Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Daci nuk përjashton bashkimin me LDK-në pa Sejdiun

Shko poshtë

Daci nuk përjashton bashkimin me LDK-në pa Sejdiun Empty Daci nuk përjashton bashkimin me LDK-në pa Sejdiun

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 08, 2010 11:53 pm

Daci nuk përjashton bashkimin me LDK-në pa Sejdiun

Daci nuk përjashton bashkimin me LDK-në pa Sejdiun 36805_114220035295642_100001229395484_106664_1250523_n
Prishtinë, 8 tetor - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, është i bindur se as 30 për qind e votuesve nuk do të dalin në zgjedhje të parakohshme nacionale, nëse vendoset që ato të mbahen në dhjetor ose në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm. Këtë e ka shprehur në një intervistë për “Kohën Ditore”, të cilën kjo e ka publikuar sot. Ai druan se dita e shkurtër dhe moti i ftohtë do të shkonin vetëm në favor të “kontrabandistëve të votave”, të cilët, sipas tij, do t’i mbushnin kutitë e votimeve për interesa të caktuara partiake. Kohën më të përshtatshme për zgjedhje ai e sheh tek nga fillimi i pranverës, apo nga fundi i mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.
Ish-kryeparlamentari Daci beson se Krasniqi është i vullnetshëm për t’i kryer punët me rregullsi, por, nuk e përjashton mundësinë që edhe mbi të ushtrohen presione të jashtme. Daci konsideron se vendi nuk do të vinte para një situate të tillë, sikur partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK, do të punonin për interesa të shtetit e jo për interesa personale e klanore.
Ripërtëritja e një koalicioni të tillë pas zgjedhjeve të ardhshme, sipas tij, do të ndikonte në shpërnguljen e qytetarëve nga Kosova.
Kreu i LDD-së është shumë i sigurt se “dy partitë rugoviane” do të ishin të pakonkurrencë në rast të bashkimit të forcave. Por ai ka një parakusht për një bashkim i tillë. Nuk e dëshiron Fatmir Sejdiun dhe formacionin e tij në krye të LDK-së. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, kryetari i LDD-së shpreh qëndrimet e partisë karshi proceseve të hapura politike në vend. Nuk pranon ta zbulojë platformën që LDD-ja do t’ua ofrojë zgjedhësve, por është optimist se partia e tij do të jetë “100% në qeverisje”

Për koalicionin aktual qeverisës Dci ka thënë se ai e kishte instaluar veten si koalicion për shtetin dhe “gjithë kohës ka qenë antishtetit duke punuar për interesa të veta.” Siç është shprehur ai, po të kishte pasur pak sjellje kushtetuese të këtij koalicioni, do të kishin mundur ta zgjidhnin presidentin. Sepse i kanë votat në parlament. Opozita i ka vetëm 30 vota. Mbi 85 i ka ai koalicion dhe meqë ai koalicion ka qenë koalicion për veten, për klane, që ne kemi thënë edhe koalicion i krimit, korrupsionit dhe sjelljes antishtetërore, atëherë do të ishte për ne plotësisht e pajustifikueshme që t’i bëhet qejfi prapë këtij koalicioni.

I pyetur nëse dyshon se Krasniqi mund të sillet ashtu siç duhet në këto rrethana, Daci është përgjigjur “Ndonjëherë tenton”.
Rreth pragut zgjedhor apo të zonave zgjedhore, Daci është shprehur në favor të asaj që thotë edhe shoqëria civile ose spektri më i gjerë politik. “LDD-në nuk e pengon pragu zgjedhor 10%, as 5 %, e as 3%. Ne jemi në favor të asaj që të kemi dalje sa më të madhe në zgjedhje e të mos jemi nën 40%, siç ka ngjarë në zgjedhjet e fundit nacionale dhe lokale”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse shpallet një datë e hershme e zgjedhjeve, unë jam i bindur se as 30% e elektoratit nuk do të dalë në votim. Çka bëhet atëherë. Dalin bandat. I mbushin kutitë, sepse në orën 16:00 bëhet terr. I kërcënojnë komisionarët për t’i nënshkruar listat. Ne i kemi zgjedhjet lokale, të cilat nuk po mund të kryhen qe një vit.

Daci po ashtu ka thënë se LDD do të shkojë vetëm në zgjedhje. “ I patëm dërguar një letër LDK-së, konkretisht kryetarit të ngrirë e tash të shkrirë të kësaj partie. Ka qenë një kërkesë shumë serioze e LDD-së. Kam qenë në gjendje me gjithçka të garantoj se do t’i fitonim zgjedhjet dhe në mënyrë shumë relaksuese. Por njerëzit e krimit, që janë të implikuar në të gjitha llojet e krimeve, reketëve, krimeve ekonomike, nuk mund të mendojnë për ardhmërinë e një shtëpie”. Ai është shprehur se LDD-së me LDK-në bashkë askush nuk do të mund t’u konkurronte, por ka përjashtuar mundësinë e çfarëdo bashkimi derisa të jetë Sejdiu aty.

Pyetjes së “Kohës...” derisa të jetë ajo strukturë në LDK, ju i përjashtoni gjasat për një bashkim forcash?
Daci i është përgjigjur shkurt: “As gjasat teorike nuk ekzistojnë” (më gjerësisht sot në “Koha Ditore”).

Faleminderit për rekomandimin

Daci nuk përjashton bashkimin me LDK-në pa Sejdiun 36691_109006515816994_100001229395484_73615_6808991_n
Intervista e kryetarit Daci dhënë gazetës "Koha Ditore"
Intervistoi: Agron Halitaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, është i bindur se as 30 për qind e votuesve nuk do të dalin në zgjedhje të parakohshme nacionale nëse vendoset që ato të mbahen në dhjetor ose në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm. Ai druan se dita e shkurtër dhe moti i ftohtë do të shkonin vetëm në favor të “kontrabandistëve të votave”, të cilët, sipas tij, do t’i mbushnin kutitë e votimeve për interesa të caktuara partiake. Kohën më të përshtatshme për zgjedhje ai e sheh tek nga fillimi i pranverës, apo nga fundi i mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari Daci beson se Krasniqi është i vullnetshëm për t’i kryer punët me rregullsi, por, nuk e përjashton mundësinë që edhe mbi të ushtrohen presione të jashtme. Daci konsideron se vendi nuk do të vinte para një situate të tillë, sikur partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK, do të punonin për interesa të shtetit e jo për interesa personale e klanore.

Ripërtëritja e një koalicioni të tillë pas zgjedhjeve të ardhshme, sipas tij, do të ndikonte në shpërnguljen e qytetarëve nga Kosova.Kreu i LDD-së është shumë i sigurt se “dy partitë rugoviane” do të ishin të pakonkurrencë në rast të bashkimit të forcave. Por ai ka një parakusht për një bashkim i tillë. Nuk e dëshiron Fatmir Sejdiun dhe formacionin e tij në krye të LDK-së. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, kryetari i LDD-së shpreh qëndrimet e partisë karshi proceseve të hapura politike në vend. Nuk pranon ta zbulojë platformën që LDD-ja do t’ua ofrojë zgjedhësve, por është optimist se partia e tij do të jetë “100% në qeverisje”


KD: Pas dorëheqjes së ish-presidentit, Fatmir Sejdiu, janë krijuar rrethana të reja të cilat pashmangshëm po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Si po gjendet LDD-ja përballë situatës së krijuar?

Daci: Mund t’ju them se LDD-ja është shumë komode që nga Konventa e dytë zgjedhore dhe nga krijimi i një strukture homogjene dhe cilësore në strukturat ekzekutive në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesi të partisë. Në një mënyrë ky komoditet është rritur nga fakti që LDD-ja ka qenë e vetmja parti parlamentare që ka kërkuar debat parlamentar për mosrespektimin e Kushtetutës dhe në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen se po shkelet rëndë Kushtetuta. Unë nuk jam kufizuar vetëm në presidentin, por në koalicionin qeverisës PDK-LDK. Mendoj se edhe sot po vazhdon ai proces, prandaj LLD-ja është shumë komode, është shumë e lirë, pasi nuk ka hipoteka që e pengojnë punën dinamike dhe aktive të saj.

KD: Është e kuptueshme që opozita gjithkund në botë i shfrytëzon dobësitë e qeverive për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo për t’i hyrë një procesi të tillë duhen përgatitje. Si qëndron puna me LDD-në, pasi disa parti veç kanë shprehur dozat e para të dyshimit se Kosova nuk është e gatshme për zgjedhje të shpejta?

Daci: Duhet t’ju them se LDD-ja është shumë e përgatitur dhe është në finalizimin e plotë të konceptit të vet qeverisës për shtetin kushtetues dhe për qytetarin krenar e të lumtur me atë shtet. Por LDD-ja edhe në rrethanat e krijuara nuk mendon se duhet nxituar kohë e pa kohë.

KD: Kur pra, sipas jush, do të ishte koha më optimale për zgjedhje?

Daci: Meqë jemi në njëfarë mënyre gardianë të Kushtetutës në Parlament, mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin kushtetues, por në limitin e skajshëm që anon nga pranvera. Nuk dua të merrem me data. Sepse interpretimin duhet ta bëjnë ekspertët. Unë nuk jam ekspert kushtetues. Por në asnjë mënyrë nuk jam që në rrethana, siç po perceptohet nga disa media, jo 30 janari, jo dhjetori, jo 6 shkurti. Mendoj se asnjëra prej këtyre datave nuk është e përshtatshme për zgjedhje për shumë arsye. Një, në Kosovë nuk ka sallë sportive ose vend ku mund të tubohen qytetarët e të presin një orë apo dy për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Dita është shumë e shkurtër. Dritë të natyrës apo të Zotit ka shumë pak dhe ne e kemi përvojën shumë të hidhur që në terr kontrabandistët e votave i fikin dritat dhe i mbushin kutitë. Kjo mund të dokumentohet në shumë komuna. Prandaj, do të ishte mirë që të respektohet Kushtetuta, por në atë pjesën përfundimtare kur mund të konstituohen organet shtetërore.

KD: Të gjitha datat janë përmendur duke u ndërlidhur me 27 marsin, ditën kur edhe u.d. të presidentit i përfundon mandati kushtetues.

Daci: Ky koalicion qeverisës e ka instaluar veten si koalicion për shtetin dhe gjithë kohës ka qenë antishtetit duke punuar për interesa të veta. Po të kishte pasur pak sjellje kushtetuese të këtij koalicioni, do të kishin mundur ta zgjidhnin presidentin.

KD: Besoni se kanë mundur të bien në pajtim për këtë gjë?

Daci: Gjithsesi, sepse i kanë votat në parlament. Opozita i ka vetëm 30 vota. Mbi 85 i ka ai koalicion dhe meqë ai koalicion ka qenë koalicion për veten, për klane, që ne kemi thënë edhe koalicion i krimit, korrupsionit dhe sjelljes antishtetërore, atëherë do të ishte për ne plotësisht e pajustifikueshme që t’i bëhet qejfi prapë këtij koalicioni. Spekulimet ishin prapë këto ditë se janë marrë vesh Sejdiu e Thaçi. Çka kanë të merren vesh ata dy. A duan prapë ta bëjnë një koalicion që na detyron të shpërngulemi të gjithë ne qytetarët e tjerë e të mos jetojmë më në Kosovë. Andaj jemi për një afat zgjedhor që i konvenon shumicës së subjekteve politike, e jo dy më të fortave.

KD: Këto zgjedhje po vijnë pikërisht për shkak të shkeljes së kushtetutshmërisë. A do të lejojë LDD-ja që ato të fillojnë me shkelje ligjore. Kemi PDK-në, që është vënë në qendër të kritikave për shkak se nuk i ka kryer obligimet karshi KQZ-së?

Daci: E kush mund të thotë se një partie mund t’i bëhen favore duke e shkelur Kushtetutën. Kjo është absurde. Në Kryesi ka pasur zëra që edhe ne të dalim me qëndrim. Por ne themi që të respektohet Kushtetuta, ligjet dhe rregulloret që janë në fuqi dhe të mos ketë amnisti për asnjë parti. Nëse thuhet se një parti duhet të certifikohet për një proces zgjedhor, ajo duhet t’i plotësojë kushtet. Nuk mund një parti më e madhe aktualisht që të sillet si të dojë. Atëherë shkelet prapë Kushtetuta dhe fillojnë prapë proceset e tjera dhe, më nuk do të na besojë askush në botë.

KD: AAK-ja veç ka paralajmëruar se çështjen e PDK-së do ta ngrejë në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk respektohen rregullat zgjedhore?

Daci: Çka deklarojnë partitë politike individuale me kohë e pa kohë, nuk është në rregull, sepse e njëjta parti që ju po e përmendni ka kërkuar nga kjo zyrë që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese qysh në fillim të mandatit ish-presidentin?

KD: Dhe,.....

Daci: Dhe s’e ka bërë. Unë ia kam thënë pozicionin e LDD-së që duhet të shqyrtohen njëherë raportet dhe pozicioni, sepse ishte në fillim të Gjykatës Kushtetuese. Ne do të mundohemi që të jemi shumë bashkëpunues me të gjitha subjektet politike jashtë koalicionit qeverisës, edhe me shoqërinë civile dhe nëse vërtet u.d. i presidentit e cakton një datë të atillë, ne nuk kemi çare pa u thënë, ose si LDD vetëm, se a ja vlen të hyjmë në një proces zgjedhor i cili paraprakisht është i kurdisur për një rezultat që i konvenon dikujt.

KD: Jeni ndër të parët që jeni takuar me u.d. të presidentit. E keni ngritur në atë takim çështjen e ligjit zgjedhor?

Daci: Po, kemi biseduar për këtë çështje. Përshtypja ime është, aq sa e njoh u.d. të presidentit, Jakup Krasniqi, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe tash, se ai është bashkëpunues dhe dëgjues i vëmendshëm i asaj çfarë i thonë. Unë kam kërkuar të njëjtën gjë që po jua them edhe juve. Ai e ka një shans që ta zvogëlojë hendekun e skemës politike që është në Kosovë, e që është krejtësisht e çartur. Dhe kjo e dëmton shumë shtetin. Po të kishte ai guxim, të jetë siç ka qenë Daci në një periudhë, në luftë me personalitetin e vet në interes të qetësisë në Kosovë, ai do ta respektonte atë, po e them, dhe zgjedhjet do të mbaheshin diku në fund të mandatit të tij. A do të jetë, në fillim të marsit apo në fillim të shkurtit, unë me të vërtetë datat nuk i di se do t’i thosha, dhe ne do të shkonim të gjithë të përgatitur. Përndryshe, optika që ishte sot në Parlament nuk është shumë premtuese, sepse po mbështeten në lloj-lloj interesash si gjithmonë.

KD: Dyshoni ju se Krasniqi mund të sillet ashtu siç duhet në këto rrethana?

Daci: Ndonjëherë tenton. Kam bashkëpunuar me të në kohëra shumë të vështira sa ka qenë shef i Grupit parlamentar. Kam pasur qasje shumë ofruese me liderët e opozitës dhe me shefat e GP-ve. Ai do të duhej të bisedonte shumë me njerëz që kanë mendim tjetër fare, sepse vetëm ajo e relakson. Po them diçka për herë të parë për ju, sepse jeni medium serioz. Kurrë, asnjë udhëtim për 5 vjet si kryetar i Parlamentit nuk e kam bërë vetëm nëpër Evropë, apo vetëm me Fatmir Sejdiun ose me njeriun e Ramush Haradinajt në pozitë. Përkundrazi, kam pasur kërkesë që anëtarët e Kryesisë të mos i merrja me vete. Por unë nuk i kam ndarë dhe kemi shkuar pothuajse gjithmonë bashkë vetëm për të demonstruar unitet veprues. E çka demonstrohet tash. Nganjëherë them, nuk dinë të bëjnë shtet ata që nuk kanë qenë në institucione të shtetit, në universitete të shtetit, në specializime të shtetit, kudo qoftë në Evropë apo në Amerikë. Nuk dinë të bëjnë. Dinë ndoshta t’i përmbushin nevojat personale, siç po shihet nga pasuritë enorme të ish-presidentit, familjeve të tyre apo të njerëzve të tjerë. Por e kanë krejt utopi. Është treguar se është marri dhe dëm për shtetin ai koalicion.

KD: Në këto rrethana çfarë janë, cilët do të kishin qenë hapat e duhur që duhet ndërmarrë për të siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike?

Daci: E para. Ligji i ri nuk ka teori që të nxirret, por mund të amendamentohet me një seriozitet veprimi.

KD: Keni ju vërejtje apo sugjerime për këtë ligj?

Daci: Kemi vërejtje, por nuk po humbim shumë kohë me to. Ato zbrazëti që ka treguar shteti në pavarësi duhet të korrigjohen me një qasje të sinqertë me grupet parlamentare, me një qasje vërtet pro Kosovës dhe jo vetëm me fraza. Ligji mund të amendamentohet në procedurë të përshpejtuar. Shanset janë. Kam një besim në kryetarin e Parlamentit, sepse ndonjëherë ai insiston në rregullshmëri, kur është i lirë, apo kur e lënë të lirë.

KD: Si e sheh partia juaj çështjen e pragut zgjedhor apo të zonave zgjedhore?

Daci: Për pragun zgjedhor ne kemi thënë se do të jemi në favor të asaj që thotë edhe shoqëria civile ose spektri më i gjerë politik. Nuk po flas me numra, sepse ata nganjëherë janë të rrezikshëm. Ti ia bën dikujt gropën, por mund të biesh vetë në të. Kemi ne raste në praktikën tonë parlamentare dhe nuk dua të merrem me të kaluarën. LDD-në nuk e pengon pragu zgjedhor 10%, as 5 %, e as 3%. Ne jemi në favor të asaj që të kemi dalje sa më të madhe në zgjedhje e të mos jemi nën 40%, siç ka ngjarë në zgjedhjet e fundit nacionale dhe lokale. Nuk është mirë që t’i bëhen ndërskamca askujt. Duhet të kemi një seriozitet shtetëror për ta motivuar qytetarin për të dalë në zgjedhje, sepse parashikimet janë shumë të këqija. Nëse shpallet një datë e hershme e zgjedhjeve, unë jam i bindur se as 30% e elektoratit nuk do të dalë në votim. Çka bëhet atëherë. Dalin bandat. I mbushin kutitë, sepse në orën 16:00 bëhet terr. I kërcënojnë komisionarët për t’i nënshkruar listat. Ne i kemi zgjedhjet lokale, të cilat nuk po mund të kryhen qe një vit.

KD Ka parti që po kërkojnë kamera në vendvotime. Ndoshta do të ndihmonte kjo sadopak në rregullsi?

Daci: Po, po. Edhe ne kemi kërkuar. Por vijnë miq të ndryshëm nëpër zyra, në parlament e këtu, dhe thonë se nuk është mirë për demokracinë. Nuk është mirë për demokracinë e atij vendi prej nga ata vijnë, ku nuk ekziston vjedhja e votave. Por atje, ku ti e filmon duke e mbushur kutinë komisionari me vota, apo siç ka ngjarë në Viti, ku TV-ja e ka filmuar një gjë të tillë, është ndryshe. LDD-ja pra nuk është kundër vendosjes së kamerave, por na kanë thënë se kushtojnë shumë dhe se e fyejnë autoritetin e Kosovës dhe të hasreti këtij apo atij. LDD-ja nuk frikohet prej asnjë të vërtete dhe është shumë e gatshme t’ua thotë të vërtetën qytetarëve të rëndomtë për gjithçka.

KD: Keni menduar për ndonjë koalicion parazgjedhor?

Daci: Jo!

KD: Pra, LDD-ja do të hyjë e vetme në garë?

Daci: Po do të shkojmë të vetëm për shkak të pamundësisë. I patëm dërguar një letër LDK-së, konkretisht kryetarit të ngrirë e tash të shkrirë të kësaj partie. Ka qenë një kërkesë shumë serioze e LDD-së. Kam qenë në gjendje me gjithçka të garantoj se do t’i fitonim zgjedhjet dhe në mënyrë shumë relaksuese. Por njerëzit e krimit, që janë të implikuar në të gjitha llojet e krimeve, reketëve, krimeve ekonomike, nuk mund të mendojnë për ardhmërinë e një shtëpie.

KD: Ndoshta atëherë LDK-ja s’ka menduar se do të vijë puna për zgjedhje të parakohshme?

Daci: Në atë kërkesë nuk kam lypur zgjedhje të parakohshme, vetëm kam kërkuar mundësinë e koalicionit parazgjedhor. Dhe asnjë kërkesë nuk ka qenë që unë të jem ky, ose unë të jem ai, por vetëm t’i jepej një mundësi relaksuese qytetarit të Kosovës që po mundohet për shtet normal. Të garantonim se nuk do të ketë plaçkitje të asnjë lloji e as tenderomani, ose ta binim në minimum siç është në shtetet e ndryshme botërore, se korrupsion ka gjithkund. Por te ne ky fenomen është bërë i tmerrshëm. A mund të mendoni se ai formacion i presidentit të ngrirë nuk e ka parë të arsyeshme as për t’i qitur në rend dite në Kryesi të partisë.

KD: Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për ish-presidentin, por për gjithë strukturën tjetër drejtuese të LDK-së?

Daci: Atë strukturë drejtuese unë e quaj një arrë të mbyllur, brenda së cilës janë tre-katër veta. Por në fakt ajo është shteruar moti. Nuk ka thelb arre në të.

KD: Dhe derisa të jetë ajo strukturë në LDK, ju i përjashtoni gjasat për një bashkim forcash?

Daci: As gjasat teorike nuk ekzistojnë.

KD: LDK-ja megjithatë është në një proces të brendshëm zgjedhor. Çka nëse ndryshon kjo strukturë në Kuvendin zgjedhor. Do të ndryshonte edhe qasjen e LDD-së atëherë?

Daci: Po, shumë. Në kuptimin e bisedave të të gjitha llojeve të bashkëpunimit, pos për shkrirje dhe ngrirje jo. Në kuptimin e asaj: ejani e kthehuni. Nuk e di a ka në traditën shqiptare që vëllezërit janë ndarë e më pas ai i ndari ka thënë eja ktheu të jetojmë bashkë. Ne kemi ndërtuar shtëpinë tonë shumë stabile, por do ta ndihmonte një proces shumë të madh po të dilte një strukturë tjetër në LDK.

KD: Keni pasur kontakte me njerëzit që janë jashtë ”formacionit të Sejdiut” për të biseduar rreth kësaj çështjeje. Ta zëmë, më Bukoshin apo me Ukë Rugovën?

Daci: Unë kurrë nuk i kam ndërprerë kontaktet. Ka shumë profesorë universiteti që mund të jenë kandidatë. Kurrë s’i kam ndërprerë raportet njerëzore me anëtarësinë e LDK-së. Nuk kam pasur asnjë përlarje ose konflikt me Bukoshin kudo që jemi takuar. Jam takuar me të edhe kur e ka themeluar partinë, por edhe në zyrë sa kam qenë kryetar i Parlamentit. Mundohem të rrezatoj si njeri që është i gatshëm për bashkëpunim, por mbi baza të shëndosha. Prandaj ndryshimet e kësaj strukture rigjide, të ngrirë, të shkrirë, do t’i lehtësonin shumë raportet e bashkëpunimit të sinqertë. Jam i bindur se do të dilnim pa konkurrencë të parët.

KD: Ka parti që qysh tani kanë deklaruar se nuk do të hynin në qeveri me PDK-në edhe po t’u jepej mundësia. Ndani edhe ju të njëjtin mendim?

Daci: (Qesh) Kjo është për të qeshur. Jo s’kemi menduar. Sepse nuk do të isha frikuar. Po të kisha menduar, unë jam njeri publik. Kemi kafe pune, apo ndeje me të gjithë, edhe me të PDK-së, edhe me të LDK-së, edhe më të AAK-së, edhe të AKR-së, edhe me shoqërinë civile. Jam i bindur se me një projekt ku do të participonte LDD-ja, as shans teorike nuk ka Kosova që të jetë kaq ulët e kaq keq. Në një ekip ku do të jetë LDD-ja dhe LDD-ja do të jetë 100% në qeverisje, nëse me emër të Zotit jemi shëndosh, nuk do të ketë marre që janë bërë në shtetësi të pavarur.

KD: Keni hartuar programin elektoral?

Daci: Po. Dhe është shumë i qartë.

KD: Ndryshon prej atij të vitit 2007?

Daci: Shumë.

KD: Në cilat shtylla, mund të na tregoni?

Daci: Jo, sepse do të jeni dëshmitarë që para zgjedhjeve do të dalim me këto qartësi. Tash nuk e kam në plan t’i zbuloj
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi