Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Letër e hapur, Nga Abdirahimi Idrizi

Shko poshtë

Letër e hapur, Nga Abdirahimi Idrizi Empty Letër e hapur, Nga Abdirahimi Idrizi

Mesazh nga Agim Gashi Tue Aug 17, 2010 10:23 am

Letër e hapur, Nga Abdirahimi Idrizi

TETOVAR NË PRISHTINË, KOSOVAR NË TETOVË!
Sivjet kur po shkeli në të gjashtëdhjetat, dallgët e jetës që më kanë përplasur sa në Tetovë, sa në Kroaci e sa në Kosovë, më kanë bërë të ndihem edhe tetovar edhe prishtinas, por në radhë të parë shqiptar. Ndonëse u linda në Tetovë (më 10 korrik 1950), një pjesë të madhe të jetës e kalova në Prishtinë – Kosovë. Është interesant se kosovarët kurrë nuk më kanë pranuar si të tyre (kosovar), por gjithnjë më kanë konsideruar si tetovar – si qytetar i Tetovës.
Nga ana tjetër, për bashkëqytetarët e vendlindjes sime, për Tetovën dhe për tetovarët, unë kam qenë edhe kam mbetur edhe si kosovarë, por edhe si tetovarë, pra në një formë kam qenë i privilegjuar, dhe vetën e kam ndier me fat sepse edhe Tetovën, edhe Prishtinën i kam përjetuar si të miat. Duhet të jem i sinqertë se për shkrimet e mia, të përmbledhura në librat
“Ndriçimi Mendjes”, “Libri i Jetës”, “Monografia e Poliklinikës Galaxy”, “Kënaqësitë e Seksit”, “Biznesi Familjar”, dhe “Suksesi Financiar 1 dhe 2”, frymëzimin e kam kryesisht nga Kroacia dhe nga Kosova, e më së paku nga Tetova. Këto libra i kam shkruar e botuar me qëllim që t’i lë si një dëshmi për familjen, për miqtë dhe një kontribut modest për lexuesit e mi të respektuar. Më duhet të konstatoj se vendlindja ime letrare, në plotkuptimin e fjalës, është Prishtina!

Tetova dhe unë
Që në fillim më duhet të theksoj se jam shumë i indinjuar me partinë e dalë nga lufta në Maqedoni-BDI-në, posaçërisht me liderin e saj zotëri Ali Ahmetin.
Unë, por edhe familja, e kemi ndier si detyrim, që përpara dhe gjatë luftës të japim kontribut, posaçërisht në sektorin e Shëndetësisë. Kontributi i im familjar dhe ai personal nuk ka qenë për interes as për pushtet. Ka fakte dhe dëshmi se asnjë nga familjarët e mi nuk është përfaqësuar në asnjë segment të interesit dhe të përfaqësimit në sektorin e pushtetit shoqëror në Maqedoni. Ka fakte dhe dëshmi për kontributin e dhënë në themelimin e Spitalit Ushtarak në katundin Shipkovicë të Tetovës:
- Një sallë e Operacionit me instrumente e gatshme për punë, është transportuar
nga Poliklinika GALAXY, në rajon të luftës;
- Mjekët, Dr. Hasan Ibrahimi dhe Dr. Sadik Llullaku, kirurg, të punësuar në
poliklinikën GALAXY të Prishtinës, nga kjo Poliklinikë janë nisur për në teren
të luftës.
- Zotëri Bardhyl Tahiri, Gjeneral, me Akademi Ushtarake, ka prit një muaj në lokalet e Poliklinikës GALAXY në emër të Shtabit të përgjithshëm për verifikim, për karakteristikat e personalitetit, për plotësimin e kushteve për inkuadrim në luftë të UÇK-së të Maqedonisë, (ekziston dëshmia e procesverbalit në Poliklinikën GALAXY dhe dëshmitarë nga rajoni i luftës Dr. Shpend Saliu).
- Personalisht me mua në përcjellje kanë qenë, nga Prishtina për në Prizren, zotëri Pajazit Lika përfaqësuesi politik për Kosovë, Dr. Aqif Mejdiu përfaqësuesi mjekësor për Kosovë, ku na ka pritur Gjenerali Gëzim Ozdreni dhe një zotëri me pseudonimin Haxhi Baba nga Kërçova...

Këta persona
Zotërinjtë e BDI-së të cilët tani janë në koalicion qeverisës në Maqedoni, asnjëherë nuk e panë të arsyeshme që këtë kontribut ta vlerësojnë së paku me një falënderim, apo me një mirënjohje të thjeshtë. Ata me këtë veprim në radhë të parë do ta nderonin vetveten.
I lumtë Ali Ahmetit-Abaz Xhukës, që e quan vetën shpëtimtar i shqiptarëve, i cili e shfrytëzoi rastin që me disa shokë të tij, të vijnë nga diaspora, që brenda natës arritën nga malet dhe në emër të luftës arritën të materializojnë pushtetin në emër të kombëtares. Këta persona nuk e meritojnë as të përmenden.
Edhe këta kanë ndjekur rrugën e pararendësve të tyre (PDSH) të cilët në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emër të madhores SHQIP-SHQIP,
arritën të dalin në sipërfaqe pasi e morën pushtetin duke u demaskuar plotësisht se kjo parti ka qenë dhe është peng i interesave të ngushta të Menduh Thaçit. Ish-lideri i saj Arben Xhaferi, ka qenë marionetë i liderit të tashëm Menduh Thaçi, i cili aq shumë e ka keqpërdorë pushtetin, aq shumë e ka materializua emër të popullit, sa që nuk ia vlen të shkruhet dhe të përmendet. Turp, turp, turp...
Njëjtë si vendlindja ime, Tetova, edhe Prishtina ime e dashur nuk e ka parë të udhës që të paktën në një rast të vetëm të më falënderojë për kontributin e dhënë që nga viti 1990, kur nga Kosova iknin njerëzit nga se u kanosej rreziku fizik dhe ai ekonomik.
Ka një mori dëshmish për kontributin tim që nga viti 1990 e deri në periudhën e luftës në Kosovë (shiko Monografinë e Poliklinikës GALAXY)
Për çdo vit, personeli dhe miqtë e Poliklinikës GALAXY, me kënaqësi dhe me mburrje e shënojnë përvjetorin e themelimit të institucionit që unë e drejtoj.

Përndjekja ime vazhdoi
Me keqardhje i përjetoj momentet e shënimit të përvjetorëve të të burgosurve politik në demonstratat e vitit 1968, në Tetovë. Organizatorët e këtyre përvjetorëve asnjëherë nuk e panë të arsyeshme, që së paku vetëm me një falënderim të na përkujtojnë e të na nderojnë edhe neve si të burgosur. Disa ish të burgosur që arritën të “transformohen” dhe ta materializojnë bagazhin e krijuar nga qëndrimi në burg, nuk lodhën fare për të tjerët. Madje, “të tjerët” për ta janë të padëshirueshëm, të dyshimtë, disa janë kapitalistë disa janë enveristë... (Rast më eklatant është Rafi Halili, i dënuar politik, i plagosur nga policia në ditën e arrestimit, të cilin e ka kapluar varfëria e skajshme, dhe jeton në gjendje të mjerueshme në Çarshi të Epër të Tetovës).
Nuk i kisha mbushur ende 20 vjet kur në maj të vitit 1970, u mbajta për 105 ditë nën hetime, në vetmi në çelitë e burgut hetimor i akuzuar për kundërrevolucion ndaj shtetit jugosllav, nga gjykata Ushtarake Supreme e Zagreb, ende pa e kryer shërbimin Ushtarak. Së bashku me mua u dënuan edhe dy shokë nga Kosova që ishin ushtarë në Kroaci, tashmë i ndjeri Bejtush Shasivari-Peci nga fshati Zhazhë i komunës së Mitrovicës, i ekzekutuar në demonstratat e burgut të Nishit të vitin 1974, dhe Ramadan Prenku nga Mitrovica.
Përndjekja ime vazhdoi. Isha në shënjestër të agjentëve të UDB-së. Në vitin 1982, nga një inspektor i lartë i punëve të brendshme për Maqedoninë perëndimore, një shqipfolës me emrin Behxhet Behxheti, një gjakpirës për shqiptarët nga Kërçova, me disa shqiptarë të njëjtë si ai, kishin organizuar atentat ndaj meje me qëllim që të më likuidonin. Por fal zotit, pas gjithë atyre plagëve me thika, dhe pas disa operacioneve në Spitalin e Shkupit, arrita të mbijetoj dhe të vazhdoj të punoj.
Tash kur shkruaj këto reshta

Këto që më kanë ndodhur mua nuk kam dashur t’i bëj publike me të vetmin qëllim që të mos ngjall ndonjë keqkuptim apo edhe keqinterpretim. Mirëpo, pas shumë mëdyshjeve dhe hezitimeve, vendosa t’i qes në letër.
I vetëdijshëm për luftërat që u zhvilluan në Kosovës, Preshevë e Maqedoni, vazhdova kontributin tim në mbështetje të këtyre luftërave sepse konsideroja se lufta kërkonte sakrificë, kërkonte mobilizim, kërkonte investim. Këtë e bëra pa as më të voglin interes, i shtyrë nga idealet kombëtare dhe ato fetare.
Tash kur i shkruaj këta reshta, jam shumë i zhgënjyer. I zhgënjyer sepse në skenë dolën njerëz të pa njohur për tetovarët. Askushi u bë dikushi, dhe në emër të luftës e të patriotizmit, bënë transaksione në dëm të popullit të pambrojtur. Por shumë shpejtë ranë maskat e tyre dhe e vërteta u shpalos. Pra ishte interesi personal i tyre të cilin e realizuan në emër të madhores.
Të gjitha këto i shkruaj me një dhimbje shumë të madhe. I shkruaj shkaku se partitë për të mbrojtur interesat e grupeve të ngushta kanë hyrë në koalicion me agresorin. Pushtetmbajtësit maqedonas me të cilët sot është në koalicion BDI-ja, janë agresorë të tipit allamillosheviqjan që hapur kanë punuar dhe po punojnë në dëm të popullit shqiptar.
Librat e mi nuk i shkruaj për grada, as për famë as për interes. Çfarëdo që të shkruaja për vetën time ndoshta do të kisha qenë i njëanshëm. Por ka persona që kanë ofruar të dhëna për mua dhe familjen time, duke e vlerësuar institucionin që unë drejtoj, duke më vlerësuar mua dhe familjen time. Janë: Adem Demaçi, Bardhyl Mahmuti, Prof. Dr. Sadi Bexheti, Shaban Hoxha, Prof. Dr. Ilir Tolaj, Prof. Daut Demaku, Albin Kurti, Driton Lajçi, Muhamet Mavraj, Dr Hajrulla Fejza, Mr. Ph. Haki Ejupi, Prof. Dr. Ymer Koçinaj, Dr. Fatime Shkodra, Dr. Mustafa Xhabiri, Fatmir Bekqeli, Miradije Statovci..., që me deklaratat e tyre dëshmojnë se çfarë kontributi kam dhënë unë dhe institucioni që e drejtoj. (shiko Monografinë e Poliklinikës GALAXY).

Kurbetçar në vendin tim!

Unë u rrita në Çarshi të Epër, në Tetovën time, në vendlindjen e prindërve të mi, të babait Lutfi, nga gjyshi Akik dhe nëna Mejreme. Kosovën dhe Prishtinën time e përfaqësova sa munda dhe sa dita. Si një tetovar që jam, u mundova t’i përshtatem kohës, t’i përshtatëm nevojës. Besoj se kam qenë në shërbim të arsyes, në pajtim me urdhrat e Zotit.
Sot, tek po mbush 60 vjet jetë në Prishtinë (gjashtë dekada jetë, heuuu!), asnjeri dhe asnjëherë – as në Prishtinë, nuk më ka quajtur prishtinas a “e as prishtinali”. Jo. Kurrë. Gjithmonë, për prishtinasit, unë kam qenë dhe kam mbetur – Tetovar. Me fjalë të tjera, kjo i bie se unë, në të vërtetë, për gjithë këto mote, s’paskam qenë tjetër pos – një kurbetçar!.
Njeri me dy-tre atdhe. Njeri me një vendlindje (Tetovën), dhe me shumë vendbanime, në Kroac, Prishtinë...
Tetovar në Kosovë, Kosovar në Tetovë!
Megjithatë unë ndjehem i lumtur. Ndjehem i nderuar në rrethin tim të ngushtë, i respektuar nga bashkëpunëtorët e mi, nga miqtë e mi, nga familjarët...

Pse këta rreshta?

Synimi i këtyre rreshtave, nuk është aspak i paqëllimtë. Për herë të parë, kështu e në këtë mënyrë, në të gjashtëdhjetat e jetës sime, botërisht e publikisht deklaroj se:
Unë, Abdirahim Idrizi, ndjehem tetovar dhe prishtinas. Tetova është vendlindja ime. Është i vetmi vend në trojet shqiptare që nuk ka migruar në dhe të huaj, në një drejtim (si p.sh, struganët, dibranët, të cilët njëjtë si Plava e Gucia ikën për në Amerikë. Tetovarët nuk varrosen jashtë Tetovës. Tetovarët që shumë herët ia kanë filluar të dalin në kurbet, nuk janë pajtuar kurrë me sundimet e ndryshme. Në Maqedoni, maqedonasit për shqiptarët janë të huaj, janë të ardhur janë të pa dëshirueshëm, ashtu sot e kësaj dite shqiptarët e Maqedonisë nuk janë barrë e askujt, popullata shqiptare është duke u trajtuar vetëm si një taksapagues i mirë më një përqindje bukur të madhe, kurse të mirat i shfrytëzojnë maqedonasit...
Ndjehem prishtinas sepse Prishtina është jeta ime, Kosova është ëndrra ime.

Dhe për fund...

Respekt për të gjithë ata që e lexojnë këtë letër dhe e kuptojnë mesazhin e saj. Shëndet dhe gjithë të mirat për ata që mendojnë dhe veprojnë si unë.


Abdirahim Idrizi, drejtues dhe pronar i Poliklinikës GALAXY

Prishtinë, shkurt 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi