Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË!

Shko poshtë

Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË! Empty Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË!

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 28, 2009 1:29 am

TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË!

Teki DËRVISHI


Tashmë nuk them asgjë të re nëse konstatoj se Tribunali i Hagës (i themeluar nga OKB-ja) është një gjykatë politike, asnjë fije, juridike. Por që Tribunali i Hagës është gjyq politik i tipit sovjetik, kjo është dëshmuar kur ky institucion i Rusisë e ka refuzuar aktakuzën e Bosnjës kundër shtetit të Serbisë, për gjenocid dhe për reparacione të luftës. Ky “Tribunal” i Hagës nuk mund të mbrojë kode juridike për shkakun se sponsorizohet nga patroni i tij OKB, organizatë kjo më e korruptuara politike në historinë e njerëzimit.
Njësoj si Këshilli i Sigurimit që amnistoi krimin e shtetit serb në Kosovë, dhe që barazoi viktimën me xhelatin, njësoj Tribunali i Hagës amniston krimin shtetëror të shtetit serb, pra nuk e dënon shtetin, përfaqësuesin legjitim të shtetit (Milosheviqin dhe Milutinoviqin), po “administratorët” qeveritarë, që mund të kuptohet si një dënim i kriminelëve që janë personalitete pa stabilitet mental (psikologjik), e jo pa moral politik. Nuk ka luftë në të cilën nuk paraqiten individë të pabalancuar mentalisht që janë kriminelë lufte, por tjetër është individi kriminel, e tjetër shteti policor-ushtarak-kriminal. Pra nuk u dënua shteti i Serbisë, por individë që kanë thyer rregullat e luftës, pa u klasifikuar karakteri gjenocidial shtetëror i luftës, por u “dënuan” veprimet e individëve. Kështu Këshilli i Sigurimit amnistoi shtetin serb. Me leje të çurkinëve!
Si e mbrojti Tribunali i Hagës shtetin e Serbisë, si e bëri këtë “norma juridike” e Këshillit (politik) të Sigurimit në OKB? Duke mos e dënuar Milosheviqin dhe Milutinoviqin, që çdo gjyq që nuk do të ishte politik, nuk do t’i konsideronte si individë kriminelë, po si institucion shtetëror në bazë të postit që mbanin në kohën kur shteti ka urdhëruar krimin në Kosovë dhe në Bosnje. Pse nuk dënohet “në mungesë” Milosheviqi? Të gjitha përgjegjësitë vendimmarrëse të shtetit u atribuohen posteve zyrtare të caktuara si supreme të shtetit (presidenti, kryeministri). A dihet se presidenti i një shteti është komandant i forcave të përgjithshme, jo vetëm armatës, por edhe policisë, etj. Kush e urdhëroi armatën dhe policinë e shtetit terrorist të Serbisë të ushtrojë gjenocid mbi 21 mijë civilë shqiptarë dhe gjysmën e popullsisë së Kosovës ta shpërngulë në shtetet fqinjë?
Pse nuk u dënua Milosheviqi? Sepse “vdiq” si patriot i vërtetë i shtetit kriminal, që t’i krijojë alibi shtetit serb të mos dënohet si shtet i krimeve të luftës? Pse nuk u dënua Milutinoviqi? Për të njëjtën arsye si edhe Milosheviqi. A është ky Milutinoviqi që në Parlamentin e Serbisë, dy ditë para se të bëhet invadimi i armatës dhe policisë shtetërore serbe në Kosovë, replikoi me tre deputetë të Vojvodinës të cilëve u tha: ne kemi mbështetje konfidenciale nga disa shtete të fuqishme që thonë se e drejta është në anën tonë! A është ky Milutinoviqi që në Parlamentin Evropian, me një patetikë të ngjizur, akuzoi ndërgjegjen e krishterë evropiane, pse po “u ndihmonte” myslimanëve të Kosovës?
“Myslimanët” e Kosovës kanë luftuar 600 vjet kundër Lindjes dhe sot janë shtet i pavarur (edhe pse i okupuar përkohësisht). “Myslimanët” e Kosovës, (do ta kuptojë shpejt “Këshilli i Sigurimit”) janë popull paqësor dhe 500 vjet e kanë mbrojtur pikërisht ndërgjegjen e krishterë, por duke rezistuar me armë, kjo dihet. Në refuzimin trashëgimor që kanë shqiptarët kundër krimit dhe luftës, megjithatë, shqiptarët asnjëherë nuk kanë lejuar as nuk do të lejojmë të na zhbëjnë rusët dhe aleatët e tyre. Dhjetë vjet na kanë detyruar me polici dhe armatë ta falim (madje as të mos e përmendim krimin e shtetit serb që të mos “frikohen” 5% pakica), por një gjë dihet: sipas së drejtës së zotit, dihet se askush nuk mund ta falë krimin pos viktimës. Ata le ta falin krimin e shtetit serb, se kështu na shtyjnë të bindemi se askush pos ndërgjegjja jonë nuk na ndihmon!


Edituar për herë të fundit nga Agim Gashi në Sat Feb 28, 2009 1:31 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË! Empty Re: Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË!

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 28, 2009 1:29 am

DESTABILIZIMI I OPOZITËS SI STABILIZIM I UNMIK-ut

Teki DËRVISHI


Mënyra si kritikon opozita pushtetin është një klishe standard i përpjekjes për t’ia ngarkuar Qeverisë tërë barrën e përgjegjësinë për situatën totale në Kosovë. Situata e tillë çfarë është sot në Kosovë vjen si kontinuitet i destruksionit dhjetëvjeçar të forcave brenda bashkësisë ndërkombëtare që kanë penguar dhe sabotuar pavarësinë e Kosovës. Rrallë kush nuk e kupton se kriza në Kosovë nuk është shkaktuar për një vit qeverisjeje të Thaçit (2008). Kriza nuk është faj i pushteteve vendëse, por nëse është faj edhe i pushteteve vendëse, atëherë ky faj i bie më së shumti opozitës, sepse ajo ka bashkëqeverisur deri fund të vitit 2006.
Përpjekjet për të grevizuar situatën e brendshme vetëm për “krizën urbane”, në kohën kur Kosova ka një krizë politike të shkaktuar nga Ban Ki Muni, nuk do mend se janë prova për ta hequr vëmendjen e opinionit andej nga nuk gjendet problemi esencial. Kosova ka shumë probleme të brendshme, por për zgjidhjen e tyre duhet gjetur indikatorin, bashkësinë ndërkombëtare, e cila insiston të konstatojë situatën stabile në Kosovë vetëm për ta ruajtur “status quo”-në dhe këtë stabilitet të “status quo”-së ta ruajë duke e destabilizuar situatën e brendshme kinse për çështje sociale (grevë për 40 euro) rritje rrogash etj., etj. Kështu, për të dëshmuar para botës se shqiptarët edhe në pavarësi nuk dinë dhe nuk mund të qeverisin. Pra, sot, kur duhet të jemi të gjithë së bashku përballë destruksionit që vjen nga OKB-ja, opozita (përveç Pacollit) është e përçarë brenda vetes dhe me Qeverinë. Disa herë këtu është propozuar që kritika e opozitës duhet të drejtohet nga ajo pjesë e ndërkombëtarëve që me polici dhe armë shkel Kushtetutën e Kosovës. Është thënë se nëse duhet të kritikohet Qeveria, atëherë duhet të kritikohet vetëm aq sa ajo nuk e ngre zërin kundër atyre “pjesëve” ndërkombëtare që shkelin Kushtetutën. Përkundrazi, opozita mban iso me ndërkombëtarët, dhe destruksionin e UNMIK-ut përpiqet t’ia veshë Qeverisë. Ndërkombëtarët në kontinuitet konfirmojnë gjendjen stabile në Kosovë, duke mos e kualifikuar “llojin” e stabilitetit. Këto “lloje” stabiliteti janë “fabrikate politike” të OKB-së, një lloj note për disiplinën qytetare në kolapsin institucional që kanë shkaktuar të huajt, që edhe sot mbajnë të rezervuara kompetenca vendosjeje autoritare mbi Qeverinë vendëse, e sidomos mbi opozitën që tregohet lojale me të huajt dhe armiqësore me vendësit?!
Pikërisht këto “qendra” destabilizimin e Kosovës e kanë pritur (dhe preferuar) të ndodhë sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Disiplina politike e qytetarëve të Kosovës i ka zhgënjyer armiqtë e pavarësisë. “Stabiliteti politik” në Kosovë ekziston, dhe kjo dikujt në OKB i konvenon, i konvenon ky “lloj” “stabiliteti politik” (status quo-ja politike e cila vazhdon ta shkelë Kushtetutën). OKB-ja provon që ta ruajë këtë “stabilitet politik”, duke u përpjekur të prodhojë “destabilizim social” urban, të problematizojë çështje të brendshme të Kosovës, e të harrohen çështjet e jashtme që ka Kosova në kthetrat e OKB-së!
Sipas parimeve të dikurshme të Musolinit, UNMIK-u në fillim (1999) përdori formulën “përçaj e sundo”, e gjeti Kosovën atëherë me lidership të përçarë që luftonte për pushtet pa qenë shteti asgjëkund. Për shtet nuk ka parti! Ata që sot nuk bëhen bashkë “një parti për shtet” dhe kundër “status quo”-së politike, janë bashkëpunëtorë (mbase të pavetëdijshëm) të UNMIK-ut, kurse dihet me çfarë rezolute “punon” UNMIK-u me bashkëpunëtorët e tij në Beograd e Moskë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË! Empty Re: Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË!

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 28, 2009 1:32 am

KUISLINGËT SIPAS VOJKO VOLKUT

Teki DËRVISHI


Shumë lehtë është të konstatosh një të vërtetë kur ajo dëshmohet me argumente konkrete dhe faktike, që nxirren edhe me provë matematike. Por përvoja e filozofisë nuk provon kurrë të vërtetën absolute. E vërteta absolute quhet ligj i “natyrës”, (por jo i jurisprudencës).
Volk (drejtor politik për Ballkanin, në Slloveni) e ka thënë një të vërtetë, në të cilën e ka përgjithësuar emëruesin e saj në infinit kohe, dhe në pamundësi të diferencimit të koniunkturës politike të Kosovës, e cila prej kësaj “pjese” provinciale, apo qofshin të gjithë grumbull ishin e janë servilë të ndërkombëtarëve? Pra është e vërtetë absolute se provenienca politike e Kosovës është servile dhe u nënshtrohet turpërisht “ndërkombëtarëve”, por nga ky konstatim faktik në formën “e shprehur” nga Volku, është - e vërtetë absolute - por që nuk e përcakton strikt “kohën e veprimtarisë servile” të lidershipit “kosovar”, ndaj e relativizon “absolutizmin” duke mos u përgjigjur a ka qenë servil lidershipi “kosovar” ndaj ndërkombëtarëve edhe pas datës 15 qershor 2009, apo që nga koha e artë e kolonizatorëve serbë të UNMIK-ut, nga viti 1999?
Këtu në këtë “këndin tim” jo më pak se një duzinë herësh e kam quajtur “kuisling” lidershipin kosovar, por asnjëherë para datës 15 qershor, 2009, sepse deri atëherë zyrtarisht Kosova nuk ka qenë e pavarur, por e varur nga ndërkombëtarët. Varshmëria dhe serviliteti kanë qenë legjitime, që do të thotë strategji e vetme politike ka qenë një procedim koherent “i marrëdhënieve” të të varurve nga pushteti absolut i OKB-së, marrëdhënieve që vërtet kanë rezultuar një pjekuri politike të “varshmërisë zyrtare” të detyrueshme, marrëdhënie e imponuar nga fuqia policore-ushtarake ndërkombëtare, që nuk është vënë mbi Serbinë agresore, po mbi popullin e çarmatosur të Kosovës. Askush me mend në kokë nuk do të ngrihej kundër ushtrisë dhe policisë së OKB-së, se kjo do të ishte një lloj kurdistanizmi i Kosovës!
Nëse do ta konsiderojmë sukses të madh historik Pavarësinë e Kosovës, atëherë këtë meritë nuk do ta kualifikojmë si e arritur e servilëve, po si e arritur e një estabilishmenti politik shqiptar shumë të shkathtë në politikëbërje, që ka ditur të bashkëpunojë me “atë pjesë” të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka pasur qëndrim konstruktiv ndaj zgjidhjes së problemit të Ballkanit. Pra është “faktori kohë” që relativizon të vërtetën e Volkut (një politikan shumë qëllimmirë slloven), që e alarmon publikisht rrezikun e mëtutjeshëm të varësisë së “kosovarëve” ndaj ndërkombëtarëve edhe tash kur ata kushtetutshmërisht janë liderë të shtetit të pavarur definitivisht. Pse? Derisa me të drejtë e shpallim meritë të “kosovarëve” pavarësinë e Kosovës, duhet ta përmendim punën destruktive të OKB-së që ka bërë gjatë këtyre dhjetë vjetëve të shkuara, duke e penguar pavarësinë e Kosovës, pikërisht duke spekuluar metoda për ta imponuar dëgjueshmërinë, varshmërinë dhe servilizmin, që e kanë “shitur” si “bashkëpunim”. Merita e madhe që ka estabilishmenti vendës për pavarësinë e Kosovës, nuk do të mund ta amnistojë këtë estabilishment vetëm në një pikë: pse e ka luajtur rolin e faktorit, autoritetit politik, dhe nuk ka insistuar asnjëherë që fajet e gjendjes katastrofale në Kosovë t’ia mbështesë atij që i ka shkaktuar, UNMIK-ut, por e ka marrë këtë përgjegjësi për vete, kështu që UNMIK-ut i ka dhënë azil qëndrimi dhjetëvjeçar në Kosovë. Mediat për çdo gjë fajësojnë pushtetin e Kosovës, e asnjëherë atë të UNMIK-ut, i cili ende i mban “paratë” e Kosovës në banka të huaja dhe ende i mban kompetente “gjashtë pikat” atribuese të vetme të shtetit.
Volk paralajmëron rrezikun e kontinuitetit të varshmërisë. Më vjen mirë që, si thashë më lart, me dhjetëra herë, kjo “temë”, varshmëria kuislinge e pushtetit ndaj të huajve, është shtruar në këtë “këndin tim” nëntë muaj para se ta deklaronte Volku. Por nëse deri më 15 qershor “varshmëria dhe serviliteti” kanë mundur të kualifikohen si strategji “e pjekurisë politike”, pas 15 qershorit kjo do të quhet kuslingitet, sepse është e tillë. Është edhe më keq, se nëse estabilishmenti “kosovar” vazhdon të varet dhe të jetë servil ndaj atyre që po e shkelin haptas Kushtetutën e Kosovës, fjala “kuisling” është e butë, dhe fjala adekuate duhet të jetë “tradhti” ndaj shtetit, sovranitetit të tij.
Nisur nga situata aktuale e “shumësistemshmërisë” në Kosovë jashtë juridiksioneve kushtetuese, a supozojmë apo konstatojmë se jemi shtet i varur apo i pavarur, shtet ku vazhdon që përgjegjësia t’u ngarkohet vendësve, kurse vendosja politike ndërkombëtarëve, që asnjëherë nuk kanë marrë dhe ende nuk marrin përgjegjësi për sabotazhin e një pjese mafioze politike në Këshillin e Sigurimit? Disa do ta kenë përgjigjen në xhep, të indoktrinuar nga “reklama permanente politike” e “bashkësisë” ndërkombëtare në media: institucionet e shtetit dhe të pushtetit tashmë janë në duart e vendësve! Por një gafë e Andy McGuffie (drejtor për komunikime në ICO) dëshmon të kundërtën. Ai thotë se “tash ka më shumë institucione nën kontrollin e Kosovës”! Pra nuk janë të gjitha, por “më shumë”. Po ato “më pak” (që nuk janë nën kontrollin e Kosovës) cilat janë: janë 1. policia, 2. gjykatat, 3. doganat, 4. transporti, 5 vijat kufitare dhe 6 (pikat) trashëgimia. Pra i mungojnë Kosovës të gjitha ato institucione që janë atribute kushtetuese shtetformimi, dhe këto ende janë në duart e serbëve dhe ndërkombëtarëve në UNMIK!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË! Empty Re: Teki Dervishi:TRIBUNALI I OKB-së NË HAGË AMNISTOI SHTETIN E SERBISË!

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi