Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova

Shko poshtë

Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova Empty Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 29, 2010 11:57 pm

Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova


Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova 86UK-RUGOVA-intervista-
Ukë Rugova djali i presidentit Ibrahim Rugova

Biseduan Bajrush Morina e Lirie Hajdari
Për vendimin për hyrjen në politike, për të ardhmen e tij politike, për mosmarrëveshjet me LDK-në dhe për koalicionin e Listës Dr.Ibrahim Rugova me AAK dhe për shumëçka tjetër flet Ukë Rugova, djali i presidentit Ibrahim Rugova

Ukë Rugova tashmë është emër i njohur i opinionin shqiptar në Kosovë dhe më gjerë kudo që jetojnë shqiptarët. Megjithëse është në moshë relativisht të re, si 30 vjeçar ai ka marrë përsipër të rikthejë në piedestal edhe njëherë një mision, një qëllim dhe një filozofi të njohur politike në Kosovë: rugovizmin!
Ukë Rugova i ka të gjitha aftësitë që të kryejë me sukses këtë mision!
Ai është trashëgimtari më besnik i familjes së presidentit Ibrahim Rugova.
Ai është rritur, edukuar dhe shkolluar në frymën rugoviane.
Emri i Ukë Rugovës është përmendur edhe sa ishte gjallë presidenti Ibrahim Rugova. Por ai nuk ishte parë në publik.
Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova UK%20RUGOVA1
Më pas Uka dhe familja e tij presidenciale kanë bashkëjetuar me dhembjen e miliona shqiptarëve për shkuarjen në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova. Kanë qëndruar paksa “anash” gjatë proceseve të shtetndërtimit, jo pse nuk kanë dashur të jenë pjesë e këtij procesi, por sepse nuk i ka ftuar askush.
Por jo të gjitha proceset kanë shkuar sipas platformës politike të presidentit Ibrahim Rugova. Ndërkaq rënien e LDK-së, partisë politike me të cilën presidenti ka qenë i lidhur për më shumë se 2 decenie, e kanë përjetuar rëndë. Madje Uka e ka ndjerë nevojën që të bëjë diçka në këtë drejtim. Ai ka hyrë në politike edhe pse në moshë të re. Ka trokitur në derë të LDK-së. Është pritur me përshëndetje e me skepticizëm. Por nuk është ndalur. Prapë ka vazhduar rrugën e LDK-së. Ka trokitur edhe në derën e mbyllur të LDK-së. Nuk ka hyrë në garën politike, është “përjashtuar” nga procesi zgjedhor, por Ukë Rugova edhe sot e kësaj dite e ndien veten si pjesë të LDK-së. “LDK-ja është pjesë e familjes Rugova” thotë në intervistën ekskluzive për “Bota sot”, për numrin e 28 nëntorit, Ukë Rugova, djali i presidentit Ibrahim Rugova, bartës i Listës Dr.Ibrahim Rugova.
Bota sot: Z. Ukë Rugova, a mund të na thoni për fillim se cilët janë motivet kryesore që të shtynë futesh në politikë?
U.Rugova: Motivet pse kam hyrë në politikë janë ato që edhe i kam përmendur me herët, forcimi i LDK-së, asgjë tjetër. Forcimi i LDK në kuptimin se me një LDK të fortë është edhe Kosova e fortë. E kam parë gjendjen në të cilën ka qenë LDK-ja dhe të gjithë njerëzit e dinë se në çfarë gjendje ka qenë, LDK e ndarë që nga viti 2006, prej kalimit në amshim të presidentit Rugova e pastaj që nga Kuvendi i VI kur ndodhën ato ndarjet.
Në ndërkohë ka qenë preokupim i gjithë qytetarëve të Kosovës dhe një presion që është bërë ndaj meje dhe familjes që të ndërmarrim ndonjë hap për forcimin e LDK-së. Në fakt ishte procesi i shtet formimin dhe shtet ndërtimit të Kosovës, që neve na ka bërë që të rrimë anash këtyre interesave partiake. Edhe nëse e kemi parë se po ka ngecje në LDK nuk kemi dashur ta bëjmë të madhe këtë punë, sepse ka qenë qëllimi i ndërtimit të shtetit. Tash pas vendimit të GJND-së dhe pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve brenda LDK-së e kam parë të arsyeshme që të hyjë dhe të kontribuoj në forcimin dhe bashkimin e LDK-së. Qëllimi im ka qenë që në vitin 2011, ashtu siç ka qenë e planifikuar që në këtë kohë të mbahen zgjedhjet nacionale, që të hyje në LDK, të kontribuoj në afrimin e njerëzve, të bëjmë ndonjë koalicion parazgjedhor me LDD apo edhe me AKR eventualisht, parti këto që kanë elektoratin rugovian dhe të LDK-së. Nuk kam pasur ndonjë ambicie apo interes për ndonjë post, ka qenë ky i vetmi qëllim.
Bota sot: Para se të merrni vendimin për hyrje në politikë, a keni menduar se ndoshta mos është pak herët të hyni në ujërat e turbullta të politikës?
U.Rugova: Gjithmonë kam qenë në kontakt me miq dhe shokë që kanë qenë anëtarë të Kryesisë së mëparshme të LDK-së e të Këshillit të Përgjithshëm si dhe aktivistët e LDK-së. Me të gjithë kam biseduar para se të marr këtë vendim. Kam biseduar edhe me familjen, sepse ka qenë brengë edhe e familjes se kah është duke shkuar LDK-ja. Kam biseduar me të ndjerin Fadil Feratin, me Naser Osmanin, Lufti Hazirin, Astrit Haraqinë, Ismet Beqirin, Agim Veliun, Sabri Hamitin. Me të gjithë kam biseduar për gjendjen në të cilën është LDK dhe se nevojiten ndryshime. Me të gjithë ka pasur pajtime se proceset në LDK nuk janë duke shkuar si duhet dhe se nevojiten ndryshime dhe reforma të mirëfillta.

Kur ta marrë besimin e elektoratit, do të shihen vlerat e mia
“Bota sot”: A po hyni në politikë si Ukë Rugova i ri apo si Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova?
U.Rugova. Të dyja nga pak. Besoj se edhe elektorati më sheh në dy forma. Së pari më sheh si djali i presidentit Rugova, e në të njëjtën kohë më shohin si një djalë i ri dhe një fytyrë e re në politikë. Kur ta marr besimin e elektoratit që të punoj për ta, ata do të shohin edhe vlerat dhe kapacitetet e mia.
“Bota sot”: Dihet se jeni trashëgimtar familjar, djalë i presidentit Rugova, çka trashëgoni tjetër në aspektin politik, në aspektin e filozofisë politike të presidentit Rugova që do ta riktheni përsëri në skenën politike?
U.Rugova: Trashëgoj politikën ofruese, politikën e unitetit. Atë kam dëshirë që të arrijë ta përhapi sa më shumë dhe atë qëllim kam pasur ta bart brenda LDK-së, por që fatkeqësisht nuk mu krijua mundësia. Besoj se hapi i lidhjes së koalicionit me AAK e ka treguar këtë frymë të unitetit që ka pasur presidenti Rugova. Në AAK ka shumë njerëz që kanë dalë nga LDK-ja, Melihate Tërmkolli, Haki Shatri, Blerim Kuçi, Muharrem Shabani, njerëz që fatkeqësisht nuk iu ka krijuar hapësira e nevojshme për punë, në mënyrë që të qojnë përpara proceset në LDK dhe kanë qenë të detyruar të dalin në AAK për të pas mundësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre politik. Besoj se kjo është vlera e unitetit, e bashkimit të njerëzve. Kam dëshirë që atë vlerë edhe ta kem të trashëguar, por edhe ta zhvilloj më shumë si vlerë e presidentit Rugova që ka qenë e njohur.
Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova 33UK-RUGOVA-
“Bota sot”: Ju e keni akuzuar drejtpërdrejt ish-presidentin e vendit dhe ish-kryetarin e LDK-së Fatmir Sejdiun, si njeriu që ka shkatërruar dhe ka ulur imazhin e LDK-së. A konsideroni se Kuvendi VII e ka rikthyer imazhin e LDK-së?
U.Rugova: Z. Sejdiu nuk e kam akuzuar personalisht, por ai ka qenë një realitet jo i mirë për LDK-në. Për Sejdiun ka qenë vështirë që ai t’i mbaj dy poste, atë të presidentit dhe të kryetarit të partisë. Atë ka arritur ta bëjë vetëm Ibrahim Rugova, por edhe ai ka pasur një fazë kur është tërhequr nga partia. Në shkurt të vitit 2005 ai ka dhënë dorëheqje. Nuk e ka ngrirë postin, por ka dhënë dorëheqje, sepse e ka parë të udhës se është momenti për ndërtimin e shtetit, i njohjes formale siç thoshte ai gjithmonë, dhe ka parë se duhet të tërhiqet nga partia dhe të lëshojë rrugën. Këtu ndodhi kjo që z. Sejdiu nuk e praktikoj. Ndoshta ka qenë edhe ngarkesa e madhe, obligimet shtetërore që nuk e kanë lejuar të merret shumë me parti, e në të njëjtën kohë ai ka vazhduar ta mbaj postin e kryetarit edhe pse ka qenë postë i ngrirë. Aty kanë filluar hapësirat në hierarki dhe në zinxhirin e dhënies së urdhrave.
“Bota sot”: Megjithatë ai ka ndërhyrë në disa procese në LDK, siç është rasti i Blerim Kuçit?
U.Rugova: Unë mundem vetëm të paragjykoj, por në bazë të fjalëve që i kam dëgjuar , z. Sejdiu është e vërtet se nuk ka shkuar kurrë në zyre të kryesisë së partisë, por kanë shkuar udhëheqësia, nënkryetarët, sekretari i partisë, apo edhe anëtarët e partisë te ai në zyre dhe kanë kërkuar nga ai mendime. Ato mendime në mënyrë indirekte janë përcjellë në kryesi, të cilat janë votuar gjithmonë nga kryesia e partisë. Por partia dhe Kryesia e LDK-së ka pasur nevojë që ta kenë liderin, prijësin e vet dhe unë i kuptoj edhe anëtarët e kryesisë që e kanë respektuar sepse ka qenë njeriu që vetë e kanë zgjedhur.
“Bota sot”: A ka qenë koalicioni me PDK-në një nga dështimet e vetë presidentit Sejdiu, apo më konkretisht a ka qenë vazhdimi i koalicionit pas rastit të “Zanzibarit” një dështim për LDK-në?
U.Rugova: E dimë të gjithë se ky koalicion është bërë për të mirën e Kosovës. Është një koalicion që edhe presidenti Rugova e kishte bërë edhe pse kishte fituar afër 50 për qind të votave nga zgjedhjet e 2001. kështu në shkurt të vitit 2002 presidenti Rugova ka nënshkruar koalicion me PDK-në për hir të ndërtimit të shtetit. Ai e ka parë të rrugës që të bëhet bashkë me PDK-në, parti e dyta në vend, dhe për hir të shtetit të ecet përpara. Është mendimi im personal, por edhe aktivistëve të LDK-së, simpatizantëve që pas zgjedhjeve të vitit 2007, LDK të qëndronte në opozitë. Po flas në aspektin partiak, për interesa partiake, sepse do të kishte kohë më shumë që të reformohet dhe të forcohet si parti. Por edhe atëherë ka qenë e nevojshme ndërtimi i shtetit të Kosovës dhe për atë arsye LDK ka hyrë në koalicion me PDK-në.
“Bota sot”:Duket se misioni juaj për të ruajtur elektoratin rugovian nuk shkoi deri në fund për fajin e LDK-së, apo të Isa Mustafës. Cilat janë arsyet?
U.Rugova: Faji i mbetet udhëheqësisë aktuale të kryesisë që u rizgjodh, e cila fatkeqësisht nuk krijoi hapësira të nevojshme për mua dhe për disa njerëz që edhe i filluan këto procese që nga muaji gusht, kur nisëm hapur të bisedojmë për këto procese, të cilat deri në atë kohë ishin biseduar nëpër hapësira të mbyllura, nëpër restorante apo në zyre diku, por jo aty ku është dashur të flitet. Më vjen keq që nuk na u krijua kjo hapësirë nga udhëhëqësia e re e LDK-së. Qëllimi im dhe i grupit që kemi qenë bashkë, dr. Bukoshi, z. Haraiqia, z. Gashi ka qenë kontributi në reformimin dhe zhvillimin e LDK-së, nuk ka pasur arsye të interesave personale apo private, dhe ato janë vërejtur shumë mirë. Për të pasur ndonjë interes privat unë kisha pranuar të jem në listë të deputetëve që edhe kam pasur ofertë nga LDK, por unë asi oferta të ngjashme kam pasur nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Qëllimi im dhe njerëzve që kemi punuar së bashku ka qenë vetëm forcimi i LDK-së dhe asgjë më shumë. Ka pasur spekulime se Ukë Rugova dhe familja Rugova janë me këtë apo atë parti. Ne kemi dashur që ato mjegull ta heqim njëherë e përgjithmonë t’ua bëjmë të qartë se jemi në LDK. Por ne kemi dashur që në LDK të vërehet prezenca jonë në organet ekzekutive, në Këshill të përgjithshëm apo në Kryesi dhe qëllimi im ka qenë që kur të jemi pjesë e këtyre organeve elektorati të sheh se Ukë Rugova nuk ka shkuar në parti tjetër, por është në LDK aty ku mund të formësoj dhe drejtoj politikat partiake.
Nuk kam kërkuar që të jem nënkryetar i LDK-së
“Bota sot”: Pse ky refuzim kaq i madh i Isa Mustafës për të mos pas pasur në LDK njerëz siç janë Ukë Rugova, Bujar Bukoshi, etj në LDK. Pse ua mbylli derën?
U.Rugova: Me z. Mustafa kemi qenë në kontakte të pandërprera edhe gjatë këtyre muajve sa u shpallën zgjedhjet në LDK, por edhe kur filluan ato. Atij ia kam bërë me dije qysh në fillim dhe ka qenë personi i parë nga elita e LDK-së, se dua të kyçem në mënyrë aktive politikë, në LDK, vetëm se dua t’i kontribuoj LDK-së, forcimit dhe stabilizimit të LDK-së. I kam thënë se kam dëshirë të jem pjesë e kryesisë në kuptim që t’u jap një besim anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së, e në të njëjtën kohë të jem pjesë në listë të deputetëve që të ndihmoj dhe të sjellë më shumë vota për të ngritur përqindjen e LDK-së. Në të njëjtën kohë i kam thënë se nuk jam i interesuar për poste ekzekutive në qeverinë e Republikës së Kosovës, apo ndonjë synim më të madh. As nuk kam kërkuar që në kryesi të jem nënkryetar, apo sekretar, por te jem një anëtarë i thjeshtë i kryesisë dhe në atë mënyrë të reflektoj te popullata dhe te elektorati i LDK-së.
“Bota sot”: Nëse ju keni qenë aq modest në kërkesat tuaja, cila ka qenë oferta refuzuese e Isa Mustafës, apo pse ai ka qenë aq refuzues?
U.Rugova: Forma dhe trajtimi i Isa Mustafës ka qenë i çuditshëm. Lista Ibrahim Rugova ka qenë vetëm një mjet presioni për fillimin më të shpejtë të reformave në LDK dhe si një mjet alternativë për elektoratin e LDK-së, se nëse nuk ndodhin reformat e mirëfillta, atëherë së paku ne kemi një listë alternative ku elektorati mund ta gjejë vetën dhe jo të mbetet pa dalë në votime, sepse ajo nuk i kontribuon zhvillimit të demokracisë së vendit. Pas zgjedhjes së tij si kryetar ndodhi një ndryshim që ai listën tonë e trajtoj sikur të jemi një subjekt i pavarur politik, duke ditur realitetin, e që ia kam përmendur disa herë, se ky ka qenë vetëm mjet i presionit pozitiv që të fillojmë reformat e mirëfillta dhe të vijmë deri te ndryshimet. Pas publikimit të listës tonë, më 28 tetor, ndërsa Kuvendi i LDK-së është mbajtur më 7 nëntor, kam pasur me qindra vizita në Rezidencë nga aktivistët e LDK-së, delegatë të Kuvendit qendror të LDK, të cilët kanë thënë se do të votojmë Isa Mustafën do të votojmë fillimin e reformave në LDK, vetëm të mos ndodh ky pavarësimi i listës.
Aktivistët e LDK-së e kanë qenë të vetëdijshëm se çka mund të ndodh nëse ne si grup i reformave të tërhiqemi prej LDK-së. Por duket se “presioni” ynë nuk pati ndonjë efekt tek udhëheqësia e LDK-së dhe ata e bënë për ne ofertën përjashtuese.
Urimi për gazetën kombëtar “Bota sot”
Është nderë dhe kënaqësi për mua të jap intervistë për kombëtaren “Bota sot”, gazetë e cila gjithmonë ka përkrahur politikën dhe filozofinë e presidentit Ibrahim Rugova dhe shfrytëzoj rastin që gjithë lexuesve të gazetës “Bota sot” dhe mbarë shqiptarëve kudo që janë të ju uroj Festën e 28 Nëntorit. Dashtë Zoti që secilin vit të punojmë dhe të presim 28 nëntor sa më të mirë si shtet i Kosovës dhe sa më shpejtë ta festojmë 28 Nëntorin si pjesë e BE-së dhe NATO-s, gjithnjë në miqësi të përhershme me SHBA-të.
“Bota sot”: Z. Rugova, në kryesinë e tashme të LDK-së janë futur emra që në këtë parti janë inkuadruar në para 3-4 muajsh. A ka qenë ky hapi i parë kur ju keni vërejtur se Isa ia ka kthyer shpinën Ukë Rugovës?
U.Rugova: Nuk kam asgjë kundër atyre emrave që janë në Kryesinë aktuale të LDK-së. Por mendoj se ka qenë e nevojshme që të krijohet hapësirë edhe për ne të tjerët, për ata njerëz që i kanë iniciuar fillimin e reformave në LDK. Tash shumë njerëz po thonë se tërë kohën kanë qenë për fillim të reformave, por para dy muajve realiteti ka qenë krejt ndryshe. Kemi qenë vetëm disa zëra të vetmuar: unë, Bukoshi, Haraqija, që kemi kërkuar në mënyrë publike ndryshimet në LDK. Unë i kam thënë edhe Isa Mustafës se është mirë të mbështetemi në praktikat dhe në përvojat që na i ka lanë presidentit Rugova, i cili në vitin 2002, por edhe 2004, në kuvendet zgjedhore të LDK-së e ka bërë plotësimin dhe zgjerimin edhe të Kryesisë edhe të Këshillit të Përgjithshëm në të dy rastet. Pra presidenti Rugova ka praktikuar gjithmonë politikat ofruese, politikat e unitetit dhe jo politikat përjashtuese. Është qëllimi i një partie politike që të grumbullojë sa më shumë njerëz, e jo të përjashtojë. E fatkeqësisht LDK-ja prej se ka ndërruar jetë presidenti Rugova ka praktikuar vetëm politika përjashtuese dhe tash po ndodh edhe kjo. I kam thënë z. Mustafa që praktikat e z. Rugova, ose që tash quhet rugovizimi, po i përdorin edhe partitë e tjera, dhe po tregojnë efektin e tyre. Po e përmend rastin e AAK-së. Z.Haradinaj ka afruar njerëz në parti, e ka shtuar numrin e anëtarëve të Kryesisë, por e ka shtuar edhe përqindjen e partisë. Ky është qëllimi i partisë, të grumbullojë njerëz rreth vete, dhe të shtojë numrin e votave të përgjithshme, sepse kështu më lehtë e arrin pushtetin.
Qëllimi i çdo partie është marrja e pushteti, e pushteti nuk merret nëse bëjmë politika përjashtuese ndaj njerëzve. Secili duhet të afrojmë sa më shumë njerëz, më afër njëri-tjetrit.
Isa Mustafa më ka thënë se do të konsultohet ...
“Bota sot”:Ju më parë përmendet emra të LDK-së, si të z. Haziri, Beqiri, Hamiti, me të cilët keni biseduar për reformat në LDK, por ata tash janë në strukturat e LDK-së. A mendoni se ata i janë nënshtruar presionit të Isa Mustafës apo përflitjeve dhe bisedimet më ju kanë qenë false?
U.Rugova: Nga pozicioni i sotëm kohor ashtu duket realiteti. Edhe z. Mustafa e ka potencuar se është këshilluar me anëtarët e Kryesisë dhe të KP-së për ofertat që më janë bërë mua. Ka qenë qëndrimi i tyre se gjoja unë, Bukoshi, Haraqija, Gashi e të tjerë që janë bashkë me ne, nuk kemi qenë pjesë e procesit zgjedhor të LDK-së, dhe tash nuk kemi të drejtë të jemi pjesë e Kryesisë ose e KP-së. Realiteti qëndron ndryshe, sepse me status të LDK-së mund të bëhesh edhe anëtar i Kryesisë, edhe anëtar i KP-së, edhe nëse nuk je pjesë e Kuvendit zgjedhor. Është e potencuar se vetëm kryetari i partisë nuk ka të drejtë të jetë person i cili nuk ka marrë pjesë në proceset zgjedhore të LDK-së.
Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova UK%20RUGOVA-BMorina
“Bota sot”: A ia keni thënë këtë z. Isa Mustafa?
U.Rugova: Po, ia kam thënë, dhe ai më ka thënë se do të konsultohet, meqë saktësisht nuk e di se si qëndron puna. Kjo ka qenë një politikë të cilën presidenti Rugova, por edhe burrat, intelektualë të tjerë kur është themeluar LDK-ja, thonë se ka qenë një politikë afruese nga ajo kohë. LDK-ja në formën si është konceptuar dhe si ka vepruar ka pasur për qëllim afrimin, dhe presidenti Rugova bashkë me bashkëpunëtorët e tij në atë kohë e kanë konceptuar këtë se Kryesia e LDK-së e ka hapësirën që të marrë njerëz edhe që nuk janë në struktura partiake, por edhe t’i afrojë sa më shumë rreth vetes. Edhe statuti i partisë ndryshohet në momente të caktuara për të afruar njerëz, jo për të larguar.
“Bota sot”:Juve ju mbyll dera në LDK dhe gjetët mikpritje në një parti tjetër që është AAK-ja. A mendoni se Lista Dr. Ibrahim Rugova do të jetë një sfidë e re, një kualitet i ri në skenën politike të Kosovës?
U.Rugova: Kualitetet e listës besoj se tashmë kanë filluar të shihen dhe të dëshmohen. Qëllimi i listës qysh nga fillimi ka qenë presioni pozitiv politik për fillimin e reformave në LDK. Nuk e kemi konceptuar që të jetë subjekt i pavarur politik dhe nuk është ashtu. Ne vazhdojmë të jemi pjesë e LDK-së, por jemi një pjesë e cila ka kërkuar fillimin e reformave të mirëfillta në LDK, e që fatkeqësisht e pamë se nuk kanë filluar ato reforma. Politika është arti i së mundshmes dhe njeriu duhet të gjejë rrugën kah duhet ecur për të ruajtur besimin e elektoratit, e sidomos në Kosovë ku po vërehet se elektorati e ndien vetën të dëshpëruar, të zhgënjyer nga politikat që udhëhiqet dhe një numër i madh i tyre nuk po del në zgjedhje. Për shkak të elektoratit të LDK-së i cili ka pësuar dëshpërim që nga ndërrimi i jetës së presidentit Rugova, e kemi parë të udhës që të gjejmë një hapësirë për veprim pasi nuk kishim hapësirë ligjore e kohore që të garojmë si listë e vetme në këto zgjedhje. Por duke pasur parasysh marrëveshjen e koalicionit që presidenti Rugova pati lidh me kryeministrin Haradinaj në vitin 2004 e kemi parë të udhës që të vazhdojmë hapat e filluar nga presidenti Rugova dhe z. Haradinaj, të vazhdojmë në atë frymë, sepse ka qenë një koalicion që është pritur mirë nga popullata e Kosovës dhe besoj se i ka thyer njëherë e përgjithmonë disa ideologji që ishin krijuar pas luftës te ne se ekziston krahu i luftës dhe ai i paqes. Me atë hap presidenti Rugova ka treguar se partitë mund të kenë dallime ideologjike, por ne të gjithë kemi një qëllim, ndërtimin e shtetit të Kosovës, dhe kuptohet maksima e presidentit Rugova, anëtarësimi i Kosovës në strukturat evropiane, në BE dhe në NATO, gjithmonë në lidhje speciale me SHBA-në.
Lista dr.Ibrahim Rugova - e vetmja alternativë e reformave në LDK
Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova UK%20RUGOVA-LHajdari
“Bota sot”: Ju po përsëritni se nuk keni dalë nga LDK-ja. A shpresoni se megjithatë reformat në LDK do të ringjallen pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të imponojë reforma?
U. Rugova: Unë besoj dhe shpresoj në atë. Llogaris shumë se elektorati i LDK-së do të votojë për Listën Dr.Ibrahim Rugova, për koalicionin që kemi bërë me AAK-në, sepse kjo është e vetmja formë që do të na dërgojë drejt reformave brenda LDK-së. Pas zgjedhjeve më 12 dhjetor, pas rezultateve që do të vijnë, jam optimist se do të kemi rezultat pozitiv nga kontaktet që kemi me njerëz. Synojmë që të marrim vendin e parë dhe timonin e formimit të qeverisë së re të Kosovës dhe të vazhdojmë në ndërtimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës dhe demokracisë në Kosovë. Formimi i Listës dr. Ibrahim Rugova ka kontribuar në zhvillimin e mëtejme të demokracisë në Kosovë, si sistem shumëpartiak që kemi.
“Bota sot”: A e konsideroni Listë dr.Ibrahim Rugova dhe Ukë Rugovën një urë lidhëse mes AAK-së dhe LDK-së?
U. Rugova: Kam biseduar edhe me z. Ramush Haradinaj në kohën kur ai i kishte dërguar letër z. Fatmir Sejdiut për koalicion parazgjedhor, por edhe në kontakte të tjera që kam pasur pas ndërrimit të jetës së presidentit Rugova, ka qenë një gatishmëri që të punohet mes LDK dhe AAK-së në frymën që e filloi bashkëpunimin presidenti Rugova me z.Haradinaj. Edhe sot ka gatishmëri të dyanshme dhe kjo vërehet edhe nga kontaktet e zyrtarëve të AAK-së që të bashkëpunojnë me ne. Pas zgjedhjeve do të shihet se çfarë ndryshime do të ndodhin, por koncentrimi më i madh yni është që të kthehemi në LDK dhe të shkojmë drejt reformave të mirëfillta. Edhe këta njerëz që janë në Kryesi të qëndrojnë aty, le të plotësohet ajo Kryesi edhe me emra të tjerë të cilët do t’i kontribuojnë zhvillimit të LDK-së.
“Bota sot”: Nëse AAK-ja dhe Lista Dr. Ibrahim Rugova marrin primatin në skenën politike, pavarësisht nga fakti që LDK-ja ua ka mbyllur derën, a do të jetë LDK-ja partia e parë me të cilën jo do të kërkoni të bëni koalicion?
U. Rugova: Po gjithsesi!
“Bota sot”:Pra ju nuk jeni hidhëruar me LDK-në dhe a besoni në gatishmërinë e LDK-së që të pranojë ofertën e juaj?
U. Rugova: Jo në asnjë mënyrë. Oferta varet nga ta, por gatishmëria jonë ekziston dhe do të ekzistojë. LDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë. Ajo është parti që është themeluar nga presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, burrat trima e guximtarë, por për ta ndërtuar si parti, e ka ndërtuar, e ka mbikëqyrë, e ka disiplinuar dhe e ka udhëhequr Ibrahim Rugova njëjtë sikur na ka udhëhequr apo si na ka disiplinuar edhe ne tre fëmijët e tij, Mendimin, mua dhe Teutën. Në të njëjtën kohë e ka rritur edhe LDK-në dhe LDK-në e shohim si anëtarin e familjes. Qëllimi ynë ka qenë që pjesa e elektoratit të zhgënjyer të LDK-së ta gjejë vetën te Lista jonë dhe nëpërmjet kësaj liste të kthehemi në LDK, të bisedojmë me udhëheqjen aktuale dhe të gjejmë rrugën drejt reformave të mirëfillta.
Në LDK hëpërhë më së paku vërehet filozofia e rugovizimit
“Bota sot”:A do ta ftoni edhe LDD-në dhe të tjerët që llogaritet se kanë anëtarësi dhe elektoratin rugovian?
U. Rugova: Unë thash se qëllimi im, kur kam hyrë në politikë, ka qenë që të futem në LDK këtë vit, duke llogaritur që zgjedhjet nacionale do të mbahen në vjeshtë të 2011 që të kontribuojë në ofrimin e njerëzve brenda LDK-së së pari, dhe në formimin e në një kryesie të fuqishme e dinamike, dhe të vazhdojmë të zhvillojmë frymën e unitetit dhe të bashkimit që e ka pasur presidenti Rugova dhe që është karakteristike e rugovizimit si filozofi. Ka qenë qëllimi që pasi të forcohemi si parti pas kuvendit të partisë që është dashur të mbahen në dhjetor, dhe pas asaj të fillojmë negociatat me partitë simotra të LDK-së, me LDD-në, AKR-në, që ta gjejmë formën e garimit për zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm.
“Bota sot”: Ka përpjekje të shumta të partive politike, duke përfshirë këtu edhe LDK-në, LDD-në dhe të tjerat që ta përvetësojnë filozofinë rugoviane. Por zyrtarët e LDK-së thonë se presidenti Rugova dhe rugovizimi janë vetëm në LDK dhe askund tjetër. Si e vlerësoni këtë?
U. Rugova: Presidenti Rugova është pasuri shtetërore e Kosovës, e në të njëjtën kohë them se është pasuri kombëtare e gjithë shqiptarëve. Nuk është mirë që filozofia e tij të merret vetëm nga një parti. Ne vetëm si familje nuk e praktikojmë të themi se Ibrahim Rugova ka qenë udhëheqës i familjes sonë. Ai ka qenë kryefamiljar i familjes sonë, e në të njëjtën kohë, e them kushtimisht, ka qenë kryefamiljar i gjithë Kosovës. Besoj se tash emri i Ibrahim Rugovës, apo filozofia e rugovizimit duhet të shërbejë edhe në literaturat politike e filozofike si një filozofi e tillë, dhe jo vetëm si një trashëgimi e vetëm një partie. Me hapat që po i shohim tash në skenën politike, edhe te partitë e tjera, fatkeqësisht hëpërhë më së paku vërehet në LDK filozofia e rugovizimit. Këtë e them pa të keqe për gjithë anëtarët e kryesisë, KP-së dhe kryetarin aktual të LDK-së sepse ajo pika kryesore e rugovizimit dhe e ideologjisë rugoviste ka qenë unifikimi, bashkimi i njerëzve dhe jo largimi. Ajo filozofi nuk vërehet në këtë parti që thuhet se ka trashëguar gjithë atë që duhet ta trashëgojë në mënyrë të drejtpërdrejtë frymën unifikuese të rugovizmit.
Dialog politik me Ukë Rugovën, djalin presidentit Ibrahim Rugova 28-1UK-RUGOVA-
“Bota sot”: A do të dilni të mblidhni vota, a do të bëni fushatë dhe cili do të jetë mesazhi juaj për elektoratin?
U. Rugova: Ne së bashku me AAK kemi bërë marrëveshje dhe do të garojmë me një listë të përbashkët. Kemi pasur biseda që të punojmë bashkë edhe në fushatën zgjedhore, e cila zyrtarisht do të fillojë në mesnatën e 1 dhjetorit. Do të marrin pjesë në tubime anembanë Kosovës me një stil sikur e ka pasur presidenti Rugova. Kërkoj nga elektorati i LDK-së që të votojnë koalicionin e Listës dr. Ibrahim Rugova me AAK-në, i ftoj edhe atë pjesë të elektoratit që e kanë ndier vetën të zhgënjyer nga mungesa e hapësirës brenda LDK-së të votojnë listën tonë, sepse kjo është e vetmja formë që do të mund të kontribuojnë në reformimin dhe fuqizimin e LDK-së. Vota e elektoratit të LDK-së për Listën dr. Ibrahim Rugova do të kontribuojë në forcimin e LDK-së. Nuk është Lista Dr. Ibrahim Rugova jashtë LDK-së, është pjesë e LDK-së. Është ngjashëm sikur në vendet perëndimore. Në Gjermani CSU është pjesë e CDU, por garon si e veçantë. Është e ngjashme edhe me rastin e freskët, kemi tash Partinë Republikane në Amerikë, me fraksionin që udhëhiqet nga Sarah Pelin, që pak a shumë është e ngjashme.
“Bota sot”: Çdo politikan synon një qëllim. A e ka Ukë Rugova synimin që në një të ardhme jo të largët të jetë president i Republikës së Kosovës?
U. Rugova: Hëpërhë ju thash se synimi, ambicia ime e sinqertë dhe fisnike është forcimi dhe stabilizimi i LDK-së si parti. Edhe tash nuk kam asnjë ambicie për postet ekzekutive të Kosovës. Jam në një moshë të re në politikë, moshën 30-vjeçare, por duke parë zhvillimet që po ndodhin, por edhe presionet nga aktivistët dhe anëtarët e elektoratit të LDK-së e kam parë të udhës që të futem në politikë, ende pa tejkaluar një pjesë të jetës private dhe pa e tejkaluar dhimbjen e madhe që kemi për humbjen e presidentit Rugova, pro ka qenë qëllimi që vetëm të kontribuojmë në forcimin e LDK-së dhe asnjë qëllim tjetër. Asnjë synim tjetër për poste ekzekutive. Kemi pas nderin dhe privilegjin të jetojmë afër Presidentit dhe e kemi parë fuqinë e pushtetit, e kemi parë fuqinë pozitive të pushtetit, sepse presidenti Rugova e ka përdorur pushtetin për të sjellë të mira te popullata dhe ne e dimë se çka është fuqia pozitive e pushtetit institucional. Tash për tash nuk kam ambicie të tilla, kam ambicie të stabilizojmë LDK-në. Kosova ka një popullatë të re, të shkolluar, të moderuar, në hap me trendët evropianë dhe botërorë edhe ka shumë njerëz që mund ta udhëheqin Kosovën, në mënyrë që ajo të jetë në duart e sigurta. Këtë e ka thënë edhe presidenti Rugova.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi