e evazive ndaj karshillëkut të Demaçit, ia dha këtij dushin e ftohtë dhe po ia dikton rreshtimet, lëvizjet e madje intrigat politike sot e kësaj dite, kur ma vetë nuk asht.

Këtu mbërrij te kryepikëpyetja, e cila vazhdon me më brejtë edhe mbas të lexuemit të biografisë: pse sot Demaçi rreshtohet krah nji qeverie që e quejti mafioze veç pak vjet përpara? Mos asht pushtue nga nevoja për ta minue rolin e Rugovës dhe të pushtetit të tij? Vërtet historiografia e mbasluftës e diktateve prorugoviane u kujdes me e shty në margjina krejt të shpërfillshëm gjithë angazhimin e Demaçit (f. 210), por a s’asht Demaçi pikërisht ai i që diti me amnestue edhe vetë Bakallin, ndëshkuesin e vet që këtunjiherë e donte mbrapa grilave (f. 98)? Arsyet e vërteta të ortakllëkut me qeverinë e Thaçit duhen lypë tjerakund.

Shoh veç nji algoritëm zhvillimesh: Demaçi nuk arriti me ia vu emnin e vet segmentit vendimtar të historisë sonë të vonë, ani se ish ndër protagonistët ma aktivë në aktet ma vendimtare të saj. Rugova mbeti presidenti historik i pothuejse gjithë harkut mes dy ‘pavarësive’, sikurse Adem Jashari që mbeti komandant legjendar i ditëve të luftës për bashkim. E Demaçi, për aq sa do të vazhdojë me jetue në kujtesën kolektive, do të vazhdojë të cilësohet me gjasë veç si qëndrestari vetëmohues. Po qysh tregon, fjala vjen, rasti i dhimbshëm i Hasan Prishtinës krejt t’emargjinuem të po kësaj historie, ‘vetëmohimi’ s’asht ndër tiparet që ia atribuon virtytsisë ky popull, për të cilin suksesi, madje jo veç ai politik, matet me aftësinë për ta përkthye privilegjin e postit publik në përfitime private. E për këte, Demaçi asht krejt i vetëdijshëm. Legjitime prandej ngjan kërkesa e tij për me e zanë fronin e Njishit: përballë Rugovës që me faktorin ndërkombtar komunikonte tue pyetë ku duhej me nënshkruejtë as pa e lexue dokumentin (f. 157), Demaçi vetë ia prente ashpër zonjës Albright, Sekretares së Shtetit t’Amerikës, me refuzimin për me e nënshkruejtë Marrëveshjen e Rambouillet-së (f. 163). Ndokush edhe do të pohojë se e heton autorin të priret drejt protagonistit të vet nëpër pasazhet e biografisë që i përshkruejnë këto zhvillime, çka në fakt ma parë shpalon të vërtetën se Shkëlzen Gashi ndan me Demaçin besojmën se nënshkrimi i dokumentit të Rambouillet-së ka qenë i damshëm. Ka nga ata që u kanë hy përimtimeve mbi matuninë politike mbrapa këtij refuzimi (f. 165-Cool, por e kam të vështirë me u bindë se qëllimet e shefit të Albright-it mund të ketë qenë ma dashamirëse për Kosovën sesa ato të Demaçit.

Medaljet e përjetësisë që morën Rugova dhe Jashari e kanë anën tjetër të veten. Ato u ndanë prej formacionesh politike që tue i dekorue ikonat e përvetësueme synuen me e fuqizue pozicionin vetjak mbrenda spektrit politik. Demaçi, pa nji formacion a grupim që ta pasonte, u gjet n’udhëkryqin e vet të radhës. Nga njana anë, u ngrit ma nalt pragu për t’u kapërcye prej synuesit të Njishit, në Kosovën e lirë prej pushtimit sërb, por ende jo sovrane, të mbasluftës. Kjo dijeni bacën e vjetër e vuni përpara nji sprove të re; fillimisht zgjodhi me iu kapë lëvizjes Vetëvendosje (f. 202), rrymës që kundërshtonte autarkinë unmikiane, zgjedhje kjo që dëshmonte se baca i vjetër ende po prihej prej idealit të vjetër. Arsyet e divorcimit të tij prej Vetëvendosjes biografia s’i jep, por s’asht e vështirë me spekulue se baca do t’i ketë lypë liderit të saj dhe sekretarit të vet të dikurshëm, Albin Kurtit, me u lëshue në ulësen e dyshit.

Ç’kartë tjetër i mbetej në dorë Demaçit mbas këtij divorci? Martesa kontraktuale me PDK-në (f. 209). Interesante, i njejti Demaçi që jo ma larg se mbas protestave të shkurtit 2007, kish pohue: “Hashim Thaçi është mafioz i kulluar sepse po ngritet kundër VETËVENDOSJE!-s, e cila po lufton për t’i mbrojtë interesat e këtij populli” (f. 205), tash rreshtohet përkrah tij. Arsyeja? Qe pra pikëpyetja që më bren, po qe edhe pandehmat e mia: PDK-ja, siç i përvetësoi heroizmat e nji Ademi, atij të Jasharëve, ashtu po e blen për sot e mot, edhe Ademin tjetër, Demaçin. Ky nga ana e vet po ia shet vlerat dhe emnin e vet formacionit që do të ketë interes të drejtpërdrejtë prej përvetësimit të tyne, mbase tue ia shpague edhe me ndonji shtatore, emën institucioni a rruge nesër.

Gjynah që Demaçi, emni Adem i të cilit mbartka dykuptimsinë “ja i pari [1] ja hiç [0]” (f. 4), po zgjedh dikund poshtë vlerës së parë prej tutës se mos po sos ma afër të dytës me gjasë. Kosova ndërkohë vazhdon zhdymëzimin mes mundësive e dëshirave, tue qenë se diktatet e jashtme ende po udhëheqin përmbi vullnetet e mbrendshme të saj. E kush ma denjësisht se Demaçi do të mund ta orientonte drejt jetësimit të dëshirës shekullore? Cila makineri do ta riburgoste Mandelën e Europës pa i mendue pasojat kur ky t’i kundërvihej? Çfarë valësh reagimi do të çoheshin mbaskëndej? Në çfarëdo rasti, të mos i ndahej idealit, do ta rrezatonte mbase veç ndonji grupim të ri që, veçmas mbas botimit të kësaj biografie, po sheh te ai jo ma ‘simbolin e sakrificës’ por shembullin e trimnisë. Por duket se Demaçi, mbas gjithë uljengritjeve të jetës, po ban kompromise me popullin që nuk lyp shembuj, por veç simbole: sajon flamur, hymn e stemë në vend të ndërtimit të shtetit; shton kate institucionesh në vend të veprave të tyne; ndjek grada e tituj në vend të përvojës; tubon diploma në vend të dijes; pëlqen privilegje postesh në vend të përgjegjësive, uniforma ushtarake në vend të forcave ushtarake... Prandaj Demaçi turret me ia censurue biografisë deklaratat që hala harrue s’ia kemi. As nuk e kritikon qeverinë, jo me emna të përveçëm e pakta; ndonji qortim si prej bace demek për dofarë yesmen-ësh, po kurrkund jo ma ai kundërshtimi à-la Demaçi që e gjej nëpër shum faqe të biografisë.

Ndërkohë, tue u kthye te biografia, jam i vetëdijshëm për vërtetësinë e fjalëve të semiotistit Roland Barthes, mbas të cilit kuptimi themelor i nji vepre varet nga përshtypjet e lexuesit, ma parë sesa nga pasionet a shijet e autorit: "njisia e tekstit nuk qëndron në prejardhjen e tij", pra s’asht te autori i tekstit, "por në destinacionin e tekstit", pra asht te lexuesit e tij. Prandaj mund ta jap këtu jo kritikën për biografinë, por veç leximin krejt vetjak të saj. I yti, padyshim, do të jetë nji lexim ndryshe. Nji e kam të qartë: biografia e Shkëlzen Gashit, ndonëse e paautorizueme prej Demaçit, përban tashma nji referencë të pakapërcyeshme për të, tue e ofrue madje edhe vetë modelin, deri tash të munguem, të zejes së jetëshkrimit në gjithë milieun shqiptar.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi