Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ditari i Besa Salihut

Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Agim Gashi Mon Feb 23, 2009 3:33 pm




Ditari i Besa Salihut U1_Besa_Salihu
Besa Salihu
Ditar i Besa Salihut‏
Redaktor: Qibrie DEMIRI
Recenzent: Bardh FRANGU
Lektor: Avni ALIU
Përgatitja teknike: FERpress, Njazi HAJDARI
Boton: ROZAFA-FERIZAJ
U shtyp në shtypshkronjën “Dinograf” Ferizaj
E diel, 21.03.1999
Po filloj të shkruaj që sot. Kam ndjenjën se lulet në këtë pranverë do të ujiten me gjak. Sipas rrethanave do të jetë edhe shumë më keq. Gjithçka është në pritje. Të gjithë e ndiejnë se ajri është i rëndë. Një re e zezë udhëton nëpër qiell, si një tren që e bart ankthin nga një vend në tjetrin.
Më mbysin parandjenjat e këqija. Çdo natë i lutem Zotit të na ndihmojë të dalim nga të këqijat që na rrethojnë dhe të na sjellë shporta me buzëqeshje.
E mërkurë, 24 mars 1999
Sot është një ditë e shënueshme. Filluan sulmet e NATO-s, shpëtimtares sonë, e cila do të na ndihmojë që të arrijmë sa më parë në lirinë e dëshiruar. Në ora trembëdhjetë u dëgjua sirena, gjegjësisht alarmi i parë, i cili përveç sulmit nga ajri paralajmëroi edhe një sulm të tmerrshëm në tokë.
Sot mësova në gjeografi për Britaninë e Madhe. Edhe lexova shumë. Vëmendja më mungonte nganjëherë. Në mbrëmje pata shumë frikë. Bombat e para ranë në Kosovë. Nuk guxova të flija vetëm. Më dukej se dikush kishte hyrë në dhomë dhe donte të më mbyste. Kishte shikim të tmerrshëm.
Çdo të bëhet me ne? Asgjë nuk është e sigurt. Realiteti është i tmerrshëm.
E enjte, 25 mars 1999
Sot është dita e dytë e ankthit. Nëna ka shkuar në punë. Në qytet kanë filluar çrregullimet. Në lagjen tonë ende s’ka ndodhur gjë e keqe, por pasiguria vazhdon të rritet.
Sot mësova për Francën dhe Irlandën. E mbarova librin “Kortezh i lagur”. Librat më ndihmojnë shumë. Përndryshe do të isha çmendur.
Thonjtë i kam grimcuar deri në mish. Jam tejet nervoze, sidomos natën. Por, megjithatë, edhe vetë lëshimi i Kosovës më tmerron.
E martë, 29 mars 1999
Kaluan edhe disa ditë të tjera, të cilat ishin gati plotësisht të njëjta.
Të gjithë flasin vetëm e vetëm për luftën. Kuptimi i kohës, kuptimi i jetës është zhdukur. Çdokush frikësohet, pasi nuk e di të ardhmen. Televizori dhe radioja janë bërë ushqim… janë bërë çdo gjë.
Askush nuk punon, askush nuk lexon. Jeta është bërë monotone.
Edhe pse e ndjej veten si në një burg magjik, unë nuk mund t’ia lejoj vetes një gjendje të tillë.
Bombardimet janë në qendër të vëmendjes. Nganjëherë dëshiroj të futem nën dhe, mjafton që të mos e jetoj këtë kohë të pa kohë. Kushedi a frikësohen insektet, kushedi a frikësohen zogjtë?
Ndoshta pranvera ka dëshirë të struket në ndonjë vrimë e të mos dëgjojë asgjë, asgjë, asgjë.
Edhe retë janë të frikësuara, sepse vazhdimisht derdhin lot.
Pse të ndodhë vallë në këtë fundshekull? A thua vallë serbët mendojnë se egërsia e tyre do të triumfojë mbi të drejtat tona?
Kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi, sepse do të ngrinin krye edhe lulet, edhe zogjtë, edhe fëmijët… E drejta është në anën tonë dhe ne do të fitojmë!
Ëndrra numër një: Nga qielli zbriti një engjëll dhe me baltë e krijoi një zog me krahë të gjelbër, të cilit i mungonte njëri sy.
Zogu fluturoi dhe kur u kthye në shpinë kishte edhe një buburrec të vogël me një shkop magjik në duar. Magjistari e krijoi një kopsht të vogël, ku cicëruan bilbilat e vallëzuan trëndafilat. Lumturia e tyre me ngjyra u përhap tejpërtej planetit dhe i gëzoi të gjithë.
E mërkurë, 31 mars 1999
Kjo ditë, që është dita e fundit e muajit mars dhe dita kur u bë një javë nga dita hyjnore e NATO-s, është pak më ndryshe se të tjerat.
Nën qiellin e mrrolur shqetësimi përhapej kudo, kudo…
Që në mëngjes njerëzit filluan të shpërnguleshin për në Pleshinë, shumë, shumë të frikësuar edhe nga minimi i dy shtëpive në rrugën e Pleshinës.
Derisa po hanim drekë, kazerma u bombardua me shumë bomba. Tymi dhe flaka ngriheshin deri në qiell. Ishin shpërthime aq të fuqishme, sa u dridh edhe shtëpia, u hapën edhe dritaret.
Por tashmë ishim mësuar me krisma dhe nuk pamë ndonjë rrezik.
Pas drekës, ishim duke dëgjuar lajmet në CNN, kur kazerma u bombardua sërish. Nga krisma e madhe u duk sikur u ça toka. Menjëherë pas kësaj krisme filluan të iknin edhe njerëzit nga lagjja ime. Prej tyre morëm vesh se disa serbë të maskuar po digjnin shtëpi. Ata ikën shpejt, por me vete morën edhe sigurinë tonë. Ec e rri pastaj!
Dolëm, por ku të shkonim? Atje, për ku janë drejtuar të gjithë. Kështu i përgjigjeshin të gjithë kësaj pyetjeje.
Gruri dukej sikur kërkonte mëshirë e mbrojtje nga gjithë ata njerëz, të cilët edhe pse e shkelnin, nuk e bënin këtë me qëllim.
Nga të katër anët, si një mjegull përbindëshe, hija e vdekjes.
Kolona e njerëzve, e përcjellë nga krismat e automatikëve të serbëve, që në pamundësi për t’iu kundërvënë sulmeve të NATO-s, shtinin kundër nesh, po arrinte në fshatin Pleshinë.
Njerëz të lodhur, të sëmurë, e fëmijë të vegjël, të cilët me një shprehje tmerri në fytyrë e kujtonin lojën e lënë përgjysmë.
Binte shi dhe neve na dukej sikur qielli po qante për të gjithë ne, e sidomos për ato krijesa të vockla…
Edhe pse të gjithë mbanin në vete kujtime nga egërsia e ujqve, prapëseprapë shpresonin se do të vinte një ditë, kur të këqijat do të merrnin fund dhe liria do të vinte patjetër, se nuk bën ndryshe.
Qielli përflakej nga zjarri i shtëpive të djegura dhe nga ai i kazermës së shkatërruar, ndërsa tymi së bashku me retë krijonte një pikturë tragjike.
Duke udhëtuar nëpër ca rrugë të këqija, arritëm në fshatin malor, ku njerëzit kishin dalë nëpër dyer dhe na shikonin me trishtim.
Në fillim u vendosëm në shkollën e fshatit, pastaj gjetëm një shtëpi të një ish fqinji jonë.
Rryma u ndal më ora 19:30 dhe ne fjetëm të lodhur e të rraskapitur, si trupërisht, ashtu edhe shpirtërisht. Kështu përfundoi edhe muaji mars.
Ëndrra numër dy: Një lule u shndërrua në një vajzë gjigante, e cila e mori atdheun tim dhe e vendosi në një vend të bukur mbi re, kurse gjarpërinjtë e helmuar i la poshtë, në një humnerë të tmerrshme, ku ata i shpaguan të gjitha të këqijat që ua kishin bërë zogjve.
Kjo ëndërr e bukur u ndërpre nga shpërthimi i një granate, që shpërtheu në oborrin e shtëpisë, ku ishim vendosur ne.
E premte, 2 prill 1999
Shtëpia ku jemi vendosur që prej tri ditësh është dykatëshe, me bodrum.
Në bodrum janë vendosur dy familje, kurse në katin e parë jemi ne, tri familje. Në katin e tretë nuk jeton askush, sepse është shumë lartë.
Kati i dytë i ka dy dhoma dhe një banjë.
Bën shumë ftohtë e qielli vazhdon të qajë. Për kë vajton kështu?
Nëse shikon lajme, tërë ditën do të dëgjosh lajme të njëjta, që përsëriten.
Për të fjetur është shumë ngushtë dhe kjo është një gjë shumë normale kur në një dhomë të vogël flenë gjithë ata njerëz.
Këtu nuk ke as çfarë të punosh. Punët e vogla kryhen shumë shpejt dhe pastaj shiko televizor dhe trego përralla pa pikën e kuptimit.
Dje ishte dita e gënjeshtrave, por nuk ishte vendi dhe koha për ta festuar.
Edhe me ushqim nuk i kemi punët aq mirë. Hamë gati vetëm fasule dhe sallamë. Nuk kemi as kafe, as lëngje, as pemë, me përjashtim të çajit, që unë edhe ashtu nuk e pi dhe qumështit që e kemi aq me pakicë, sa nuk mjafton as për më të vegjlit. Njerëzit, në shtëpinë e të cilëve jemi, na ofruan disa ushqime, por ne nuk i pranuam, pasi që nuk kanë shumë as për vete.
Fqinjët e tyre na vizitojnë shpesh dhe i komentojnë të gjitha gjërat me bujë, aq sa nganjëherë më vije të thërras me zë shumë të lartë dhe t’ua mbylli gojën të gjithëve. Nga një copë e granatës është plagosur në shpinë një i moshuar dhe kjo i ka zëvendësuar të gjitha bisedat e tjera.
Ndoshta nuk bën të thuhet, sepse këta na kanë pritur mirë, por të them të drejtën, po nervozohem tepër. Nervoza më shtohet edhe më shumë nga gjithë këta njerëz, me të cilët jetoj momentalisht, sepse ata ndryshojnë tepër nga unë dhe familja ime e ngushtë. Edhe për këtë duhet të hesht dhe të mos flas me zë, por që t’i shkruaj ndjenjat e mia nuk ka të drejtë të më ndalojë askush.
Disa nga fqinjët tanë nuk e kanë pranuar kurrsesi një qëndrim të mëtejshëm dhe sot në mëngjes e kanë lëshuar Kosovën.
Megjithëse nga të katër anët flitet për një shpërngulje masive, shtylla mbrojtëse e shtëpisë nuk po e merr ndonjë vendim të prerë. Si duket mendojnë se së shpejti çdo gjë do të rregullohet. Por unë e ndjej se fundi i luftës është larg, jo i vërtetë, përrallor.
Natën e ndjej veten shumë keq. Qaj ngadalë dhe me qetësi, por shpirti im nuk mund të qetësohet. Ai qan vazhdimisht nga pamundësia që të bëjë ndonjë gjë tjetër. Edhe ëndrrat duket se nuk guxojnë të afrohen shumë tek unë.
Tamam kur e hapin derën e trurit tim, ndonjë krismë e tmerrshme i detyron të largohen me vrap. Është një pakicë shumë e vogël ëndrrash që mund t’i qëndroj çdo pengese.



Ditari i Besa Salihut U1_Besa-Libri
Besa Salihu ne rumanisht
E shtunë, 3 prill 1999
Duket se asgjë nuk po ndryshon në rrjedhat e kohës. Monotonia e ditëve thyhet vetëm nga ndonjë ngjarje shumë e vogël, si për shembull ndonjë grindje për gjëra pa rëndësi, ndonjë drekë më e mirë dhe ndonjë kafe e nxehtë.
Këtu mungojnë gjërat më elementare për një jetë pak a shumë të qetë dhe të mirë. Mungesa e parë: uji i nxehtë për t’ u pastruar, e kjo shkakton që pastërtia të mos jetë ne nivelin e duhur.
Mungesa e dytë: Nuk guxojmë të dalim në oborr nga frika e ndonjë granate, edhe pse unë dal dhe shkoj edhe deri te lumi.
Shpesh qëndroj edhe në ballkon. Mali që është afër ma falë pak ajër të pastër dhe bashkë me të edhe këngën e një zogu, i cili këndon vetëm një kohë të shkurtër, si të ketë frikë nga diçka, edhe më shumë se unë.
Doja t’ i thoja zogut ik e mos u kthe, por pas pak kohe zëri i tij i ëmbël dëgjohej prapë, duke depërtuar si një shigjetë mespërmes qetësisë tragjike.
Ndoshta me këngën e tij më thoshte: Nuk do të ik prej këtu, përderisa ka fëmijë që vuajnë e vriten. Kam lindur këtu dhe do të vdes këtu, po ashtu duke kënduar.
Atëherë ndonjë lot vërsulej nga sytë dhe pikonte nëpër faqe, si shenjë ngushëllimi për mua dhe për zogun.
Mungesa e tretë, të cilën e ndjej më së shumti është libri. Me vete nuk pata mundësi të merrja e këtu nuk ka asnjë, për besë.
E ndjej shumë mungesën e tyre.
Mirë ka thënë dikush:
Librat janë ushqim për mendjen - urinë
dhe ilaç për shpirt - mërzinë.
Prandaj, duke mos i pasur librat, mendja dhe shpirti im janë të uritur dhe të mërzitur deri në qiell.
Unë dua të eci përpara. Nuk mund ta kuptoj si mund të jetohet ashtu siç jetojnë gati gjysma e femrave, që vetëm bëjnë punët e shtëpisë dhe pastaj kur të vdesin, harrohen fare.
Përveç një gjëje të tillë, unë dua të kem edhe diçka tjetër që të mund t’i kushtohem e tëra. Dua të jetoj më gjatë, edhe pas vdekjes sime.
Prandaj duke i humbur këto ditë pa bërë asgjë të vlefshme, ndjehem e këputur dhe mendja ime duket si brenda një kafazi të akullt, ku nuk mund të bëjë asgjë për të arritur drejt një kulture dhe diturie më të lartë.
Uroj që kjo gjendje rrethimi brenda katër mureve të një dhome shumë të vogël të përfundojë sa më shpejt!


Edituar për herë të fundit nga Agim Gashi në Tue Mar 24, 2009 10:30 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Re: Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 04, 2009 2:42 am

Ditari i Besa Salihut (II)



Ditari i Besa Salihut U1_Besa_Salihu
Besa Salihu
E diel, 4 prill 1999
Nganjëherë më duket vetja shumë, shumë e madhe sa të gjithë më shohin shumë lehtë dhe kështu më vërsulen për të më dhuruar dhembje dhe vuajtje.
Por nganjëherë nuk mund të marrë as frymë, më duket vetja si një milingonë që rastësisht ka rënë në një shishe dhe kot mundohet të dalë prej andej, sepse këmba i rrëshqet në qelqin e lëmuar të shishes.
Shpesh gjatë natës nuk më merr gjumi. Nën peshën e një ajri të rëndë, pak si kërcënues, pres që të ndodhë ndonjë mrekulli, të vijë ndonjë pjatë fluturuese e të më çojë në kozmos, larg ankthit.
Pikërisht tani është koha kur më së shumti më nevojitet ndihma e të tjerëve, liria, siguria, buzëqeshja dhe depërtimi pa frikë i shikimit në të ardhmen, por këto gjëra tash për tash janë të tepërta, sepse të gjithë i ka preokupuar e tashmja e pasigurt dhe nuk kanë nge të merren me askënd në veçanti.
Nganjëherë ndjehem e vetmuar, por kë mund ta fajësoj në këto kohë të këqija? Jo, nuk ka kohë të këqija, por ka njerëz të këqij.
Sot njerëzit kanë filluar të lëshojnë Pleshinën dalëngadalë dhe të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Edhe njerëzit që banonin nën ne kanë shkuar. Po ashtu edhe nëna, motra ime, xhaxhai me gruan e me dy djemtë e tij. Nesër do të kthehemi të gjithë.
Si u ndal rryma dhe filloi të errësohej, ne zbritëm në bodrum. Aty ishte lagështi dhe dëgjohej një zhurmë e lehtë, që e shkaktonin disa krimba të vegjël.
U shtrimë si ca sardele të konservuara. Të gjithë fjetën dhe u qetësuan të sigurt se krismat nuk do të dëgjoheshin në mënyrë aq të tmerrshme.
Qëndrova edhe ca kohë zgjuar dhe kur truri im i lodhur nga gjëra të kota po mbyllte portat për të fjetur, dëgjova si nëpër mjegull ca krisma të mbytura, që sonte nuk ishin në gjendje të prisnin gjumin.
Ishte nata e fundit dhe krismat e fundit që po dëgjoja në këtë fshat malor.
Ëndrra numër tre: Një Princeshë e kuqe erdhi të më falte lumturi. Iu vërsulën qindra ujq dhe e copëtuan. I tërë vendi u bë i kuq e pikoi lot gjaku çdo ditë e çdo natë.
Kur u zgjova nga gjumi mora frymë thellë. Mushkëritë m’ u mbushën me një ajër të lagësht.

E hënë, 5 prill 1999
Sot është e hënë. E të hënën fillon java e re. Këtë e dinë të gjithë. Por unë di edhe diçka tjetër që e bën këtë të hëne më të bukur dhe më të ëmbël.
Sot ne po kthehemi në shtëpi dhe kjo ka rëndësi. Dielli i buzëqeshte me dashamirësi natyrës, kur ne po e pastronim shtëpinë, ku kishim qëndruar dhe si u bëmë gati, dolëm.
Aq shumë më kishte marrë malli për shtëpinë time, sa i përshëndeta me padurim këta të fshatit. Disa u kthyen në këmbë e disa me veturë.
Shtëpia m’u duk shumë e bukur e kopshti, bashkë me lulet e para të pranverës, na priti duke festuar. Që sot do të fillojmë ta punojmë kopshtin, në mënyrë që ai të mos ndjehet i vetmuar dhe i braktisur.
Librat i përqafova me radhë, ashtu siç i përqafon dallëndyshja të vegjlit e saj, pasi i ka braktisur për një kohë të gjatë. I gjeta në të njëjtën gjendje siç i kisha lënë. M’u duk se edhe ato u gëzuan, sepse ishin mësuar të ishin çdo orë afër meje. U gëzova me një gëzim të sinqertë, që më rëndoi në zemër, duke më bërë që ta ndjej veten të penduar. E pyeta veten me të rreptë: Si guxon të gëzohesh, kur mijëra fëmijë në këtë çast vriten ose qajnë për të afërmit e tyre të vrarë?
Një zë, pak më i butë, iu përgjigj të parit: Në mes të një pikëllimi të pakufishëm, çdokush ka të drejtë të shijojë ndonjë pikë ëmbëlsie!
Derisa i gëzohemi kthimit, na duhet të mendojmë edhe për anëtarët e familjes së nënës, për të cilët nuk dimë asgjë dhe nuk kemi si të dimë.
Kur njeriu nuk di gjë më shumë, veçse çfarë ndodh në një rreth shumë të ngushtë, nuk ka se si të gëzohet. Gëzimi bëhet i zbehtë.
Pranvera, edhe në këtë kohë të keqe, i ka shtrirë lirisht krahët e saj të gjelbër nëpër male e gjetiu. Ajo varet edhe në degët e pemëve që dalëngadalë po vishen me lule. Duket sikur thotë: Edhe në m’i vrafshi lulet, edhe në m’i helmofshi zogjtë, kur të më vijë koha, unë do të sundoj natyrën, e veshur me një fustan të bukur buzëqeshjeje!
Në çastet kur kam kohë të mendoj, po përmallohem për shkollën. Jemi ndarë aq papritmas, sa nuk kam mundur t’i them as lamtumirë.
Tani ajo ka mbetur e vetme e ndoshta ka edhe frikë. Nuk e ka afër asnjë fëmijë, që me praninë e tij ta ngushëllojë sadopak.
Kam dëshirë të madhe të shkoj në shkollë, edhe pse e ndjej se kjo do të ndodhë më vonë, pas disa e disa muajve!
E shtunë, 10 prill 1999
Ndoshta dikujt i duket se duke qenë në një gjendje të tillë izolimi dhe frike, jeta është monotone dhe me monotoninë e saj tragjike të çmend dalëngadalë. E kjo është plotësisht e vërtetë, edhe pse me mua nuk po ndodh kjo. Njeriu duhet t’i përshtatet ambientit dhe kushteve në të cilat jeton.
Duke iu bindur kësaj rregulle, unë mund të them lirisht se ditën e kaloj mirë mirë, madje edhe në mënyrë të vlefshme.
Deri në ora njëmbëdhjetë ndihmoj në punët e shtëpisë. Pastaj deri më ora gjashtë jam në shoqërinë e librave, vetëm me ndonjë ndërprerje të vogël, siç është ngrënia e drekës.
Duke lexuar dhe mësuar mendja ime qëndron pak larg nga realiteti, madje nganjëherë humbi aq shumë në një botë tjetër, sa edhe kur më ndërprenë ndonjë krismë, mendoj se edhe kjo ndodhi në roman. Është një gjë shumë e mirë që librat e kanë një fuqi të tillë magjike që të ushqen mendjen.
Fle herët, sepse është më mirë të jesh në gjumë se sa të rrish zgjuar në errësirë, nën shtypjen e përhershme të pasigurisë.
Por nuk po ndodh kështu edhe me të tjerët. Janë shumë të frikësuar dhe tremben edhe nga zhurma më e vogël. Rrinë gjithnjë gati për të ikur, madje edhe flenë veshur, me çanta afër kokës.
Kjo mua më duket një gjë e gabuar, sepse njeriu nuk duhet të ketë frikë nga vdekja, se ajo do të vijë patjetër.
Por ec e thuaju!
Të thonë me inat: Ti nuk di asgjë nga vdekja, madje as nga lufta!
Mua aq më bën, por nëse shpëtojmë gjallë dhe vije liria, atdheut nuk i duhen njerëz të çmendur nga frika e luftës.
Njeriu duhet të jetë gjithmonë dhe në çdo rrethanë gjakftohtë dhe ta përmbajë veten.

E diel, 18 prill 1999 ‏
Kjo është java e katërt e izolimit tonë dhe ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me njerëzit që ndodhen jashtë rrethit tonë të ngushtë.
Plus: Ende asgjë nuk dimë për familjen e nënës. Sa herë dëgjojmë për ndonjë të vrarë mendja jonë shkon menjëherë tek ata. Nëna sidomos mërzitet më shumë dhe shpeshherë qan. Se kur nuk ke rrugëdalje tjetër, madje mund të qash.
Si në lagje, qytet, ashtu edhe në Kosovë njerëzit vazhdimisht po pakësohen, kurse të këqijat, të rritura në përpjesëtime tragjike, po rëndojnë mbi njerëzit e mbetur, me tërë fuqinë e tyre të ferrit. Në të gjitha anët e atdheut bëhen masakra të tmerrshme e varrezat masive shtohen dukshëm. Nganjëherë të duket se je duke jetuar në ferrin e Dantes.
Unë, duke dashur ta ruaj mendjen të freskët, nuk dëgjoj lajme gati fare dhe e shikoj realitetin si një ëndërr të keqe, që së shpejti do të përfundojë.
Sepse njeriu duhet të ruhet nga e keqja aq sa ka mundësi dhe të rrijë larg saj derisa nuk e kanë detyruar me forcë të hyjë në vallen e përgjithshme tmerruese. Se nëse fati tragjik do të na përpijë edhe ne në valët e tij, pse të përjetohet dy herë?
NATO po bën shkatërrime të shumta dhe në kazermë janë hedhur edhe plot bomba të tjera.
Ndoshta çlirimi është në rrugë e sipër, por është edhe pak larg, sepse nuk ka guxim të vijë kur lufta është në kulmin e saj!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Re: Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 06, 2009 9:58 am

Enver Zhinipotoku :
Ditët që nuk duam t'i kujtojmë...
"O njerëz, shpaloseni këtë ditar,
për të mos harruar Dramën e juaj,e ju pasardhës,
për të mësuar Dramën e të parëve tuaj!"
Ky është kryemesazhi i autorit në këtë kronikë ngjarjesh rrënqethëse, e që tingëllon sa njerëzisht aq edhe kuptueshëm, për ata, kujtesën e të cilëve e bren dhëmbi i kohës dhe e kaplon amnesia, që për popujt e shtypur, siç ishim ne, është gjithmonë fatale.
Është normë e çmuar didaktiko-pedagogjike që, mësuesi saherë e vlerëson të nevojshme, nxënësve u jep detyra, qoftë për shtëpi apo në klasë. Por, që nxënësi ti jep detyrë mësuesit, kjo është tepër e pazakunshme madje edhe "thyerje" e normave në mësimdhënie.
Ditari i mësuesit Hajrush Idrizi, të cilin po ua prezanton lexuesve titullohet "Lufta, o mësues, lufta!" Ky ditar ka një zanafillë terësisht "akcidentale". Autori me mjeshtri të paparë zbaton "urdhërin" që kishte marrë prej një nxënëseje të tij të klasës së parë: një obligim njerëzor për të përshkruar tërë dramaticitetin apokaliptik 96 ditësh të ankthit të luftës; dhe së fundi përmbushje e një detyre intelektuale, për të lënë gjurmë të pashlyeshme për tmerret dhe traumat shpirtërore të atyre që përjetuan anët më çnjerëzore të barbarisë mbi këto troje,dhe këto ngjarje i përcjell besnikërisht tek brezat që do të vijnë.
Ditarët, si gjini të prozës së shkruar, janë sa të rralë, aq edhe të vështirë për tu mbajtur. Për më tepër, ky i mësuesit Hajrush Idrizi ( me sa duket për herë të parë merret me këtë punë,dhe me ndihmën e Zotit,ia doli ) është tepër i veçantë dhe origjinal për gjenezën si ka lindur, mënyrën e rrëfimeve,për kohën dhe vendin ku dhe kur është mbajtur si dhe për përceprimet e ngjarjeve që përshkruhen në kohë e hapësirë.
Është ditë e hënë, 15 mars, 1999. Kundërmimi i tymit të luftës dhe barotit,era e gjakut trondiste çdo qenie të gjallë. Ajo kishte depërtuar edhe ne shpirtërat e nxënësve të klasës së parë që ende nuk e kishin mësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Këtë ditë kur e përfundon mësimin me nxënësit e tij, para se të përshëndetej me ta, nxënësja Albanë Dushku, një qupëz shumë simpatike që akoma nuk i ka mbushur 7 vjet, ia dhuron mësuesit një fletore me një laps duke e porositur: "Shkruaj o mësues, shkruaj! Lufta nuk ka të ndalur. Ti di gjithçka. Shkruaj!".
Si duket kjo ishte porosia Zotit përmes engjëllueshës Albanë, të cilën(porosi) mësuesi e pranoi pa hezitim por edhe pa e ditur peshën e obligimit që mori.Në mbrëmjen e asaj nate, mësakt më 15 mars,mësuesi qiti shkrunjat e para në fletorën e Albanës.Këtë veprim e nisi sepse ,Albana e urdhëroi,i dha detyrë,madje duke ia dhënë edhe fletoren me laps.Mësuesi nuk pati alternativë tjetër përpos t'ia nis shkrimit të ditarit sipas premtimit që ia dha voglushes.
Tashti, tek autori i ditarit zbulohet sinqeriteti i tij,dashuria ndaj nxënësve,respektimi i fjalës së dhënë e në veçanti,dashuria ndaj profesionit.Mësuesi Hajrush do ta mund vehten e vet.Ai, shkoi pertej mundësive të tija për ta kryer obligim për përshkrimin e ngjarjeve që i rrokullisi koha në një kohë të pa kohë.
Autori siç mund shihet, në këtë kohë merr mision të trefishtë jetësor: mësues në shkollë, prindër në familje dhe aktivist i angazhuar në një kuart të qytetit të Ferizajt, e më gjerë, në kohën kur çdo kush duhej dhënë maksimumin për qështjen tonë kombëtare.
Në gjysmën e dyë të muajit mars 1999, kudo në Kosovë vinte erë lufte,gjaku erë kufomash.
Lufta zhvillohej në shumë fronte.Në Paris Delegacioni i Kosovës kishte shkuar për të finalizuar dhe nënshkruar Marrëveshtjën e Rambujesë.Në anën tjetër, Luftëtarët e lirisë përballeshin në fronte të shumta me armikun, anë e kënd Kosovës. Mësuesi duhet të ishte praën nxënësve ne frontin e dijes.Por ,tashti e kishte edhe një detyrë shtesë dhe tepër të pazakonshme: Fletorën e Albanës duhej mbushur me shënime.
Ishte 19 prilli i vitit 1999.Lufta kishte marrë përmasa dramatike. Mësuesi duheshte vazhduar luftën e tij. Ai i raskapitur tejmase futet në klasë për ta zhvilluar shkronjën e fundit të alfabetit të gjuhës shqipe-shkronjën ZH. E kur kishte mbaruar së shpjeguari tingullin në fjalë, nxënësve u kishte thënë,si me shaka, se tash e tutje, djemtë por edhe vajzat, nuk do ta harrojnë këtë shkronjë deri sa të bëhen pleq e plaka. Çuditërisht, Albana që ia kishte dhuruar mësuesit fletoren, në të cilën tashmë mësuesi kishte filluar të shkruajë, ngritet në këmbë dhe i kondërvihet mësuesit me një bindje kategorike: "Jo o mësues,jo! Ne nuk do të bëhemi as pleq e as plaka(!) Shkiet do të na masahkrojnë sikurse ata ne Prekaz e Reçak! E si mund të bëhemi pleq e plaka kur ne do të jemi te mbytur!?
Në këtë çast mësuesi depërton thellë në shpirtin e fëmijëve dhe nga brendia e shpirtit të tyre,vëren se ata e paskan humbur shpresën për jetë.Jeta per ta qenka finito. Mësuesi trembet,humb te pamurit,nuk i sheh as nxënësit,dridhet,ritmi i zemrës i shpejtohet por nuk dorëzohet,nuk e humb vetëdijen. Në këto çaste dramatike i drejtohet të Plotfuqishmit që t'i ndihmojë, të mos plandoset për dysheme para këtyre engjujve,të mos itrishtojë.
Po. Zoti e pa dhe e kuptoi autorin. Atyperaty i erdhi në ndihmë.Se, me të shpejtë merr situatën nën kontroll dhe me metodën e rastit, tek nxënësit ,tek shpirtrat e tyre të rezignuar mbjellë ndjenjën e optimizmit e të shpresës,duke u betuar para tyre se me ndihmën e Zotit të gjithë do të rriten dhe do të bëhen pleq e plaka."Patjetër"-thërret autori. Klasa gumëzhin si zgjua bletësh:-" Të gjithë do të rritemi,tëgjithë do të bëhemi pleq e plaka,të gjithë!"Kështu mësuesi Hajrush përmbush misionin e shenjtë të pedagogut para historisë, sepse tek engjujt riktheu shpresën për mësim,për jetë. E, se si ia doli kësaj pune ndoshta as vet aoturi nuk është në gjendje të na tregojë.
Autori me plasticitet të mbrujtur emocionalisht përshkruan atmosferën e luftës gjatë bombardimeve të NATO-s në kuartin e tij , që ishte e njejtë më pjesët tjera të qytetit e të Kosovës. Tek njerëzit kudo vërehej ndjenja e ankthit, e solidaritetit dhe shpresës. Kurse tek ushtarët e paramilitarët serbë dominonte arroganca, barbaria dhe sadizmi; kurse ne, popullata shqiptare, në çdo bombë të alenacës së NATO-s që binte në Kosovë, shihnim shpresën për lirinë e Kosovës.
Popullata në ankth grumbullohej: hanin së bashku, rrinin së bashku dhe flinin së bashku, sepses ashtu të bashkuar ndiheshin më të sigurt, që vërteton maksimën sociologjike e antropologjike, se njeriu, në çfarëdo situatash, sidomos në këso kohe çfarë i imponoheshin Kosovës, ishte dhe mbetej "qenie shoqërore".
Në këso rrethanash, në marsin e vitit 99 në Kosovë, lufta më e madhe ishte ajo psikologjike,përmes dezinformatave dhe gjysëm të vërtetavve që i plasonte armiku, apo që i thurnin njerëzit nga frika e thashëthemet. Në këso situatash apokaliptike bëhej një bellum omnium contra omnes me ndjenjat e njerzve dhe pasigurinë e tyre. Por, solidariteti midis njerzëve,siç vëren autori në këtë kronikë ngjarjesh, ishte në nivelin më të lartë: askush skishte me bollëk, por që të gjithë kishin. Njerëzit në këso situatash të mirën e të keqën e ndanin bashkarisht. E keqja i mobilizon ndjenjat pozitive njerëzore, të atyre që jetojnë bashkë për të refuzuar atë.
Personazhe të ditarit të Hajrush Idrizit janë të gjithë: unë, ti, ai,ne, ju, ata, e sidomos ato,pra, janë të gjithë shqiptarët e Kosovës, pavarësisht se përshkrimi bëhet për atmosferën në një kuart ferizajas, në Bllacë,Progër, Korçë apo Pogradec ose edhe diku tjetër.
Me gjithë mallëngjimin për të mos i braktisur shtëpitë dhe atdheun, autori në ditar flet për ditën kur e tërë lagja nën kërcënimin e paramilitarëve serb, u dasht që me lot në sy ti braktisin shtëpitë e tyre dhe pa e ditur se ku do ti çonte rruga pa cak. Tepër emocionuse janë momentet e ndarjes së banorëve nga shtëpitë, ku kishin derdhur djersën brez pas brezi për atë kapital. Shtëpitë dhe orenditë brenda tyre sikur marrin shpirt, e autori gjësendeve u vë gojë,sikur flasin. Ato rënkojnë dhe u luten njerzve që të mos i lënë në vetmi, sepse edhe ato i urrejnë barbarët, se edhe ato do të masakrohen nga pushtuesit serbë .
Janë rrënqethëse çastet kur njerëzit presin trenin e shpresës e të ankthit, pa e ditur se ku do t[size=16]i shpinte ai. Janë të papërshkrueshme e të pakonceptueshme në këtë ikje biblike ndjenjat e njerëzve që duken si milingona: të pleqve e plakave të bartur në shpinë apo në karroca, të të sëmurëve në batanije, apo të fëmijëve që qanin në gjiun e nënave, apo të gjysheve që i nanurisnin me ninulla duke u munduar për t'i vënë në gjumë. Duke pritur trenin e dëbimit këto skena të kujtojnë holokaustin hebrejë në epokën e nazizmit.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Re: Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 06, 2009 10:00 am

Ferrin dantesk, personazhet e këtij ditari e gjejnë pasi me autobus arrijnë në Bllacë, kursë lexuesi përshkrimet më artistike, më emocionuese e më të dhimbshme për fatin dhe fundin e njerëzores i gjen në faqet që përshkruajnë jetën në këtë vend për disa ditë, ku siç thotë autori njerëzit ishin shndërruar në "kufoma të gjalla, me të vetmin dallim se këto këtu lëvizin". Më së vështiri ishte për të mbajtur ditar në këso kushtesh, pohon Idrizi, edhe pse fletoren dhe lapsin e Albanës i ka me vehte,por si duket edhe autorit i bëhet sikur ka humbur në kohë,pra, këtu shkruan një kapitull te titulluar "Pa ditar". E pabesueshme, por e vërtetë, autori që të jetë sa më besnik, shkroi drejtpërdrejtë-aty peraty për këto ngjarje ditën por edhe natën nën dritën e zjarreve apo hënës mbi gurët e varreve!!! Padyshim se këtu i ndihmoi vetëm i Madhi Zot.
Nuk besoj se për këtë vend ( që ishte shndërruar në kamp përqëndrimi) dhe këta njerëz ( që u lakmonin të vdekurve mbi varret e të cilëve shkelnin) është shkruar ndonjëherë dhe dikund më bukur, më bindshëm, më dhimbshëm, në mënyrë më tronditëse, por besnike dhe syrit shpëtitës të autorit të mos i ketë shpëtuar asgjë pa shënuar për ato ditë e netë, të cilat nuk duam asnjëherë ti kujtojmë, por megjithatë nuk guxojmë ti harrojmë kurrën e kurrës as ne por as gjeneratat që do lindin..
Njerëzit për të cilët flet autori në këtë ferr, vetëm në lëvizje dhe kur flisnin dëshmonin se ishin "njerëz". Ata ishin të humbur në kohë dhe hapësirë. Kështu përshkruhet "mjekroshi" që i humbur kërkonte të blejë duhan dhe habitej që njerëzit i jenin duhan por nuk ia merrnin paratë që mbante në dorë. Bashkimi, të cilin e njihte autori, i përqafonte njerëzit për dajat e vdekur ose edhe gratë për nënën që e kishte në Belgjikë. Nazimi që kërkonte ambasadën maqedone në baltën e Bllacës për ta gjetur nënën e humbur dhe qupëzën Egzonen ishte një tjeter njeri që kishte tretur ne ate rremujë. "I katërti"-siç shkruan autori, është një veteran arsimi ferizajas, i cili po kerkonte një pasqyrë për tu rruar, sepse "ishte i ftuar për në në Gjilan për ta shqyrtuar një ngatrresë" dhe se patjetër duhej të ishte më pedant meqë ishte Kryetar i Këshillit të pajtimit, dëshmon se një numër i madh njerëzish janë aty, janë në Bllacë por ama aty ndodhen
vetëm fizikisht.
I përmenduri nga përgjumja i pohon autorit se " e kam ditur se pas vdekjes është Dita e Gjykimit, por, se njerëzit do ta përjetojnë ate për së gjalli, sikurse ne këtu, kjo nuk mund të mbërthehej as nga njerëzit me imagjinatë më të zhvilluar".
Autori me plot emocione dhe shumë bindës përshkruan "okipimin" e varreve nga të gjallët:
"Varret janë shndërruar në banesa. Nga një dru mbi gurët e varreve, qofshin të reja apo të vjetra, një copë najloni mbi dru, brenda najlonit, mbi varre, familjet. Po pasha Perëndinë! (betohet autori). Aty hanë, aty pinë, aty luajnë, aty bisedojnë, aty qeshin, aty qajnë, aty flejnë dhe aty pshurrin fëmijët. Dhe thonë: Axha Hajrë, u knaqëm!!!. E mua nuk më mbetet tjetër veçse në emër të këtyre "zullumqarëve" tu kërkoj falje të vdekurve: O ju të vdekur, keni mëshirë e mos i mallkoni këta hallexhinjë që po u trembin. Ta dini mirë se nuk kemi ardhur këtu për vikend. Serbët na kanë dëbuar nga vatrat tona. Këtu është hapësirë tepër e ngushtë e nuk po na nxe të gjithëve, prandaj po ju bezdisim. O Zot, na i falë mëkatet të të dy palëve! Amin!"
Ajo që e karakterizon këtë ditar është ndjenja e optimizmit, e shpresës për të renë dhe ditën ngadhënjyese, të njerëzores mbi antihumanen e barbarinë, ëndrrën për liri të Kosovës asnjëherë pa u shuar. Dhe kjo ndjenjë e optimizmit për ardhmërinë e shoqëron autorin dhe personazhet e tij kudo: edhe në shqetësimet në vendlindje, edhe në baltën e Bllacës, edhe në udhëtimin e pacak të 112 autobusëve për Shqipëri, edhe gjatë vendosjes e mikëpritjes në fshatin Progër, për të përfunduar e kulmuar me kthimin me helikopterët e NATO-s deri në Kukës, fitoren e UÇK-së e të Aleancës Veriatlantike mbi ushtrinë serbe, kthimin bashkë me lirinë në vatrat e boshatisura, duke ngrohur kështu me rreze optimizmi edhe shpirtin e lexuesit, të Albanës, që i pati dhënë detyrë të vështirë mësuesit, të të gjithë shokëve e shoqeve të klasës së saj, të cilëve që në klasë mësuesi u kishte premtuar se do të rriten dhe vërtetë u rritën e tash janë 17 vjeçar, nxënës të shkollave të mesme.
Optmizmi i pafund si flakadan ngrohë dhe ndriqon edhe skutat të fshehta të shpirtit njerëzor, edhe atëherë kur njerëzit i kaplon ndjenja e ankthit dhe shpresa duket e humbur përgjithmonë, sikur që mund të lexohet në faqet e këtij ditari.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Re: Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 06, 2009 10:15 am




Ditari i Besa Salihut U1_Besa_Salihu
Besa Salihu
E martë, 20 prill 1999
Sa mirë është kur nuk frikësohesh!
Nuk kam më frikë. Madje as nga njeriu i tmerrshëm. Bisedoj me të dhe gjatë bisedës edhe buzëqesh. Thika e përgjakur është zhdukur.
Vetja nuk më duket as milingonë e as gjigante. Më duket normale, një njeri që mundohet edhe në rrethana të këqija për të arritur diçka dhe të ecën së bashku më kohën.
Prej se jemi kthyer nga Pleshina kam lexuar katër veprat që më kishin mbetur nga Shekspiri: “Rikardi III”, “Jul Qezari”, “Mbreti Lir” dhe “Othello”, Dramat: “Teatri plak”, “Tri drama”, si dhe romanin “Kohë e ligë”.
Do të kisha lexuar më shumë, por i kursej librat, sepse pastaj nuk kam ku t’i gjej.
Kam filluar të mësoj për perënditë greke dhe historinë e popullit shqiptar.
Gjithashtu mësoj edhe biologji, edhe gjeografi dhe po shkruaj disa tregime.
Natyra ka lulëzuar shumë dhe është e bukur, por duket disi si e zbehtë dhe melankolike. Njerëzit i kanë telashet e tyre dhe nuk po kanë kohë të kujdesen për të.
Ëndrra numër katër: Isha në krye të një ushtrie, e cila po shkonte në luftë.
Papritmas na dolën përpara një ushtri e tërë përbindëshash, të cilët na u vërsulën me shpata të helmuara. Luftuam e luftuam për një kohë të gjatë si trimat, por pastaj, duke qenë shumë, shumë të vegjël, përbindëshat bënë kërdinë mbi ne.
Pikërisht në çastin, kur tehu i një shpate po më ngulej në gjoks, u zgjova e mbuluar me ca djersë të ftohta. Po agonte një diell i bukur pranvere.
E enjte, 22 prill 1999
Nuk kam dëshirë të flas vetëm e vetëm për luftë. Sot po shkruaj pak edhe për familjen time dhe pastaj edhe për prirjet e mia dhe veten në përgjithësi.
Familja ime është gjashtë anëtarësh. Babai është jurist edhe nëna gjithashtu.
Jemi katër fëmijë. Shqipja, 20 vjeçare, Besniku, 17 vjeçar, unë, 13 vjeçare dhe Kaltërina, 12 vjeçare.
Unë kam prirje të shumta.
Së pari natyrisht është të shkruarit, por këtë nuk mund ta radhisim me të tjerat, është diçka tjetër.
Të shkruarit më sjell një kënaqësi të veçantë dhe nganjëherë jam krenare që kam mundësi t’i shpreh mendimet e mia, të shpreh gjithçka jeton brenda shpirtit tim. Kur shkruaj më largohen të gjitha, pikëllimi më zhduket, më ringjallet guximi. Ende nuk e kam përvetësuar kulturën e të shkruarit, por shpresoj se duke bërë një punë të palodhur, do të arrij të shkruaj diçka me vlerë.
Së dyti, leximi me përkushtim i veprave të ndryshme biografike e historike, por më pëlqejnë më shumë ato shkencore e me aventura dhe mbajtja e shënimeve gjatë leximit.
Prirja e tretë, një kureshtje e madhe për shkencat e ndryshme e sidomos matematikën.
Së katërti, qëndron historia dhe mitologjia.
Më pëlqejnë të gjitha lëndët e tjera shkollore, por matematika qëndron mbi të gjitha.
Jam e mbyllur në vetvete. E dua të bukurën dhe jam shumë e ndjeshme, ëndërruese dhe me imagjinatë të ndezur.
E premte, 23 prill 1999
Kur një gjë përsëritet për herë të dytë, nuk duket edhe aq tragjike. Por unë prapëseprapë po them: çfarë tmerri!
Se me të vërtetë sot ishte një tmerr pak më ndryshe, një ikje që ndryshoi nga ikja e parë. Aty nga ora dhjetë e mëngjesit, katër ushtarë kanë ardhur në lagje. Posa i kanë parë, njerëzit kanë filluar të ikin.
Ata i kanë urdhëruar të ndalen, por nuk janë ndalur dhe atëherë ushtarët i kanë përdorur armët. Me këtë rast janë plagosur dy njerëz: një i moshuar dhe një djalë. Krismat u dëgjuan si një ogur i zi dhe atëherë kemi ikur.
Jemi nisur përsëri për Pleshinë, por morëm vesh se as atje nuk ishte më e sigurt dhe atëherë u vendosëm në një shtëpi midis arave, e cila nuk kishte as dyer, as dritare. Binte një shi i madh dhe balta ishte e shumtë.
Në atë shtëpi ishte shumë ftohtë dhe fare lehtë njeriu mund të ftohej. Por edhe kësaj here, nuk u sëmur askush. Aty nuk qëndruam shumë dhe në ora trembëdhjetë ishim në shtëpi. Ishim shumë të uritur, pasi nuk kishim hëngër as mëngjes.
Nga kjo shëtitje nëpër shi dhe baltë na mbeti si kujtim një kodër me rroba tërë baltë!
E diel, 25 prill 1999
Posa isha zgjuar dhe po e rregulloja dhomën.
Me shpejtësi rrufeje e vesha një pallto dhe dola pas të tjerëve. Ushtarët plaçkitës ishin afruar shumë dhe pasi i kishin detyruar me të rrahura disa burra të lagjes të ecnin përpara, ishin nisur duke hyrë më radhë nëpër shtëpi për të shikuar se mos ka ndonjë njeri.
Por në atë kohë ne ishim më larg, në rrugë dhe ata na kanë parë fare mirë, madje kanë thënë se po të duan të na bëjnë gjë, e kanë këtë në dorë, por kinse nuk kishin ardhur me atë mendje.
Duke ecur për të shkuar në një vend pak më të thellë, na kanë parë edhe ushtarët e kundërajrorit (i vendosur në rrugë dhe shpesh na shurdhon me gjuajtjet e tij kundër aeroplanëve), por ata u mjaftuan vetëm me një shikim prej ujku.
Pasi qëndruam dy orë në një shtëpi, u kthyem prapë.
Xhaxhanë tim e kishin rrahur me kondak pushke në kokë, por nuk e kishin lënduar shumë.
Në mbrëmje e patëm një festë të vogël, e cila nuk mbahet mend prej kohësh: një ëmbëlsirë dhe një lëng kivi.
E mërkurë, 28 prill 1999
Në çdo ikje ka njerëz më pak e sot nuk ishin as pesëmbëdhjetë.
Këto ikje të përditshme, edhe pse duken si ikje fëmijësh, të shtyjnë të mendosh pak më seriozisht për luftën.
Këtu nuk bën të qëndrojmë më dhe është mirë të vendosemi diku tjetër, sa nuk ka ndodhur ndonjë gjë edhe më e keqe. Për këtë e kemi gjetur një shtëpi pak më thellë në qytet.
Këto ditë është shumë nxehtë dhe po ndjehem mirë kur po fshihemi në natyrë, midis gjelbërimit dhe cicërimave. Po më duket si një mike dhe mbrojtëse e sigurt.
Kur e shoh veten të rrethuar nga gjelbërimi i pranverës, vetja më duket si një pikë e vogël, e vogël, që mezi shihet nga të tjerët.
Ah! Sikur të vinte Liza dhe të ma jepte ca nga bari i saj që rritë e zvogëlon dhe unë të bëhesha sa një buburrec e të jetoja në gjethet e mbushura me vesë ose mes petaleve të luleve. Do të jetoja si një mbretëreshë e lumtur midis ngjyrave e askush nuk do të mund të më detyronte të ikja.
E premte, 30 prill 1999
Në lagje nuk ka mbetur asnjë shtëpi, së cilës nuk i janë plaçkitur gjërat më kryesore, e në radhë të parë antena satelitore me televizor.
E njerëz ka shumë pak.
Në shtëpinë pak më thellë në qytet sot janë vendosur: njëri xhaxha me gruan dhe pesë fëmijët e tij, dy fëmijët e xhaxhait tjetër, dy motrat e mia dhe vëllai im. Këtu kemi mbetur unë me prindërit e mi, xhaxhai me gruan dhe xhaxhai tjetër, vetëm. Janë edhe disa të moshuar tjerë, të cilët i kanë lënë vetëm, por në përgjithësi jemi shumë, shumë pak.
Unë pata dëshirë të qëndroja dhe qëndrova, por nuk pritet të qëndroj gjatë tërë kohës.
Edhe pse mua më është mbushur mendja se do të shpëtojmë edhe pa ikur, ne do të kishim lëshuar me kohë Kosovën, sikur të mos dëgjonim rrëfimet e njerëzve për ato që kanë përjetuar në kufi.
Atdheu im në këtë fundshekull po i ngrys ditët në çadra.
Lagjja ime është e mbështjellë nga një qetësi e kobshme. Këtë qetësi e prishin vetëm hapat e ushtarëve me maska. Natën nuk duket asnjë dritë. Shtëpitë duken të përgjumura. Çdo gjë ka frikë dhe nuk bën zë, por prapëseprapë jeta i rrokullis valët e saj prej guri.
Deri kur vallë populli im do të ketë vuajtje, që mund të hiqen aq lehtë, vuajtje të atilla që edhe yjet do të donin të shuheshin për të mos i parë dhe të futeshin thellë në lym?
Ky muaj përfundoi, por fare ndryshe nga marsi. Derisa në fund të marsit, natyra u mbush me njerëz, tani është krejt e zbrazët.
Ëndrra numër pesë: Në dritare lulëzoi shpejt e shpejt një lule e prej saj i zgjatën kokat 100 gjarpërinj.
Nga goja e tyre dilnin ca xixa që më binin në fytyrë. Fytyra ime u nxi e u skuq, e unë, përkundër vullnetit tim, e shtrëngoja qafën. Kur isha duke mbetur pa frymë, më doli gjumi. Qetësia e kobshme desh ma ndali të rrahurit e zemrës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Re: Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 24, 2009 10:28 am





Ditari i Besa Salihut U1_Besa_Salihu
Besa Salihu
Unë jam këtu- përgjithmonë!
Isha e shqetësuar së tepërmi. Dola në ballkon. E shikova hënën e verdhë. Edhe sonte m`u duk si një copë molle. Nuk e harrova as një yll që qëndronte në anën e djathtë të hënës. M’u duk i vetmuar. E pyeta: A e di ç’është zemra? Nuk tha: as PO, as JO!
Nga gjethet e lisit e dëgjova një zë: Pse mërzitesh?
Mora frymë thellë, pastaj e piva pak ujë. Papritmas qielli u nda më dysh dhe disa engjëj
po vinin drejt meje. U habita. Prita se çfarë do të ndodhte. Engjëjt gjithnjë afroheshin, kurse qielli ishte mbushur nga një dritë hyjnore.
Kur zbritën në tokë, ata nuk më thanë asgjë, por vetëm më morën për dore dhe unë fillova të fluturoj së bashku me ta.
Kur u gjenda në një lartësi të madhe, shikova poshtë. Shtëpitë dukeshin si prej kartoni.
Pas njëfarë kohe, u gjendëm në qiell, midis reve. Engjëjt, me të cilët po udhëtoja nuk flisnin fare. Udhëtonin e udhëtonin. Sidoqoftë, dikur u ndalën. U ndalën para një pallati e më futën mua aty, në pallatin e Zotit! Engjëjt më lanë para Zotit dhe ai më uli në anën e djathtë të tij. S’po u besoja syve. Vallë ishte ëndërr apo realitet?
Derisa dora ime ishte në dorën e Zotit, ia shfaqa dëshirën për të bërë intervistë me të.
Zoti buzëqeshi.
-Dëshironi të bëni intervistë me mua?- pyeti.
Nëse keni kohë, thashë.
-Koha ime është e amshueshme,- u përgjigj.
Unë e pyeta: Si atë i të gjithëve që jeni, cilat janë gjërat që do të dëshironit t’i dinë fëmijët tuaj?
Zoti u përgjigj: “Të dinë se ata nuk mund ta detyrojnë askënd që t’i dojë. Ajo çka ata mund të bëjnë është që të jenë të dashur ndaj të tjerëve. Të dinë se gjëja më e rëndësishme nuk është ajo çka kanë në jetën e tyre, por kë e kanë në jetën e tyre. Të dinë se ka njerëz që i duan ata me shpirt, por shumica e tyre nuk dinë t’i shprehin ndjenjat e tyre. Të dinë se dy njerëz e vështrojnë të njëjtën gjë, por e shohin atë në mënyra plotësisht të ndryshme. Të dinë se për shërimin e një plage të shkaktuar për pak sekonda në shpirtin e një njeriu që të do, duhen shumë vite. Të dinë se ata e humbin shëndetin për të fituar pasuri, pastaj pasurinë e fituar e harxhojnë për të rikthyer shëndetin e humbur.
DHE TË DINË SE UNË JAM KËTU PËRGJITHMONË!!!
Balena- shpëtimtarja e peshqve
Kur u zgjova, e pashë veten në fund të detit. Nuk e di si kishte ndodhur kjo. Shikova rreth vetes. Isha e shtrirë në një shtrat prej mëndafshi. Afër meje, në një shtrat po prej mëndafshi po flinte një peshk i bukur. Iu afrova. I bëra zë. U zgjua menjëherë dhe doli prej dhome. Pas një kohe u kthye së bashku me nënën e tij, që ishte një peshk më i madh, i veshur me një fustan mëndafshi, stolisur me ar dhe me lule.
Më ftuan të shkoja në dhomën e bukës dhe të haja mëngjesin. Pastaj dolëm në shëtitje me një karrocë të bukur, e cila na dërgoi në një vend të mbushur me eshtra.
Peshku i madh, i cili ishte mbretëresha e peshqve, më mori mënjanë dhe ma tregoi historinë e atij vendi.
- Këtu është zhvilluar lufta më e madhe në historinë e mbretërisë sonë. I tërë ky vend mban në vete edhe fitoren më të madhe në historinë e mbretërisë sonë.
Me vite të tëra kemi qenë të shtypur nga një armik i madh, që nuk na linte të merrnim as frymë. Janë vrarë me mijëra peshq, të cilët nuk i nënshtroheshin armikut e ne vazhdonim të ishim në robëri. Kjo vazhdoi derisa një ditë nuk duruam më dhe i shpallëm luftë peshkaqenëve. Pikërisht në këtë vend u zhvillua ajo luftë, në të cilën ne do të pësonim100% disfatë, sikur të mos na ndihmonin balenat. Ato na ndihmuan shumë, shumë dhe ne i shpartalluam peshkaqenët. Vendi ynë u çlirua një herë e mirë dhe u ndërtua mirë. Këmbë peshkaqeni nuk shkeli më në vendin tonë e për këtë u jemi shumë mirënjohës balenave.
Pas kësaj u kthyem me po atë karrocë në pallat dhe unë qëndrova aty edhe nja dy javë dhe pastaj mbretëresha më përcolli deri në breg të detit. Më vinte pak çudi për historinë që ma tregoi peshku, por ajo ishte shumë e besueshme. U nisa ngadalë për në shtëpi me shportën e dhuratave në dorë.
Shkruar më 24 maj 1999
Buzëqeshja e hënës
Ndërsa përgatitesha për të fjetur, dëgjova një trokitje në dritare. Mbajta vesh me kujdes. Trokitja u përsërit. U ofrova te dritarja. Një dritë shkëlqyese më la në vend. Edhe kopshti shkëlqente nga ajo dritë. Lulet i kishin mbyllur sytë e përgjumur. Edhe ato dukeshin si të arta.
Ç’ishte vallë kjo çudi?!
Dikush trokiti për herë të tretë. E hapa dritaren. Para meje ishte një karrocë e artë, dy kuaj të bardhë me flatra, ndërsa në karrocë ishte ulur një princeshë e bukur, e veshur me dritë. Mendova se kjo mund të ishte vetëm një ëndërr. I hapa sytë më mirë, por ajo mbeti prapë aty. Ajo e ktheu kokën nga unë dhe më buzëqeshi. Ishte një buzëqeshje hyjnore. Edhe zërin e kishte të tillë. Ajo më tha: “Vishu shpejt, do të shkojmë në hënë!”. Zëri i saj s’linte shteg për asnjë kundërshtim. Unë ashtu e veshur dosido, u ula pranë saj në karrocën e artë. Kuajt fluturuan menjëherë. Në qafë kishin të varur ca zile që cingëronin mrekullueshëm. Ata ecnin nëpër rrugën e krijuar nga rrezet e hënës. Çdo gjë ishte e artë: rruga, karroca, princesha...Edhe zëri i saj ishte me nota të arta. Quhej Aurora dhe ishte princeshë e hënës. Më çonte në festën e fëmijëve të mirë dhe të gëzueshëm. Në hyrje të hënës bënin roje dy engjëj. Ata ishin mbrojtës të buzëqeshjeve të fëmijëve. Unë thashë me vete: neve në tokë buzëqeshjet na i vrasin djajtë!
21 prill 1999
Hapet një zbrazëti në terr
Në rrugë pikon gjak
Në kopsht shëtisin hijet
Kanibali han lulet
Etjen shuan me gjak
Dhe bërtet “është pak”!
Loti përpëlitet në prag
Dhembja del si tym nëpër oxhak
Dashuria shuhet braktiset
Kanibali s’ka ndërmend të arratiset
Në sytë e mi një pikturë e zezë
Në dysheme hapet një humnerë
Në kolltuk krimi pi duhan
Kanibali fabrikë po prodhon frikë
Dielli ikën me nxitim
Hëna mbështjell tokën me çefin
Yjet nëpër zgavra të zeza
Mbi tokë sa trishtim




Ditari i Besa Salihut U1_BardhFrangu
Bardh Frangu
Fëmija që nga universi i vet kishte dëbuar frikën nga vdekja
Nga Bardh Frangu
Besa është një fëmijë i jashtëzakonshëm. Ajo nuk është vetëm nxënëse e shkëlqyeshme, por një fëmijë i pasionuar pas dijes. Besa është një kompjuter i gjallë prej mishi dhe ashti. Besa Salihu është nxënëse e klasës së tetë në shkollën fillore “Jeronim de Rada” të Ferizajt. Ka kohë që Besa redakton dhe është përgjegjëse për faqen e fëmijëve në gazetën lokale “FERpress” të Ferizajt, ku shpesh edhe boton tregime dhe poezi, por edhe shkrime gazetareske. Në faqet e kësaj gazete kohë më parë Besa edhe botoi në vazhdime ditarin e saj të luftës.
Kur e lexon ditarin e Besës për 78 ditët e tmerrit dhe ankthit të luftës, përkatësisht të bombardimeve të NATO-s, s’ka si të mos të kujtohet ditari i Ana Frankut, shkruar gjatë kohës së tmerrit të luftës së dytë botërore. Vërtet mes këtyre dy ditarëve ka shumë analogji, por ka edhe shumë dallime. S’ pari Besa kur e shkroi ditarin ishte më e re se Ana, s’ dyti Besa, për dallim nga Ana, ishte e detyruar që disa herë të kalonte nëpër tytat e barbarëve serbë për të kërkuar strehim nëpër fshatrat përreth qytetit të Ferizajt. Kjo bredhje e saj me familjen edhe bën një dimension më dramatik të këtij ditari, ndërsa në anën tjetër ka ndikuar që Besa të mos ketë mundësi ta mbajë me rregull ditarin e saj, kaq të nevojshëm për një dëshmi të një kohe të mbushur tmerr dhe ankth.
Por edhe në këtë vlerë sasiore dhe cilësore, ditari i Besës dëshmon për të gjitha instinktet, emocionet dhe preokupimet e njeriut të ndodhur para vdekjes. Diku në një vend Besa edhe vet do të dëshmojë se me kohë e kishte kapërcyer frikën nga vdekja, madje ishte mësuar me këtë hije që lëvizte ngado. Ditari në një anë dëshmon gjendjen e përgjithshme të atyre që kishin këmbëngulur të mos i lëshonin vatrat e tyre, ndërsa në anën tjetër dëshmon për një karakter të veçantë çfarë është ai i Besës, ndërsa ajo shfaq refleksione edhe filozofike, që për një moshe fëmije është diçka tepër e veçantë.
Sigurisht që vlera më e madhe e këtij ditari qëndron në faktin se ngjarjet pasqyrohen në mënyrë besnike dhe me gjakftohtësi maksimale. Le që nuk ka elemente predimensionimi të situatave, por përkundrazi vërehet një zbutje në paraqitjen e tyre, me çka Besa dëshmon se nuk kishte në shpirt të kultivuar kurrfarë urrejtje, por ishte një fëmijë që e donte jetën dhe që luftonte ta ruante shpresën edhe në situatat më të vështira. Dimensionin e tmerrit Besa do ta paraqesë figurativisht edhe nëpërmjet qenieve tjera të gjalla, siç janë zogjtë bie fjala. Por e veçanta më e veçantë e këtij libri pa dyshim është mënyra e ndërthurjes së shkëlqyeshme të faktit me fiksionin, ndërsa ajo fakton ngjarjet e ditës duke i veshur në fund, si me një lloj post skriptumi me ëndrrat, të cilat mundësojnë një observim shumë të gjerë të njohjes së ndjenjës dhe refleksionit brenda universit të këtij fëmije.
Tre tregime dhe një poezi, të shkruara gjatë 78 ditëve të ankthit dhe tmerrit, janë dëshmi se Besa bënte jetën e vet të lirë në universin e saj, duke dëshmuar kështu se e kishte mundur frikën nga vdekja dhe fuqishëm mbahej e mbështetur mbi shpresën. Në këto shkrime artistike Besa njëherazi dëshmon edhe talentin e saj të jashtëzakonshëm për artin letrar. Gjuha e saj e pasur letrare-poetike si dhe shkrimi me një siguri të jashtëzakonshme janë e veçanta e këtij ditari, i cili botohet pa asnjë ndërhyrje.
Në përgjithësi ky libër ka vlerë shumë dimensionale, sepse jo vetëm që është i pari i këtij lloji, por është një dëshmi e mrekullueshme se nëpër çfarë rrathë të tmerrit kaluam ne si popull, e veçmas fëmijët tanë, të cilët ende vazhdojnë të shërohen nga traumat e luftës. Në fund, duhet thënë se Besa shkëlqyeshëm e ka regjistruar kujtesën tonë, prandaj edhe meriton mirënjohje dhe lëvdata. Në fakt Besa na e fali një nga librat më të mirë që kemi në letrat tona.



FUND
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ditari i Besa Salihut Empty Re: Ditari i Besa Salihut

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi