Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fushatë në New York

Shko poshtë

Fushatë në New York Empty Fushatë në New York

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 01, 2009 1:59 pm

Fushatë në New York
Presidenti Fatmir Sejdiu, në Selinë e OKB-së në New York, pritet të takojë përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Deklaratën e Pavarësisë. Po ashtu, ai do të takohet edhe me diplomatin amerikan, Frank Wisner. Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni kthehen sot në Prishtinë.

Nga Leonard Kerquki më 01.03.2009 në ora 8:44

Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni pritet të kthehen të dielën në Prishtinë, derisa presidenti Fatmir Sejdiu do ta vazhdojë vizitën e tij në New York.

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, Shefi i Shtetit të hënën dhe të martën pritet të ketë dhjetëra takime me ambasadorë të vendeve të ndryshme që ende nuk e kanë njohur Deklaratën e Pavarësisë.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Washington, Avni Spahiu, ka dhënë detaje nga kjo fushatë lobuese e presidentit.

“Presidenti ka shkuar dje në New York. Ai do të takohet me ambasadorë të vendeve të ndryshme në OKB, vendet e të cilëve ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Spahiu për Express, të shtunën.

Sipas tij, qëllimi është që të insistohet te këto vende që ta njohin Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Burime të Expressit thonë se në fokus të fushatës lobuese të presidentit Sejdiu do të jenë përfaqësuesit e vendeve të Lindjes, pjesë kjo e planetit që ende është hezituese për ta njohur shtetin e ri.

Diplomati kosovar, Avni Spahiu nuk ka dashur të flasë konkretisht se kënd pritet ta takojë presidenti.

“Presidenti do të ketë takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme nga të gjitha kontinentet”, ka thënë ai.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, presidenti i Kosovës pritet të takohet edhe me Frank Wisner-in, ish-përfaqësues i
Shteteve të Bashkuara në negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Gjatë këtij takimi, presidenti pritet t’i kërkojë diplomatit Frank Wisner ndihmën e tij në procesin e lobimit për njohjen e pavarësisë, duke ditur që ai gëzon reputacion të mirë në disa shtete aziatike.

Por gjatë kësaj vizite, presidenti nuk do të ketë asnjë takim me zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Hyseni, takuan të enjten zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden dhe sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Këto dy takime janë konsideruar si historike për Kosovën.

“Është një vizitë historike për Kosovën, sepse patëm nderin e veçantë që të priteshim nga kjo administratë që ka pak më shumë se një muaj që ka marrë detyrën. Kjo vizitë është e rëndësishme, pasi është konstatuar një politikë konstante e administratave amerikane ndaj Kosovës, të cilat kanë mbështetur pavarësinë”, ka thënë presidenti Sejdiu, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kreu i shtetit ka nënvizuar gjithashtu se gjatë takimeve, përveç mbështetjes së SHBA-së është folur edhe për sfidat që Kosova ka përpara. Ai ka shtuar se vizita në Washington ka qenë edhe një masë ndaj përpjekjeve të Serbisë për të penguar njohjen e mëtejshme të pavarësisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se tash edhe administrata e re amerikane ka rikonfirmuar mbështetjen për njohjet e mëtutjeshme të Kosovës, të cilat do të ndodhin javëve dhe muajve të ardhshëm.

Sipas tij, ishte konkludim i përbashkët i Prishtinës dhe Washingtonit se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Edhe ai e vlerësoi tejet të suksesshme vizitën e delegacionit shtetëror në Shtetet e Bashkuara.

Një ditë përpara se të priteshin nga zëvendëspresidenti Biden dhe sekretarja Clinton, lidershipi i Prishtinës ka zhvilluar një sërë takimesh me kongresistë amerikanë dhe përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Bekim Çollaku, këshilltar i lartë politik i kryeministrit, i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këto takime.

“Presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm një ditë të tërë kanë takuar kongresistë dhe përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Takimet kanë qenë mjaft të rëndësishme”, ka thënë ai për Express, të shtunën.

Presidenti Fatmir Sejdiu pritet të kthehet të kthehet në Prishtinë të mërkurën, më 4 mars.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi